Një zhgënjim i (pa)merituar
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/3732_nuhi.jpg?itok=ID6NC2AZ)
NUHI SHALA/
Në dimrin e vitit 2005, për pak kohë pata punuar si përkthyes në Kampin e KFOR-it Amerikan Bondsteel dhe që atëherë më kujtohet një thënie e cila figuronte në njërën prej dy kuzhinave në këtë kamp, saktësisht në kuzhinën kryesore e cila mbante emrin e ish sekretarit amerikan të mbrojtjes William Cohen, e cila thoshte: “You are what you eat”. Asokohe ishte kjo një fjali e cila më asocionte në shumë gjëra dhe e cila e përkthyer sipas zhargonit lokal kosovar i binte të ishte: “Qysh han, ashtu je”. Ishte e natyrshme që kuptimi i vetëm i kësaj fjalie kishte të bënte me shëndetin e ushtarakëve amerikanë pasi që shëndeti i tyre varet në masë të madhe edhe nga ajo se çfarë ushqimi përdornin. Mirëpo për mua kjo fjali kishte po ashtu domethënie tjera të cilat domosdo lidheshin edhe me aspekte tjera të jetesës dhe zhvillimit. Kishte shumë gjëra të cilat kur i ngërtheje me këtë fjali krijonin një pamje sa çuditëse po aq edhe ironike. Marrë parasysh situatën momentale, me punët si i kemi tash, jemi pikërisht ashtu siç hamë, jemi pikërisht ashtu siç veprojmë, të mirë në mesin e më të këqijve, të izoluar në një rreth të hapur për të tjerët por të mbyllur për ne, të varfër por krenarë, t ‘pamoralshëm e pa dinjitet, entuziastë dhe optimistë për një të ardhme më të mirë duke e flakur tutje të vërtetën dhe realen, e duke e përqafuar në të njëjtën kohë te rremen dhe fiktiven.
Tek ne ekziston edhe thënia popullore “qysh e ke lypë, e ke gjetë”. Zakonisht thuhet kështu për dikë i cili në kërkim të realizimit të një qëllimi apo dëshire të zjarrtë shpeshherë me veprimet e tij i tejkalon përmasat e një kërkimi modest dhe real për të arritur atë çfarë synon apo ka dëshirë të arrijë. Kur dikur vonë e kupton që arritja e një qëllimi apo dëshire të tillë nuk mund të bëhet aq lehtë ashtu siç kishte pandehur në fillim, duke humbur durimin dhe besimin në të njëjtën kohë, ngulmon apo insiston që atë qëllim apo dëshirë ta arrijë patjetër, vepron në mënyrë shpesh të gabueshme duke e vënë veten në situatë të pa lakmueshme dhe kësisoj dështon në një mision të tillë dhe pastaj vetvetiu ngel dhe bllokohet, struket dhe heshtë dhe nuk bëzan më. E kur kjo ndodhë dhe njerëzit përreth tij e kuptojnë këtë, zakonisht fjala e parë që ata do ta thonë është “qysh e ka lypë, e ka gjetë”.
Të dy këto thënie të lartcekura koincidojnë bukur shumë me realitetin me të cilin po jetojmë tash e 14 vjet të pasluftës. Idealet, ambiciet dhe qëllimet tona ishin dhe kanë qenë për një shoqëri demokratike, një shtet ligjor, shoqëri të emancipuar, shtet i zhvillimit dhe mirëqenies, tolerancë mes popujve, etnive dhe feve, barazim vlerash dhe meritash, thënë më një fjali ideali apo qëllimi i secilit prej nesh ishte dhe (shpresoj të jetë akoma) liria e individit në raport me shtetin, fjala e lirë dhe përkujdesja për njëri-tjetrin. Por në fakt, këto ideale sikur janë zbehur tashmë dhe në masë të madhe janë zëvendësuar me zhargone tjera leksikografike, të pranishme dhe të pazëvendësueshme në shoqërinë tonë, të tilla si korrupsion, krim i organizuar, shpërlarje parash, haraç, zhvatje, nepotizëm, tendera, klientelizëm e shumë të tjera.
