Panairi i Librit dhe armiqtë e tij

Postuar në 19 Nëntor, 2013 05:41
Gilman Bakalli

Jam tek Panairi i Librit. Edhe këtë vit, si çdo vit, rruga për tek librat kalon mes zhurmës, pisllëkut, çorapeve të leshit, tymit të qofteve dhe avullit të vajit të petullave. “Aty hahet e pihet, flirtohet e dashurohet, qeshet e qahet, tymoset, shtyhesh e fërkohesh” – shkruan Thackerey tek “Panairi i kotësive”. Dhe në fakt, me ndonjë modifikim të vogël, edhe tek Panairi i Librit në Tiranë ndodhin nga pak të gjitha këto. Gjithçka mund të bësh aty, të shtyhesh me bërryla e të shkelesh me këmbë, por s’ka asnjë qoshe për të shfletuar një libër në qetësi. Mungojnë vetëm karuselat e festës së birrës së Bavarisë. Megjithatë, edhe pa karusela, mendtë të merren nga disa tituj bombastikë librash që parashikojnë fundin e Botës…

Armiku 1: organizatorët

Nuk shoh në Panair asnjë dorë organizatore e cila të përkujdeset për krijimin e një atmosfere inspiruese për kontaktin me librin. Gjithçka i ngjan një procesioni gati mortor që parakalon para librave si para një trupi të pajetë. E pamundur të ndalesh e të dëgjosh rrëfimtarë e poetë që lexojnë e recitojnë nga tekstet e tyre. S’bën vaki të ulesh në ndonjë qoshk të qetë, larg dalldisë folklorike të turmës e të përhumbesh brenda fletëve të një libri. Në fakt, organizatorët nuk kanë konceptuar një panair për lexues, për shijues të ngeshëm, të cilët duan të zgjedhin një libër dhe jo thjesht ta blejnë atë. Nuk është konceptuar për njerëz që duan të ndjehen edhe estetikisht lexues! Gjithçka aty brenda është projektuar për ta shitur nxitimthi librin, si një mall i ngelur stok prej vitesh, i cili duhet hequr qafe sa më shpejt, para se të dallohet skarciteti i tij. Ky i Tiranës, në fakt, është një panair për blerës librash me shumicë, të cilët librat i blejnë pa i shfletuar, por thjesht nën trysninë e neveritshme të reklamave nëpër stacionet televizive. Ky i Tiranës është thjesht një panair për botuesit biznesmenë, të cilët, ngazëllimin e tyre për fitimet e vitit e shesin publikisht si entuziazëm për rritjen e numrit të lexuesve. Dhe për këtë e kanë fajin vetë organizatorët.

Armiku 2: politikanët

Ndërkohë që brenda Panairit, radhë të gjata njerëzish rrotullohen indiferentë rreth e qark paneleve të librave, qindra a mijëra të tjerë, jashtë Panairit, pak a shumë në të njëjtën zonë të qytetit, protestojnë me mllef e zemërim kundër çaktivizimit në Shqipëri të lëndëve kimike nga Siria. Edhe këtë vit, pra, shqiptarët nuk e kanë luksin për të shijuar librin. U duhet të jenë vigjilentë ndaj politikës. Thonë që armiqtë e librit janë zjarri, lagështira, koha dhe, shpeshherë, vetë përmbajtja e tyre. Por kanë harruar ta shtojnë edhe politikën në listën e armiqve të librit. Politikën, e cila, me papërgjegjshmërinë e saj mundet ta helmojë (jo vetëm figurativisht) atmosferën e shijimit të Librit dhe ta reduktojë jetën e qytetarëve në një luftë të përditshme për mbijetesë.

Mapo

 

Comments

Submitted by bujari (not verified) on

<p>z. bakalli, kam perjetuar fiks te njejtat gjera qe keni shkruar ju. ju falenderoj qe me bete ti rilexoj perjetimet e mia!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.