Në Libi, burgosësit janë kthyer në të burgosur

Postuar në 09 Korrik, 2012 04:21
Robert F. Worth

Një natë gjatë shtatorit të kaluar, një i burgosur i quajtur Naxhi Nexhar u soll, sytë mbyllur dhe me duart në pranga, në një bazë ushtarake të braktisur në periferi të Tripolit. Një grup njerëzish të rinj në kamuflazh e shtynë atë në një dhomë të marrjes në pyetje të ndriçuar dobët dhe e detyruan atë të ulet në gjunjë. Komandanti i milicisë, një njeri i madh me flokë të shprishur dhe sy të përgjumur, qëndronte prapa Nexharit. "Çfarë do?", tha komandanti, i cili shtrëngonte një tub të shkurtër industrial në duar.

"Çfarë do të thotë kjo?", tha i burgosuri.

"Çfarë do?" përsëriti komandanti. Ai heshti. "A nuk të kujtohet?"

Sigurisht Nexhar mbante mend. Deri pak javë më parë, ai ishte një roje i njohur në një nga burgjet e kolonel Muamer El-Kadafi-t. Pastaj Tripoli ra, dhe njerëz të cilët ai i kish rrahur për aq kohë, e  gjurmuan atë në shtëpinë e motrës së tij dhe e zvarritën në bazën e tyre. Tani ata ishin duke imituar vetë ritualin e tij sadist. Çdo ditë, Nexhari përshëndeste të burgosurit me fjalët Çfarë do? duke i detyruar ata që të luten për tubin - i njohur në burg me termin e tij industrial, PPR – ose ata rriheshin dy herë më keq. Komandanti i milicisë që tani qëndron pas tij, Xhalal Ragai, kishte qenë një nga viktimat e tij të preferuara.

"Çfarë do?" Tha Xhalal për herë të fundit. Ai mbante të njëjtin tub që kaq shpesh ishte përdorur mbi të.

"PPR" thirri Nexhari, dhe ish-viktima e tij solli shkopin poshtë fuqishëm në shpinën e tij.

E kam dëgjuar këtë histori në fillim të prillit nga Naxhi Naxhar vetë. Ai ishte ende duke u mbajtur rob nga ana e milicisë, duke jetuar me 11 burra të tjerë të cilët kishin vrarë dhe torturuar për Muamer Kadafin, në një dhomë të madhe me një dritare të vetme me hekura dhe dyshekë të grumbulluar në dysheme. Rebelët kishin bashkangjitur një pjatë të bardhë metalike tek dera dhe nja dy bulona të mëdhenj, për ta bërë atë të duket më shumë si një burg. Tubi i vjetër i Naxhar-it, PPR, dhe falga, një shkop prej druri i përdorura për të ngritur këmbët e tëburgosurve në mënyrë që të mund ti rrihnin ato në shputa të këmbëve, ndodheshin mbi tryezë një kat më sipër. Ata kishin marrë ca përdorim në muajt e parë të burgosjes së tij, kur ish-viktima dhe të afërmit e tyre kishin ardhur në bazë për të ofruar rrahje hakmarrëse. Një rrebel qeshte kur më tregonte për një grua vëllait të së cilës i kishin prerë gishtin e tij në burg: kur ajo e gjeti njeriun që e kish bërë këtë, ajo e rrahu atë me një fshesë deri sa u thye. Tani, megjithatë, instrumentet e torturës ishin kryesisht copa muzeale. Pas gjashtë muajsh në robëri, Nexhar - Naxhi për të gjithë këtu - kishin filluar të duket më shumë klloun se horr, dhe milicët e kishin emëruar atë kuzhinierin e tyre. I mbështetur në një kolltuk në mes të një grupi të rebelëve që pinin duhan dhe bisedonin rastësisht, Nexhari tregoi udhëtimin e tij të çuditshëm nga roje në të burgosur. "Një nga vizitorët njëherë theu PPR-in mbi mua," më tha ai.

"Naxhi, ai nuk qe PPR, ishte plastike," një rebel iu përgjigj. "Ti mund të rrahësh një derr me një PPR gjithë ditën, dhe ai nuk thyhet." Përveç kësaj, tha ai, vizitori në fjalë kishte një disk kurrizor të thyer nga një prej rrahjeve të vetë Naxhi-t, kështu që hakmarrja ishte e drejtë. Burrat pastaj filluan një debat miqësor për taktikat e preferuara të Naxhi-t për rrahjen dhe nëse ai kishte përdorur një tub ose një zorrë kur ai kishte çarë ballin e Xhalal-it në korrikun e kaluar.

Zëvendës komandanti i milicisë hyri në dhomë dhe i dha pëllëmbës së Naxhar-it një shuplakë miqësore. "Hej, Sheik Naxhi," tha ai. "Të ka ardhur një letër." Komandanti e hapi dhe filloi të lexonte. "Është nga vëllai juaj," tha ai, dhe fytyra e tij u ndez me një buzëqeshje ironike. "Ai thotë:" Naxhi është duke u mbajtur nga një njësi e paligjshme, duke u torturuar e lënë pa bukë përditë, dhe duke u detyruar të nënshkruajë deklarata të rreme. "Oh, dhe shikoni në këtë – kopje të letrës janë dërguar në ushtri dhe në Komitetin e Lartë të Sigurimit!" Ky detaj i fundit shkaktoi një shpërthim të qeshurash nga burrat në dhomë. Edhe Naxhi-t iu duk qesharak. "Ne gjithmonë u themi të afërmve të njëjtën gjë", shtoi dikush për sqarimin tim: "Nuk ka asnjë institucion legjitim ku ne të dorëzojmë të burgosurit."

Libia nuk ka ushtri. Ajo nuk ka qeveri. Këto gjëra ekzistojnë në letër, por në praktikë, Libia ka ende për tu rimëkëmbur nga gjeratorja e gjatë e sundimit të Muamer Kadafi-it. Nafta e vendit është duke u pompuar përsëri, por ende nuk ka deputetë, nuk ka qeveritarë provincialë, e as sindikata dhe policia pothuajse nuk ekziston. Semaforët e rrugëve në Tripoli pulsojnë të kuqe dhe të gjelbër dhe injorohen totalisht. Banorët i çojnë mbeturinat e tyre tek fortesa  e shkatërruar e Kadafit, i Bab al-Aziziya, dhe hedhin ato në grumbuj që janë rritur si male, era e keqe e tyre që përhapet kudo. Edhe çështje të tilla themelore si pronësa janë në gjendje konfuzioni të thellë. Muamer Kadafi nacionalizoi shumicën e pronës private në Libi duke filluar në vitin 1978, dhe tani pronarët e vjetër, disa prej tyre të kthyer pas dekadash jashtë vendit, janë duke kërkuar apartamente dhe vila e fabrikat që u përkisnin gjyshërve të tyre. Kam takuar Libianë që tundnin dokumente të zbehur në gjuhën turke dhe italiane, duke kërcënuar për të marrë armët në qoftë se trojet e tyre stërgjyshore të tokës nuk u kthehen.

