Pakoja e Ahtisaarit – zgjidhje e keqe edhe për veriun

Postuar në 17 Janar, 2014 07:10
Valon Murati

Në debatet politike që po zhvillohen këto ditë të nxehta vere, rreth mundësisë së dialogut politik me Serbinë, spikasin tri qëndrime kryesore politike. Në njërën anë qëndrojnë subjektet që kanë paqartësi të mëdha, të përcjella edhe me frikë, rreth dialogut politik si: PDK, LDK dhe AAK; atyre si LVV që janë kundër dialogut politik; dhe LB që e sheh tash e disa vjet dialogun politik Kosovë-Serbi si mundësinë e vetme për të zgjidhur problemet e mbetura në mes të dy vendeve e posaçërisht zgjidhjen e çështjes së tri komunave në veri të Kosovës (Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan) dhe tri komunave shqiptare nën administrimin serb (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë). Qëndrimi i PDK-së, apo thënë më mirë i krerëve të Qeverisë së Kosovës, për veriun e vendit dhe dialogun e mundshëm politik me Serbinë, edhe pse shpesh i paqartë, është se pozicioni i Kosovës do të jetë zbatimi i plotë i Pakos së Ahtisaarit në veri dhe se me këtë pako janë të garantuara të gjitha të drejtat themelore për serbët jo vetëm në veri, por në tërë Kosovën. Pra, sipas Qeverisë së Kosovës dhe partisë kryesore në pushtet, ky është qëndrimi dhe oferta e Kosovës për atë që ata e quajnë integrimin e veriut. Edhe AAK, e cila është shprehur pro bisedimeve politike, pak a shumë, në këtë pikë ka të njëjtin qëndrim. Ndonëse, qëndrimi i saj nuk është krejt i qartë dhe shpeshherë shoqërohet me deklarata të forta për intervenim në veri. Kohët e fundit duket se ka një anim për t’u bërë pjesë e një dialogu të mundshëm me Serbinë. Edhe LDK, e cila ndonëse së voni ka dalë kundër bisedimeve politike, në thelb, ofertë të fundit për veriun e ka Pakon e Ahtisaarit. LVV është krejtësisht kundër bisedimeve (apo paraqet kushte të tilla për bisedime, që, në këto rrethana, nuk janë gjë tjetër veçse formë tjetër e refuzimit të tyre), ashtu siç është edhe kundër Pakos së Ahtisaarit. Tonet e saj për zgjidhjen e çështjes së veriut marrin elemente të domosdoshmërisë së një intervenimi policor apo ushtarak. Në anën tjetër, në këtë drejtim, Lëvizja për Bashkim dallon prej tërë spektrit politik. Ajo, jo vetëm që shumë herët është shprehur se dialogu politik me Serbinë është mundësia e vetme për të zgjidhur çështjet e mbetura në mes të dy shteteve, dhe atë e ka theksuar qartazi dhe me guxim që në vitin 2010 në Platformën për Zgjidhjen e Çështjes Shqiptaro-Serbe, por, gjithashtu, në këtë platformë ka theksuar se në këtë dialog duhet të shtrohet edhe çështja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. LB, duke qenë se janë në pozicion të njëjtë (kanë popullsi homogjene dhe lidhje territoriale të pashkëputura me pjesët e popullit të vet që jetojnë në anën tjetër të kufirit), ka kërkuar që çështja e tri komunave veriore të Kosovës dhe tri komunave shqiptare që gjenden nën pushtetin serb të zgjidhet duke u zbatuar parimi i reciprocitetit në të drejta. Gjithashtu, LB që në fillim ka konsideruar se çështja e tri komunave serbe në veri nuk mund të zgjidhet me mjete dhune, ka qenë kundër çfarëdo intervenimi policor dhe nuk e konsideron çështjen e veriut si çështje krimi e sigurie. Për LB-në kjo është një çështje thellësisht politike, që edhe kërkon zgjidhje të natyrës së tillë.

2.

