Pre-mortum për Monën
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1444_ermonelajaho-mainwebsite-bw.jpg?itok=iDkLq0GV)
Në epilog, Mona është emri me të cilin i drejtohen të afërmit dhe miqtë sopranos sonë të madhe Ermonela Jaho. Ndërkohë që lexoj elegjitë arriviste shpesh, dhe gjithmonë post-mortum për disa prej artistëve të shquar shqiptarë të shuar së fundmi, më erdhi ndërmend këto ditë shfaqja në Operën Mbretërore të Londrës në Covent Garden të Ermonela Jahos në rolin e Manon.
Jam i sigurt, se shumica e lexuesve e di se kjo opera, sipas specialistëve, është “Opera e ëndrrave” për muzikën klasike, sa edhe La Scala, me shkëlqimin e venitur disi së fundmi.
Pas kësaj shfaqjeje, bashkë me Ermonelën shkuam në një nga restorantet e njohura në qendër të Londrës dhe m’u desh ta shkëpusja nga “kthetrat” e dashamirësve, të cilët e prisnin në back stage, për t’i marrë asaj autografe, që nga adhurues të ardhur nga Barcelona e deri te fansat e saj shqiptarë të Londrës.
Në restorantin italian nuk është se patëm qetësi, pasi adhuruesit edhe aty na ndërprisnin bisedën dhe darkën, dhe tërë edukatë kërkonin ta uronin për shfaqjen, ku ajo këndonte rresht për katër orë.
Mes tyre, një burrë rreth të 60-ave, i veshur shik, i shoqëruar nga zonja, na afrohen dhe na kërkojnë tërë politesë, ndjesë për shqetësimin, pasi duan të bisedojnë shkurt me Monën.
“Jam një adhurues i juaji”, i thotë ai. “Vij në opera tri herë në javë. Mënyra se si ju falënderuat dirigjentin sonte, ishte shumë ndryshe”, thotë zotëria me një anglishte perfekte, me theks amerikan.
“Violina e parë, tek opera ‘Manon’, kur merrje duartrokitje sonte, lëvizte harkun, duke përshëndetur në një mënyrë që rrallë e bëjnë orkestrantët. Te ‘Sur Angelica’ – shtoi zotëria, – kur merrje duartrokitje, dirigjenti Antonio Papano, zakonisht ikën për të hipur në skenë për duartrokitjet, ndërsa kur ishit ju, qëndroi i emocionuar, duke falënderuar nga orkestra”, kumtonte bashkëbiseduesi anonim.
Mona dhe ne të tjerët që darkonin, ngritëm vetullat në shenjë habie nga këto komente, dhe për momentin menduam se ai, do të ishte ndonjë kritik muzikor.
“Në punën time, unë shpërndaj letra, ndërsa ju qetësoni shpirtin”, tha zotëria, që ndërkohë që fliste, zonja e tij, e cila rrinte në këmbë, ishte e përlotur dhe e përhumbur, duke parë në sy Ermonelën.
Ndërhyj për të mësuar se cili është zotëria dhe i them se vetëm prezantimi ka mbetur. Përgjigjja ishte: “Unë jam Mr. Lopes, ambasadori i Paraguait në Londër dhe e kam ndjekur Ermonelën në shfaqjet e saj nga Italia deri në Nju Jork”, tha, duke i kërkuar një fotografi dhe autografin sopranos sonë, e cila u përqafua, siç di ajo, me çiftin diplomat.
Ndërkohë që dëgjoja në këmbë gjithë këtë bisedë mes artistes sonë dhe këtij diplomati të huaj në Londër, m’u kujtua një bisedë e ambasadorit të Luksemburgut po në Londër, që i tha ambasadorit tonë atje, pas një shfaqjeje në dhjetor të disa artistëve shqiptarë, mes tyre edhe Monës, se “pasi pashë sopranon tuaj, po mendoja: A kemi ne si vend një artiste të tillë që të na nderojë në botë?! Pas emrit të një artisteje, diku në vitet ’60, asnjë nuk më vinte ndër mend. Jeni me fat”, pat thënë ambasadori i Luksemburgut.
I solla këto dy episode për të ilustruar paaftësinë tonë kombëtare për të vlerësuar sa duhet artistët tanë të mëdhenj, madje më të mëdhenjtë e kombit, të cilët janë ende gjallë, mes tyre, për mua, më të madhen e kohës, Ermonela Jaho, e argumentueshëm për të tjerët ndër më të mëdhenjtë e kombit.
Ermonela është një artiste, e cila nga shteti shqiptar nuk ka marrë asnjë ndihmë në rrugën drejt majave më të larta të artit botëror. Madje, në fillesat e saj, kur filloi të studiojë në akademinë Santa Cecilia, injorohej nga diplomatët shqiptarë të kohës në Romë, si shumë shqiptarë të tjerë, që trokisnin për asistencë për ndonjë dokument nga Shqipëria.
Një artiste që fizikisht ka vuajtur për bukën e gojës, ndërkohë që studionte në shkollën prestigjioze të artit klasik në Romë.
Dhe ja ku është sot. Shqiptarja e vetme, pa dyshimin më të vogël, që ka arritur majën e artit të vet.
Ermonela Jaho ndodhet aty ku ndodhet sot, jo se ka fituar lotarinë, por se është një supertalent, që bota e akullt, profesionale dhe e orientuar jo nga sytë e bukur, por nga aftësia për të gjeneruar fitime dhe duartrokitje me klasin e artit dhe zërit tënd, e vlerëson në maksimum.