Çfarë Libia ka me shumicë janë milicitë, më shumë se 60 prej tyre, drejtuar nga rebelët që kishin pak ose aspak trajnim ushtarak ose policor kur revolucioni shpërtheu më pak se 15 muaj më parë. Ata preferojnë të quhen katibas, apo brigada, dhe anëtarët e tyre janë të njohur universalisht si thuwar, apo revolucionarë. Secila brigadë ushtron autoritetin e papenguar mbi terrenin e saj, me "legjitimitet revolucionar" si mandat të vetëm. Brenda kazermave të tyre – zakonisht shkolla të përshtatura, rajone policie apo qendra të sigurisë - një eksperiment i madh në ndryshim roli është duke u realizuar: rojet janë bërë të burgosurit dhe të burgosurit janë bërë rojet. Nuk ka rregulla, dhe secili katiba është lënë për t'u marrë në mënyrën e vet me robërit, të cilët shkojnë nga kriminelë të zakonshëm tek Seif al-Islam el-Muamer Kadafi, bir i udhëheqësit të rrëzuar dhe trashëgimtar i dukshëm i dikurshëm. Disa kanë përsëritur torturat më të këqija që ishin kryer nën regjimin e vjetër. Shumica kanë ushtruar vetëpërmbajtje. Pothuajse të gjithë ata u kanë ofruar viktimave një shans për t'u përballur me ish-torturuesit e tyre ballë për ballë, për të provuar instinktet e tyre, për të balancuar dëshirën për hakmarrje kundër vullnetin për të bërë Libinë diçka më tepër se një terren loje për të çmendur.

Gjëja e parë që shihni kur i afroheni bazës së Xhalal-it në lagjen Taxhoura është një autobus i bërë shoshë me plumba - tani gati një relike e shenjtë - që ishte përdorur si mburojë nga rebelët gjatë protestave të para në Tripoli në fillim të vitit 2011. Përtej një copë toke të tretur është një objekt ushtarak trajnimi i shëmtuar e gjysëm i shkatërruar, i ndërtuar kryesisht nga blloqe betoni. Në katin e dytë është një korridor i gjatë, muret e të cilit janë mbuluar me imazhet e të burgosurve në bazën ushtarake Jarmouk, ku ndoshta masakra më famëkeqe e luftës së Libisë u zhvillua. Në 23 gusht, besnikët e Kadafit hodhën granata dhe qëlluan me armë automatike në një hangar të vogël të mbushur me të burgosur. Rreth 100 u vranë, shumica e trupave të tyre u grumbulluan dhe u dogjën. Dhjetra të tjerë u ekzekutuan aty afër. Shumë prej anëtarëve aktualë të brigadës janë ish të burgosur të Jarmouk ose të afërmit e njerëzve që u vranë atje. Portretet e viktimave janë rreshtuar gjatë korridorit. Njëri prej tyre duket dy herë, një njeri me një fytyrë rinore, të ndjeshme, që mban syze pa skelet dhe me flokë të zbehtë gri. Ky eshte Omar Salhoba, një mjek 42-vjeçar i cili u qëllua dhe u vra më 24 gusht, më shumë se dy ditë pas Tripoli ra. Ai ishte i nderuar në Jarmouk për këmbënguljen e tij në trajtimin e të burgosurve të plagosur dhe per përpjekjet e tij heroike por të dështuara për të liruar shokët e tij.

Vëllai i mad hi Omarit, Nasser tani ështëshefi hetues i brigadës. Ai është i ligët dhe i ashpër, me një fytyrë të tendosur dhe sytë e errët që duken të fiksuar në një shprehje të trishtuar. Kur e takova atë, ai ishte ulur në zyrën e tij, një dhomë bosh me bojë të rrjepur dhe një tavolinë e vjetër me dosje të bëra pirg mbi të. Ai kishte veshur xhinse dhe një këmishë blu me të bardhë, dhe tymoste pa ndërprerë me nervozizëm. "Unë nuk e lashë këtë vend për tre muajt e parë kur filluam", ai më tha sapo ishim takuar. "Vetëm kohët e fundit kam filluar të fle prapë në banesën time."

Mëria e Naser Salhobës kundër Kadafit shkon prapa një kohë të gjatë. Në vitin 1996, ai ishte në trajnim për tu bërë një hetues i policisë, ëndrra e tij që në djalëri, kur Adeli, vëllai i tij, u vra në një stadium futbolli në Tripoli. Tifozët kishin guxuar të brohorisnin kundra Saadi el-Muamer Kadafit, birit të diktatorit dhe sponsori i një ekipi lokal, dhe rojet e Saadi-t hapën zjarr, duke vrarë të paktën 20 njerëz. Kur familjes Salhoba iu tha se ata nuk mund të merrnin trupin e Adelit e nëse nuk nënshkruanin një formular ku thuhej se ai ishte një mushaghib, një rrugaç, Nasser shkoi drejt e në selinë e Ministrisë së Brendshme dhe u  ballafaqua me zyrtarët atje, një akt sfidues i pamendueshëm. "Unë isha i zemëruar," më tha ai. "Unë fillova të bërtas duke tundur armën time në ajër." Rojet e mposhtën shpejt atë, por edhe pse ata e lejuan të shkojë në shtëpi atë natë, ai shpejt mori vesh për arrestimin e tij të pashmangshëm. Sipas këshillës së familjes së tij, Nasser iku në Maltë, ku ai qëndroi për shtatë vjet, duke fituar një jetesë të varfër nga cigaret kontrabandë dhe ra pre e alkoolit dhe drogës. Edhe pasi u kthye në Libi, shpërthimi i tij në Ministrinë e Brendshme e mbajti atë në listën e zezë, dhe ai nuk mund të gjente punë të qëndrueshme. Ishte vëllai i tij i vogël, Omar, tani një pediatër i suksesshëm me dy vajza të vogla, i cili i dha atij kurajo, duke i kredituar atij para dhe duke e nxitur t’i vinte punët në vijë.

Pastaj erdhi revolucioni. Ndërsa Nasser priti që të kalonte, cinik si gjithmonë, Omar - idealisti i brishtë i familjes - rrezikoi jetën e tij, duke siguruar mijëra dollarë furnizime mjekësore për rebelët. Më 7 qershor, Omar ishte duke operuar mbi një fëmijë në klinikën e tij në Tripoli, kur dy agjentë të sigurimit erdhën dhe e rrëmbyen atë në një makinë. Askush nuk e dinte ku ishte çuar. Më shumë se dy muaj më vonë, më 24 gusht, Nasser mori një telefonatë që i tha se Omar ishte qëlluar në burgun Jarmouk. Betejat e armatosura ishin ende të ndezura në rrugë, dhe Nasser kontrolloi për më shumë se një ditë para se një rebel t’i tregonte atij një foto të trupit të gjakosur të vëllait. Rituali mysliman kërkon që trupat të varrosen shpejt, dhe Naser shkoi në një spital ushtarak dhe mbajtur çmendurisht në duar foton e të vëllait për këdo që mund të ndihmojnte, derisa një mjek i tha atij se trupi i Omarit ishte dërguar në një xhami lokale për t'u varrosur. Nasser gjeti xhaminë dhe arriti në varrezat vetëm disa minuta pasi trupi u vulos në një varr betoni. Ai shtriu dorën dhe preku varrin: çimento ishte ende e lagësht.

Nasser u tendos ndërsa kujtonte atë ditë. "Ndjehem aq keq që nuk isha në gjendje për ta shpëtuar atë," tha ai më shumë se një herë. "Vëllai im ishte i veçantë në familje. Unë kurrë nuk mund të krahasohem me të ".

Të tre njerëzit përgjegjës për vdekjen e Omarit ishin të gjithë tani një kat poshtë nesh. Ekzekutori ishte një 28-vjeçar i quajtur Marwan Gdoura. Ishte Marwan i cili këmbënguli të fliste me komandantin e Jarmouk atë mëngjes, edhe pse shumica e Tripolit kishte rënë në duart e rebelëve. Ishte Marwan që qëlloi Omarin dhe pesë viktimat e para; dy rojet e tjerë e qëlluan vetëm pasi Marwan zbrazur dy karikatorë nga kallashnikovi i tij. I kam mësuar të gjitha këto gjatë bisedave të mia me ta në burgun e brigadës. Ata ishin krejtësisht të hapur në lidhje me rolet e tyre në Jarmouk, edhe pse ata flisnin në tone të buta të penduar, duke thënë se ata kishin torturuar dhe vrarë vetëm me urdhër.

