Sindromi i Portës së Lartë

Postuar në 18 Qershor, 2015 08:11

Ore, ju si gazetarë pse nuk i pyesni këta ambasadorët që të nxjerrin emra e mbiemra të kandidatëve që akuzojnë si të inkriminuar? Ta thonë mor vlla, filani dhe filani”. Disa lexues të DITA-s bënin këtë pyetje pak ditë më parë, teksa çështja e kandidatëve të dyshuar me të kaluar kriminale në këto zgjedhje lokale, vërtitej sa tek një sallë konferencash, tek tjetra.

Në fakt, pyetje të kësaj natyre ambasadorëve të rëndësishëm në Tiranë u janë bërë, dhe këtu e kam fjalën për përfaqësuesin e SHBA-së z.Donald Lu dhe atë të BE-së, znj.Romana Vlahutin. Përgjigja e diplomatëve të lartë, siç merret me mend, ka qenë… diplomatike, pavarësisht se së fundi qëndrimet e tyre kanë qenë gjithnjë e më të drejtpërdrejta. “Ka patur indicie se persona të inkriminuar janë pjesë e listave. Ende nuk ka një legjislacion që të na tregojë se kush mund të kandidojë ose jo, por është në dorë të votuesve të mos i zgjedhin”, tha para dy ditësh zonja Vlahutin. “Përmes votës largoni kandidatët e inkriminuar”, ka thënë për të disatën herë ambasadori Lu. Madje në fillim të qershorit ai kreu dhe një takim enkas për këtë qëllim në KQZ, ku vlerësoi “punën e deritanishme të institucionit në pastrimin e politikës nga këta individë”, dhe kjo vizitë ishte një ditë pasi KQZ rrëzoi kandidimin e kandidatit të Këlcyrës, që PD-ja e bëri hasha.

Shkrimi i djeshëm i agjencisë BIRN përmbledh përfoljet këtyre kohëve, edhe atyre më të hershme, duke kërkuar e ekspozuar të dhëna për tre emra kandidatësh. Dy nga e majta dhe një nga e djathta. Rezulton se pikërisht për ta kanë bërë kaq kohë presion diplomatik direkt e indirekt, ata që i quajmë “ndërkombëtarët”; edhe pse ata vetë sërish nuk e thonë haptaz. Dhe sërish mbetemi në kufijtë e hipotezës.

Në këtë pikë shtrohet një çështje tjetër: Çfarë presim ne nga “të jashtmit”, miq, aleatë, partnerë strategjikë etj, siç i quajmë rëndom? Mesa duket, në mungesë të besimit te institucionet e vendit dhe tek politika jonë, mjaft shqiptarë janë dakord se këta diplomatë jo të zakonshëm duhet të marrin njëfarë atributi prej mëkëmbësi, valiu apo të dërguari të plotfuqishëm të një fuqie të madhe diku larg. Dhe të thonë: Ky dhe ai tjetri janë marrë me trafiqe apo kanë bërë krime, mos i kandidoni. Dhe kjo psikozë nuk është çudi të jetë e justifikuar edhe nga historia.

Si vend i vogël dhe periferi perandorish apo aleancash të mëdha, ne shqiptarët gjithmonë jemi interesuar se ç’haber erdhi nga Stambolli, çfarë u tha në Beograd, si na pritën në Moskë, ç’vapor erdhi nga Pekini, e së fundi çfarë thanë Brukseli e padyshim Uashingtoni.

Sigurisht, gjithmonë kemi një farë pritshmërie “ekstra” nga ambasadorët e mëdhenj, por jo gjithmonë na pëlqen ajo që thonë. Fjala vjen, kur ndonjë politikan tonin e quajnë burrë shteti në rrethana të përgjakshme… Apo kur, më herët, pasi janë shtruar në qofte e birra, konstatojnë se edhe zgjedhjet e radhës ishin një hap përpara…

Por këto janë raste kalimtare. Ne përgjithësisht presim që fjalën e madhe, mesazhin final, pikat mbi i, t’i vënë ata. Psh, të na thonë neve që nuk e dimë, se mbi Xhelal Mziun e Kamzës rëndon një vendim gjykate me burg. Dhe kur kjo nuk ndodh, ne zhgënjehemi. Ndërkaq, unë druaj se edhe sikur kjo të ndodhte, shumë prej nesh do reagonin ndryshe: “Ç’punë kini që fusni hundët në çështjet e një vendi sovran”? Dhe vërtet, ne u themi gjë atyre në raste analoge?

Si do ndihej p.sh Roma zyrtare, sikur ambasadori Ceka të shprehte rezerva për… ndonjë kandidat në rajonit të Kampanjës apo Toskanës? Përtej barcaletave, është e qartë se diplomatët me peshë në Tiranë e dinë sesa ndikim kanë, por dinë gjithashtu se ku e ka kufirin puna e tyre.

Ajo që ne duhet të dimë, është se së pari këta profesionistë janë këtu për të mbrojtur interesat e vendit/organizatës së tyre, dhe kanë përballë si interlokutorë të zgjedhurit tanë. Ata që i votojmë çdo dy e katër vjet, e kundër të cilave ankohemi rregullisht. Thënë më fshatçe, nuk është se Amerika heq Nanon e sjell Berishën, apo rrëzon këtë e sjell Ramën. Ne e bëjmë këtë, ndërsa Amerika negocion me atë që ka përballë. Dhe duhet thënë, cilido që ne zgjedhim, përballë “të mëdhenjve” di ta mbajë mirë sa për të hedhur lumin dhe për të vazhduar qetësisht punët e veta.

Atëherë ç’të bëjmë? Për të ndenjur shtrembër e folur drejt, sidomos në rastin e zgjedhjeve lokale votuesit e dinë mirë, shumë më mirë se cilado dosje sekrete ambasadash, se çfarë kandidatësh kanë përballë, se nga vijnë, ç’kanë bërë e ç’janë në gjendje të bëjnë për komunitetin.

Dhe vota, ashtu si thika ka dy tehe: Është vlerësim por edhe ndëshkim. Përgjithësisht shqiptarët kanë votuar duke pasur në mendje këtë të dytën, ndëshkimin, por këtë e ka në dorë secili prej nesh. Me ose pa prononcime ambasadorësh, të dielën gjithsekush ka në dorë të bëjë zgjedhjen e vet, pa pritur ferman nga Porta e Lartë.
"Dita"

Comments

Submitted by Angry Cry (not verified) on

<p>Te papergjegjshmit, ne kete jeten tone, nuk duhet te kerkohen vetem ne politike, po dhe ne medien qe jo nuk eshte e pa frytshme, po me fruta helmonjese; dhe kopshti me helmonjes jane bahcja qe harliset e ujitet nga politika, e lulet me helmonjese jane dhe shkrime te ketij formati. Jetojme ne shqiperi ku gjerat thuhen pergjysme, dhe gjysmen tjeter nuk duhet te veme ne dyshim, po ta llapim si kilikonde; dhe ne kemi ngel te gjithe gjysem. Gjysem gazetare, gjysem gjykates, gjysem pushtetare, gjysmem egzistence etjer e tjer me nje fjale kolaps total dhe gjysem. Jo, vetem ne nje gje nuk jemi gjysem ne mashtrim, ne genjeshter, ne manipulim ne pabesi e pushtllik.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.