Politika dhe ish-të përndjekurit

Shtresa e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, pothuajse për gati një gjysëm shekulli, iu nënshtrua sharjeve, fyerjeve, denigrimeve, rrahjeve, burgjeve politike, dëbimeve, internimeve, pushkatimeve pa gjyq e me gjyqe të sajuara dhe tani që koha për të cilën ata ëndërruan dhe sakrifikuan “erdhi”, ata nuk përfituan asgjë. As dëmshpërblim material, as moral, as integrim të tyre, siç flitet me një gjuhë të fryrë nga mburrjet të politikës.
Sigurisht që ish-të dënuarit e të përndjekurit e diktaturës komuniste dhe ne pinjollët e tyre, jemi të ndërgjegjëshëm që asnjë shtet i botës nuk do të ishte në gjendje të përballonte financiarisht një dëmshpërblim dinjitoz të dëmeve morale, fizike dhe ekonomike, të shkaktuara nga diktatura komuniste. Janë krime të përbindshme, madje edhe të paimagjinueshme e të pabesueshme. Ish-të dënuarit politikë u përdorën edhe si skllevër, për të nxjerrë minerale nga minierat, për të ndërtuar pallate banimi, si dhe shumë vepra të tjera si fabrika, aerodrome, kanalizime, tharje kënetash etj. Por politika duhet të ishte treguar e përgjegjshme dhe më së paku dashmirëse ndaj kësaj shtrese dhe jo të vepronte me qëllime të liga, për ta lënë atë të zbuluar në ekonominë e tregut dhe të pëpërfshirë në shkallën e duhur në garën e madhe të lirisë dhe të ekonomisë së tregut të lirë
Kuvendi i parë pluralist i vitit 1991 miratoi ligjin nr. 7514, ku u jepej pafajësia ish-të dënuarve politikë dhe i sugjerohej Qeverisë që të merrte “ të gjitha masat që të kompensojë… dhe të sigurojë për ta, ndihma për integrimin e tyre në shoqëri”…Me 20. 07. 1993, Kuvendi miratoi ligjin nr. 7748 ku, përveç dëmshpërblimit, parashikoheshin edhe disa favore për arsimimin, punësimin etj. Por dëmshpërblimi monetar u shndërruan në letra privatizimi, që në fakt kishin një vlerë qesharake, sepse vlera e tyre ra shumë shpejt në më pak se 10 përqind të vlerës reale. Ish-të dënuarit politikë protestuan dhe disa dhjetra prej tyre u ngujuan në grevë urie, duke mos pranuar këte lloj dëmshpërblimi. Qeveria e asajë kohe, në vend që të kërkonte dialog, preferoi të përdorte dhunën për të nxjerrë grevistët nga ngujimi. Me qëllim që t’i jepnin një ngjyrë legale dhunës së ushtruar ndaj tyre, më parë kishin angazhuar prokurorë e gjykatës (ish-shërbëtorë të devotshëm të diktaturës komuniste) të cilët, pa asnjë llojë hezitimi, vendosën që ta quajnë grevën si të jashtëligjshme. Shumica e pushtetarëve ishin me prejardhje komuniste, ose ish-të privilegjuar të diktaturës, tashmë “ të demokratizuar”. Ata, ndonëse shanin e pështynin kundër komunizmit, kurrësesi nuk mund të hiqnin dorë nga huqet e vjetra. Ish-të përndjekurit politikë i konsideronin si vasalë të tyre.
Pas traumave sociale, ekonomike e politike të vitit të mbrapshtë 1997 dhe ardhjes së socialistëve në pushtet, ish-të përndjekurit politikë, i humbën plotësisht shpresat se do të mund të gjenin ndonjë përkrahje. Pasardhësit e etërve në majë të Piramidës së Krimit, jo vetëm që nuk e donin integrimin e kësaj shtrese, por madje kishin ndaj saj urrejtje e përbuzje. Ish-të përndjekurit u angazhuan në disa protesta radhazi, me synimin e largimit të socialistëve nga pushteti dhe në përkrahje të opozitës demokratike. Lidershipi blu pranoi publikisht se ishin bërë gabime në politikat ndaj ish-të përndjekurve politikë dhe premtoi se, me ardhjen në pushtet, do të angazhohej seriozisht dëmshpërblimin e tyre, konform ligjit dhe kodit penal. Në vitin 2005, ish-të përndjekurit politikë, si gjithmonë, votuan pro Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.