Kur pyeta Nasserin si u ndie kur ka marrë në pyetje njeriun që vrau vëllanë e tij, ai u ngrit nga kolltuku i zyrës së tij dhe doli nga dhoma. Zor një minutë më vonë, ai u rishfaq me Marwan, i cili u ul dhe u përkul përpara, duke kryqëzuar gishtat përpara gjunjëve të tij. Ai kishte sy të vegjël e të ngushtë, mjekër të hollë dhe flokë të errëta të qethura shkurt si prej murgu. Shikimi i tij ishte i drejtpërdrejtë, por i bindur, dhe unë nuk mund të shihja asgjë katile në fytyrën e tij, ose në sjelljen e tij. Rebelët më kishin thënë tashmë se Marwan ishte shumë i devotshëm, dhe që ai kalonte shumicën e kohës së tij duke u lutur apo duke lexuar Kuranin. E pyeta në lidhje me historinë e tij dhe pastaj kaluam tek ngjarjet e 24 gushtit, kur ai ekzekutoi Omarin dhe pesë burra të tjerë. Marwan foli me zë të ulët, por pa hezitim. "Një gjë është shumë e qartë," tha ai. "Ti je një ushtar,ti duhet t’u bindesh urdhrave. Në atë moment, në qoftë se ti do thoshe jo, do të konsideronin si një tradhtar dhe do të shtonin tek viktimat. Dhe nëse nuk e bën ti ekzekutimin, të tjerët do e bëjnë. "Nasser tymoste në heshtje ndërsa Marwan fliste, duke i hedhur atij ndonje shikim here pas here me një lloj shkëputjeje profesionale.

Marwan shpjegoi se komandanti i burgut Jarmouk, një njeri i quajtur Hamza Hirazi, e urdhëroi atë me telefon për të ekzekutuar gjashtë të burgosur, duke përfshirë Omarin dhe disa oficerë të cilët ishin arrestuar pse kishin ndihmuar rebelët. "Ne i sollëm ata nga hangari dhe i vumë në një dhomë të vogël," tha ai kur unë e shtyva për më shumë detaje. "Vrasja ka ndodhur me armë të lehta. Ne mbyllëm derën dhe u larguam." Marwan nuk më tregoi - edhe pse e kam dëgjuar nga burra të tjerë që ishin të pranishëm gjatë ekzekutimeve - që në momentet e fundit para se të vritej, Omar Salhoba u kthye dhe bëri një lutje të fundit: “Marwan, ki frikë nga Perëndia."

Disa orë pas ekzekutimit, Marwan tha se ai iku me rreth 200 ushtarë nën udhëheqjen e Khamis el-Kadafit, një tjetër nga bijtë e të diktatorit. Karvani u përplas me rebelët, dhe Khamis u vra në një betejë. Besnikët e tij pastaj ikën në Beni Walid, ku Seif al-Islam el-Kadafi priti ngushëllimet për vdekjen e vëllait të tij në një kazermë ushtarake. "Unë nuk do t’ju gënjej," tha Marwan. "Unë e shtrëngova dorën e tij dhe e putha." Pasi fushuan në një ullishte për disa ditë, një grup besnikësh në pakësim shkuan në lindje drejt Sirte, bastioni i fundit i Kadafit, dhe pastaj në jug drejt qytetit të Sabhas. Çdo ditë, njerëzit dezertonin dhe shkonin në shtëpi, Marwan tha. Por ai qëndroi deri sa qenë vetëm pesë ose gjashtë besnikë të mbetur, të fshehur në një shtëpi në një fermë jashtë Sabhas. Vetëm kur një kamion plot me rebelë sulmuan shtëpinë në fermë ai iku në shkretëtirë. Ai u fsheh derisa u err dhe më pas shkoi në një qytezë aty pranë, ku ai kapi një minibus për në veri. Një ditë më vonë, ai arriti në vendlindjen e tij, Surman. E pyeta pse ai qëndroi me forcat Muamer Kadafi për aq gjatë. "Unë dëshiroja të shkoja në shtëpi gjatë gjithë kohës," tha ai, "por unë nuk kisha makinë."

Kjo ishte e vështirë të besohet. M’u kujtua ajo që disa nga të burgosurit e tjerë më kishin thënë për Marwan: se ai ishte besniku i vërtetë i Muamer Kadafit në mes të rojeve. Ata kishin ikur të gjithë menjëherë pas ekzekutimit. Naxhi Nexhar u largua me një tjetër roje para se të fillonte. Por Marwan këmbënguli që të qëndronin dhe të kryenin urdhrat e Hamza Hirazit për të vrarë gjashtë meshkujt. Disa të burgosur të tjerë tani e urrenin Marwanin dhe e fajësonin atë për fatin e tyre. Naxhi një herë më tha: "Unë i kam thënë Marwanit, 'Unë do kisha dëshirë të mund të kthehesha në burg, gjëja e parë që do bëja është të të vrisja ty." Sepse në qoftë se ai do të më dëgjonte mua, ne të gjithë do të kishim ikur ditën pasi Tripoli ra ".

Marwan kishte ndaluar së foluri. Nasser tani ia kishte ngulur sytë përmes një reje të tymit të duhanit.

"Gjatë gjithë muajit pasi Tripoli ra, a mendove rreth gjashtë njerëzve që ju ekzekutuat?" tha Nasser.

"Unë mendova për ta dhe gjithashtu për të burgosurit që ishin vrarë dhe djegur në hangar."

"Por kjo ishte e ndryshme," tha Nasser. "Ti i ekzekutove këta gjashtë njerëz vetë. A ke folur për këtë me ushtarët e tjerë? "

"Jo," u përgjigj Marwan në heshtje.

Pati një pauzë të gjatë. Nasser hodhi vështrimin tej, sikur ndjeu se ai duhet të ndalej, por atëherë iu kthye prapë Marwanit. "Ti thua se ke ndjekur urdhërat," tha ai. "Supozo se unë marr një urdhër për të bërë të njëjtën gjë ndaj teje. Duhet ta bëj atë? "

Marwan vështroi poshtë në tryezën e ulët para tij.

Më vonë, pasi Marwan u çua përsëri në katin e poshtëm, Nasser tha se ai ende donte ta vriste atë. Por më shumë se kaq, ai donte të kuptonte pse. "Unë e kam pyetur atë në mënyrë të përsëritur se pse dhe si," tha ai. "Unë kam biseduar me të vetëm dhe në grupe. Njëherë Marwan më tha, 'Nuk mund ta kuptosh me të vërtetë deri sa ta provosh vetë të njëjtën eksperiencë. "

E pyeta Nasser nëse ai besonte se Marwan ndjente pendim, ashtu siç thoshte. Nasser tundi kokën ngadalë dhe shtrembëroi fytyrën. Jo shumë kohë më parë, tha ai, Marwan u përpoq në maksimum për të shmangur shkeljen mbi një flamur të kohës së Kadafit që ishte vendosur në një hyrje (të gjithë rebelët shijonin shkeljen mbi të). Ai me sa duket mendoi se askush nuk po e shihte.

