Në vend të një letre për mësuesit dhe qeverinë e re

Postuar në 16 Shtator, 2013 06:07
Mentor Kikia

Ndodh shpesh që njerëzit disa hapa e arritje në jetë t’ia dedikojnë, veç punës dhe mundit të tyre, edhe fatit. Edhe unë personalisht e kam pasur një të tillë. Fati im nuk ka qenë ndonjë biletë lotarie, por mësuesi im i letërsisë, të cilit nuk ia thash dot asnjëherë në sy këtë. Ai quhet Bardhul Dakli dhe iku nga kjo jetë pak muaj më parë. Ai u nda nga nxënësit e tij kur ishte 79 vjeç dhe ishte ende mësues, në shkollën e tij private, të cilën nuk e bëri dot biznes, sepse mendoi vetëm si mësues. E kujtova mësues Bardhulin, pasi ai sot nuk do të jetë mes nxënësve të tij, që në fakt ishin fëmijët e ish-nxënësve të tij. Këto radhë nuk janë thjesht homazh për një mësues, por një ndjenjë mirënjohjeje për dhjetëra e qindra njerëz që jetën e tyre e vunë në shërbim të edukimit dhe shkollimit të brezave.
16 shtatori shënon fillimin e vitit të ri shkollor, por shënon edhe ditën e parë të punës së qeverisë së re. Këto dy zhvillime kanë një lidhje të madhe mes tyre. Një studim i bërë gjatë periudhës së verës, menjëherë pas zgjedhjeve pra, tregonte se të paktën në Tiranë, 25% e nëpunësve të shtetit, mes të cilëve edhe mësues, kishin filluar të anëtarësoheshin (ose ndërronin anëtarësi) në radhët e dy partive që bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës. Kjo është një mënyrë, sipas tyre, për të shpëtuar vendin e punës. Është kjo një frikë e ligjshme, sepse ata ose kanë ardhur në punë duke qenë anëtarë të partisë që kishte pushtetin, ose sepse kështu ka ndodhur gjithmonë, që me ndërrimin e pushteteve, bashkë me administratën kanë qenë të detyruar të lënë vendet e punës edhe mijëra mësues.
Praktika e këtyre 20 viteve, ku shkollat konsideroheshin vende pune për njerëzit që u shërbejnë partive, bëri që shkollat të mbushen me militantë ose mësuesit që nuk kishin lidhje me partitë të shndërrohen në militantë për t’u mbijetuar stuhive të ndryshimit të pushteteve. Politizimi i shkollës erdhi duke u thelluar, saqë drejtorët e arsimit në qytete dhe ata të shkollave nuk ishin me drejtues profesionistë, por ca zyrtarë partiakë që i shndërruan këshillat pedagogjikë në celula partie e ku çdo mësues ngarkohej me detyra partiake dhe i kërkohej llogari se sa vota do të siguronte në zgjedhje.
Mësuesit, ata që janë të ngarkuar me misionin e madh të shkollimit dhe edukimit të nxënësve, nuk patën fuqi të organizohen dhe të mbrojnë “partinë” e tyre që është SHKOLLA, por iu nënshtruan makinerisë “kafkiane” politike që çoi në shkatërrimin e shkollës. Në këtë drejtim, shkolla pësoi hapa pas edhe në krahasim me periudhën e komunizmit, atëherë kur në shkollë komandonte drejtori, për anën pedagogjike, dhe sekretari i partisë për anën politike. Ndërsa tashmë shkolla kishte vetëm sekretarin e partisë.
Ja pse kjo ditë është e rëndësishme. Sepse është koha t’u drejtohemi njëkohësisht si mësuesve, ashtu edhe qeverisë së re.
Jo politikë në shkollë!
Jo më mësues që ndërpresin orët e mësimit dhe rreshtojnë fëmijët t’i çojnë në sallat e teatrove dhe pallateve të sportit për mitingje politike!
Jo më mësues që lënë mësimin dhe ngarkohen në autobusë si delet për të mbushur sheshet e tubimeve gjatë fushatave elektorale, apo gjatë festave qeveritare!
Jo më mësues që ndërrojnë teserat e partive politike për të mbajtur vendin e punës, apo mësues që emërohen në shkollë me rekomandime nga kryetari i partisë!
Mësuesi është vërtet një rrogëtar shteti, por misioni i tij është përtej atij të nëpunësve të tjerë të administratës. Si është shkolla sot, do të jetë e ardhmja nesër. Por për fat të keq shkolla sot është më keq se dikur, kur në mes të klasës vendosej një kovë për të pritur ujin që pikonte nga çatia.
Politikanët që kanë marrë nga sot në dorë drejtimin e vendit, kanë qenë denoncuesit më të fortë të politizimit të shkollës dhe përdorimit të mësuesve për qëllime politike. Ndaj duhet t’i kujtojmë të gjithë sot, kur klasat e shkollave mbushen me nxënës, që të mbajnë larg duart e politikës nga shkolla. T’i kujtojmë se brenda mureve të shkollës të gjithë janë mësues, ndërsa jashtë saj çdokush ka të drejtë të jetë i majtë ose i djathtë dhe për këtë askush nuk ka pse penalizohet. T’i kujtojmë se i vetmi kriter për t’u marrë ose hequr nga puna nuk duhet të jetë tesera e partisë (e dhënë shpesh me dhunë), por aftësia profesionale.
Por sot duam t’u kujtojmë edhe mësuesve që të mos i nënshtrohen politikës, edhe nëse do t’u kërkohet të vihen sërish nën presion për të qenë numra mitingashësh. Duam t’u kujtojmë atyre që të lënë jashtë shkollës mantelin e bindjeve politike, nëse i kanë, dhe në klasë të veshin vetëm përparësen e bardhë të mësuesit. Çdo gabim ka koston e tij, por gabimi në arsim ka shpesh pasoja të pakorrigjueshme.
Mësues Bardhulit, të cilin e përmenda në krye të këtyre radhëve, regjimi i kishte varur një gur në qafë që të mos e ngrinte kokën. Por ai diti të jetë një mësues i madh, edhe pse pa tituj. Ai diti të jetë frymëzimi për shumë kolegë dhe udhërrëfyes i qindra e qindra nxënësve. Dhe si ai kishte dhe ka shumë të tjerë që duhet të shërbejnë si modele. Shoqëria jonë e dixhitalizuar dhe e zhytur në krizë, sot ka nevojë pikërisht për këto modele, për të flakur tej sa thonjtë e partive në shkolla, aq edhe mësuesit që i listojnë nxënësit në fëmijë demokratësh a socialistësh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.