Njeriu Global
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5012_1_2957.jpg?itok=g10YO13X)
Lindja dhe krijimi i perandorive në shoqërinë njerëzore në thelb ishte krijimi i hapësirave të mëdha ekonomike. Atë botë ligjet përçoheshin vetëm me forcën e armëve dhe këmbën e ushtarit. Vetëm me shtrirjen sa më të gjerë të një zotërimi, pavarësisht kulturave rajonale, mund të sigurohej një treg që do të ishte në gjendje të mbante gjallë kryeqendrën e perandorisë, atë botë Romën e Lashtë, më vonë Kostadinopojën, Stambollin etj. Standardet e jetës brenda perandorisë nuk ishin një problem politik ose social, mjaftonte që qytetarët në kryeqendër të jetonin mirë, të jetonin mirë senatorët, kleri, gjeneralët, tregtarët, dhe ajo çfarë ndodhte në hapësirat e pamata të perandorisë nuk kishte pikë rëndësie, ata thjesht duhet të prodhonin drithëra, prodhime bujqësore dhe blegtorale, të paguanin taksa. Atje ku kishte ndonjë rebelim ose kryengritje, dërgohej me të shpejtë ndonjë ushtri e madhe ose e vogël dhe gjithçka shuhej. Në vazhdën e kësaj ideje, janë zhvilluar pothuaj të gjitha luftërat e të gjitha kohëve, por me ndryshimet e nevojshme të kohës, vendit, rajonit dhe zhvillimit shoqëror dhe teknologjik.
Në ditët e sotme zhvillimi ekonomik, teknologjik dhe mediatik është i jashtëzakonshëm. Jetojmë në epokën dixhitale dhe në ekonominë globale. Perandoritë janë reformuar, janë shkëmbyer territore, harta politike ka ndryshuar; por duhet të kujtojmë se e gjithë kjo ka patur shumë vektorë, krijimi i shteteve nacionale, sidomos në Europë dhe në Afrikë. Janë zhvillime shumë komplekse, që një shkrim si ky nuk mund t'i përfshijë të gjitha. Për këtë arsye është e nevojshme që të gjitha këto vetëm të përmenden, por jo të analizohen në veçanti. Pra, mund të themi se kemi dy zhvillime kryesore; nga njëra anë zhvillimin e vrullshëm teknologjik, ushtarak, tregtar, ekonomik, shtimin e jashtëzakonshëm të popullsisë së botës, lindjen e tregjeve të reja, marrëveshjet politike dhe ushtarake, traktatet, sidomos traktatet mbi të cilat u ngritën dhe u ndërtuan blloqet e mëdha ekonomike dhe politike dhe ushtarake të botës, e nga ana tjetër krijimin e shteteve nacionale në shumë vende të Europës, Afrikës, Azisë, Amerikës. Pikërisht këtu duket një kontradiktë logjike, e cila ia vlen të shtjellohet saktë, për të kuptuar thelbin e krizës që po kalon sot mbarë njerëzimi.
"Qytetërimi ynë është tani në fazën e tranzicionit mes moshës së perandorive ndërluftuese dhe të një epoke të re të unitetit dhe paqes botërore", thotë nobelisti John Boyd Orr.
Nëse marrim sot gjendjen aktuale, si të thuash të lajmë filmin dhe të përpiqemi të dallojmë fotografinë e botës, shohim këtë gjendje: Po e nis me Europën. Bashkimi Europian është sot boshti ekonomik i krejt kontinentit, është konsumator i madh, por edhe prodhues i madh. Njëkohësisht është një hapësirë e madhe me një zhvillim shumë të lartë teknologjik dhe shkencor. Shtylla më e fortë ekonomike është Gjermania së pari, pastaj Franca. BE përbëhet nga 27 shtete të pavaruara, nga të cilat një pjesë ka një monedhë të përbashkët. Janë edhe shumë shtete, jo fort të rëndësishme për nga potenciali ekonomik dhe politik, që kërkojnë të antarësohen në Traktatin e Bashkimit Europian. Në pamje të parë duket se nuk ka asnjë arsye për t`u shqetësuar, BE-ja me hapësirën që ka, me prodhimin dhe numrin e konsumatorve, me potencialin e saj njerëzor dhe teknologjik, i vetëplotëson më së miri të gjitha nevojat për një zhvillim dhe ngritje të vazhdueshme ekonomike. Po ku është e keqja? Thelbi i problemit duket se është shumë i thjeshtë, të nxitur në fillim para dy vitesh nga kriza e rëndë dhe depresioni që përfshiu ShBA-të dhe si rrjedhojë pothuaj shumë rajone të botës, tani disa shtete të BE-së po përballen me krizën e borxheve publike. Nëse Amerika e kishte shumë më të thjeshtë për të zgjidhur probemin e madh të krizës së bankave dhe depresionin ekonomik, në rrethanat e BE-së kjo duket mision i pamundur. Arsyeja është shumë logjike dhe e fortë, Traktati mbi të cilin është ngritur kjo hapësirë ekonomike nuk të lejon të marrësh vendimet, kërkon kohë, duhet të bien dakort 27 qeveri, të ratifikohen këto vendime nga 27 parlamente, kohë e cila duket nuk mjafton për të parandaluar zjarrin që rrezikon të djegë në këtë rast Euron, e si rrjedhojë pasojat të tejkalojnë Kontinentin e Vjetër dhe të përfshijnë botën mbarë. Duket se Traktati Politik mbi të cilin është ngritur projekti i BE-së në fillim dhe i monedhës së përbashkët Euro më vonë nuk të jep instrumentat e nevojshëm për të marrë vendimet e shpejta para se zjarri të përfshijë gjithë këtë hapësirë ekonomike dhe politike. Por ky shkrim nuk ka si qëllim të gjej këto shkaqe që duken se po lëkundin themelet e një prej perandorive më të mëdha ekonomike që ka njohur njerëzimi.