"Unë isha i zemëruar," tha Nasser. "Unë e rraha atë me falga. Kjo ishte hera e vetme që unë e bëra këtë. Të mendosh se ai ende ndihet në këtë mënyrë pas gjithë kësaj kohe, se ai do të na vriste të gjithë ne këtu në qoftë se do mundte. "

Një mbrëmje në selinë e brigadës, Naser dhe Xhalal më lejuan mua të ulem me ta ndërsa ata shikonin përmes një pakete dokumentash të dërguara nga dikush që u bënte thirrje atyre për të arrestuar një besnik të Kadafit. Këto lloje letrash ende arrijnë nga dy ose tre në javë, Xhalal shpjegoi. "Kur ka diçka thelbësore mbi personin, ne shkojmë dhe e marrim atë," tha ai. Ata analizonin përmes letrave, dhe në një moment, Xhalal më dorëzoi mua njëcopë letre të fotokopjuar të shkruar në frëngjisht, nga një gazetë në Burkina Faso. "A thotë gjë të keqe për të?" pyeti Xhalal. E lexova historinë dhe përktheva pikat e saj kryesore. Duke bërë këtë, unë pata ndjenjën e ankthit që përgjigja ime mund të vendosë nëse ata do të dalin në natë dhe ta marrin këtë njeri nga shtëpia e tij dhe ta fusin në arrest të papërcaktuar në bodrum. "Nah," Xhalal në fund tha. "Unë mendoj se ky është vetëm një tjetër person në kërkim të hakmarrjes".

Me aq sa unë mund të them, Xhalal ishte më i disiplinuar dhe më pak i prirur për hakmarrje se shumë prej komandantëve në Libi. Në ditët e para pas rënies së Tripolit, kur unë e takova atë për here të parë, ai ishte bashkuar me një grup të rreptë të luftëtarëve rebelëve nga Misurata, ku disa nga betejat më të përgjakshme të luftës ndodhën. Por Misuratanët filluan kryerjen e reprezaljeve brutale ndaj të burgosurve të tyre të kapur rishtazi. Një prej rojeve të Jarmouk që ata kapën, një njeri i quajtur Abdel Razak al-Barouni, shihej në të vërtetë si një hero nga disa prej ish të burgosurve, të cilët më thane se Barouni kishte hapur derën e hangarit dhe i inkurajoi ata të arratiseshin e të shpëtonin vetëm pak para se të fillonte masakra e Jarmouk. Pasi Xhalal pa një nga Misuratanët duke e gjuajtur Barounin në këmbë me plumb gjatë interrogimit, ai vendosi të marrë luftëtarët e tij dhe të ikë,duke lejuar me gjysmë zemre që Misuratanët të merrnin disa nga të burgosurit e tij në qytetin e tyre.

Sa për të burgosurit ende në zotërim të tyre, Nasser dhe Xhalal më tha se ata ishin të etur për t'i dorëzuar ata sa më shpejt që të kishte një qeveri të besueshme për t’i marrë ata. Por ata ishin të etur për të më treguar se në disa raste, vrasës famëkeq u ishin dorëzuar autoriteteve dhe liruar menjëherë. Xhalal, i cili ka filluar të zhvillojë ambicie politike, dukej veçanërisht i etur për të provuar se ai kishte arsye të forta për të mbajtur 12 të burgosurit e tij. Ai kishte prova që askush nuk i kishte parë, ai tha: kaseta me tortura të bëra nga burgosësit e Kadafit. Ai kishte marrë ato nga zyrat e mësyra të Hamza Hirazit, komandantit tëJYarmouk.

Një natë Xhalal më çoi mua në shtëpinë e tij në Taxhoura, jo larg nga baza. Ajo ishte brenda e errët, si një shpellë e mbushur me kolltukë të zinj dhe me tavolina të mbushur me gota dhe me tavulla duhani. Ne u ulëm në dysheme me disa nga miqtë e tij duke ndarë një tas me spageti, dhe pastaj Xhalal vendosi një laptop të pluhurosur në buzë të një prej kolltukëve. Ekran u ndez, duke zbuluar një dhomë të vogël me një karrige tavolinë në lëkurë kafe. Një burrë me sytë e mbuluar me një beze të bardhë u shfaq, duart e lidhura pas shpinës së tij, dhe u shty me forcë në karrige. Një zë pas kamerës filloi ta merrte në pyetje: "Kush ju dha paratë? Cilat ishin emrat e tyre? "Një celular ra në sfond. I burgosuri është marrë jashtë kameras, dhe pastaj një tingull i temrrshëm i  gumëzhimës elektronike mund të dëgjohej, i shoqëruar nga klithmat dhe britmat e dhimbjes.

"Ata pothuajse na vranë në atë dhomë," tha Xhalal.

Një roje i hollë dhe me lekurë te errët hyri në dhomën e torturës, duke mbajtur një tabaka me kafe. I njoha fytyrën: ky ishte Xhuma, një nga njerëzit që tani mbahet në burgun e brigadës. Kontrasti me njeriun që kisha takuar – i urtë, apologjetik, plot pendim - ishte alarmant. Në video, Xhuma mbante një vështrim të arrogancës së mërzitur. Ai rrufte kafen e tij rastësisht ndërsa pajisja e torturës elektrike gumëzhinte dhe i burgosuri bërtiste. Herë pas here ai bashkohej me torturuesit, duke goditur të burgosurin në brinjë dhe duke e quajtur atë një qen. Ai erdhi dhe shkoi në mënyrë të rastësishme, me sa duket duke u bashkuar në rrahjet vetëm për kënaqësinë e tij.

Xhalal klikoi në një tjetër video. Në këtë, Xhuma dhe dy roje të tjerë kanë nisur rrahjen e një të burgosuri me sy të lidhur me një egërsi të jashtëzakonshme. "Më vrit, Ibrahim, më vrit!" bërtiste i burgosuri në mënyrë të përsëritur. "Unë nuk dua të jetoj më! Më vrit!” Njeriu të cilit ai i lutej ishte Ibrahim Lusha, të cilin unë tashmë e njihja me reputacion si xhelati më famëkeq në Jarmouk. "A e do udhëheqësin?" tha Lousha, dhe i burgosuri u përgjigj çmendurisht, "Po, po!"

Një tjetër video tregoi një njeri me duart në pranga, trupi it ë cilit dukej i shtrembëruar dhe i thyer, duke folur në një zë të dredhur. Xhalal pastaj tregoi një foto të të njëjtit njeri, të shtrirë i vdekur në tokë, përmbys, duart e tij të lidhura. Dhe pastaj një tjetër foto, kjo e një kufome të nxirë: "Ky njeri ishte i mbuluar me benzinë, ne mendojmë, dhe pastaj e dogjën," tha Xhalal.

Dhe kështu vazhdoi, një seri skenash tmerruese të ndërprera nga komentimi i Xhalal-it: “Ky djalosh vdiq në hangar" "Ky djalë ka mbijetuar dhe është duke jetuar në Zliten". Por Xhalal dhe miqtë e tij, duke përfshirë atë që kishte qenë në burg me të, ishin mësuar aq shumë me pamjet sa që atë që ata e kaluan gjysmën e kohës duke qeshur me videot. Në një moment, Xhalal tregoi me gisht në mur pas kokës me sy të lidhur të burgosurit, ku një varëse çelësash mund të shihej. "Hej, shikoni, në fund, ata janë çelësat e makinës sime!" tha ai. "E kam seriozisht!" Ai dhe miqtë e tij ia plasën së qeshuri dhe nuk mund të ndaleshin ndërsa të qeshurat mbushën sallën. Më vonë, Xhuma u shfaq në ekran duke u ngërdheshur dhe duke bërë një valle tallëse sensuale prapa të burgosurit të tmerruar. Për një të huaj si mua, vallja e  Xhumas ishte tmerrësisht e pashpirt, por Xhalalit dhe shokëve të tij iu duk zbavitëse sa ata e luajtën atë disa herë, duke rrahur duart e tyre dhe duke e shkëlyer së qeshuri. Ishte një tingull i veçantë, dhe unë kam filluar ta mendoj atë si e qeshura libiana: një e qeshur e mprehtë,e  dorëzimit mendjelehtë, e cila dukej se përcillte absurditetin dhe dëshpërimin me të cilin këta njerëz kishin jetuar për aq gjatë. Duke shkuar në shtëpi atë natë, një mik libian më ofroi një shprehje të vjetër që hodhi pak dritë. Sharr al baliyya ma yudhik, e cila përkthehet afërisht si “Është më e keqja e fatkeqësisë që të bën të qeshësh".