Kontrata deri në 2019-n me Royal Opera House të Londrës flet në mënyrë voluminoze se çfarë kalibri përfaqëson.
Kjo soprano e madhe, krenaria jonë kombëtare, në çdo event, në çdo rast, në çdo broshurë shfaqjesh, në çdo intervistë, flet dhe krenohet se është shqiptare. A nuk është kjo diplomacia më e mirë kulturore në veprim?
Vërtet, dhe absolutisht pa mungesën më të vogël të respektit për asnjë nga artistët e mëposhtëm, përkundrazi, ne flasim për Tefta Tashko Koçon e madhe, për Moisiun e madh, që vetëm pasi u kërcënua si hebre, qoftë edhe prej mbiemrit, filloi për hir të së vërtetës të thotë në Vjenën e shekullit të kaluar se ishte shqiptar, apo kur mendon se sa pak njiheshin dhe sa efekt të vogël kishin këta artistë, apo edhe shumë artistë të mëdhenj, qoftë dhe për shkak të botës mediatike dhe teknologjisë së kohës, dhe të tjerë artistë shqiptarë që kanë humbur jetën së fundi, por që gjithsesi ishin vetëm për tregun e vogël shqiptar, e kur mendon impaktin dhe emrin e madh, audiencën, ku interpreton sopranoja jonë Ermonola Jaho, rrëqethesh dhe emocionohesh. Por ndihesh edhe borxhli në një farë mënyre.
E nderuar dhe e respektuar, ajo është me çmime dhe tituj nga bota e madhe e artit, por jo nga bota jonë e vogël dhe meskine shqiptare!
Është e turpshme dhe e pafalshme, që shteti shqiptar nuk i ka dhënë qoftë edhe një medalje apo dekoratë mirënjohjeje kësaj artisteje, e cila për mua është më e madhja artiste shqiptare e kohës, që njihet më shumë në botë nga çdo artist tjetër shqiptar bashkë me Rita Orën, e sërish ne, të gjallët harrojmë dhe kujtohemi për ta, vetëm për t’u kërkuar të vijnë dhe të angazhohen duke u shkëputur nga koha dhe axhenda e tyre e superngarkuar profesionale, për të marrë pjesë në ndonjë aktivitet surrogato në ndonjë seli qeverie apo presidencë, apo për ndonjë fushatë të gërdirë elektorale.
E sërish, me madhështinë e saj, ajo sërish vjen, por jo aty ku duan ta shfrytëzojnë politikisht; pikërisht në shenjë respekti ndaj audiencës dhe popullit të saj, që ajo e respekton në tërësi.
“Vdis pa të dua”, thoshte me të drejtë Kiço Blushi këto ditë, pa ditur t’i duam dhe nderojmë artistët tanë në të gjallë, nëse vërtet i vlerësojmë dhe dimë t’i vlerësojmë, ashtu siç bënte ambasadori paraguaian në episodin që përmenda.
Lënë kjo mënjanë, Mona dhe shumë artistë të tjerë të mëdhenj shqiptarë, nuk kanë nevojë për elegji post-mortum, por vlerësim pre-mortum, më shumë.
Shqipëria ka nevojë për një qasje ndryshe. Ka nevojë që këto thesare të artit tonë, të pakta dhe të rralla me një njohje kaq të madhe ndërkombëtare, të kultivohen e ruhen. Ka nevojë që edhe shtëpitë ku kanë lindur të jenë muze në të gjallë, e jo gjithmonë në të vdekur. Ka nevojë që ashtu si në Londër, në shtëpitë e tyre të ketë një pllakatë, ku të thuhet “Këtu ka jetuar X apo Y artist”.
E ndërsa shikoja shfaqjen e saj në Royal Opera House do javë më parë, meditoja dhe me vete ndihesha krenar dhe historik njëkohësisht. Krenar se gjithë ata anglezë të fisshëm dhe aristokratë në të shumtën e tyre, shikonin dhe duartrokisnin tërë adhurim një artiste, që në broshurë shkruhej se ishte nga Shqipëria. Apo edhe kur në prapaskenë, ajo ende falënderonte publikun për ovacionet, ngjitur me mua një lord anglez dhe enturazhi i tij, e priste për ta takuar.
Por edhe historik, pasi nuk e di se kur në kohë, do të jetë në jetëgjatësinë time fizike, që një artiste apo artist tjetër shqiptar, do të mund të jetë po kaq i suksesshëm në shkallë botërore për të na përfaqësuar. Dhe në artin e saj nuk është e kollajtë.
Ndoshta mundet, por me shumë gjasa jo, për një periudhë të gjatë kohore.
Në këtë sens, ndihem krenar dhe historik, që pashë në skenë ikonën shqiptare, Jahon. Ajo na bën nder të gjithëve ne, më shumë se shumica jonë të marrë së bashku, asaj.
E ne nuk ia kthejmë dhe nuk dimë në pre-mortum, por me siguri presim një kohë tjetër qoftëlarg, për të treguar se ajo dhe shumë artistë të mëdhenj tanët, nuk na kanë merituar, ne brezat e epokës së tyre.
Elegjitë e pështira dhe patetike për ta post-mortum, janë dëshmia më e turpshme për ne të vdekshmit, për këta të pavdekshëm të artit shqiptarë, siç është Nderi i Kombit, Mona.
Shqip
Comments
Eh, mor Arben Manaj. E ke

