Ndarja e përgjegjësisë

Postuar në 16 Shkurt, 2012 04:09
Imer Mushkolaj

Bekim Haxhiu-Kamishi dha shembull “të shkëlqyeshëm” se si ndahet përgjegjësia dhe dështohet. Hashim Thaçi po kërkon që për veriun përgjegjësinë ta ndajë me opozitën. E përgjegjësia e Beogradit arrin deri në Restelicë. Tragjedia e Restelicës la nën hije blofin e Kamishit dhe të PDK’së për “spiunllëkun” e Albin Kurtit dhe iniciativat e Kryeministrit për një “grup uniteti” për veriun. Por, tentimi për ta ndarë përgjegjësinë u vërejt në të tria rastet.

1.

Në ditë tragjedie të madhe, Restelica tregoi se jo vetëm serbët, por edhe komunitete të tjera, si goranët, nuk janë integruar në shoqërinë kosovare. Përtej dhimbjes dhe zisë, në kohën kur institucionet e Kosovës po tregonin solidaritetin dhe ndihmën dhe iu gjetën afër restelicasve të goditur nga fatkeqësia, udhëheqësit politikë të goranëve gjetën kohë dhe forcë që ndihmë të kërkojnë nga Beogradi. Gati 13 vjet pas përfundimit të luftës, ata vazhdojnë të jetojnë të lidhur me Beogradin, me administratë e plan-programe mësimore serbe dhe me injorim të realitetit kosovar.

Të fokusuar kryesisht në serbët, pushtetarët e deritashëm duket se kanë bërë pak për integrimin e komunitetit, jo të pakët në numër, goran. Dhe, tragjedia e para pak ditësh vetëm sa e bëri të qartë se përfaqësuesit politikë të tyre kërkojnë që për ta të mos jetë përgjegjëse Prishtina, por Beogradi. Strukturat paralele nuk janë të pranishme vetëm në veri, por edhe në pjesë tjera të vendit dhe shpërbërja e tyre duket të mos jetë punë e lehtë. A ka bërë sa duhet Prishtina për ta futur nën autoritetin e vet edhe Gorën, apo duhen tragjedi si ajo e Restelicës për t’u kujtuar edhe për ata njerëz? Pavarësisht se si kemi dëshirë të jetë, përgjegjësia për atë pjesë të vendit nuk është e jona as afërsisht. Përveç Beogradit, edhe Shkupi kërkon “hise” në Gorë. Prishtina s’ka kohë të merret me Gorën.

2.

Pak ditë para Restelicës, partia më e madhe në vend dhe institucionet, si Parlamenti, gjenin kohë të merreshin me deputetin Bekim Hxhiu-Kamishi dhe insinuatat e tij për “spiunin e Serbisë”, Albin Kurti. Krejt partia doli në mbështetje të Kamishit, i cili dështoi rëndë të vërtetojë pretendimet e tij, ndërkohë që Parlamentin e shfrytëzoi për shantazh ndaj një kolegu të tij. Krejt kjo në kuadër të një lufte të ndyrë politike, ku loja me spiunë është ende më e preferuara. Gjithë çka tha e bëri Kamishi s’ishte gjë tjetër vetëm një tentim për goditje të ulët ndaj kundërshtarit politik, në kohën kur probleme të shumta presin zgjidhje. Fajet s’i ka veç Kamishi, por edhe partia e tij, e cila e mbështeti në nismën e tij “patriotike” dhe ndau përgjegjësinë për atë që më së buti mund të quhet papjekuri dhe amatorizëm politik.

3.

Përderisa Kamishi jepte ultimatume dhe e luante rolin e kujdestarit të pastërtisë së kombit, duke denoncuar “spiunë” e “bashkëpunëtorë spiunësh”, shefi i tij partiak, kryeministri Hashim Thaçi bënte plane të tjera. Në kohën kur gjithnjë e më shpesh po përmendet zgjidhja çështjes së veriut, ai po kërkon shpëtim te opozita, gjegjësisht po kërkon që për këtë çështje përgjegjësinë ta ndajë me ata, për të cilët nuk kishte nevojë deri tash. Mitrovica duket të jetë kafshatë e madhe për të dhe joshja e opozitës për të krijuar “grup uniteti” është jo vetëm tentim për ndarje përgjegjësie, por edhe ndarje faji.

Sa serbes dhe plot vetëbesim e lexonte deklaratën e shpalljes së pavarësisë para katër vjetësh, thuajse ai dhe vetëm ai ua solli atë kosovarëve; sa kokëfortë ishte kur e filloi ndërtimin e autostradës, ashtu si edhe kur për projekte të tjera s’pyeste fare për opozitën; sa kishte qejf që t’i merrte për vete të gjitha meritat për ndërhyrjen e 25 korrikut në veri. Por, tash çështja është serioze. Tash nevojitet opozita. Sepse veriu nuk është Gorë, që në të ardhmen edhe mund t’i bindet sistemit. Veriu është e ardhmja e vendit dhe për t’i dhënë zgjidhje nuk mjafton ai vetë dhe qeveria e tij. Për kompromise të dhimbshme duhet edhe opozita, e cila nuk ka marrë vota të mjaftueshme për të qeverisur dhe s’ka pse të marrë as përgjegjësi. Pushteti dridhet para sfidave të tilla dhe këtu nuk mund të ndihmojë as Kamishi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.