Pak ditë më vonë, unë shkova për të parë Ibrahim Lushan, torturuesin në video. Ai ishte duke u mbajtur nga një prej brigadave në Misurata, rreth dy orë nga Tripoli, në një ndërtesë të vjetër qeveritare. Unë u çova në një dhomë të madhe bosh dhe m’u tha të pres, dhe pastaj papritmas aty ishte ai, duke u dukur si një fëmijë i vogël ndërsa ulej në një karrige. Ai kishte veshur pantallona sportive gri dhe një triko blu me jakë V dhe shapka flip-flops. Ai kishte sy të mëdhenj dhe një prerje flokësh me makinë, një shprehje të rëndë në fytyrën e tij. Ai rrinte ulur me duart e tij së bashku në prehrin e tij, ndërsa këmba e tij e majtëlëvizte pa pushim. Brigada Misurata ishte bërë e famshme për torturimin e besnikëve të Kadafit në muajt e fundit, por Lusha tha se ishte trajtuar mirë. Askush nuk na monitoronte,përveç një roje me pamje të mërzitur përtej dhomës.

Ai ishte 20 vjeç, tha ai, djali i një polici në Tripoli. Kur pyeta në lidhje me torturat në Yarmouk, Lusha u përgjigj si i mpirë: rrahjet, shoku elektrik, metodat tjera. "Ne nuk u jepnim atyre ujë çdo ditë," tha ai. "Ne u sillnim shurrë".Të kujt? "Tonën. Në shishe. Gjithashtu ne u sollëm atyre një poster të Muamar dhe i bëmë ata të falen në të. "E pyeta nëse ai ishte urdhëruar për të bërë këto gjëra. Ai tha jo, se ai dhe rojet i sajuan vetë këto ide ndërsa pinin alkool dhe hashash. Nuk ishte një fyerje ndaj Islamit, të bëje njerëzit t’i luten Muamer Kadafit, e pyeta. "Ne nuk mendonim për këtë," tha ai. Ai më tha se në ditën e masakrës, një komandant i quajtur Muhamed Mansour kishte mbërritur pasdite vonë dhe urdhëroi rojet për të vrarë të gjithë të burgosurit në hangar. Pastaj ai u largua pa thënë asgjë në lidhje me pse ata duhej të vriten ose nga erdhi urdhri. "Ne shikonin njëri-tjetrin", tha Lusha. "Dhe pastaj kam marrë granatat." Ai fliste me një-rrokëshe, dhe unë duhej ta shtyja vazhdimisht për më shumë detaje. "Rojet e tjera i kishin granatat. Unë i thashë atyre: "Mi jepni granata mua." Ai hodhi dy në hangar, njëra pas tjetrës, dhe dera shpërtheu e hapur. Ai mund të dëgjonte britmat e të burgosurve që po vdisnin. E pyeta atë se çfarë mendonte më pas kur ai shkoi në shtëpi tek prindërit e tij dhe vëllezërit e motrat. Ai s’kishte bërë asnjë përpjekje për t’u arratisur. "Unë isha duke menduar për gjithçka që ndodhi", tha ai, fytyra e tij pa shprehje si më parë. "E gjithë fatkeqësia, vrasjet. Unë isha duke menduar midis meje dhe Zotit. "

Herën tjetër që e pashë Nasser, ai shpalli me krenari se brigada e tyre nuk ishte vetëm një njësi e pavarur por të njohur zyrtarisht nga qeveria. Kjo rezulton të jetë e vërtetë për dhjetëra banda rebele në Libi, edhe pse e gjithë kjo do të thotë vetëm se ata kanë dërguar emrat e tyre në Ministrinë e Brendshme, e cila u ka ofruar atyre mundësinë për të aplikuar për pozita në shërbimet e reja të sigurisë. Rekrutët janë kryesisht duke u drejtuar tek Garda Kombëtare, një organ i sapo formuar - pa njollën e skuadrave kriminele të Kadafit - që është vendosur në një ndërtesë të vjetër të akademisë policore në Tripoli. Unë shkova atje në një mëngjes prilli dhe gjeta mijëra burra që qëndronin jashtë në diell. Të gjithë ata ishin thuwar, dhe ishin në pritje për t'u paguar. Qeveria e përkohshme vendosi në mars të paguajë çdo rebel rreth $1900  ($3.100 për burrat e martuar). Çdokush mund të nënshkruajë, dhe kështu 80,000 njerëz u regjistruan si thuwar vetëm në Tripoli. Një njeri që priste rradhën më tha, "Nëse ne do të kishim pasur me të vërtetë kaq shumë njerëz duke luftuar Kadafin, lufta do të zgjaste një javë jo tetë muaj." Është me fat për Libinë se fushat e naftës nuk u dogjën dhe nafta e papërpunuar vazhdon të pompohet dhe të shitet aq sa për të mbajtur thuwar-ët të kënaqur.

Brenda ndërtesës, më çuan në një dhomë lart që i ngjante një suitë hoteli, me qilima prej pelushi dhe perde e mure të ndritshme të gjelbërta. Në muret ishin hartat e vjetra të përdorura nga ana e patrullës kufitare gjatë epokës së Kadafit. Pas disa minutash, një burrë në moshë mesatare i quajtur Ali Najab u ul dhe u prezantua si zëvendëskomandant i Gardës së re Kombëtare. Ai ishte një pilot luftarak në Forcën Ajrore të vjetër të Libisë, më tha, por u burgos për shtatë vjet për rolin e tij në një komplot grusht shteti në 1988 (ai kishte menduar për të fluturuar avionin e tij, stil Kamikaze, në vilën e Kadafit). "Unë vërtet nuk doja të vdisja", tha Najab, "por do ta kisha bërë nëse kjo ishte e vetmja mënyrë për të vrarë Kadafin." Kur e pyeta për integrimin e thuwar në Gardën Kombëtare, ai buzëqeshi apologjetikisht dhe shpjegoi se Garda nuk kishte qenë në gjendje për të bërë ende asgjë për meshkujt të cilët nënshkruan. Ata janë ende duke pritur për qeverinë kalimtare për të marrë vendime. Burrat, ndërkohë, ose rrinin në shtëpitë e tyre ose punoninr me brigadat e tyre. "Rezultati është një boshllëk i madh midis qeverisë kalimtare dhe thuwar. Ata kanë filluar të ndihen të frustruar ". Najab gjithashtu pranoi se disa komandantë brigade nuk ishin të gatshëm të heqin dorë nga pushteti që kishin fituar. Shumë ishin askushi para revolucionit, dhe tani ata urdhërojnë respektinin e një lideri lufte. Sa më gjatë që vakumi aktual zgjat, aq më të rrënjosur këta njerëz mund të bëhen, duke e bërë të vështirë për një qeveri të re kombëtare për të zbatuar vendimet e saj.

Një prej këtyre komandantëve tani është duke mbajtur Hamza Hirazin, oficerin që mbikqyri masakrën në burgun Jarmouk. Unë kam qenë i etur për të biseduar me të, sepse askush nuk kishte qenë ende në gjendje të shpjegojë për mua një nga misteret qendrore të masakrave të tmerrshme që ndodhën në Jarmouk dhe vende të tjera në ditët e fundit të regjimit të Kadafit. Ndërsa ishte e qartë qëTripoli po binte në duar të rebelëve, besnikët e Kadafit vranë Omar Salhoba dhe të tjerët në23 dhe 24 gusht. Pse? Dhe kush u dha urdhër?