Por pas ardhjes së demokratëve në pushtet, vazhdoi një maratonë e gjatë për hartimin e një projektligji për dëmshpërblimin e ish- të përndjekurve politikë. Në fakt, nuk kishte fare nevojë për të hartuar ligje të reja, sepse Kodi Penal e përcaktonte qartë se si duhej të dëmshpërbleheshin ata që mernin pafajësinë. Dukej qartë se mungente vullneti i mirë për t’i dhënë hakun të zotit, pra “për t’i dhënë Çezarit çfarë i takonte Çezarit”.
Për hartimin e projekt-ligjit u caktua një jurist, ish i privilegjuar i kohës së diktaturës. Ish eksponent të kohës së diktaturës, përfshirë edhe Ramiz Alinë, pasi morën pafajësinë, nuk e patën fare problem që të mernin edhe dëmshpërblimin, kurse për ne, ish-të dënuarit e diktaturës, u desh që të bëhej një ligj i posaçëm. Një ligj, të cilin ne e konsiderojmë diskriminues dhe denigrues. U desh një maratonë dhe kalvar i gjatë për plotësimin e një morie dokumentesh. Ish-të përndjekurit, nga të katër anët e vendit, shumica të moshuar, iu desh të rrinin për orë të tëra në radhë të gjata nëpër dyert e institucioneve, si gjendja civile, Arkivi i MB, Drejtoria e Burgjeve etj. Listat e ish-të dënuarve të kohës së diktaturës disponoheshin nga disa institucione të shtetit, si Ministria e Drejtësisë, Arkivi i MB, Drejtoria e Burgjeve, Instituti i Integrimit të ish-të Dënuarve Politikë etj. Verifikimin e këtyre listave mund ta bënte fare lehtë një komision shtetëror, duke përllogaritur edhe masën e dëmshpërblimit për secilin. Nëse duhej bërë një ligj i ri enkas për ish-të përndjekurit politikë, kjo duhej bërë me qëllim që të favorizoheshin ata, ( ish-të përndjekurit) duke iu dhënë diçka më tepër nga ç’iu jepnin ligjet ekzistuese dhe jo të nxirren ligje diskriminuese e diskredituese, duke i diferencuar ata ndaj pjesës tjetër të shoqërisë.
Tashmë, pas shumë vonesash e peripecishë, një përqindje e vogël e ish-të dënuarve politikë kanë marrë kestin e parë dhe, pas gati tre vitesh, ka filluar kesti i dytë për një kategori të moshuarish. Mënyra e shpërndarjes së tij (dëmshpërblimit) ka bërë që shumë persona të dyshojnë se po bëhen abuzime dhe diferencime, duke iu dhënë kështu mundësi nëpunësve të korruptuar dhe sekserëve të kudondodhur të përfitojnë nga vuajtjet e të burgosurve politikë dhe familjarëve të tyre. Duke vazhduar me ritme të tilla, kur një pjesë e konsiderueshme, akoma nuk kanë marrë kestin e parë, ka mundësi që një pjesë e madhe ish-të përndjekurve, që janë tepër të moshuar, të mos arrijnë të përfitojnë për së gjalli dëmshpërblimin që iu takon. Nuk është fjala për një faturë thjeshtë financiare të papërmbushur apo të refuzuar, por për një braktisje të çdo projejkti serioz integrues të kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare, e cila me këtë fobi që tregon klasa politike ndaj ish të dënuarve të ndërgjegjes, këtyre martirëve të fjalës së lirë dhe të ëndrrës euroatlantike të shqiptarëve, tregon se ende nuk është dekomunistizuar dhe nuk është çliruar nga komplekset e të kaluarës diktatoriale. DITA
Add new comment