Sot, të paktën janë në lojë pesë lojtarë shumë të rëndësishëm. Pra, gjithsejt harta e perandorive politiko- ekonomike të botës ka pesë lojtarë të dorës së parë, ato janë ShBA, Rusia, Kina, India dhe BE-ja, pa përfshirë këtu edhe dy vende të tjera shumë të fuqishme, që sot janë një treg i madh si Brazili dhe Meksika. Të gjitha këto vende, përjashto BE-në, vendimet e tyre ekonomike, politike, reformat, strategjitë, i marrin shumë më lehtë se BE-ja. Por kur bëhet fjalë për një ekonomi globale, forcën e lartë të gravitetit që ka Bashkimi Europian dhe monedha Euro, fundosja e kësaj të fundit sjell një rezultat apokaliptik.
Tani rrymat dhe erërat e komunikimt janë të jashtëzakonshme sa kohë që në lojë ka hyrë teknologjia e lartë, si televizioni, interneti, celulari. Ka edhe disa vende të tjera, krysisht në Afrikë dhe Azi, por më pak në Amerikë dhe Europë, që nuk janë shumë të zhvilluara, që kanë probleme demokracie dhe ligjore, por edhe nacionale dhe religjioze. Në kushtet e reja, me tekonologjinë që sot është në duart e çdo individi në mbarë botën, në rrethanat specifike kur terrorizmi është një armë banale që keqpërdoret rëndom nga qeveri, grupe dhe individë, pra fotografia që përftojmë, ajo çfarë u tha më sipër në këtë shkrim është lemeritëse.
Çfarë do ishte e logjikshme të ndodhte?
Së pari, duke parë tregjet ekonomike, financiare, sidomos financiare, shkurtimin e largësive falë zhvillimit teknologjik si shtrimin e naftësjellësve dhe gazsjellësve nga një kontinent në tjetrin, rrugët detare me anijet trasoqeanike, avionet, trenat e shpejtësive të mëdha, globalizmin në përgjithësi, është e pamundur të mendohet se kriza nuk mund të infektojë gjithë ekonominë botërore. Nëse në perandoritë e hershme të Romës, Bizantit etj, gjithçka mund të mbyllej brenda kufijve të një krahine, sot kjo duket krejt e pamundur. Sipas Jacques Delors ish President i Bashkimit Europian ne vitet 1985- 1995, situata e sotme është faturë për t’u paguar e gabimit të atyre që mbyllën një sy përballë zhbalancimeve ekonomike të vendeve anëtare, kur ishte krijuar euroja. Mungesa e një fuqie qendrore për të koordinuar politikat ekonomike u ka lejuar disa vendeve anëtare të rrisin borxhin e tyre. “Ministrat e Financave nuk donin të shihnin asnjë mosmarrëveshje, me të cilën do të detyroheshin të merreshin”, thotë Jacques Delors në një intervistë në Daily Telegraph. Në këto kushte logjika të thotë se duhet një bashkëveprim, vetëm një qeveri globale mund t'i bënte ballë këtyre sfidave të jashtëzakonshme. Por Jo...
Sepse Jo, ka njëmijë arsye, të cilat janë kaq keq të mbërthyera, të ndërthurura, një lëmsh i vertetë. Por më kryesorja duket se mbetet ajo që u përmend diku me sipër; krijimi i shteteve nacionale në Europë Azi dhe Afrikë. A do ishin të gatshme këto vende të jepnin nga sovraniteti i tyre për hir të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies? Po superfuqitë ekonomike si Rusia dhe Kina, do pranonin rregulla loje të të sinqerta që do të shkaktonin humbje të ndikimit ekonomik dhe politik në shtete dhe rajone të mëdha? Merreni me mend; gjatë shekullit të kaluar njerëzimi njohu dy Luftëra Botërore, një Luftë të Ftohtë dhe shumë diktatura anembanë globit! Nëse në një perandori të lashtë kishte një mosbindje ndaj ligjeve perandorake ose një kryengritje, ajo zgjidhej lehtë, dërgohej një Ushtri dhe disa Gjeneralë e gjithcka pushonte. Hapësirat e tyre ishin pothuaj këto që kemi sot, por me një ndryshim, atëherë nuk kishte shtete kombe, por disa vende me gjuhë dhe kultura të ndryshme. Sot është e pamundur të flitet për një qeveri të tillë si në Romën e lashtë, pasi kjo do të binte ndesh me interesat kombëtare ta zëmë të francezëve kundrejt gjermanëve, pavarësisht se pikërisht këto dy vende janë në zemrën e Bashkimit Europian, e aq më tepër po të shkohet më tej, në vende të tilla si Moska, Pekini, Nju Dehli, pasi edhe ato në vetvete kanë ngjyrën e shteteve perandori për nga forca, ekonomia dhe ambicja dominuese.