Njeriu që ruan Hirazin drejton një brigadë të madh të njerëzve nga malet Nafusah, tre orë në jugperëndim të Tripolit. Emri i tij është Eissa Gliza, dhe brigada e tij është e bazuar në një nga lagjet më të pasura në Tripoli, në një vilë pompoze që i takonte bijve të Kadafit. Para revolucionit, Gliza ishte një kontraktor ndërtimor, ai më tha. Tani ai urdhëron 1.100 burra. Kur mbërrita në një mëngjes të marte, ai ishte ulur në tryezën e tij në një zyrë të pasur, duke shikuar një ekran gjigant televiziv. Një erë e ngrohtë frynte nga Mesdheu, i cili farfuriste nën diell disa qindra metra larg. Gliza është një njeri me trup të fuqishëm rreth të 50-ave, me flokë të dendur e të yndyrshëm dhe një mjekër drizë. Ai dukej i djersitur dhe i lodhur. Ndërsa bënim muhabet, rojet jashtë filluan të gërthisnin fort me njëri tjetrin, dhe pastaj njëri prej tyre hodhi një grusht dhe të tjerët e hodhën atë poshtë në tokë. Gliza e injoroi këtë. Ai zgjati celularin e tij duke më treguar një seri videosh të pështira të njerëzve duke u rrahur dhe torturuar nga benikët e Kadafit. "Është një turp që ata janë ende gjallë, pas asaj që ata vepruan," tha ai. E pyeta për një takim me Hirazin. Gliza tha se ai do të përpiqej të rregullonte diçka, por kjo nuk ishte e lehtë. Ka pasur dy përpjekje mbi jetën e Hirazit tashmë, tha ai. Ai ishte duke e lëvizur Hirazin vazhdimisht. E pyeta nëse qeveria kishte shprehur ndonjë interes tek Hirazi, duke pasur parasysh rolin e tij nën Kadafin. "Qeveria?" tha Gliza me përbuzje. "Ata janë të interesuar në biznes e në naftë. Ata janë bijtë e Katarit. Ata janë duke u drejtuar nga Sheika Mozah "- një grua e Emirit të Katarit. "Ata nuk e kanë parë vijën e frontit."

Në televizion, ishte një njoftim se kreu i Këshillit Tranzitor Kombëtar të Libisë, Mustafa Abdel-Xhelil, kishte kërcënuar të përdorë forcën për të shuar një betejë në vazhdim e sipër midis dy qyteteve perëndimore në Libi. Gliza qeshi me shpërfillje. "Kush? Kush do të përdorin forcën? " tha ai. "Tre ditë më parë ata shkuan në Zuwarah dhe thanë:" Ne jemi ushtria kombëtare, duam të shkojmë në vijën e frontit." Ata nuk kanë qëndruar një orë. Njëri prej tyre pshurri pantallonat e tij. Ata thonë se 35.000 njerëz janë bashkuar me ushtrinë kombëtare. Unë po ju them, në qoftë gjithë 35.000 do vinin këtu, ata nuk mund të përballen me 200 meshkujt tanë. Derisa atje të jetë një qeveri e vërtetë, askush nuk do të heqë dorë nga pushteti. "

Jo shumë kohë më pas, një burrë i vjetër hyri në zyrë, i veshur në një xhelabije, me një mjekër të gjatë të bardhë dhe një takije në kokë, duke mbajtur një bastun. Ai filloi duke u ankuar se Gliza dhe njerëzit e tij po silleshin sikur të ishin pronarët e lagjes. Ata kishin dhënë nga brigadat kartat e identitetit për afrikanët dhe i kishin lejuar ata të enden në të gjithë vendin, duke kërkuar para për pastrimin e makinave. Zëri i plakut u ngrit në ulërimë, dhe krahët e tij të hollë u drodhën me tërbim. "Çfarë ju jep të drejtë të nxirrni karta identiteti?" Vazhdoi ai. "Këta as nuk janë libianë!" Gliza i bërtiti mbrapsht, duke i thënë se fqinjët duhet të jenë mirënjohës. Kjo vazhdoi për 20 minuta në volum shurdhues, secili duke e akuzuar tjetrin për mos tregimin e respektit të duhur, derisa në fund plaku u lodh dhe doli nga dera.

Ndoshta prova më e fuqishme e vakumit të pushtetit në Libi është në kufij. Në fillim të prillit, lufta shpërtheu në mes të dy grupeve të thuwar pranë qytetit perëndimor Zuwarah. Tregtia kontrabandë është fitimprurëse, dhe një luftë e ngjashme mbi kufijtë jugore të vendit kishte lënë rreth 150 të vdekur javën e kaluar. Kur erdha në Zuwarah, dy ditë pas vizitës sime me Gliza, kjo ishte një zonë lufte. Toka dridhej me shpërthimet e mortajave, dhe dallova breshëritë e shpejta të zjarrit të armëve antiajrore. Një burrë i cili u prezantua si zëdhënësi i këshillit ushtarak lokal ofroi të më çonte në vijën e frontit. Ai tha se 14 njerëz nga Zuwarah ishin vrarë atë ditë dhe 126 të tjerë ishin plagosur. Ne ecëm me makinë përgjatë rrugës kryesore të Zuwarahs ku ndërtesat ishin plot me vrima plumbash. Në dalje të qytetit, rruga ishte e mbushur me makina dhe fuoristrada të ngarkuara me armë të rënda. Dy kontenjerë markonin fillimin e territorit të frontit. Pas saj, rruga ngjitej drejt një kodre krejt pluhur dhe më pas zhdukej nga horizonti. Një rebel, një 23-vjeçar simpatik i quajtur Ajub Sufjan i cili mbante një pushkë mbi sup, briti në veshim tim në anglisht mbi zhurmën e armëve: “Qeveria thotë se kanë dërguar ushtrinë kombëtare. A ke parë ndonjë prej tyre? Pasi ata rrëmbyen 25 nga burrat tanë, ne thamë boll. I thamë qeverisë: ‘Nëse doni të na ndihmoni, në rregull. Nëse jo, do shkojmë vetë.’ Si rini, ne nuk besojmë më që këta janë qeveria jonë.”

Disa qindra metra më tutje, menjëherë pas rrezes së artilerisë, unë pashë disa nga komandantët më të njohur rebelë të Libisë që qëndronin në anë të rrugës në konfuzion. Disa thanë që përfaqësonin Ministrinë e Brendshme, disa Ministrinë e Mbrojtjes, disa të tjerë rojen e kufirit. Mes tyre ishte Mokhtar al-Akhdar, lideri i famshëm i brigadës së Zintanit, e cila deri vonë kontrollonte aeroportin e Tripolit. Ai dukej i lindur për të luajtur rolin e rebelit, me tipare të gdhëndura dhe një shprehje stoike, një shall të lidhur në mënyrë elegante rreth qafës. E pyeta se ç’po ndodhte këtu. “Ne nuk po luftojmë,” tha ai. “Ne jemi revolucionarët e Libisë. Ne duam të zgjidhim problemin. Të dyja palët këtu po akuzojnë njëra tjetrën dhe ne jemi të vendosur ta zgjidhim problemin.”

