Një rrëfim nga Shkupi për 23 qershorin

Shqiptarët në Maqedoni me pak entuziazëm po ndjekin atmosferën e fushatës së zgjedhore në Shqipëri. Ofertat e partive të Tiranës as që kanë prekur apo tërhequr shqiptarin përtej kufirit, duke pasur parasysh mungesën e një komunikimi më masiv. Debati në Shkup, Tetovë e vendbanimet tjera shqiptare për zgjedhjet e 23 qershorit zhvillohet hiç më pak se niveli i debatit të kafeneve.
Sali Berisha si gjithnjë akoma gëzon epitetin e një politikani më të preferuar, duke pasur për bazë arsyet e ndërthurura patriotike – folklorike pa argumente dhe debate politike. Ndërsa Edi Rama shihet nën prizmin e një pasardhësi të komunistëve, por edhe një njeri trendi, sidomos tek një pjesë e të rinjve shqiptarë. Megjithatë, adhurimi pas të majtës është mitizuar tek një minorancë përkrahësish të ish-lëvizjes LPK.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni as që janë përfshirë në debatet dhe lobimet e këtyre zgjedhjeve. Ato nuk janë deklaruar se cilat janë preferencat e tyre për aleanca me të djathtën apo të majtën shqiptare. Loja e tyre vijon në stilin e përmbajtur, duke pritur rezultatin e 23 qershorit dhe më pas vrapin drejt Tiranës, se kush qëndron më afër Qeverisë së re shqiptare.
BDI dhe PDSH për vite me radhë kanë bërë me dhjetëra takime me Qeverinë shqiptare dhe kryeministrat e deritanishëm. Nga këto takime asnjëherë nuk rezultoi ndonjë nismë konkrete për të realizuar një mision apo një çështje preokupuese për shqiptarët në Maqedoni. Si Ali Ahmeti ashtu edhe Menduh Thaçi vajtje – ardhjet në Tiranë i kanë shfrytëzuar vetëm për qëllimet e brendshme politike dhe afirmitetin me elektoratin e tyre.
Ali Ahmeti me të kaluarën e tij majtiste në kuadër të LPK-së gëzon respektin e madh brenda të majtës shqiptare. Ai është një nga liderët e preferuar shqiptarë tek e majta shqiptare, falë edhe afërsisë me shumë figura kyçe tek Partia Socialiste apo edhe tek lideri i LSI-së, Ilir Meta.
Menduh Thaçi gëzon relata të shkëlqyera me Berishën, por ai së fundi ka shfaqur një afërsi edhe me Ramën. Por PDSH ka synuar që të përfshihet në një trinom të bashkëpunimit mbarëkombëtar partiak midis PD-së dhe AAK-së së Ramush Haradinajt.
Defaktorizimi i relacionit të politikës shqiptare të Tiranës dhe Shkupit ka bërë që në këtë rast më shumë të përfitojë politika zyrtare maqedonase dhe të ashtuquajturit komunitet “maqedonas” në Shqipëri.
Këta të fundit brenda viteve të fundit kanë arritur më shumë rezultate në planin politik dhe territorial në zonën kufitare ku jetojnë. Falë politikës defensive të spektrit politik shqiptar në Shkup dhe Tetovë, maqedonasit e Gollobërdës arritën të ndryshojnë emrat e vendbanimeve të tyre në Shqipëri.
Komuna Liqenas dhe shumë emërtime të fshatrave shqiptare u pagëzuan me emërtime sllave, se gjoja ato ishin në të kaluarën dhe ishin shlyer nga regjimi i Enver Hoxhës. Në Përrenjas, Librazhd, Elbasan dhe Tiranë ka nisur një strategji dhe fushatë e heshtur me ofrimin e shtetësisë për shqiptarë që deklarohen si maqedonas. Kjo kuotë e dhënies së shtetësive ka si qëllim që këto komunitete të vogla të jenë nën kontroll dhe të përdoren e manipulohen vetëm për pretendimet e Shkupit ndaj çështjeve të brendshme të komunitetit pakicë maqedonas në Shqipëri. Sa më shumë të rritet ky numër, Qeveria e Shkupit në të ardhmen do të përdor çështjen e tyre si kartë politike përballë Tiranës zyrtare dhe në raport me shqiptarët në Maqedoni.
Tirana zyrtare dhe shqiptarët në Maqedoni duhet të nxisin nisma konkrete zyrtare për kultivimin e lidhjeve të tyre, bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe rritjen e besueshmërisë ndërshtetërore. Këto nisma duhet të jenë zyrtare në kulturë, ekonomi, arsim, çështje sociale, bashkëpunim ndërkufitar, sport, etj dhe ti jepet prioritet me siglën qeveritare. E kundërta do të jetë kjo letargji që ka kapluar politikanët shqiptarë të Tiranës e Shkupit dhe një çorientim që u demonstrua vetëm ditë më parë në një takim midis dy ministrave shqiptarë të mbrojtjes, kur Arben Imami i foli anglisht homologut të tij shqiptar nga Shkupi Talat Xhaferri, dhe ky i fundit t’ia kthej përgjigjen në shqip.
Add new comment