Sarkozy në muzg

Postuar në 27 Mars, 2012 05:40
Dominique Moisi

Dhe presidenti i ardhshëm i Francës do të jetë.... kandidati i Parisë Socialiste, François Hollande. Një muaj më parë, çdo lloj parashikimi i shqiptuar me kaq siguri do të kishte tingëlluar si i pamatur, nëse jo edhe budallallëk. Pasiguria mbizotëroi. Katër kandidatë dominojnë garën dhe asnjëri nuk do të guxonte të parashikonte se cilët dy prej tyre do të kalonin në raundin e dytë të balotazhit. Në të vërtetë, gara dukej më e hapur se kurrë më parë në historinë e shtetit.
Papritmas, diçka ndodhi – jo vetëm një ngjarje (edhe pse nisi me mitingun e parë të madh publik të Hollande-it në mes të muajit janar), por për diçka që mund t’i ngjajë një procesi të papërballueshëm që mund të përmblidhej si vijon: shumica e francezëve duan ta dënojnë një president, i cili u ka dalë prej qejfi.
Ata mund të mos e mblidhnin guximin ta bënin një gjë të tillë sikur të mos e kishin ndonjë alternativë tjetër të besueshme.
Hollande, duke u shfaqur si më i zëshëm dhe më i përkushtuar se sa shumica e votuesve francezë kanë menduar se ishte, i ka dhënë një zë (dhe një fytyrë) dëshirës së madhe për ta refuzuar presidentin në detyrë, Nicolas Sarkozy.
Kjo nuk është për atë se Hollande është karizmatik. Përkundrazi, ka shumë dyshime të qëndrueshme rreth bagazhit të tij, e të mos përmendim shqetësimet serioze rreth realizmit apo mençurisë së programit të tij. Mirëpo, për dallim nga ish-partnerja e tij, Ségolène Royal, e cila e sfidoi Sarkozyn në zgjedhjet presidenciale të 2007-s, ai duket dhe tingëllon “real”.
Tash e tutje, fushata dihet se do të transformohet në një betejë klasikë ndërmjet së djathtës dhe të majtës, mirëpo me një dallim të madh të strategjive të dy kandidatëve kryesorë. Hollande dëshiron t’i shndërrojë zgjedhjet presidenciale në një referendum për Sarkozynë, i cili, bazuar në jopopullaritetin e tij, kërkon ta kufizojë betejën në çështjen e vlerave dhe përvojës.
Në të vërtetë, esenca e mesazhit të fushatës së Sarkozysë është bërë: “Mund të mos jesh si unë personalisht (mund ta kesh gabim, ndoshta, për shkak se nuk më sheh ashtu si jam, dhe përvoja ime në pushtet më ka transformuar në  thellësi), mirëpo i mbështet vlerat e mia konservatore, për shkak se ato paraqesin atë që ti mendon në të vërtetë. Në një botë ndryshimesh aq të shpejta dhe brutale, ajo që të duhet janë stabiliteti dhe siguria. Unë mund t’ua japë ato”.
Duke e theksuar dallimin ideologjik ndërmjet tij dhe Hollandes, Sarkozy po sfidohet po ashtu, më haptazi se kurrë më parë, nga elektorati i së majtës ekstreme të Frontit Kombëtar të Marine Le Penit, edhe pse ai ndiente se ajo mund të mos mblidhte nënshkrime të mjaftueshme për t’u kualifikuar për një vend në listën zgjedhore.
Kjo strategji mund të ketë kuptim në raundin e parë, mirëpo, me joshjen e votuesve të ekstremit të djathtë në raundin e parë, Sarkozy mund të humbë mbështetjen e votuesve të qendrës në balotazh. Ata mund të jenë të gatshëm të votojnë për “përvojën”, por jo edhe për një “konservator të krishterë”, i cili humbet në vlerat njerëzore.
Në çdo rast, çdokush mund të thotë se francezët po bëhen të padrejtë karshi presidentit të tyre. Sarkozysë i është dashur të përballet me rrethana jashtëzakonisht të vështira dhe kjo meritë është larg nga të qenit e pavlerë. Në fillim të mandatit të tij, Franca ishte në udhëheqje të Bashkimit Evropian dhe ai dëshmoi se ishte një lider i aftë. Duke e kuptuar peshën e krizës ekonomike që shpërtheu më 2008, ai reagoi shpejt dhe me një energji të madhe. Ai ka ndërmarrë po ashtu reforma të mëdha dhe afatgjata në sistemin pensional dhe arsimimin e lartë. Bëri zgjedhjet e duhura kur intervenoi në Gjirin e Fildishtë dhe në Libi.
E këtyre mund lehtësisht t’u shtohen edhe shumë shembuj të tjerë të tillë. Me pak fjalë, Sarkozy sinqerisht është përpjekur që të reformojë shtetin thellë të paralizuar. Dhe ai nuk mund të mbahet përgjegjës për papunësinë e lartë, në vlugun e krizës botërore.
Sidoqoftë, nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli e minutës së fundit – ndonjë gabim i madh nga Hollande që do të mund ta luhatë besueshmërinë e tij, apo një valë e re krize që do ta shuante dëshirën e votuesve për mosndërrimin e kreut – Sarkozy duket se e ka të shkruar që të jetë presidenti i dytë një-mandatës në historinë e Republikës së Pestë, pas Valéry Giscard d’Estaing.
Më 1981, Giscard ishte mposhtur thellë si rezultat i “tradhtisë” nga ish-kryeministri i tij, Jacques Chirac, i cili kandidoi kundër tij. Më 2012, askush në kampin Sarkozysë nuk po e tradhton presidentin (ata që po përpiqen, siç është ish-kryeministri, Dominique de Villepin, nuk kanë mbledhur mbështetje). Është vetë Sarkozy ai që po i tradhton shpresat e mbështetësve të tij dhe që po e konsolidon armiqësinë e kundërshtarëve të tij.
Sarkozy ka vepruar kësisoj edhe në vetë fillimin e presidencës së tij dhe duket se do të ndëshkohet për këtë më 2012. Ai ka ndryshuar për së miri, por vetëm për një pikë, dhe qartazi jo mjaftueshëm për shumicën e francezëve, të cilët, bazuar në anketat më të fundit të opinionit publik, thjesht nuk mund ta durojnë idenë që ta kenë atë përpara ekraneve të tyre televizive edhe për pesë vjet të tjerë.
Natyrisht, siç thoshte dikur ish-kryeministri britanik, Harold Wilson, “një javë është kohë e gjatë në politikë”, ashtu edhe Sarkozy zyrtarisht do të bëhet kandidat vetëm gjatë kësaj jave. Megjithatë, do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë, nëse jo të pamundur, shndërrimin e zgjedhjeve të ardhshme në një referendum emocional dhe negativ për vetë atë.
Marrë nga Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.