Dhuna vazhdoi, dhe të nesërmen Xhelal shkoi në një qytezë pranë Zuwarah për të marrë pjesë në një takim të një grupi të quajtur Këshilli i Burrave të Mençur. Takimi u mbajt në një hotel të vjetër pranë detit, në një dhomë konferencash me një tavolinë të madhe drejtkëndëshe të rregulluar me flamuj të vegjël libianë dhe me shishe uji për çdo pjesëmarrës. Një grup pleqsh me rroba tradicionale të bardha folën njëri pas tjetrit për mungesën e autoritetit të qeverisë dhe për pafuqësinë e liderëve rebelë për të ndalur dhunën në Zuwarah. Ata nuk arritën asnjë konsensus, dhe pas një ore filluan të ngrihen e të ikin. “Ky këshill është i padobishëm,” tha Xhelali ndërsa po vozisnim Land Cruiser-in e tij duke u kthyer në Tripoli. “Pleqtë nuk kanë asnjë kontroll mbi rrugën. Jo si më parë. Na duhet t’i flasim rinisë në një gjuhë që ata e kuptojnë. Disa njerëz janë këtu për fitime personale. Unë jam këtu vetëm sepse shokët e mi u dogjën dhe u vranë.”

Një mëngjes prilli, Naser më tha se frustrimi i tij me Marwanin kishte arritur kulmin. Ai kishte shpenzuar muaj të tërë duke folur me të, duke e pyetur pse e kishte vrarë vëllain e tij, duke kërkuar më tepër detaje rreth ditëve të fundit të Omarit, duke u munduar të kuptonte pse, nëse lufta kishte përfunduar, kishte ndodhur vrasja e vëllait të tij. “Unë e shoh Marwanin si një njeri tepër të ftohtë,” më tha Naser më vonë. “Ai ishte koka e gjarprit. Nga të gjithë rojet, ai insistoi në zbatimin e urdhërave. Të tjerët nuk donin të vrisnin. Ai ishte pa emocione dhe akoma i tillë është. Doja të shihja: A është ai i njëjti person kur sheh familjen e tij?”

Kështu Naser mori në telefon babain e Marwan dhe e ftoi atë të vinte të shihte djalin e tij. Gjashtë muajt e fundit familja ndejti larg nga frika se mos thuwarIët hakmerreshin tek ata. Të premten tjetër, 8 nga ata u shfaqën në bazën e Taxhuras. Naser i takoi tek porta dhe i shpuri poshtë. “Ishte një moment tepër emocional,” tha Naser. “A mund ta imagjinosh si u ndjeva kur pashë vrasësin e vëllait tim të përqafonte vëllain e tij?” Dy vëllezërit e përqafuan njëri tjetrin për shumë kohë, duke qarë, derisa Naser më në fund i ndau, sepse nuk mund ta duronte më. Më vonë ai e mori njërin nga kushërinjtë mënjanë dhe e pyeti nëse e dinte pse po e mbanin Marwanin. Burri tha jo. “Unë i thashë: ‘Kushëriri yt vrau gjashtë njerëz shumë të kualifikuar për të cilët Libia do kish pasur nevojë, dy doktorë dhe katër oficerë. Njëri prej tyre ishte vëllai im.’” Kushëriri dëgjoi, dhe më pas e përqafoi Naserin para se familja të largohej.

Për Naserin takimi me familjen ishte shumë zbulues. “Ai ishte shumë emocional,” tha ai për Marwanin. “Motra e tij e don fort; vëllai i tij e don fort. Kur e sheh atë me familjen e tij është një kontrast i madh me këtë vrasës të ftohtë.” Ai dukej i qetësuar nga kjo, më pak i ngarkuar, megjithëse nuk mund të thoshte tamam përse. Ai më tha se tani e kuptonte Marwanin pak më mirë, edhe pse krimi i tij ende mbetej një mister.

Të premten e ardhshme, babai i Marwanit u kthye, këtë herë me dy kushërinj. Naser i ndihmoi të transportonin disa arka me ushqim – kos, fruta, biskota shtëpie – poshtë tek qelia e Marwanit. Kur Naser u kthye sipër, babai i Marwanit po qëndronte tek dera. Ai vajti drejt e tek Naser dhe e pa në sy me keqardhje. “Ai me përqafoi dhe më puthi në ball,” tha Naser. “Ai duhet ta dijë.”

Dy ditë më vonë, ndërsa flisnim në zyrën e tij, Naser më pyeti: “Cili është përkufizimi i hakmarrjes? Të bësh familjen e personit që bëri krimin të ndihet siç u ndie familja ime? Unë mund ta kisha vrarë Marwanin në çdo kohë, askush nuk do kishte ditur gjë. Por unë nuk dua ta tradhtoj gjakun e dëshmorëve tanë. Ne duam një vend me ligje.” Ai mori dosjet nga tavolina e tij dhe i vendosi ne dollap. Ai dukej i preokupuar, sikur donte të bindte veten për diçka. Ai fiku cigaren në një tavëll dhe mu kthye mua sërish: “Dhe për më tepër,” ai tha, “ku është nderi në marrjen e hakut ndaj një të burgosuri?”

Nuk mund të isha i sigurt në atë çka e motivonte Naserin në mundimin e tij të gjatë me Marwanin. Sigurisht një pjesë e kësaj ishte zemërimi, i cili nuk është ulur, dhe ndoshta kurrë nuk do të ulet. Por muajt e gjatë të interrogimit i kishin dhënë atij një ngushëllim të papritur gjithashtu, një shans për ta njohur vëllain e tij më mirë dhe për të hetuar dështimet e vetes më mirë. “Unë vazhdimisht i pyes të burgosurit për detaje të vogla, si për shembull, sa herë e rrahën, për çfarë fliste, si dukej,” më tha Naser. “Si ai futej në sherr duke kërkuar vëmendje të duhur mjekësore ndaj të burgosurve. Sa herë që torturoheshin, ata i sillnin tek qelia e tij që ai t’i kuronte.” Naser ishte prekur nga historitë e kurajos që kishte treguar vëllai i tij. Një herë, Omari e pagoi një roje të çonte një recetë ilaçesh në një farmaci. Ai kishte shkruar një kërkesë për ndihmë në recetë, në anglisht. Por gruaja në farmaci thjesht e përktheu shënimin për rojen, i cili u kthye menjëherë në Jarmouk dhe e rrahu Omarin keqas. Omar vazhdoi ta provonte, duke u dërguar mesazhe kolegëve të tij, që ose nuk mundnin, ose nuk donin ta ndihmonin. 

Një gjë në veçanti po e mundonte Naserin. Sipas të burgosurve, Omar kishte folur shumë për Naserin në burg, duke thënë se ishte i sigurt se vëllai i tij do e shpëtonte po të kishte mundësi. “Unë ndjej kaq shumë pendim që nuk arrita ta ndihmoj,” Naser thoshte vazhdimisht. Ai tregoi një histori të gjatë rreth një ushtari me lidhje të forta që kish njohur i cili ndoshta do kishte pasur mundësi ta ndihmonte nëse do kishte insistuar sa ç’duhet. Ai tha që nuk e kishte parë Omarin gjatë ditëve të fundit para arrestimit, dhe tani e kritikonte veten, duke menduar lloj lloj mbylljesh alternative. “Do kisha bërë gjithçka, madje do kisha shkuar në front për njerëzit e Kadafit nëse kjo do e kishte shpëtuar vëllain tim,” më tha Naser. “Në fund të ditës, ajo që ka rëndësi është çka ke brenda në zemër.” Por nuk tingëlloi i bindur.