Pakoja e Ahtisaarit është një marrëveshje e dalë nga një proces negocimi ndërkombëtar për statusin e Kosovës. Këtë marrëveshje nuk e ka pranuar Serbia, jo pse nuk ka garantuar të drejta për serbët në Kosovë, por sepse përmes këtij procesi Kosova u bë shtet i pavarur. Sidoqoftë, atë që politika e Kosovës asnjëherë në mënyrë të sinqertë nuk e ka artikuluar, e sidomos jo ata që ishin protagonistë të bisedimeve të Vjenës e që sot janë në pozitë e opozitë, është se Pakoja e Ahtisaarit ka qenë dhe vazhdon të jetë një kompromis i madh nga pala shqiptare në raport me synimet e popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pakoja e Ahtisaarit e konsideron Kosovën juridikisht një shoqëri multietnike, ndonëse pakicat kombëtare në të mezi e mbërrijnë 7%. Një definim i tillë i shtetit të Kosovës ka bërë që një sërë rregullimesh të brendshme juridike e politike të kenë vulën e këtij parimi të multietnicitetit. Dhe ky parim, në të vërtetë, e shtron rrugën për jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës. Kështu që, pakoja, tash edhe përmes kushtetutës dhe një sërë ligjesh, jo vetëm që u jep të drejta joproporcionale komunave të decentralizuara serbe (në disa drejtime ato kanë më shumë pushtet sesa p.sh. Komuna e Prishtinës, së paku derisa të miratohet ligji për kryeqytetin), jo vetëm që u krijon atyre mundësi të kenë lidhje horizontale në mes vete, jo vetëm që u jep pushtet të madh institucioneve fetare që udhëheqin me objektet e kultit të krishterë ortodoks në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, por ajo u garanton pakicave, e sidomos serbëve, vende në Kuvendin e Kosovës në shpërputhje shumë të madhe në raport me numrin e tyre në Kosovë, e për më tepër këtij numri të deputetëve u jep fuqi të jashtëzakonshme politike e juridike. Kjo fuqi e madhe politike dhe juridike prodhon pamundësinë që shumica e qytetarëve të Kosovës të kenë mundësi të ndërrojnë kushtetutën e vendit (duhet 2/3 e deputetëve të pakicave për t’u ndërruar Kushtetuta e Kosovës) si dhe vështirësinë e ndryshimit të ligjeve që quhen me rëndësi të veçantë (pa 1/2 e deputetëve që i takojnë pakicave në Kuvendin e Kosovës nuk mund të ndërrohen disa prej ligjeve më të rëndësishme të vendit). Fakti se pozicioni i palës kosovare në bisedimet për statusin ishte i dobët (për shkak të mungesës së vizionit politik, keq-qeverisjes dhe ngjarjeve të vitit 2004) dhe i lidhur kryesisht me dëshirën për ta nxjerrë pavarësinë dhe shkëputjen nga Serbia me çdo kusht, pa menduar fare për përmbajtjen e kësaj pavarësie, nuk mund ta përligj pohimin e tyre të vazhdueshëm për Pakon e Ahtisaarit si një fitore e madhe dhe ta paraqesin atë si një “ofertë zemërgjerë” të palës kosovare në bisedimet e Vjenës. Është shumë e qartë se Pakoja e Ahtisaarit ishte oferta e bashkësisë ndërkombëtare, që kishte menduar se do të pranohej edhe nga Serbia dhe Rusia, gjë e cila nuk ndodhi.

3.

