Një falje Xhuvelit

Postuar në 06 Nëntor, 2013 04:30
Alqi Koçiko

Pionerët e një fushe e dukurie të caktuar, mbahen mend në histori sepse ishin të parët, ishin hapësit e një rruge ku pasardhësit u profilizuan dhe perfeksionuan, falë asaj shpikjeje parake. Ne na duken normale sot teknologjitë e fundit dixhitale, por njerëzit e fushës nderojnë zbuluesit e parë të gjysmëpërcjellësve dhe qarqeve të integruara; na duket çudi një realitet pa energji elektrike dhe ndriçim, por këtë normalitet na e sollën shpikjet e Edisonit dhe Teslës.

Kjo nuk është hyrja e ndonjë shkrimi mbi arritjet e shkencës; por paralelja që dua të heq, është se politika e sotme duhet t’i heqë kapelen Lufter Xhuvelit, kryetarit të Partisë Agrare Ambientaliste. Fenomeni që mban emrin e tij, pa këtë javë zbatimin më të freskët në praktikë, por padyshim jo të fundit. Edhe përpara tij (Xhuvelit), afërmendsh ka pasur largime grupimesh politike a deputetësh nga njëri bllok tek tjetri; por përgjithësisht ishte ndjekur itinerari i kundërt: Nga pushteti drejt opozitës. Ndërsa Xhuveli, bëri fushatë elektorale bashkë me Partinë Socialiste në verën e 2005-ës, teksa vetë ishte pjesë e kabinetit; fitoi ato vota që fitoi dhe pastaj iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit të ri Berisha, për t’iu bashkuar qeverisë së re. Sigurisht, bashkë me katër votat parlamentare. I thanë e ç’nuk i thanë, por profesorit nuk iu drodh qerpiku. “Nëse e mbani mend”, deklaroi Xhuveli, “që kur u themeluam si parti, kemi thënë se jemi parti e qendrës, pra jemi në rregull”.

Pas këtij momenti, erdhi një fazë tranzitore kur xhuvelizmin si term, e përdorën me rradhë të gjithë ata që kishin nevojë për të, të majtë, të djathtë e të “qendrës”. “Ti je xhuvelist, kjo që po bën është xhuvelizëm” etj etj, gjithnjë në kuptimin përkeqësues. Por tani, pas tetë vitesh, në vend të ngjyrimit pezhorativ ky nocion po merr përmasa nostalgjike, njësoj siç mesoburrat kujtojnë sot me mall e me humor, kohët e dikurshme të regjimit kur i kritikonin në klasë për “shfaqje të huaja”, për “lakra në kokë” apo për “sjellje që i bënin qejfin armikut”. Eh, çfarë nuk më thanë atëherë, mund të thonë sot thinjoshët.  

Pikërisht të njëjtë gjë mund të thotë dhe Lufter Xhuveli, të cilit i ra lapsi të ishte protagonist i parë (po të mos kishte asokohe votat parlamentare, as do t’i hynte njeriu në punë) i dallkaukërisë politike që ka plot emërtime të ëmbla: Pragmatizëm, syçeltësi, zhdërvjelltësi, fleksibilitet etj. Madje mund të pretendojë me forcë edhe t’i kërkojnë falje për atë lumë ofendimesh ndaj një profesori të nderuar. Sepse në terrenin politik pluralist ai mund të jetë vërtet i pari, pioneri, por evoluimet e kësaj skeme kanë kapur maja që as Xhuveli nuk do guxonte t’i ëndërronte. Dhe rasti i Gjovalin Kadelit nuk është më i spikaturi. “E si nuk qenka”, mund të thotë dikush, “ishte deputet socialist, mori vesh që nuk do futej në listë, u largua nga grupi parlamentar dhe votoi gjithçka deshi Berisha ato javë të fundit, pastaj u bë deputet i PD-së dhe pas 40 ditësh jetë parlamentare kaloi tek LSI-ja, pra sërish tek e majta. Gjithçka për katër muaj, a nuk është rekord?” Them se po. Ndoshta kryeministri i sotëm Rama ishte profetik para zgjedhjeve, kur tha se tradhëtarët e së majtës do kthehen prapë pas zgjedhjeve. Apo e dinte që më parë?!

Megjithatë, ka edhe skema më të koklavitura. Fjala vjen, demokristiani Nard Ndoka ka marrë pjesë në qeverisjen e Berishës, pastaj në tryezat plot afsh revolucionar opozitar të së majtës, pastaj u fut në listën e kandidatëve të PD-së dhe sot është deputet falë asaj liste. Thotë se në nivel qëndror do t’i qëndrojë opozitarizmit të djathtë, por në nivel lokal vazhdon marrëveshja e kaluar me të majtën. Edhe pse “shpirtërisht”, demokracia kristiane është në qendër të politikës. Është pastaj fenomeni i grupeve parlamentare me deputetë të huazuar nga aleati i madh, që kushdo njeri me logjikë të thjeshtë e sheh të paktën si skemë për përfitim monetar.

Po LSI-në ku e le, mund të thotë ndonjëri. LSI-ja është rast i veçantë që ka treguar me vepra se di t’u qëndrojë marrëveshjeve politike, edhe pse nuk i shpëton xhuvelizmit. I sulmuar fort nga PS e PD, Metës i erdhën të atilla rrethanat politike, që ta kundërgodiste me një aleancë qeverisëse me të djathtën, luftën e ashpër që pësoi nga PS-ja. Dhe kjo e fundit nxorri mësimin: Atë që nuk e mposht dot, bëje mik.

Gjithsesi, a jemi tashmë në epokën kur lëvizje të tilla nuk duhet të na bëjnë më përshtypje, sepse cilido mund të sjellë kundërshembuj nga bota e qytetëruar? Ndoshta. Mund ta kapërdijmë këtë moment emocional, kur acarohemi përse deputeti ynë na kërkon votën për diçka, dhe pastaj bën diçka tjetër. Kemi kapërdirë shumëçka ka prodhuar ky realitet. Por të paktën, së pari t’i kërkojmë një falje Lufter Xhuvelit.

 

Revista Klan nr. 843

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.