Për Socializmin & Enverin

Postuar në 02 Dhjetor, 2012 06:06
Ben Andoni

Skulptori i njohur, Odhise Paskali, bëri në të gjallë me shumë profesionalizëm Skënderbeun, Ismail Qemalin, Zogun, Musolinin, Hitlerin, Enverin e shumëçka tjetër. Mjaftonte t’ia kushtoje porosinë dhe ai dinte zotësisht si t‘i maturonte pastaj. Kurrë nuk prishte qejf. I duheshin ato para dhe nuk kish rëndësi, se modelin e kujt do përcillte. Mjaftonte të jetonte mirë dhe të kishte mundësi të punonte. Ndodhi vërtetë që realizimet e mrekullueshme nxjerrë nga dora e tij janë dhe sot e kësaj dite krenaria jonë e vetme e skulpturës monumentale.

Njësoj, por tashmë jo me pragmatizmin e tij të justifikuar, por më shumë me servilizmin tipik kombëtar, historianët e të dy krahëve politikë, janë të shqetësuar se kush do t’i nxjerrë më të arrira vlerat e krahut politik që përfaqësojnë. Të mjafton fare pak të shohësh se ai që shan dhe ofendon Zogun është patjetër njeri i lidhur me Luftën Nacional-Çlirimtare; ashtu si anasjelltas, ai që shan këtë të fundit do jetë patjetër, pjesë e pushtetarëve të sotëm, që mbrohen pas ombrellës së nacionalistëve, spektri i të cilëve tashmë është zgjeruar pafundësisht. E vetmja çadër ku bashkohen dy krahët e sotëm të politikës dhe studimeve tona historike, është ajo nën ‘rrebeshin’ e imazhit të vetë atij, Enverit. Pa e kuptuar se në këtë mënyrë po e glorifikojnë dhe më shumë akoma atë, e po krijojnë kushtet të gjykohet njësoj shtrembër si ish-mbreti Zog. Falë kësaj mënyre not-fair është gjetur mundësia që të dy palët politikë të fshehin rrënjët e thella komuniste dhe kinse të fshijnë periudhën e socializmit. Kjo e fundit, periudha më e gjatë e ekzistencës së shtetit modern shqiptar dhe më e gjalla, për hir të së vërtetës, përmban disa nga sfidat më të mëdha shqiptare. Ato, që shumë prej historianëve i kanë jetuar dhe tashmë në këtë vit përvjetori të madh, mund edhe t’i shprehnin si duhet. Megjithatë, një memecëri e frikshme ka sunduar mes studiuesish, përveç gjykimit të freskët të Rexhep Qoses, që gjithsesi nuk e shtoi dot në intervistën e tij edhe reprezaljen gati patologjike, që Enveri bëri mes shqiptarësh. Anipse, kaq duhej të lulëzonin blogjet në internet, kurse historianët tanë të dy anëve të fshiheshin edhe më shumë si struci. Në këtë akt, kupton më mirë pse po ndodhin paradokse sot për gjykime nga më të çuditshmet për Ismail Qemalin, apo për Ahmet Zogun, që i kanë bërë personalitetet politike të Shqipërisë dhe Kosovës të ndjehen vërtetë të paekuilibruar. Presidentja e Kosovës Jahjaga në harkun e 100 orëve ngriti dhe vrasësin dhe të vrarin. Nga ana tjetër, ky 100 vjetor, nuk solli asgjë të re nga ana e dokumenteve historike, ashtu si nuk solli asgjë dhe për fatin e Aktit të Pavarësisë apo të vërtetën e Flamurit origjinal të Pavarësisë.

