Një brez alienësh

Postuar në 22 Korrik, 2011 07:42
Umberto Eco

Mendoj se Michel Serres-i është, sot për sot, filozofi më mendjehollë në Francë dhe, si çdo filozof i mirë, di të ulet dhe të reflektojë për të sotmen. Po e nxi faqen duke përdorur (përveç ndonjë komenti personal) një artikullin e tij, shumë të bukur, botuar në "Le Monde" më 6-7 mars të këtij viti, ku ai na kujton gjëra që, për lexuesit e mi më të rinj lidhen me fëmijët, ndërsa për ne më të vjetrit, me nipërit.

Sa për të hyrë në temë, këta bij dhe nipër nuk kanë parë kurrë derra, lopë apo pula (më kujtohet një sondazh amerikan i para 30 vjetëve, nga doli që shumica e fëmijëve të Nju-Jorkut mendonin se qumështi që blihej në supermarket, i futur në kuti, prodhohej në rrugë artificiale, njëlloj si Coca-Cola). Të rinjtë nuk janë mësuar të jetojnë në natyrë, ata njohin vetëm qytetin (do të kujtoj këtu se kur shkojnë për pushime, më së shumti, jetojnë në ca vende që Marc Augé (antropolog bashkëkohor francez - sh. i p.) i quan “jovende”, ngaqë fshati turistik është krejt i ngjashëm me aeroportin e Singaporit dhe, në çdo rast, u paraqetnjë natyrë idilike dhe të stisur, krejt artificiale. Ky është një nga revolucionet më të mëdha antropologjike pas erës së neolitit. Këta fëmijë banojnë në një botë të mbipopulluar, shpresojnë të jetojnë deri 80 vjet dhe, falë jetëgjatësisë së baballarëve e gjyshërve, në rast se shpresojnë të trashëgojnë diçka, do ta përfitojnë jo më në moshën 30 vjeçare, por në prag të pleqërisë.

Ka nja gjashtëdhjetë vjet që fëmijët evropianë nuk e njohin luftën, falë mjekësisë së përparuar nuk vuajnë aq sa paraardhësit, prindërit i kanë më të moshuar se tanët (dhe pjesa më e madhe e tyre janë të divorcuar), studjojnë në shkolla të ulur në një bangë me fëmijë të racave e feve të ndryshme dhe të brumosur me zakone të tjera (dhe Serres-i pyet: a ka më kuptim ta këndojmë ende Marsejezën, e cila flet për “gjakun e shprishur” të të huajve?). Çfarë veprash letrare mund të shijojnë ende këta të rinj kur nuk njohin jetën fshatarake, të korrat, pushtimet, përmendoret e të rënëve, flamujt e shpuar nga plumbat e armikut, nevojën e ngutshme të një morali në jetë?

Janë fëmijë të formuar nga mjetet e komunikimit që i konceptojnë sikur të ishin të rritur, duke e tkurrur vetëm në  shtatë sekonda vijueshmërinë e figurës dhe në pesëmbëdhjetë sekonda kohën e duhur për t'iu përgjigjur një pyetjeje. Përmes tyre shohin gjëra që nuk mund t'i shohin më në jetën e përditshme, kufoma të përgjakura, rrënime, shkatërrime:"Derisa bëhen 12 vjeç i kanë parë nja njëzetmijë vrasje, të detyruar nga të rriturit". Po humbasin ndjenjën e gjuhës amëtare nën ndikimin e reklamave mbushur cik me shkurtime dhe fjalë të huaja, nuk e kanë më ndërgjegjen e sistemit metrik dhjetor, ngaqë u premtojnë çmime në bazë të miljeve të përshkruara, shkollat nuk janë më vende ku studjohet, këta fëmijë, të mësuar të rrinë para kompjuterit, një pjesë të mirë të jetës po e jetojnë në një botë virtuale. Të shkruarit duke përdorur vetëm pëlqyerin, në vend të gjithë dorës, "nuk ngacmon më të njëjtat neurone apo të njëjtat zona trunore" (pra, ata janë tërësisht "multitasking"). Ne jetojmë në një hapësirë të matshme metrike, kurse ata jetojnë në një hapësirë jashtë realitetit, ku nuk ka më asnjë dallim mes afërsisë dhe largësisë.

Nuk po ndalem tek përsiatjet e Serres-it për mundësitë e administrimit të kërkesave të reja në lëmin e edukimit. Në çdo rast, pasqyra që ai na sjell, për shkak të ndryshimeve tërësore, barabitet me periudhën që u desh për të shpikur shkrimin, ose shtypshkrimin, shekuj më vonë. Por teknikat e sotme moderne ndryshojnë me shpejtësi të madhe dhe "sakaq trupi pëson shndërrime të thella, ndryshojnë jeta edhe vdekja, vuajtja dhe shërimi, zanatet, hapësira, vendi ku jetojmë, vetë qënia jonë në këtë botë". Po pse këto ndryshime na gjetën të papërgatitur? Serres-i vjen në përfundimin se mbase kanë faj edhe filozofët ngaqë, për shkak të zanatit, duhej t'i kishin parashikuar ndryshimet e dijeve dhe të jetës, por nuk bënë aq sa duhet, sepse "të zënë me politikën e ditës nuk e ndjenë ardhjen e bashkëkohësisë". Nuk di të them nëse Serres-i ka të drejtë për gjithçka, por njëfarë të drejte e ka, amá.

Përktheu: Henrik Ligori

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Patjeter Serret ka te drejte te pakten ne tre gjera:
femijet jetojne ne nje bote aq te urbanizuar sa eshte zhdukur pothuajse totalisht kontakti ose marredhenia e njeriut me natyren;
nuk ka presion real te idealizmit, pra jeta eshte nje opsion i hapur, mund ta jetosh si te duash, pa pasur nevoje per asnje lloj morali;
horrori dhe makabriteti nuk ekzistojne ne formen e tyre estetike, pra nuk ka neveri nga gjaku, dhuna, e peshtira, e neveritshmja...

Mire apo keq? Kjo esht enje ceshtje shume e thelle....

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.