Eh, mor Arben Manaj. E ke shume drejte cdo gje qe shkruan, por e keqja eshte se, ndersa Ermonela Jaho kendon per elitat, Vacja kendonte per masat dhe masat jo vetem qe jane me shume se elitat, por bejne edhe me shume zhurme.

Po pse mor burre nuk e perdor

Po pse mor burre nuk e perdor fjalorin (se helbete kush po pyet e kush ka nge per redaktim e kontroll)? Po kaq e veshtire eshte te sigurohesh se shkruhet "post mortem" e jo "post mortum"?

Pastaj, c'jane keto elozhe patetetike, e qurravitje qe shkaktojne ambasadori paraguajan, lordi anglez e artistokrate londineze e me the te thashe? Tragji-komedi! Vdesim ne nje cike per gjera te tilla, qe s'stregojne vecse inferioritet te kulluar arberor.

Po pse mor burre nuk shkruan se cfare tamam te pelqeu nga shfaqja? Cfare e ben interpretimin e Jahos kaq te ndryshem e mbreslenes. Shrkuaj mor njeri per artin e Jahos dhe si e perjetove ti vete. Po lere more ngazellimin "she is from Albania"... se nje talent patjeter qe do te jete nga nje vend, edhe ndonjehere ky vend qellon te jete Shqiperia. E cfare pastaj?

te them te verteten jam

te them te verteten jam teresisht dakord me komentuesin. edhe une pata nje shije aspak te kendshme nga ky artikull. nuk e di ku jeton autori i shkrimit, por ndoshta i ka ngelur ora tek rroli i shtetit ne sistemin e meparshem. Ky shtet, dmth shtet i thencin, u bene dekada qe nuk mbeshtet talentet. Shqiptaret, e sidomos ata qe vine nga familje te varfera, kane care ne bote me sakrifica njelloj si Ermonela, e disa te tjere akoma me me shume sakrifica. Ky shtet (qofte nen udheheqjen e PS-se apo PD-se) eshte katandisur t'i sherbeje vetem para-berjes per interesa te kujt eshte ne fuqi. Shteti mbeshtet koncensioneret e naftes, te transportit, te turizimit (te gjithe pjese e korrupsionit shteteror) por asnjehere qytetarin e thjeshte, apo artin e talentin. Keta nuk kane asnje gje me Ermonelen ne vecanti, e kane me gjithe ata qe nuk jane pjese e makinerise se prodhimit te fitimit (sa me shpejt) ne pergjithesi.

Nje nga ato shkrime qe rralle

Nje nga ato shkrime qe rralle lexojme, qe jo vetem na informon, por edhe na ben te mendojme! Urime!

Add new comment