Në despotizmin e privates

Origjina e termit despotizëm gjendet në sundimin e pakundërshtueshëm të kreut të familjes ndaj anëtarëve të saj, e drejtë që shkonte deri në marrjen e jetës. Më gjerësisht, despotizmi është përdorur për të shënjuar trajtimin e punëve publike sipas prizmit të interesave private të sundimtarit. Ky i fundit dallohej prej tiranit, pasi së paku tirani ende i referohej manipulueshëm ndonjë ligji apo interesi publik, ndërsa despoti as mundohej të gjente ndonjë argument propagandistik. Vullneti i tij ishte burimi i të drejtës: ai do, ai mundet, pra ai duhet!
Këtu s’është fjala për despotizmin e një sundimtari, por për atë të një praktike dhe ideologjie shoqërore, privates. Si çdo despotizëm, edhe ky ka historinë e vet, që në gjuhën popullore shprehet nëpërmjet personifikimeve me sundimtarë politikë. Në Shqipërinë e këtyre njëzetekusur viteve dëgjohet gjithmonë e njëjta histori, me personazhe që ndërrojnë vendet. Dikur thuhej se vërtet Berisha i parë vidhte, por të paktën asokohe dilte ndonjë gjë për të gjithë, ndryshe nga babëzia e Nanos. E njëjta gjë thuhej pas 2005 kur lëvdohej epoka e artë e Nanos përkundër asaj të Berishës së dytë. Dhe s’ka për të qenë çudi sikur pas do kohe të ringrihet i njëjti Berishë i sapozbuar përballë Ramës.
Kjo rrëfenjë popullore shpreh faktin se në fazën e parë mbizotërimi i privates kishte karakter ‘demokratik’, në kuptimin e zaptimit privat shumëplanësh dhe tejpërtej klasor. Ai ishte reagim ndaj urisë, papunësisë, mungesës së strehës, çka i shtynte mbi të gjitha të varfrit të merrnin diçka nga e përbashkëta; dikush një copë tokë për të ngritur strehë, një tjetër një kioskë të vogël byrekësh ose një bythë vend në trotuar për të shitur xhinglamingla. Bashkë me urinë e derdhur hapësirave publike u shpalos edhe zaptimi i të përbashkëtës jo vetëm në hapësirë, por edhe në burime, nga interesa që e kapërcenin mbijetesën, që jetësonin shqiptarisht logjikën brutale të akumulimit fillestar të kapitalit. Mbivendosja e interesave të vogla të të shumtëve dhe të mëdha të të paktëve ngjizi edhe kompromisin e heshtur klasor të kësaj faze: Sa kohë mbetet diçka për të gjithë, privatizimi shumëplanësh mund të vazhdojë pa prodhuar tensione shoqërore të pakapërcyeshme.
Sidoqoftë, prej kohësh pluralizmi i zaptimit të parë po i lë vendin despotizmit të zaptimit të dytë, që po shtrihet hap pas hapi përtej cakut ‘normal’ të grabitjes së thjeshtë. E përbashkëta si hapësirë dhe si burime ekonomike nuk mund të jetë e pacak. Prandaj më njërën anë zaptimi përparon deri edhe në oborret e shkollave dhe spitaleve (pasi ka mbaruar punë me ndërmarrjet e privatizuara të kthyera në skraptore, minierat e koncensionuara në fundosje e sipër, diplomoret private që zbythin atë çka mbetur nga arsimi publik etj.), e më anën tjetër dëbon zaptuesit e logjikës së parë (rasti i dëbimit të romëve për ndërtimin e pallateve).
Nëse shumësia e mikrozaptimeve të para, e bazuar në nevoja imediate, lejonte ringritjen e të përbashkëtës si hapësirë dhe si përkushtim (fundja një xhaxh që shet fletore buzë trotuarit të shkollës e përdor të përbashkëtën pa e shkatërruar), fuqia e zaptimeve të dyta kapitale është tjetërsuese e parikuperueshme. Nëse e para mund të integrohet në një model të ripërkufizuar të të përbashkëtës, raporti me të dytën është i papajtueshëm. Ajo shtron dy alternativa: Ose shpërbërjen e këtyre nyjëtimeve nëpërmjet kundërforcës publike, ose thellimin dhe shtrirjen e pacak të saj deri në pikën ku s’do të ketë asnjë park, pemë apo shkollë (se çezma s’mbahet mend që kur nuk ka), përveç atyre private, ku afërmendsh qasja në to do të jetë e kushtëzuar nga fuqia për të paguar. Dhe përderisa kjo e fundit përfaqëson fuqi/pafuqinë politiko-shoqërore të paguesve, merren me mend lehtë pasojat përshkallëzuese të tëhuajsimit njerëzor, segregimit shoqëror, shpushtetimit politik etj.
Karakteri despotik i privates së tanishme dëftohet në marrjen e mbizotërimit të saj si të mirëqenë dhe të pakundërshtueshme. Si të ishte edhe më e natyrshme se rënia e shiut nga qielli në tokë, ngado flitet për shenjtëri prone private pavarësisht kufijve dhe origjinës së saj, ritëm privatizimesh, mbështetje për biznesin, thithje të investimeve të huaja, numër sipërmarrjesh, çmim trualli, çmim të lirë të fuqisë punëtore, rritje fitimesh, izolim varfërie getove etj., pa e parë më të nevojshme vendosjen e këtyre parimeve, qoftë edhe propagandistikisht, përballë sitës së arsyes. Dhe nëse ndokush sjell ndonjëherë në vëmendje zbythjen e pandalshme të publikes drejt greminës, ajo përtypet shoqërisht si qarravitje nostalgjiko-utopike, funksioni i të cilës është vetëm ai i rikujtimit se ekziston edhe një koncept abstrakt që na shërben për të kuptuar më mirë privaten. Është si përmendja e leshkos, të çalës, djallëzores apo ëndërrimtares për të na kujtuar pashmangshmërinë e zgjuarsisë tregtare, shëndetit të të privilegjuarve, shenjtërisë së rendit dhe realizmit cinik të aktualitetit.
Revista KLAN
Comments
Shiko sa e varfër është gjëja

