Ora biologjike e politikanëve deri në 2013-n

Individi i thjeshtë vetëm mund të marrë me mend atë që ndodh në prapaskënën politike për marrjen ose humbjen e pushtetit! Në fakt, ndërsa shumica e qytetarëve të thjeshtë gjykon sipërfaqësisht se politikanët dhe ministrat janë përfitues të mëdhenj të djersës së tyre, lexuesi racional e di se “lufta politike” është e mbushur me intriga dhe makinacione nga më të paimagjinueshmet!
Loja politike i ngjan padyshim një ajsbergu të vërtetë, i cili duket se nuk rrezikon kurrë të nxjerrë deri në publik pjesën e fshehur! Sigurisht që kjo ndodh sepse asnjërës prej palëve, apo individëve nuk u pëlqen të ndodhë! Por, përtej kësaj panorame të kamufluar dhe që mbrohet me fanatizëm nga të gjithë që nga themelimi i pluralizmit, dhe po me të njëjtët protagonistë, ka në të vërtetë një “skaner” i cili bën pasqyrimin deri diku të së padukshmes. Ky skaner është “ora biologjike” e gjithësecilit dhe sigurisht edhe e protagonistëve të politikës. Ky instrument natyror, pavarësisht genit që trashëgohet dhe është themelor, mat kohën dhe moshën e çdonjërit sipas ngarkesës së jetës që kalon çdonjeri dhe e deshifron atë në portretet dhe fizionominë individuale! Në rastin shqiptar askush nuk i shpëton, apo e fsheh dot kohën e moshës politike të matur me “orën biologjike” e cila nuk lëviz me rritëm të saktë si ora e kohës, por sipas një tik-tak-u unik për çdonjërin!
Hidhini një sy portreteve të protagonistëve kryesorë të politikës së Tiranës, të cilët në kohë të ndryshme kanë kryer detyrën e kryeministrit, apo synojnë ta kryejnë atë! I referohem pozicionit të kryeministrit sepse apriori besoj se të qënit në atë detyrë shtetërore sigurisht që bën të mundur shpejtësi të ndryshme të kohës biologjike të individëve që veshin atë kostum pushteti, por jo vetëm! Në fakt “ora biologjike” lëviz më shpejt se zakonisht edhe kur ke të bësh me akuza korrupsioni, apo lojë numërimi votash që të çojnë, apo hedhin nga pushteti!
Shikoni respektivisht z. Sali Berisha, (lindur më 15 tetor, 1944), z. Ilir Meta (lindur më 24 mars 1969), z. Edi Rama (lindur më 4 korrik 1964), z. Pandeli Majko (lindur më 15 gusht 1967) dhe z. Fatos Nano (lindur më 16 shtator 1952), kujtoni portretet e tyre publike të viteve 1991 dhe shikojini sot! Jam i bindur që do më jepni të drejtë, por edhe mund ta thelloni këtë refleksion me veten tuaj!
Çifti qeverisës Sali Berisha dhe Ilir Meta, ndërsa i prezantohen opinionit publik në vazhdimësi në ekranet e shumta, dëshmojnë me thinjat e tyre që janë krejtësisht të ngjashme, apo edhe me fizionominë e portreteve, nuk tregojnë diferencën e vërtetë të moshësh së tyre respektive biologjike! Kjo fotografi sigurisht që ka ndryshuar në amplituda të ndryshme gjatë kohës së vështirë të Gërdecit për kryeministrin në detyrë, apo rrugës së mundimshme të pafajsisë të ish kryeministrit socialist Meta!
Në fakt, diferenca rreth njëzet vjeçare që ka z. Berisha me z. Meta së fundi si bashkë-qeverisës, por me plus-minus edhe me z. Edi Rama që po thinjet për të gjetur rrugën kryeministrore të së Majtës dhe z. Pandeli Majko që u thinj ndërsa ish kryeministër ndoshta rastësisht dhe sigurisht pa e pritur aspak atë, nuk shquhet aspak në portretet e tyre respektive! Ata duken pak a shumë në të njëjtën moshë në bazë të thinjave që kanë tashmë mbi kokë, apo edhe fizionomive të portreteve! Por, edhe ish kryeministri socialist Fatos Nano i cili është rikthyer në vëmendjen e publikut me garën e humbur presidenciale, tashmë tregon me portretin e tij më shumë moshë biologjike se vetë Berisha me të cilin ka bashkëpunuar kur ky i fundit kishte nevojë për të dhe...!
Padyshim që Z. Berisha është përfituesi i vetëm i pëplasjeve brënda llojit në krahun e Majtë të politikës, të cilët ngaqë nuk kanë gjetur gjuhën dhe interesat e përbashkëta, kanë humbur mesa duket jo vetëm pushtet, por edhe vite biologjike në jetën e tyre personale! Padyshim duke i lënë kështu më të vjetrit kryeministër të duket më i riu, pasi ka patur vetëm ngarkesën e kryerjes së detyrës dhe jo frikën e humbjes së ketij pushteti, të cilin me të tijët e ka patur dhe e ka (nuk e dimë akoma nëse do e ketë pas zgjedhjeve të 2013) të garantuar!
Z. Nano me Lëvizjen “Nano për fitoren e socialistëve” tregon që mesa duket, dëshiron të rekuperojë fitore politike dhe “moshë biologjike”! Nëse do ia dalë ose jo, ne do të na duhet të presim rrjedhën e kohës politike dhe zhvillimeve biologjike deri në zgjedhjet e vitit 2013! Koha padyshim që do shoqërohet me lojë të fortë politike dhe me prapaskena të llojit të Lalzit, apo edhe restorantëve “Krokodil” në Shqipëri me prezencën e të domosdoshmit qytetar amerikan, Aleksander Arvizu!
Mass-media do të mundohet deri në stacionin tjetër zgjedhor, të zbulojë se çfarë i fshihet publikut, por ne do të mësojmë se ç’rol do të marrin z. Rama dhe z. Meta edhe duke vështruar sa shpejt do te ecë tik-tak-u i “orës së tyre biologjike” dhe duke parë portretet e tyre do të shohim si do të kompozohet pushteti i ardhshëm i vitit 2013!
Comments
Vertete sa jane vjeteruar

Vertete sa jane vjeteruar keta te mjatet ne krahasim me Berishen!? Ai rinohet cdo dte, por nuk i dihet deri kur....

Z. Nura, Tybe se te mora

Z. Nura,

Tybe se te mora vesh se cfare ke dash me thane.

Agim nese nuk e merr vesh se

Agim nese nuk e merr vesh se cfare thote z.Nura eshte e qarte qe eshte problem yt! Edhe njehere urime Z. Nura per shkrim. mua me duket skaner i mrekullueshem analiza yte.

Aldi!

Add new comment