Si të zgjerojmë leksikun

Në dy nga shkrimet e fundit që Mustafa Nano ka botuar në gazetën Dita, e më pas nxjerrë edhe në faqen online Respublica, ai ka hedhur në qarkullim një fjalë të re: fjalën “çiqitëmizëm”. Në ditën e parë të qarkullimit, më 11 nëntor, siç e kërkon etika, Nano njofton lexuesin për autorin e fjalës, A. P., si edhe për kuptimin e saj burimor në faqen facebook të A.P. Por Nano edhe e ripërkufizon fjalën sipas midesë së vet. Them “midesë”, sepse ai në fakt e ndryshon arbitrarisht kuptimin e parë me të cilin ajo qe përdorur, pa ndonjë justifikim gjuhësor, sipas kësaj logjike të thjeshtë prej të plotfuqishmi: a) atij fjala e re vetë (pa kuptimin) i pëlqen shumë si gjetje; b) i duhet një term i munguar për të karakterizuar një sjellje të caktuar politikanësh sharlatanë e joetikë në Shqipëri; c) duke huajtur fjalën çiqitëmizëm dhe duke e veshur atë me kuptimin e ri që i nevojitet, Nano kënaq nevojën e gjuhës dhe dëshirën e vet. Por ka dy probleme në këtë huazim që është përdorur disa herë radhazi në shkrime të tij javën e fundit. Fakti që publiku (me një diskurs tradicionalisht mashkullor) ka reaguar menjëherë online ndaj fjalës, më bën t’i analizoj publikisht dy problemet, në vend që t’ia nis si shënim personal vetëm autorit.
Problemi i parë, që në fakt nuk më shqetëson aq fort, është thjesht mosrespektim i autenticitetit kuptimor të krijimit. Nano ia ndryshon kuptimin fjalës që huazon, veç një ditë pasi e kish gjetur në Facebook. Fjalëve me kohë u ndryshon natyrshëm kuptimi me kalimin nga përdoruesi në përdorues (kujtoni psh ndryshimet mes motër në shqip me mother/mutter/ etc në gjuhët gjermanike, ose kopil në shqip me copil në rumanisht, kopile në arbërisht, κοπέλα në Greqisht etj). Por ndryshimet ndodhin historikisht e natyrshëm; nuk ndodh që një folës gjen një fjalë që i ngjit ,dhe vendos se, që sot e tutje, këtë kombinim tingujsh e gërmash do ta përdorë në një kuptim tjetër. Ky lloj Zoti gjuhësor në kohën e rilindasve kish një lloj justifikimi, por sot nuk e ka. M. Nano shpjegon se fjalën e kish gjetur si krijim për të karakterizuar një sjellje tipike në anët tona: fjala çiqitëmizëm kish kuptimin “shkujdesje e moskokëçarje në administrimin e punëve publike”. Fatkeqësisht kështu janë një pjesë e mirë e punonjësve publikë që kemi sot e që kishim gjatë socializmit: sekretarë, policë, roje, llogaritarë, kontrollorë, bibliotekarë… njerëz të të gjitha profesioneve e, për fat të keq, edhe mësues. Ç’e vret mendjen! Varja! A të paguajnë ty; ç’pyet pse e si! S’është puna jote! Mos e kruaj kot se është më i fuqishëm se ti! Mos i hap punë vetes! Mos e luaj qenin që fle! - të gjitha, pjella gjuhësore të kulturës së lidhur me këtë kuptim të shprehjes në fjalë.
Por Nano e përdor fjalën e re për të karakterizuar tipa politikë e publikë si Basha e Ristani. Nano më duket thuajse i dëshpëruar që të përdorë pikërisht këtë term… dhe sinqerisht nuk e di përse dhe s’dua ta paragjykoj. Thotë se Basha e Ristani, me gjithë marifetet e turpshme dje, sot kanë fytyrë të protestojnë me justifikimin “Ç’i qi t’ëmën se ç’kemi bërë ne në të shkuarën!” Por a janë Basha e Ristani tipa “të shkujdesur e moskokëçarës” ndaj punëve publike? Dhe a është kjo arsyeja që ata sot protestojnë kundër gjithçkaje që dje e kanë bërë vetë, ose madje edhe e kanë shpikur ata? Jo të dashur njerëz: ata janë paramendues, përllogaritës, të paskrupullt, dhe s’japin asnjë shenjë lodhjeje nga sistemi apo indiferentizmi ndaj së shkuarës apo së ardhmes. Shqipëria sot po rrit e stërvit politikanë që të marrin gjak në vetull e që s’njohin as nënë e babë kur këta s’u duhen më. Nano vetë i përshkruan ata si njerëz që “i bënë të gjitha zullumet e mundshme, plaçkitjen e vendit, mbushjen e administratës me militantë e kushërinj të pushtetarëve, sjelljen arrogante me opozitën e me qytetarët, që u finalizua me ekzekutimin e katër qytetarëve në bulevard, politizimin e frikshëm të institucioneve, dhe mes të gjithave, vjedhjen “teknologjiko-institucionale” të votave, gjë që u vu re në mënyrën më ilustruese në zgjedhjet e fundit lokale të Tiranë…”. A shihni ju “shkujdesje e moskokëçarje” në këto akte? A ju duken këto si të ngjashme me sjelljet që përmenda në paragrafin më sipër? Mua, aspak! Unë e kuptoj që fjala vetë mund të jetë tërheqëse (sido që, siç them më poshtë, nuk duhet të ishte) për dikë dhe mundet të mbërthejë një sjellje tipike tek ne, që përndryshe do kish nevojë të shpjegohej nga një paragraph i tërë. Po atëherë përse t’ia ndryshosh kuptimin me “përthyerje të tjera semantike”, kur sapo e ke marrë hua? Pa dyshim që Nanos i duhej një tjetër fjalë, por i ra shkurt dhe përdori këtë.