Shiko sa e varfër është gjëja publike shqiptare, nuk gjejmë dot as një foto interneti ku të shkruhet shqip "Pronë private - mos kalo!" ose të paktën ajo e bekuara "Tok e xânun", makár një "Jena qeqen" siç kam parë të shkruhej në murin e një ndërtimi pa leje, andej nga fundi i rrugës së Elbasanit (mos e prek me dorë, me një llaf, se të piu e zeza). Publikja shqiptare është shumë e varfër dhe çuditem sesi njerëzit arrijnë e vazhdojnë të marrin prej saj kur nuk ka mbetur më asgjë për të marrë, mor po as edhe një shinë të vockël treni që ta shkëputësh nga traseja e ta përqafosh me mall si miken tënde më të mirë, që pas shkollës së lartë u martua me një biznesmen. Një shinë treni, ku ka shumë hekur dhe aspak uri (po të parafrazojmë vargjet e Migjenit).

Problemi është se njerëzit tuë marrë e tuë marrë, u lezetuan dhe nisën të vidhnin në masë; pasi mbaruan me sendet, nisën të vidhnin ide, nisën të bënin plagjiaturë dhe në të njëjtën kohë hidhnin një vështrim brenda shpirtit të filozofit fatkeq në fjalë, plaçkitur kaq mizorisht. Unë për shembull, kam pasur fatin të kem në dorë një Republikë të Platonit, botim Prishtine, ku ndonjë nxënëse budallaqe kishte nënvizuar një citat dhe kishte shkruar anash: "Shumë e vërtet! Më duhet." Pa mendoni, të vjedhësh publiken platonike! Kjo është diçka së cilës ia kam pasur gjithmonë frikën. Ndoshta kur të mbarojnë me Platonin, do vjedhin në Qytetin e Zotit të Shën Thoma Akuinit, apo qoftë edhe në ndonjë libër të pjerdhur të Viktor Canosinajt. Ndryshimi nga sasior, sipas asaj formulës marksiane, është shndërruar në cilësor.