Duke qenë se Pakoja e Ahtisaarit, tani e mbrujtur në vetë rendin juridik dhe politik të Kosovës, nuk garanton respektimin e plotë të së drejtës për vetëvendosje të qytetarëve të Kosovës, përkatësisht të shumicës së saj shqiptare, nuk do të duhej që për zgjidhjen e problemeve të veriut kjo marrëveshje të jetë oferta jonë zyrtare dhe e fundit. Politika jonë, si ajo që është në pozitë si ajo në opozitë, do të duhej të kuptonin se nga zbatimi i pakos në veri të Kosovës, qytetarëve të saj dhe vetë shtetit të Kosovës do t’u vinin tri të këqija të mëdha. E para, do të ndodhte krijimi i komunës veriore të Mitrovicës, që do të ishte legjitimim i ndarjes së dhunshme të qytetit në baza etnike, legjitimim i spastrimit etnik të ndodhur në veriun e qytetit dhe do të vendoste bazat për vendosjen e kufirit etnik shqiptaro-serb tek Ura e Ibrit, në Mitrovicë. Me legjitimimin e këtij realiteti, gjasat që në një periudhë afatmesme, me ridefinimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të humbet krejtësisht kjo pjesë e qytetit do të jenë të mëdha. E dyta, me zbatimin e pakos në tri komunat serbe në veri, formalisht, do të ndodhte njëfarë integrimi i kësaj pjese të Kosovës në jetën politike të vendit. Kjo do të nënkuptonte edhe funksionalizimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit, e që në të vërtetë do të ishte hapi kryesor në defunksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës. Kjo do të thoshte futje në një rreth vicioz të problemeve ndër-etnike, të cilat jo vetëm që nuk do të mundësonin normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy popujve, por ato marrëdhënie do t’i tensiononin edhe më tej dhe atë në dëm të funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Një soj modeli i shtetit jofunksional, për të mos e quajtur tërësisht të dështuar, është edhe Bosnjë dhe Hercegovina e deri diku edhe Maqedonia. E treta, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, do të mbeteshin nën mëshirën e shovinizmit serb, pa asnjë ndihmë e përkrahje dhe të harruar krejtësisht nga Kosova, për të cilën edhe ata vetë aq shumë sakrifikuan. Pra, ata do të mbeteshin tërësisht jashtë lojës dhe mundësisë për të përfituar nga dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në fund të fundit, politikanët e Prishtinës do të duhej të ishin aq të vetëdijshëm sa të shfrytëzonin të gjitha mundësitë, që përmes një marrëveshjeje me Serbinë, ta hiqnin qafe Pakon e Ahtisaarit nga sistemi juridik dhe politik i Kosovës.

4.

Të jemi të qartë! Bisedimet me Serbinë nuk janë punë e thjeshtë dhe as nuk do të kalojnë shpejt e lehtë. Por, në rrethanat aktuale, dialogu politik është mundësia e vetme për të zgjidhur problemet me Serbinë. Duke qenë kështu, ndërtimi i një pozicioni (gjithsesi, së pari, përmes një procesi të dialogut të brendshëm politik konsensual) ku do të përcaktoheshin qartë interesat e Kosovës dhe të shqiptarëve është më se i domosdoshëm. Atëherë, cili do të duhej të ishte pozicioni i Kosovës për këto bisedime, duke pasur parasysh edhe involvimin ndërkombëtar? Së pari, në vend të paraqitjes së Pakos së Ahtisaarit si ofertë Serbisë dhe serbëve të Kosovës si fjalën tonë të fundit, do të duhej sqaruar se pavarësia dhe shtetësia e Kosovës është pozicioni ynë i panegociueshëm. Duke qenë se pavarësia dhe shteti si kategori janë mbi një marrëveshje, qoftë edhe ajo ndërkombëtare, do t’i ikej kështu pozicionimit të Pakos së Ahtisaarit si ofertë e palës kosovare. Në anën tjetër, duke qenë të vetëdijshëm se do të bisedohet për veriun e Kosovës, Prishtina zyrtare, e liruar psikologjikisht nga konceptet e Pakos së Ahtisaarit, në bisedimet me Serbinë do të duhej të shtronte edhe çështjen e tri komunave me shumicë shqiptare (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) që gjenden nën administrimin serb, të njohura si Kosovë Lindore. Qëndrimi parimor i palës shqiptare do të duhej të ishte se çdo gjë që Serbia kërkon për tri komunat serbe në veri të Kosovës duhet të ofrojë për tri komunat shqiptare që i ka nën administrim. Pra, do të duhej të kërkohej reciprociteti në të drejta. Ky reciprocitet, në një të ardhme, kur të krijohen rrethanat më të relaksuara, mund të dërgojë edhe deri në ridefinimin e kufijve bazuar në vullnetin e shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe serbëve në tri komunat veriore. Ndërsa, për pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, Qeveria e Kosovës që para bisedimeve do të duhej të fillonte procesin e presionit për t’i kthyer shqiptarët e dëbuar nga pronat e tyre. Mirëpo, duke qenë se deri më tash nuk e ka bërë këtë, do të duhej të këmbëngulte që pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës të trajtohej jo si problem i interesit serb, por si çështje e një spastrimi të dhunshëm etnik dhe të insistonte në kthimin e shqiptarëve atje dhe integrimin e asaj pjese të qytetit me pjesën jugore të saj. Me një qëndrim të tillë do të hidheshin bazat që, gradualisht, përmes një procesi jo të lehtë të bisedimeve, të vihet deri tek një marrëveshje e re shqiptaro-serbe, e cila do ta tejkalonte Pakon e Ahtisaarit. Kjo gjë do të krijonte parakushtet që Kosova të shndërrohet në një shtet vërtet funksional, sovran dhe populli i saj të ketë të drejtën e vetëvendosjes.