Raportet janë shumë delikate, kohët janë të paqëndrueshme, traktatet po dalin jashtë kohe, popuj dhe rajone të tëra nuk pranojnë më standarde jetese mesjetare, ngjarja më e rëndomtë që mund të ndodh në çdo cep të humbur të tokës, brenda një kohe rekord (maksimumi një orë) bëhet ngjarje botërore. Në duart e çdo banori të zakonshëm të botës ka mjete dhe teknologji të lartë, ndërsa në shumë pika të Tokës dhe në hapësirën rreth saj ka armë të shkatërrimit në masë.
Kombet e Bashkuara, me Këshillin e Sigurimit dhe Asamblenë e Përgjithshme kanë një rol krejt të parëndësishëm në aspektin e vendimmarrjes jetike, miratimi i një rezolute të rëndomtë bllokohet pothuaj sistematikisht nga antarët me të drejtë vetoje, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore duken si barka të vogla shpëtimi në detin plot tallaze.
Merreni me mend; që nga Lufta e Dytë Botërore ne, banorët e planetit Tokë jemi trefishuar, për 50 vitet e ardhshme mund të jemi diku mes 12-15 miliard! Rezervat botërore të naftës, deri më sot burimi kryesor i energjisë për njerëzimin, mund të jenë drejt fundit, ndërsa Shtëpisë tonë Tokësore i kanoset ngrohja globale... Zot, po sikur nesër, andej nga gjysma e shekullit tonë, të lodhur nga molisja ekonomike, nafta e paktë, temperaturat e larta, niveli i deteve që ngrihet, nga terrorizmi, nga qeveritë e paqëndrueshme dhe korrupsioni... të zhuritur për ujin e pijshëm dhe të uritur për pak grurë, të gjitha së bashku, si ne filmat hollivudian... por edhe të armatosur frikshëm tej përfytyrimit human... "Shikoni prapa të kaluarën, me perandoritë e ndryshme që u ngritën dhe ranë, dhe ju mund të parashikoni të ardhmen e tyre!". Marcus Aurelius
Pra, e thënë ndryshe, zgjidhja është një Qeveri Globale, por në këto rrethana kjo duket thjesht një Utopi. Sepse, besoj u kuptua. Interneti dhe sateliti kanë ndërtuar rrugët e tregtisë së shpejtë, lëvizjet e jashtëzakonshme financiare, korporatat shumëkombëshe, por akoma nuk e kanë ndërtuar njeriun global në kuptimin ligjor, interplanetar dhe kulturor, ai është në fillimet e tij. Fillimi i një Epoke të Re.
Mbase duhen parë dhe njëherë ato Nenet Paraprake dhe ato Themelore të Emanuel Kant-it.
"Forma kushtetuese e çdo shteti duhet te jetë Republikë "
"Ligji i kombeve do të jetë themeluar në Federatën e Shteteve të Lira"
"Ligji i Qytetarisë Botërore do të kufizohet në Kushtet e Mikpritjes Universale"
Përgjegjësi për çfarë shkruan, përgjegjësi për çfarë publiku lexon
Comments
Më pëlqen shumë se si e
<p> </p><p>Më pëlqen shumë se si e keni mbyllur shkrimin “Interneti dhe sateliti kanë ndërtuar rrugët e tregtisë së shpejtë, lëvizjet e jashtëzakonshme financiare, korporatat shumëkombëshe, por akoma nuk e kanë ndërtuar njeriun global në kuptimin ligjor, interplanetar dhe kulturor, ai është në fillimet e tij.”</p><p>Kjo fjali mendoj se shpreh qartë se sa shumë ka përparuar bota e finances, korporatat dhe sa mbrapa kemi mbetur ne, njerëzit e zakonshëm, rrogëtarët. Si vjet, si sivjet, po të njëjtat probleme: pagim faturash për dritat, për ujin, për shkollimin e fëmijëve e të vetvetes, ndërsa korporatat fitojnë status ndërkombëtarë. </p><p>Por, kjo fjali tregon edhe qartë e bukur se si si duhet ta perceptojmë veten në të ardhmen që gjërat të ndryshojnë: të ndërgjegjshëm për çdo të drejtë tonën ligjore, ekonomike, politike e kulturore. Qytetarë aktivë domethënë, pa pritur më që shteti të vendosë për fatet tona, por të mësojmë t’i kërkojmë llogari deri më një, shtetit e më tej Komunitetit Evropian, Bankës Botërore, Fondit Monetar, Organizatës Ndërkombëtare të Tregtisë që po na marrin frymën.</p><p>Urime për shkrimin!</p>
Add new comment