O Edo, me fal po jam kurioz

O Edo, me fal po jam kurioz te di cfare kishe pire a tymosur, kur te shkoi ne mend te postoje kete koment ne kete shkrim? Jo per gje, po me duket pak si gol pa lidhje, sidoqofte te lutem me ndihmo pak te kuptoj.....flm...

Dëgjo, njëherë... shumë vite

Dëgjo, njëherë... shumë vite më parë, kishim marrë një punëtor te Partizani i panjohur për të rregulluar halenë dhe ai rrugës më thotë: Kot të të pyes, po sa do më paguash? Tani unë njëjtën përgjigje që i dhashë atij, po ta jap edhe ty: Qenke shumë kureshtar, po më pëlqeke!

O Edo mos je gjo Xhemol Tafai

O Edo mos je gjo Xhemol Tafai ti, se ai i paguante puntoret e haleve ne kohen e qoftelargut. Po qe se me verte je Xhemoli une ta boj hallall cfare do budallalliku qe te shkruash......po qe se nuk je Xhemoli, per Zot jo qe nuk me pelqeke fare po me vika keq per ty.....

Daj Ceni, po ti, mos je gjë

Daj Ceni, po ti, mos je gjë Daj Ceni?

O Edi (Xhemoli, Prof. Servet

O Edi (Xhemoli, Prof. Servet Pullumbi a kushdo tjeter) PO, une e kam emrin Hysen dhe nje nga mbesat e mia (goca e motres) me therret Daj Ceni. Tashti verej nje gje, une i pergjigjem pyetjeve te tua, kurse ti deri tani nuk i je pergjigjur asnje prej pyetjeve te mia, vecse me pyetje te tjera. Psikologjia thote qe kjo eshte simptome e njerezve te pasigurte ne vetvehte dhe me probleme identiteti. Per te provuar te kunderten (sigurisht nqs do) ti mund t'i pergjigjesh pyetjeve te mia, qe une po ti rradhis me poshte perseri:

1. Cfare kishe pire (apo tymosur) kur kopjove ate paragrafin e cmendur marksist? (Neoftese ishe esell atehere ti mund te kesh nevoje per ndihme te kualifikuar).

2.Mos je gje Xhemol Tafaj (nje jo e thjeshte mjafton, por mesa duket ti edhe kete e ke problem ta thuash), ose Prof. Servet Pullumbi (kjo me shkoi ne mendje nga paragrafi marksist).

Po e theksoj perseri qe ti je i lire te mos pergjigjesh, sipas kushteve psikologjike te momentit....

Hysen, nuk po tallem. E kam

Hysen, nuk po tallem. E kam me të vërtetë, po më pëlqeke! Ti më ngjan me ata njerëzit të cilëve Krishti u ka premtuar parajsën: Bekuar të varfërit nga mëndja, se e tyre është mbretëri e qiejve (Ungjilli i shën Mattheut, 5:3).

Perseri nuk iu pergjigje

Perseri nuk iu pergjigje pyetjeve te mia.....

Epo na rrofte prona e

Epo na rrofte prona e perbashket, publike, o pse edhe nuk e thua, socialiste.......

I nderuar zoteri autor, perse gjithe kjo alergji ndaj prones private, majtizem ekstrem, nostalgji per kohen e dhje.re qe kaloi, apo gje tjeter? Qe procesi i privatizimit si i tille apo privatizime te shumta ish ndermarrjesh, tokash apo pronash te tjera nuk eshte i persosur, me plot gabime dhe me njolla te medha korruptive, kjo nuk ka diskutim. Por nga ana tjeter, kjo nuk justifikon ofensiven tuaj kunder cdo gjeje private.

Sipas jush cila eshte alternativa? Shtetezimet? Prona e perbashket, apo publike qe ti i perdor si sinonime por qe ne fakt jane koncepte krejt te ndryshme?

Ketu tani eshte pjesa kur une dua te fyej autorin, por keq ama, jo me fjale te ndyra, me fjale krejt te pranueshme. Megjithate meqenese zoti Nano kerkon qe autoret te mos fyhen, sado brockulla te kepusin, po i kursej fjalet.

Add new comment