Me këtë rast, shumëkush që ka akses publik kujton se po fshin historinë e vet dhe po distancohet nga Enveri dhe Socializmi. Për fat të keq, “harresa” po i bën këto dy pika edhe më të nderuar nga panegjirikët dhe më shumë akoma mbështjellë më një vel ‘misteri’. Madje, Enveri është edhe më ‘fatkeqi’ në të gjithë këtë tollovi sepse të gjithë atë përpjekje që bëri në luftën e madhe antifashiste (e cila po vlerësohet tashmë, por kuptohet si e krijuar nga anglo-amerikanët), apo dhe ekzistencën shqiptare, është njësoj e hedhur poshtë nga njerëzit që i shërbyen dhe që bënë karrierë nën të dhe ata që u persekutuan prej tij. Të mendosh se janë ende gjallë dhe jo pak protagonistë-njerëz që e kanë takuar dhe që mbanin shënim çdo fjalë ‘të mençme’, që ai nxirrte nga goja për t’ia përcjellë masave, të vjen të qeshësh. Ashtu si të vjen pak ndot nga ato që nuk përmenden për shqiptarët e 1945-1990. Në këtë 100 vjetor, kur ai s’është më, do ia vlente që të evidentoheshin veçmas “bëmave” të tij makabre me luftën skajore të klasave dhe atë që bëri vendi për kulturën, identitetin, Universitetin, institucionet e panumërta shkencore, Albanologjinë etj. E jo për Enverin, sërish, por për njerëzit që realisht krijuan dhe janë realisht në themel të shtetit tonë. Më shumë akoma duhej folur pak edhe për shqiptarët e thjeshtë të 1945-1990 dhe përpjekjen e tyre në një sistem ekonomiko-shoqëror që edhe pse dështoi, tregoi jo pak gjëra për shqiptarët: Mbi të gjitha aftësinë për të punuar dhe për të ndryshuar vendin e tyre. Mbase, ata që dikur e mbanin kudo fotografinë e tij dhe panë periudhën jo të pakët të socializmit, ku Shqipëria kaloi në shina të vërteta shteti, kjo i dhemb. Duke dashur sot që t’i sigurojnë vetes identitet tashmë në anatemat e tyre, ata kalojnë deri dhe pinjollët e ish-të persekutuarve, paçka se jo pak syresh prej këtyre të fundit ishin të lidhur me pushtuesin. Ndaj të vjen keq që ajo punë e madhe për ngritjen e shtetit, punë e dy brezave të plotë, pothuaj është harruar. E si për ironi, shumë pinjollë të komunistëve tashmë këlthasin shumë më tepër kundër viteve të socializmit, duke bërë një garë force me të persekutuarit e vërtetë që i dhuruan aq shumë Shqipërisë. Sot, duket se janë po këta, që nuk e vlerësojnë si duhet dhe momentin e madh të kthesës demokratike të fillimviteve ’90, protagonistët e vërtetë të saj, duke krijuar në gjithë shoqërinë kasta të tëra servilësh. Të tilla që i kanë çoroditur krejt dhe historianët tanë, të cilët edhe pse pretendojnë sot se janë të lirë nga të dy krahët, nuk mund të shkruajnë dot hapur. Nuk shkruajnë se kanë frikë të shohin njëri-tjetrin në sy. Kanë frikë të tregojnë për dështimin e tezave të tyre, pasi kanë hedhur poshtë rrjedhimet e jetës së brezave të tërë, të cilët e morën vendin nga një varfëri skamnore dhe e përcollën në një vend që besonte se i takonte familjes së kombeve evropiane. Dhe, me sa duket, bash për këtë ia vlen  të flasim dhe të themi se edhe në këtë kohë është frikë të flasësh sepse tani blihesh kollaj dhe çmimi i intelektualit shqiptar është bërë gjithnjë e më i ulët. Të paktën jo thjesht fshirja e kësaj periudhe të gjatë nga memoria, por harresa në përgjithësi ndaj figurave protagoniste të kësaj kohe, është një fakt që tregon hipokrizinë e kohës. Të paktën, Enverin e kujtojnë panegjirikët, por ata që punuan e kontribuuan vërtetë, i kanë harruar...

...Dikur, kur i thoshin të punonte, skulptori ynë nuk pyeste shumë, ai dinte të finalizonte pa ditur se kështu kishte materializuar njësoj të keqen dhe të mirën. Po tek e fundit, toka njësoj do lëvizte...

GSH

Comments

Submitted by Saimir (not verified) on

Njerezit duhet te shkruajne per ate kohe me vertetesi. Dikush qe ka qene ne burg ose internim duhet te vazhdoje te ndaje kete vjedhje jete ashtu si e ka perjetuar. Dikush tjeter qe ka humbur nje te dashur duhet te tregoje per mungesen e atij njeriu. Nje tjeter duhet te shkruaje per femijerine e ndrydhur dhe te munguar. Shume te tjere duhet te shkruajne qe kane shkuar ne pune duke brohoritur emrin e Enverit pa e kuptuar pse ose te ndergjegjshem perse. Shume duhet te shkruajne se u shkolluan ne universitetin komunist me deshire ose se nuk kishin alternative tjeter. Etj. Por kurrsesi asnje nuk duhet te jete selektiv ne kujtimet dhe refleksionet vetjake. Se Enveri ka bere edhe gjera te tjera. Pershembull po te mos ishte diktatura proletare e Enverit nje femije ne fshatin e thelle malor te Tropojes nuk do te mund te shkollohej, me pas te sillej ne Tirane, te behej doktor i udheheqesit, te behej pjese e elites komuniste per rreth njezet vite. Dhe me pas ky hipokrit do te mohonte si bukeshkalle se i perket pikerisht asaj elite te Enverit dhe sot sundon si Enverist.
Njerezit kane nevoje per te verteten dhe nuk duhet te rreshtin ta thone ashtu si e kane perjetuar ashtu si e njohin, pa genjyer, pa e zbukuruar.

Submitted by f d (not verified) on

<p>Besoj, nuk e di pse, ata qe e rikthyen Zogun si shqiponje, nje dite, dhe ma ndjen se jo larg, do e lepijne me llape ate balte qe i eshte hedhur bustit ne foton siper...se te tille jane...</p><p>...se tek e fundit...pushteti yne ka komuniste dhe pinjolle komunistesh te devotshem sa te duash e te lodhesh se numeruari...tek e fundit...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.