Obama dhe Gandi

Postuar në 10 Nëntor, 2012 04:02
Ilir Hashorva

Tre-katër ditë para zgjedhjeve, ndërsa Romni vazhdonte fjalimet e tij propagandistike kudo në Amerikë për fushatën zgjedhore, Obama e la fushatën e tij, për t’iu gjendur pranë viktimave të shumtë të stuhisë së tmerrshme Sandy. Televizionet amerikane e ndoqën Obamën në misionin e tij humanist dhe tregonin se si ai, së bashku me Guvernatorin e shtetit të Nju Xhersit, Kris Kristi, shkuan dhe vizituan zonat më të goditura nga ajo stuhi. Guvernatori, ndonëse republikan dhe armik politik i Obamës, e vlerësoi lartë veprimin e Obamës. Televizori dha skena të ndryshme të takimit të Obamës me popullin e dëshpëruar dhe të shkatërruar nga stuhia në Nju Xhersi, por dy skena ishin të veçanta dhe nuk m’u hoqën nga mendja. Në njërën shfaqej Obama duke përqafuar, gati i përlotur, një grua me ngjyrë që kishte humbur gjithçka nga ajo stuhi dhe në tjetrën, përsëri Obama, Burri më i fortë i planetit, Presidenti me ngjyrë i Amerikës, tregohej tek ishte gjunjëzuar para një gruaje të moshuar të bardhë, një gruaje bionde, të ulur në një karrige me rrota. Në këtë çast thash me vete: Obama nuk ka më nevojë për të vazhduar fushatën e tij zgjedhore, ai tashmë i ka marrë votat e atyre që vlerësojnë humanizmin më shumë se çdo gjë tjetër. Ai nuk ka nevojë të vazhdojë të përsërisë në mitingje të kushtueshme, ashtu siç bëjnë të gjithë, të njëjtat gjëra bajate që ka thënë me dhjetëra.

Dhe, më ra ndërmend Gandi, kur në ditën e parë që do të festohej pavarësia e Indisë, në ditën e parë që India do të bëhej shtet më vete, kur të gjithë kishin kaluar në ekstazë nga gëzimi, kur secili donte të ishte pjesë e atij gëzimi në kryeqytetin e vendit, në Delhi, ai ndodhej në zonat veriore të Indisë, në Bengal, në Kalkuta, për të qetësuar luftën e egër fetare që kishte shpërthyer midis hinduve dhe myslimanëve, e cila kishte shkaktuar dhe po shkaktonte viktima të panumërt. Kur i bënë thirrjen që të kthehej në Delhi për të festuar edhe ai si Babai i Indisë, si personi që kishte kontribuuar më shumë për pavarësinë e Indisë, si personi që e solli atë pavarësi pa gjak, kur i thanë se pa të festa do të ishte e mangët, kur i thanë se do t’i dërgonin edhe një avion për ta marrë, ai iu tha se kur populli i tij ishte në zi, ai nuk mund të festonte.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.