Naseri nuk u ndal me të kaluarën e afërt. Ai përsëriti krejt jetën e tij me mua, duke u munduar të kuptonte ku kishte gabuar. Ai kishte qenë gjithmonë ëngjëlli i keq i familjes së tij, një djalë dorëlëshuar. Omari ishte i ndërgjegjshmi. Ai u kthye në Libi pas një dekade jashtë shtetit në 2009, dhe u tregonte shokëve se i vinte turp nga prapambetja e Libisë dhe se ishte i etur të ndihmonte. Ai solli me vete libra për Kadafin të shkruar nga disidentët dhe një bindje se vendi duhej të ndryshonte. Atëherë, Naser me tregoi, ai kishte menduar se vëllai i tij po tregohej naiv. Tani e kuptonte se ai kish pasur të drejtë. Dukej sikur Omari ishte bërë një ekran ku Naseri projektonte dështimet e tij: gënjeshtrat, mekanizmat frikacakë të mbijetesës që vijnë me jetën nën diktaturë. Kisha ndjesinë që Naser po mundohej të mësonte prej vëllait të tij, dhe në një mënyrë të çuditshme, t’i mësonte diçka Marwanit. Pasi familja e Marwanit iku, ai shkoi poshtë dhe foli me të. “Unë i thashë, ‘Shiko çfarë bëra unë dhe shiko çfarë bëre ti,’” më tha Naser. “Ti vrave vëllain tim, ndërsa unë organizova vizitën me familjen tënde.”

Jeta e Omarit linte një hije të ngjashme edhe mbi njerëz të tjerë. Njëri ishte kolegu i tij më i afërt, një doktor i quajtur Mahfud Gadur. Shokët e burgut të Omarit më treguan se ai ishte munduar vazhdimisht të kontaktonte me Gadurin, të cilin e shihte si shpëtimtar të mundshëm. Në fakt, Gaduri ishte në dijeni se ai po mbahej në Jarmuk – një nga mesazhet urgjente që Omari ksihte nisur nga burgu i kishte mbërritur – por gjithsesi ai s’bëri gjë. Gaduri ma tha këtë vetë, gjatë një bisede të gjatë në zyrën e tij në spital. “Unë fillova të interesohem për atë vend,” tha ai, “duke përdorur lidhjet me njerëz në qeveri. Por ishte e vështirë. Ata filluan të ndërronin numrat e celularit. E kisha të vështirë të gjeja ndihmë.”

Gaduri e tha këtë me një si gjysëm buzëqeshje fajtore në fytyrë. Mua mu duk e pamundur për t’u besuar. Unë kisha njohur njerëz të tjerë që kishin arritur t’i nxirrnin kushërinjtë nga Jarmuk. Si një doktor i njohur, Gadur kishte plot lidhje të cilat mund të kishte shfrytëzuar. Por edhe nëse dështoi, ai mund t’i kishte treguar familjes së Omarit të paktën, ose miqve të tij, të cilët ishin të dëshpëruar të dinin ku po e mbanin. Gaduri duhet ta ketë ndjerë skepticizmin tim. Ai vazhdoi me një narrativë të gjatë llomotitëse në të cilën ai u mundua të fajësonte të tjerët për mos shpëtimin e Omarit nga burgu dhe foli me detaje mbi rrezikshmërinë e jetës në Tripoli në atë kohë. Por sjellja e tij kishte diçka si dhimbje dhe apologji, sikur ai po mundohej të arrinte tek një rrëfim. Ai shqetësohej për Omarin por nuk donte të krijonte probleme për familjen e tij. Ai kishte bërë atë që kishin bërë kaq shumë veta në Libinë e Kadafit – kishte mbajtur kokën poshtë dhe kishte lënë të tjerët të rrezikonin. Këta janë mbijetuesit në Libi, ata që u adaptuan ndaj një vendi ku frika ishte i vetmi ligj. Shumica e trimave ishin të vdekur.

Një pasdite, Naser më çoi me makinë për të parë të venë e vëllait të tij në Suk al-Xhuma, një lagje e mesme e Tripolit. Vajza e Omarit hapi derën, një 10-vjeçare simpatike me plot byrzylykë rozë dhe portokalli në kyçet e saj. Ajo më përshëndeti në anglisht dhe na çoi në një dhomë ndenjeje të stilit perëndimor me një tapet të madh të bardhë prej leshi. Ajo quhej Abrar, dhe motra e saj 4-vjeçare, Eba, erdhi me vrap dhe u ul me ne në kolltuk. Pas një minute, nëna e tyre, Lubna, erdhi poshtë dhe u prezantua. Ajo filloi menjëherë me historinë e familjes, vitet e tyre në Njukasëll dhe Liverpul, kthimi i tyre në Libi dhe zhdukja e burrit të saj. “Ne ishim kaq të frikësuar gjatë gjithë asaj kohe,” tha ajo. “Edhe tani kur dëgjoj një avjon frikësohem.”  Ndërsa Lubna fliste, vajza e saj e vogël luante me mjekrën time dhe më mori penën e fletoren. Më në fund ajo u mblodh si mace pranë meje duke më shtrënguar krahun dhe duke u mbështetur tek supi im. “Ajo ka qenë kështu qëkur vdiq babai i saj,” tha Lubna. Abrar, vajza e madhe, shkoi të merrte një ditar që ajo kishte mbajtur mbi vdekjen e babait të saj. Ishte një dokument tepër i veçantë, një tregim i shkruar në anglisht në prozën e drejtpërdrejtë të një fëmije. “Pastaj ne morëm një telefonatë që na tha se babi vdiq, dhe mami im e përplasi kokën në mur dhe ulëriti, dhe unë qava,” shkruante ajo rreth ditës kur kishin marrë lajmin. Kjo ndiqej nga përshkrimi i një serie ëndrrash që ajo kishte parë rreth babait të saj. Në të gjitha ëndrrat, ai e kishte siguruar atë se ai ndodhej në Parajsë, dhe në dy ëndrra ai i kishte ofruar asaj ta prezantonte me Profetin Muhamed.

Në një moment Lubna përmendi se ajo e kishte nxitur burrin e saj ti çonte të gjithë në Tunizi, ku kishte siguri. Abrar foli, me të njëjtin ton direkt si në shkrimin e saj: “Ne i thamë, ‘Na nxirr nga Libia.’ Ai tha: ‘Kurrë, spitali ka nevojë për mua. Fëmijët kanë nevojë për mua. Unë nuk do iki kurrë. Unë do vdes aty.’”

Gjatë gjithë vizitës sonë, Naseri ndejti ulur në kolltuk qetësisht, duke i ofruar vajzës së vogël ndonjë lodër herë pas here. Kur po dilnim, vajzat na ofruan të na tregonin zyrën e shtëpisë së babait të tyre. Ishte një dhomë e vogël, e dekoruar fare pak, me diplomat e tij të mjekësisë nga Britania të varura në mur, dhe dy sirtarë të mëdhenj plot me lodra për vajzat. “Kjo është ajo që më vret,” tha Naser. “Të gjithë burrat i duan fëmijët e tyre, por me të, ishte akoma më tepër.”

Ne ecëm në muzgun që po binte drejt makinës dhe unë e pyeta Naserin rreth të ardhmes së tij. Çfarë do bënte ai kur brigada të mos ekzistonte më? Ai do të bëhet një hetues policie, më tha, por për një rajon të vërtetë. Abrar hyri në sediljen e pasme duke mbajtur në duar një arush pellushi. Xhaxhai i saj po e shpinte tek dyqani i kinkalerisë për të blerë gjëra për shkollën. Ne vozitëm drejt Sheshit të Dëshmorëve, emri i ri i sheshit ku Kadafi dikur nxiste Libianët të luftonin deri në njeriun e fundit. Tani s’kishte më asnjë imazh të tijin në rrugë, dhe rebelët kishin shkarravitur “Ndrysho ngjyrën” në çdo mur të lyer me jeshil. Ajri ishte i freskët dhe unë dëgjova një krismë të vetme të oshëtinte mbi Mesdhe ndërsa ne gjarpëronim mes trafikut.

“Unë nuk kam shkuar gjithmonë mirë me vëllain tim,” tha Naser. “Por vetëm sepse ai donte që unë të isha më i mirë.”

Përktheu: Armir Taraj

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.