Syleshtësi dhe njëjtësim
Në artikullin pararendës të rubrikës “Zarfthi i Minervës” vura në dukje se një numër shumë i madh lexuesish e kanë vështirë të dallojnë në një roman realitetin nga trilli dhe synojnë t’i veshin autorit pasione apo mendime të personazheve të tij. Në mbështetje të kësaj ideje, pashë në Internet një sajt ku hidhen mendime të autorëve të ndryshëm dhe, duke vozitur me togfjalëshin "të thëna nga Umberto Eco", gjeta këtë frazë: "Italiani është i pabesë, gënjeshtar, frikacak, tradhëtar, s’të del ballazi, por ta ngul thikën pas shpine, ta jep helmin për ilaç, s’mban llaf në ujdira, për parimet ndërron dyzet flamurë". Nuk them se s’ka këtu asgjë të vërtetë, por kjo është një thënie shumë e vjetër, e përhapur nga autorë të huaj. Në romanin tim "Varrezat e Pragës" këtë frazë e ka shkruar një personazh, i cili në faqet pararendëse shfaq regëtima kryekreje raciste, duke përdorur cliché-të më bajate. Këtej e tutje nuk do të krijoj më personazhe të rëndomtë, përndryshe një ditë do të më ngjisin filosofema të tipit "E po, mama s’të bëhet dot njeri tjetër".
Tash po lexoj në rubrikën e Eugenio Scalfari-t shkrimin e tij të radhës, që i rikthehet artikullit tim në fjalë dhe ngre një problem të ri. Scalfari e pranon faktin se ka njerëz që e ngatërrojnë trillin tregimtar me realitetin, por mendon (dhe me të drejtë mendon që unë mendoj njësoj) se sendërgjia e tregimtarit mund të jetë më e vërtetë se vetë e vërteta, të frymëzojë njëjtësime, perceptime të dukurive historike, të krijojë mënyra të reja ndijimi, e të tjera. Dhe, merre me mend sikur njerëzit të mos binin në godi me këtë mendim.
Por jo vetëm kjo; trilli tregimtar të fal edhe kënaqësi estetike: lexuesi mund ta dijë shumë mirë që zonja Bovari nuk ka ekzistuar kurrë e, megjithatë, e shijon mënyrën se si Fluabert-i e ngjiz personazhin e vet. Dhe është pikërisht përmasa estetike që mbart me vete të përkundërtën e saj, përmasën "aletike" (pra, që ka të bëjë me kuptimin e së vërtetës siç e pranojnë logjicienët, shkencëtarët ose gjyqtarët, kur duhet të vendosin nëse dëshmitari ka thënë apo jo të vërtetën faqe gjykatës). Janë dy përmasa të ndryshme; medet sikur gjyqtarët të mallëngjeheshin kur fajtori i rrëfen estetikisht bukur gënjeshtrat e tij. Unë po merrem me përmasën aletike; aq e vërtetë është kjo sa përsiatja ime lindi në terrenin e një diskutimi mbi gënjeshtrën dhe të vërtetën. Është e gënjeshtërt të thuash se flokët të rimbijnë po përdore produkte të Vanna Marchi-t? Po, është e gënjeshtërt. Është e gënjeshtërt të thuash që don Abbondio-ja u përball me dy horrat? Nga pikëpamja aletike po, por tregimtari nuk dëshiron të na thotë që rrëfenja e tij është e vërtetë, përkundrazi bën sikur është e vërtetë dhe na kërkon edhe neve të bëjmë siç bën ai. Na kërkon atë që rekomandonte Coleridge-i, "ta pezullojmë mosbesimin" (Samuel Taylor Coleridge, 1772–1834, poet, kritik letrar dhe filozof anglez – sh. i p.).
Scalfari citon "Verter"-in, por ne e dimë sa të rinj e të reja romantike u vetëvranë duke u bërë njësh me protagonistin. Mos ndoshta besonin se historia qe e vërtetë? Nuk është nevoja ta besosh, ashtu siç e dimë se Ema Bovari nuk ka ekzistuar kurrë e, megjithatë, prekemi e derdhim lot për fatin e saj. E dimë që trilli është thjesht një sendërgjim, e megjithatë shkrihemi e bëhemi njësh me thelbin e personazhit.
Ndonëse e marrim me mend se zonja Bovari nuk ka ekzistuar kurrë, ka pasur aq shumë gra si ajo, pakëz si ajo mbase jemi edhe ne, e kështu nxjerrim një mësim për jetën në përgjithësi dhe për veten tonë, gjithashtu. Grekët e vjetër i besonin si të vërteta ndodhitë e Edipit, ndaj i panë si një rast i mirë për ta vrarë mendjen lidhur me to. Frojdi e dinte fort mirë që Edipi s’ka ekzistuar kurrë, por mitin e lexonte si një mësim të thellë për çka ndodh në pavetëdijen tonë.
Po çfarë iu ndodh lexuesve për të cilët fola unë, atyre që nuk dijnë fare ta ndajnë trillin nga realiteti? Duke e marrë ngjarjen seriozisht, ata janë aq të sëkëlldisur sa nuk e vrasin mendjen nëse ajo është treguar mirë apo është treguar keq, gjendja e tyre emoconiale nuk ka vlera estetike; ata nuk nxjerrin mësime, nuk njëjtësohen asfare me personazhet. Ata thjesht shfaqin atë që unë do ta quaja një defiçit trilli, janë të pazotë "ta pezullojnë mosbesimin". Meqënëse këta lexues janë më shumë ngasa mendohet dhe ngaqë e dimë se çështjet e tjera estetike e morale nuk kapen prej tyre, ia vlen barra qiranë të merremi me këtë çështje.
Përktheu: Henrik Ligori
Comments
Eko, mendoj se ti je nga te
Eko, mendoj se ti je nga te fundit... mbas teje... do na duhet shume kohe... per te gjetur nje te madh.
Add new comment