Nobelin s'e do kush
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6089_thaci_dacic_0.jpg?itok=39lExM7s)
Ëndrra shqiptare për një çmim Nobel rëndom fillon e mbaron me shkrimtarin Ismail Kadare. Deri më tash, askujt s’i ka shkuar mendja se ndonjë kosovar do të mund të propozohej për çmimin më prestigjioz në botë, ndërsa se ky mund të jetë kryeministri Hashim Thaçi, kjo ka mundur të ndodhë – siç edhe ka ndodhur vërtet – vetëm në mahitë e një prillit.
Habia tjetër është se tash, kur kjo mrekulli mund të ndodhë vërtet, në vendin e laureatit tonë të mundshëm atë s’e do askush e,me gjasë, as në atë të tandemit të tij - se natyra e këtij çmimi në këtë fushë shpesh e do të jepet në çift - kryeministrit serb Ivica Daçiq.
Natyrisht, pos vetë Daçiqit e Thaçit. Për të dy ky ishte një rast i mrekullueshëm të shesin sadopak patriotizëm e altruizëm të lirë.
“S’kemi bërë ne asgjë këtu për Çmimin Nobel, as për reitingun tonë, as për kolltukë, po për Serbinë – dhe ky është çmimi më i madh për ne”, tha Daçiq, duke menduar në bisedimet e Brukselit për “normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë”.
Meqë ra fjala, Daçiqi dinak, në një rast tjetër tregoi se së paku, për dallim prej këtij tonit, të mermertit, di të provojë të duket shumë spirituoz – tha se megjithatë ky propozim është avancim, ngase “deri më tash liderët serbë i kanë propozuar vetëm për në Hagë”.
E, ky i yni, nominimit për çmim u përpoq t’ia krijonte një kontekst më të gjerë, çfarë ai s’e ka – se këtë e meritojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin dhe shtetformimin e vendit, duke zbuluar kështu në mënyrë të tërthortë se nuk mund të thotë me shumë lehtësi se këtë herë në Bruksel ka punuar për Kosovën.
Është e qartë, serbët nuk e duan këtë çmim. Apo nuk duan të pranojnë se si – siç thuhet –për dashuri, mbase edhe për paqe duhen - dy veta. Thaçi, apo, më saktë – Kosova, sipas tyre, nuk e ka vendin aty. Borko Stefanoviq, ish-negociatori tashmë i harruar me kosovarët, e di mirë pse – sepse pas kësaj iniciative “fshihet nevoja e Perëndimit që Thaçin ta paraqesë së paqebërës dhe njëri me vizion të madh, në çka Daçiq është vetëm njëra palë”.
“Ata dëshirojnë ta paraqesin si marrëveshje paqeje të dy shteteve dikur në luftë, me ç’rast njëri, sipas interpretimit shqiptar, e ka okupuar tjetrin, e më pas, ja, ja kanë dalë ta gjejnë paqen”, ka thënë Stefanoviq.
Kosovarët, të cilët nuk i ngrohu fare ideja për një Nobel për një bashkëvendës të tyre, për shkak se mu atë shumëkush e konsideron si, bashkë me do shokë të tij partiakë, ndër më meritorët për gjendjen e keqe në vend – varfërinë dhe pushtetin e kriminalizuar, pastaj ende nuk dinë krejt çka ka zier atje në Bruksel me Daçiqin, ironikisht, as që u morën me hisedarin e mundshëm të tij serb. Pos Pacollit, i cili po ashtu tregoi se nuk e pranon formulën themelore të dashurisë.
Po si është puna me nominuesin e mirë, Eliot Engel, i cili, bashkë me shokë të tij, kongresistë e senatorë, i ndihmoi shqiptarët e Kosovës ta mbajnë gjallë ëndrrën e lirisë për shumë vjet, edhe atëherë kur dukej se i kishte marrë lumi? Nuk ka dilemë se ai i ka menduar gjithë ato të mira për Kosovën, të cilat i numëron Borko Stefanoviq, po i cili e ka pozicionin të mos i pranojë.Por, edhe Engel duket të jetë mjaft larg nga Kosova, sa edhe bashkëvendësi i tij James Rubin, i cili duhet të jetë kthyer tepër i hutuar nga vizita e paradokohshme në vendin, për lirinë e të cilit kishte kontribuuar dikur.
Të etshëm për të pritur ndikimin më të ndjeshëm amerikan në ndaljen e rrjedhave të këqija në këtë vend, askush nuk e ka kuptuar drejt atë që e ka menduar Rubin, kur tha se shpreson “që njerëzit, të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për lirinë tuaj..., e kanë mençurinë të largohen sa janë në kulm të suksesit të tyre". Në një shembull të përsosur të iluzionit kolektiv, të gjithë e kuptuan vetëm atë që e mendonin edhe vetë – që krahu i luftës duhet të tërhiqet nga pushteti, por jo edhe pjesën tjetër të fjalisë, nga e cila shihet se Rubin ka perceptim të gabueshëm për rrjedhat në këtë vend - se “ata janë në kulm të suksesit”!
Sigurisht, as Engel, as Rubin nuk e dinë, por ndoshta as që kanë mundur ta marrin me mend sa të zezat i kemi bërë ne gjithë këto vjet!
*ZËRI
Add new comment