Por problemi i dytë i këtij përdorimi është ai që vërtet më ngacmoi dhe pa të cilin nuk do ulesha të shkruaja. Sapo fjala “çiqitëmizëm” iu prezantua publikut, ajo bëri eko me lexuesin që erdhi në ndihmë me dy variante të tjera të ngjashme: “çiqimotrizëm” dhe “çiqirobizëm”. Të qirët në të gjitha rastet shpallet si akt ndëshkues e sidomos turpërues, që në rastin e kuptimit idiomatik të shprehjeve më lart, nuk ia vlen të kryhet. Shprehjet, per fat të keq, janë ende të përdorshme në Shqipëri, dhe jo vetëm në përdorime të kushtëzuara nga struktura negative si më lart (angl. negative polarity items - pra nuk ia vlen t’i qish motrën, apo nënën apo “robt e shpis”, ku para së gjithash vjen në mend gruaja e kalamajtë femra), por përdorimi themelor është në struktura aktive e pozitive, pra: “qiji nënën/motrën/robt!” Madje edhe me dëshirore urrejtëse: “të qifsha…!”. Primitiviteti, brutaliteti dhe kafshëllëku i këtyre shprehjeve janë ulëritës. Fjala “çiqitëmizëm”, si fjalë abstrakte, i largohet vetëm formalisht procesit të qirjes. Për më tepër, vetë shprehja “Ç’i qi t’ëmën” nuk përdoret në kuptimin e parë, por në kuptimin “varja” ose “mos i kushto fort vëmendje asaj pune a çështjeje” (…se s’është aq e rëndësishme sa t’ia vlejë t’i qish t’ëmën). Gjithsesi, largësia mes kuptimit të parë dhe atij në shprehjen që diskutojmë, nuk është aq e madhe.
Shprehja vazhdon të ketë tejdukshmëri kuptimore dhe figurative në shqip, dhe asociohet në mënyrë të menjëhershme me një akt fyes që kryhet veçanërisht ndaj grave (këtyre kafshëve me vrimë volitëse, në rastet kur duhet ndëshkuar një tjetër burrë). Gratë në këtë narrativë janë thjesht qenie-komoditete që pësojnë qirje të padëshiruara nëse burrat kanë inate me njëri-tjetrin. Janë aty për t’u përdorur nga palët mashkullore që e pranojnë se nesër kanë radhën e vet, po t’ua kërkojë nderi e detyra e burrit. Neve si shoqëri na janë mësuar veshët me shprehjen, dhe kjo mund të krijojë përshtypjen se shprehja është bërë tashmë e padëmshme. Në fakt, nuk është hiç kështu. Gjuha jo veç shpreh, por edhe mban gjallë të njëjtën ideologji grua-urrejtëse. Që ajo gjeneron menjëherë gjuhë të së njëjtës kulturë violente anti-grua, dëshmohet edhe nga sugjerimi i shpejtë i një lexuesi që fjala mund të zëvendësohej me “çiqimotrizëm”. Hyrja e fjalës në çfarëdolloj diskursi, sado larg atij të akteve seksuale kafshërore ndëshkuese të nënkuptuara, e bart dhe e transferon kudo që gjendet, po atë peshë kulturore të një shoqërie tmerrësisht të pagdhendur, primitive dhe abuzive ndaj gruas. Kjo është një shëmti patriarkale që shoqëria jonë ende e ruan, dhe, duke legjitimuar shprehjen qoftë edhe në një kuptim tjetër, gazetari krijon një alibi të re kulturore dhe konfirmon se shprehja (bashkë me të edhe akti) indeksohet në ligjërim si e pranueshme.
Në këtë rast do doja që të dy përdoruesit e parë të fjalës të bënin një përpjekje për ta zëvendësuar fjalën “çiqitëmizëm” me të tjera që nuk e rëndojnë edhe më shumë antifeminizmin e kulturës sonë patriarkale. Unë s’kam problem me profanitetin e shprehjeve. Nëse vërtet na duhet që kjo fjalë të jetë profane (sepse të tillë janë bartësit e kuptimit të saj?), dialogu për të shpikur fjalën e munguar është i hapur. Çfarë do thoshit për këto variante potenciale për kuptimin e përdorur nga AP: “pirdhinteizëm”, “mosçajbythizëm”, …? Apo fjala joprofane “kushpytizëm”, “moskokëçarje publike”? Ose, nuk e shpikim hiç një fjalë, xhanëm, por e shpjegojmë dukurinë me shumë të tilla!
Sa për rastin e fjalës “çiqitëmizëm” në kuptimin e përdorur nga M. Nano, unë nuk kam fjalë që të shprehë mirë sjelljet tipike të politikanit të paskrupullt shqiptar (as Nano, duket, nuk pati). Por jam e bindur që në fondin e orientalizmave në shqip do gjenim fjalë bukur të përshtatshme… diçka midis dallkaukut, matrapazit, marifetçiut, kusarit, katilit e mynxyrës politike. Por, në mungesë të një fjale të vetme që të ngërthejë gjithë çka duam të themi për politikanët e keqij, le të mos i shtojmë edhe një tjetër term anti-grua gjuhës sonë sakaq boll të pasur me një diskurs të tillë.
Peizazhe të Fjalës
Comments
bravo,ky eshte problem i madh