5.

Shumë prej subjekteve të mëdha e të vogla në Prishtinë e Tiranë, që shfaqin herë pas here edhe idenë e bashkimit kombëtar, përfshirë edhe LVV-në, deklarohen haptazi kundër këtyre bisedimeve. Këto subjekte, shpeshherë, çështjen e bashkimit kombëtar e thjeshtëzojnë dhe e lidhin, edhe në rrethanat aktuale, vetëm me shpalljen e një referendumi. Në anën tjetër, duke e ditur se Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës janë pengesë për shpalljen e një referendumi të tillë dhe zbatimit në plotëni të vetëvendosjes së popullit shqiptar në Kosovë, LVV pohon se kur t’i ketë numrat e duhura në Kuvendin e Kosovës, një marrëveshje të tillë do ta shpall të pavlefshme si dhe do ta ndryshojë kushtetutën e vendit. Te dy këto pohime janë, në rastin më të mirë, spekulime elektorale duke e shndërruar kështu çështjen e bashkimit kombëtar në një parullë romantike. Në të vërtetë, me Pakon e Ahtisaarit në sistemin tonë juridik e politik, referendumi për bashkim kombëtar nuk ka gjasë të shpallet. Apo, edhe nëse do të mbahej nuk do të kishte kurrfarë efekti juridik. Në anën tjetër, edhe po të jenë numrat në Kuvend, Pakoja e Ahtisaarit nuk ka mundësi të shfuqizohet, e as Kushtetuta e Kosovës të ndryshohet (përkatësisht neni 1.3 që e ndalon bashkimin), pa votat e 2/3 të deputetëve të pakicave. Nëse kjo do të ndodhte, një akt i tillë do të shpallej nga Gjykata Kushtetuese si anti-kushtetues dhe në anën tjetër do të kishte edhe pasoja të mëdha për raportet e Kosovës me shtetet që e kanë përkrahur shpalljen e pavarësisë. Duke qenë një shtet dhe popull i vogël, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes këtë luks, por duhet t’i gjejmë rrugët se si procesin e bashkimit kombëtar ta realizojmë, duke shfrytëzuar favoret që na japin rrethanat e krijuara. Kështu, duhet të jemi të vetëdijshëm se bashkimi kombëtar sot mund të trajtohet vetëm si një proces, që do të realizohet hap pas hapi. Në këtë kontekst, bisedimet me Serbinë janë domosdoshmëri, jo vetëm për zgjidhjen e problemeve që kanë mes vete këto dy shtete, por edhe për shkak se një dialog i tillë, i shfrytëzuar mirë nga pala kosovare për ta përfshirë në të edhe Kosovën Lindore e për t’i dhënë një zgjidhje të drejtë por të njëjtë si kësaj pjese të etnikumit shqiptar ashtu edhe tri komunave serbe në veri të Kosovës, do të krijonte bazat për një marrëveshje të re politike e cila do të rrëzonte bazat e Pakos së Ahtisaarit. Atëherë, do të krijoheshin kushtet për një kushtetutë të re, dhe mundësi që qytetarët e Kosovës në mënyrë të lirshme të vendosin për bashkim me Republikën e Shqipërisë.

Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.