Pak vite më parë e pata pyetur një ushtar të KFOR-it Suedez në Kosovë nëse e dinte se çfarë domethënie kishte për një suedez të qenurit nacionalist apo patriot apo si e kupton një suedez ndjenjën e nacionalizmit apo patriotizmit atdhetar. Përgjigja e tij e thjeshtë dhe e shkurtër ishte se nuk e dinte se çfarë do të thotë të kesh ndjenja nacionaliste apo patriotike. Kur i kërkova arsyen pse e thoshte një gjë të tillë, përgjigja e tij ishte se për më shumë se 200 vjet, shteti Suedez nuk kishte qenë në asnjë luftë apo konflikt të armatosur me ndonjë shtet tjetër dhe kjo kishte bërë që ai dhe gjenerata të tëra suedezësh të mos e kishin një ndjenjë të tillë nacionalizmi apo patriotizmi apo çfarë do të thotë të jesh nacionalist karshi popujve tjerë (po flasim për ndjenja nacionaliste të një shtetasi në raport me shtetasin e një nacionaliteti tjetër).
Si duket, i njëjti fenomen na ka kapluar edhe neve kur kemi të bëjmë me atdhedashurinë apo nacionalizmin në kuptimin pozitiv, veçse tanimë jo pas 200 vjetësh sikurse rasti i shtetasve suedezë por pikërisht për më pak se 14 vjet pas luftës së tmerrshme dhe të llahtarshme, ku për shumicën e banorëve që i përjetuan vetë skenat e masakrave, vrasjeve dhe përdhunimeve ato skena janë akoma të freskëta. Pra, vuajtjet e shumta që përjetuam me vite, vrasjet dhe dhunimet, masakrat, gjenocidin, dehumanizimin si dhe shkatërrimin total moral e material gati sa e kemi harruar për një kohë aq të shkurtër duke i kamufluar këto ndjenja dhe përjetime me terma të tjerë si lakmia, korrupsioni, hajnia dhe shumë terme tjera, të cilat kanë zënë rrënjë dhe janë topitur në mendjet e shumicës. Për më shumë, ndjenjat e të qenurit nacionalist dhe patriot na janë zëvendësuar me ndjenja për të zënë e zaptuar, për të vjedhë e shitur, për të dhënë e falur. Dikur s’kishim atë që kërkonim dhe betoheshim se me ta marrë atë s’do kërkonim asgjë tjetër. Tani kur e kemi, kërkojmë më shumë e më tepër, e kur s’na mjafton ua marrim të tjerëve, ua grabisim para syve dhe u japim shpresë dhe fjalë të kota se ditët e mira po vijnë, por jo tani por atëherë kur nuk do mbetet asgjë për tu marrë e grabitur më. Dhe kur ne prapë me ngulm kërkojmë atë për çka ishim përpjekur me vite, ata na thonë se ishin vetëm ata që ishin përpjekur e luftuar dhe vetëm ata mund të vendosin se kush çka duhet të marrë.
Ne që kërkojmë të rimarrim atë idealin, atë dëshirën për të qenë të barabartë, dëshirën për të pasur atë çfarë shumë popuj e kanë, ne të cilët kërkojmë me ngulm një gjë të tillë, të tjerët me të drejtë na thonë “jo”, na thonë jo për arsyen e vetme sepse nuk kërkuam të vërtetën se kush ishte viktimë e luftës sonë, nuk kërkuam kriminelët që na masakruan dhe torturuan me vite, nuk kërkuam trupat që janë zhdukur e nuk gjinden askund, nuk kërkuam shtëpitë, pasurinë që na dogjën e shkatërruan. Në vend të kësaj, na thonë ata, ju kërkuat diçka tjetër, kërkuat diçka që në emrin tuaj e mori dikush tjetër, e bëri për vete, e zaptoi, e grabiti, e shiti dhe e asgjësoi. Sot, kur të tjerët mendojnë si të zaptojnë edhe më tutje këtë vend e ta shndërrojnë atë në çifligje apo sulltanate personale, po sot janë të shumtë ata që vajtojnë për bijtë dhe bijat e tyre që nuk janë më, shumë prej tyre akoma kërkojnë eshtrat e më të dashurve të tyre, dhe përgjigja e vetme që marrim prej atyre që kërkojmë ndihmë është fjalia e lartcekur “çfarë keni lypë e keni gjetë”.
Për 14 vjet me radhë morëm atë çfarë (s)e merituam. Në vend të viktimës u shndërruam në të dyshuar, në vend të dinjitetit u poshtëruam, në vend të mirëqenies u varfëruam. Na premtuan shtet ligjor dhe të së drejtës por na dhanë shtet të krimit dhe korrupsionit, na premtuan integrime por na dhanë izolim dhe mbyllje, na thanë se do jemi të njëjtë dhe të barabartë, por na ndanë dhe na distancuan. E çfarë tjetër s’na thanë e s’na premtuan. Na morën të gjitha, por diçka kurrë s’do mund t’na marrin. Shpresën! Shpresën për një jetë më të mirë.
Add new comment