bravo,ky eshte problem i madh kombetar pa çiqitëmën ku u vete mendja njerzve.

Po qe keshtu, nuk kemi

Po qe keshtu, nuk kemi pse shqetesohemi kur i gjithe kori i stadiumit bertet: "Arbiter, arbiter te q.... motren ". Sepse ato duan t'i tregojne gjyqtarit te ndeshjes se po prish bukurine e ndeshjes dhe kori po ben detyren e tij ndaj motres te arbitrit, e cila kur e degjon kete kor, i shkojne mornica ne trup.Imagjino te ndodh me te vertete...

Koment i jashtezakonshem,

Koment i jashtezakonshem, fraza "këtyre kafshëve me vrimë volitëse, në rastet kur duhet ndëshkuar një tjetër burrë" i permbledh te gjitha.

thuhej edhe"vari

thuhej edhe"vari qillon","Vari leshte","kujt i plasi"-meqe eshte Plasari promotori,"kush po çan koke".Ndersa shprehja qe zgjodhi Muçi eshte fyese per "te emen".Perdoret vertet,por nese duhet heshtur qe te harrohet,rievokohet,dmth perpiqet qe te behet pjese e zhargonit gazetaresk.

Ne konceptin patriarkal akti

Ne konceptin patriarkal akti seksual paraqitet si akt ndeshkimi ndaj femres, dhe indirekt, ndaj patriarkut te cilit femra "i perket". Lihet menjane, per shembull, nje element thelbesor, qe gruaja, nena apo motra e patriarkut, perveç ne aktin e perdhunimit, mundet ta pelqeje seksin pothuaj po aq sa, ne mos me shume, dhe per arsye krejt me te thjeshta e te vetekuptueshme, nga ai qe aktin e seksual e ka forme hakmarrjeje(!?). Shqipja ka nje grup termash te tjere, qe e çon ne ekstrem kuptimin e perdhunimit dhe qe shpreh kete aspekt sadist te aktit seksual: shkerdhej, shkerdhim, shkerdhate e te tjere e te tjere.

Kam pasur para do kohesh nje bisede interesante me nje grua rreth te dyzetave me te dashurin(dashnorin) 15 vjet me te ri: Eshte veçanerisht e urryeshme me tha qe ka nje kategori meshkujsh qe marrin me shume kenaqesi dhe mburren duke u treguar shokeve qe "i'a kane hypur" filan femre, sesa kur "i'a hypin" asaj. Nje episod qe me erdhi ne kujtese pasi lexova kete shkrim te Eda Derhemit, dhe qe thote shume per mendesine e shkerdhyer te shoqerise tone patriarkale.

Rrofte censura!

Add new comment