Një qind .... vjet pa rrymë

Postuar në 23 Janar, 2012 01:55
Beqë Cufaj

Ditët dhe netët, javët dhe muajt, vitet dhe dekadat dinë të jenë të zakonshme kur përgjatë tyre nuk ka gjëra të jashtëzakonshme. Kur ato dinë të jenë prej atyre që njeriu si individ por edhe shoqëria, rrethi, shteti dhe kombi janë pjesë e familjes së madhe të popujve përqark apo të civilizuar.

Ky vit, për shqiptarët në përgjithësi dhe Shqipërinë në veçanti, s’ka dyshim që është i jashtëzakonshëm. Është viti i 100-të i Pavarësisë.

Do të mjaftonte vetëm një hedhje prapa e kokës a shikimit për të kujtuar krajatat dhe vështirësitë, tragjeditë dhe luftërat, huqjet dhe harresat, ideologjitë dhe demokracitë, personalitetet dhe popullatën, gjeografinë dhe historinë me momentet kyçe në këtë shekull për të konstatuar mes një ofshame dhe lehtësimi ... së pari për mbijetesën dhe së dyti për menaxhimin që perceptimi, së paku perceptimi pra, t’i ngjajë një vetkuptueshmërie që jemi pjesë e civilizimit perëndimor. Njihemi si një komb me një gjuhë, me një kulturë, me shtet(e) me shqiptarë e kështu me radhë.

Natyrisht që historia e shqiptarëve dhe Shqipërisë nuk fillon në atë 28 Nëntor të vitit 1912... Por sidomos ky shekull i shqiptarëve nuk ka qenë gjë tjetër pos një kondenzim i madh dhe i flaktë i vuajtjeve të paraardhësve dhe tragjedive të tyre. Një marshim në përmbushjen e porosive (amaneteve?) të tyre. Kurse prej asaj date e dite të Vlorës së para njëqind vjetëve shqiptarët u shpërndanë në disa fronte për të qenë gjithmonë mes inercionesh individuale, klanore, krahinore dhe idesë (kësaj po!) që jemi një... Historia di të jetë e mërzitshme dhe në këtë mes sidomos kur bëhet fjalë për jubiletë.

Kjo edhe për shkakun që nomenklaturat politike, akademike e kulturore shqiptare, qoftë në kohën e komunizmit (e kjo ideologji shqiptarëve ua hëngri as më pak e as më shumë se gati gjysmën e këtij shekulli pavarësie!) ashtu edhe të pluralizimit në shumicën absolute të rasteve kanë zaptuar me këmbë e bërryla çdo eveniment të rëndësishëm kombëtar. Këtë përshtypje njeriu lehtësisht e fiton edhe kur shikonte sesi në Kuvendin e Shqipërisë në një ceremoni fjalën e merrnin politikanë të të gjitha trevave tona për të shënuar kështu “hyrjen” në vitin e pavarësisë së Shqipërisë.

Asgjë s’kemi kundër këtyre ceremonive por ato duhet të bëhen me takt dhe me vend siç i bëjnë vendet dhe popujt e civilizuar. Por tek ne politika s’di dhe s’do, s’mundet dhe s’ka kaçik që as pas njëqind vjetësh organizimi ta kuptojë që ekzistencën e vet e ka duke iu falënderuar qytetarit dhe votës së tij.

Vetë fakti se si sindromi i vjedhjes së votës është i përhapur gjithandej ku shqiptarët jetojnë në Ballkan flet për atë se politika te ne shihet si mjet për të kapur pushtetin i cili nënkupton paranë dhe me këtë edhe arrogancën që ajo di t’i qëndrojë si mantel çeliku në trupin e çdo qenieje njerëzore. Te politikani i sotëm shqiptar, kudo që ai është, të qenit në pushtet nuk do të thotë shërbim qytetarit e institucioneve por një lloj frustrimi dhe mashtrimi i cili me vete mbart të gjitha sferat e rëndësishme të jetesës dhe organizimit të saj.

Kjo komponentë psiko-sociale për fat të keq duket që nuk do t’i ikë as “shënimit” të këtij viti kaq të rëndësishëm për kombin. Ndryshe, politika dhe politikanët, sidomos në këtë përvjetor të çmuar do të bënin çdo gjë që t’i shërbenin qytetarit dhe institucioneve e individëve nga jeta kulturore e shkencore dhe përgjithësisht akademike që përmes manifestimeve, botimeve, leximeve, prezantimeve, promovimeve, kujtesave të vlerave kombëtare të nxirrnin në shesh rrugëtimet e dekadave të ngritjeve e rënieve të ndryshme... dhe fare në fund do të vinte ajo që gjithandej në mentalitetin perëndimor është e vetëkuptueshme kur politika me manifestimet e saj do të celebronte atë që bën dhe bëri. Por jo. Asgjë nga këto pritje logjike nuk do të ngjajë. Politika dhe politikanët do celebrojnë veten e tyre dhe tek-tuk edhe ato grupe interesi nga kultura e shkenca, e që nuk janë pak, të lidhura me “këtë” ose “atë” krah politik...

Kurse ne, vdektarët e zakonshëm, të shpërndarë nëpër trevat e bijave dhe bijve të shqipeve të malit por edhe në të katër anët e botës, do të vështrojmë dhe vëzhgojmë këtë ngjarje si një spektakël të zakonshëm dhe për këtë edhe të mërzitshëm politik. Duke u rropatur me jetën e përditshme dhe mungesat e mëdha- krahasuar me fqinjët dhe Europën e botën e civilizuar... Një prej këtyre mungesave, s’ka dyshim që edhe këtë 28 Nëntor do të jetë... qëllojani... rryma. Dhe ky detaj do të duhej të fliste për çdo gjë! Të shpresojmë pra që vera nuk do të jetë aq e thatë kurse vetë 28 Nëntori nuk do jetë aq i ftohtë. Tjerat s’kanë rëndësi! Dimë ne edhe vetë e mes nesh të festojmë.

Publikuar në Zëri

Comments

Submitted by Paul Tedeschini... (not verified) on

<p>Autri Beqe Cufaj flet per Pamvarsine e shqiptarve,<strong> por nuk thote se prej kuj u pamvarsuen shqiptaret</strong>. Kjo asht pika e dobet e ketij shkrimi dhe e gjithe arsyetimeve.</p><p>Peseqind vjet pushtim, shtypje, masakrim, ERRESIRE dhe shkeputje nga qyetnimi europian nuk mund te asgjesohen per vetem 100 vjet prej te cileve gjysma jane komunizem sllav-osman. Kjo asht berthama e te gjitha problemeve te shqiptarve. Pikrisht kete berthame duhet ta diskutojne shqiptaret.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.