Privatizimet “misterioze”

Postuar në 03 Gusht, 2011 03:50
Arbër Zaimi

Ekziston një fenomen i çuditshëm sa i përket investitorëve privatë në Shqipëri, madje edhe disa investitorëve të huaj. E kam fjalën për disa firma që vijnë e investojnë në Shqipëri, kryesisht në sektorin e pasurive minerare, naftës apo energjisë, të cilat marrin koncesione të mëdha e të rëndësishme pa paraqitur ndonjë portofol apo ndonjë CV të mirëqenë e me vlerë.

Kështu, që nga kompanitë që privatizuan naftën shqiptare, qofshin këto kompani vendase apo europiane apo kanadeze, e gjer te kompanitë që operojnë me një pjesë të minierave, në Bulqizë, Mirditë etj. e kanë aktivitetin e tyre profesional të fokusuar vetëm në Shqipëri. Si ka mundësi? Mos vallë për naftën shqiptare nuk ka patur interes nga ndonjë kompani me prezencë e eksperiencë ndërkombëtare, e mos vallë kromi shqiptar i intereson vetëm kësaj kompanie austriako-ruse që në 5 vjet nuk ka asnjë investim?

Përgjigjja është sa e thjeshtë, aq edhe e sikletshme, përgjigjje që nën zë e thonë të gjithë, përfshi edhe punonjësit e ministrisë. Këto pasuri strategjike po privatizohen prej investitorëve fantazëm, apo të sapolindur, sepse pas tyre qëndron pushteti politik e ekonomik që qeveris Shqipërinë sot. Është e vështirë të konkurosh me ta, është e vështirë të investigosh (si gazetar, se policia është e tyre). Mirëpo realiteti është i tillë.

Menaxherët e një kompanie prestigjioze kanadeze, që operonte në fushën e naftës tash e dhjetra vjet e që kish eksperiencë globale, më rrëfyen për vështirësitë që hasnin në Shqipëri, jo për të investuar, por qoftë dhe për të marrë informacion mbi mundësitë e investimit.

Kjo atmosferë e errët që është krijuar në ekonominë shqiptare fatkeqësisht do të mund të davaritet e të zbardhet vetëm kur populli, i lodhur e i drobitur prej krizës, të çohet e të shpronësojë sharlatanët që kanë uzurpuar pronën publike, pasuritë strategjike që po të shfrytëzoheshin me mend e ndershmëri, do ta bënin shqiptarin të jetonte barabar me këdo europian. 

Marrë nga Shekulli online

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.