Miliona dollarë kontrabandë dhe mijëra vdekje

Postuar në 03 Shtator, 2012 02:09
Eduard Zaloshnja

Cili është shkaku numër një i vdekjeve të parakohshme në Shqipëri? Kësaj pyetjeje shumë shqiptarë mund t’i përgjigjen: Aksidentet automobilistike. Por përgjigjja e tyre do të ishte e gabuar. Krahasimisht me aksidentet automobilistike, një tjetër vrasës bën shumë më tepër kërdinë në atdheun tonë. Është shumë më pak i dukshëm se aksidentet –  lajmet televizive nuk japin çdo natë kronika për të –  por ashtu, pa u ndjerë, ai e bën punën e vet... Quhet duhan!

Para se të hynte në fuqi ligji për ndalimin e duhanpirjes në vende publike (në vitin 2007), Shoqata Amerikane e Kancerit financoi një studim (http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/19256288), sipas të cilit, 2800 vdekje të parakohshme në Shqipëri mund t’i atribuohen çdo vit duhanpirjes ose tymit që thithet nga ata që nuk e pinë duhanin, por që janë të ekspozuar ndaj tij. Krahasimisht, aksidentet automobilistike shkaktojnë rreth 400 vdekje të parakohshme në vit.

Bazuar në një kampion statistikor prej 4000 të intervistuarish, të zgjedhur me probabilitet të njëjtë në zonat urbane dhe rurale të të gjithë vendit, studimi gjeti se, në prill 2007, rreth 700 mijë shqiptarë pinin mesatarisht nga 1.1 paketë cigare në ditë, ndërsa rreth 130 mijë të tjerë pinin afërsisht një paketë në javë (marzhi i gabimit statistikor +/- 1.5%). Këto rezultate ishin të ngjashme me atë një studimi të financuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2000 (http://www.who.int/tobacco/media/en/Albania.pdf).

Duke i përmbledhur këto rezultate të studimit të financuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit, rezulton se në tremujorin e parë të 2007-ës, u konsumuan rreth 1400 tonë cigare në Shqipëri. Ndërkohë, Drejtoria e Doganave raportonte në faqen e saj të internetit se vetëm 600 tonë të cigareve të importit kaluan nëpër filtrin fiskal të shtetit gjatë të njëjtit tremujor. Ndërsa Ministria e Financës raportonte një shifër prej 50 tonësh për prodhimin e vendit. Pra, i bie që të mos jetë paguar as akcizë e as TVSH për 53% të sasisë së cigareve industriale që u konsumuan në tremujorin e parë 2007. Ose më konkretisht, i bie që, me të njëjtin ritëm vjetor, buxhetit të shtetit t’i jenë mohuar për gjithë vitin rreth 60 milionë dollarë.

Në një studim të dytë të kryer në mesin e vitit 2009 (të financuar përsëri nga Shoqata Amerikane e Kancerit, http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/20679417), u konstatua një nivel pothuaj i njëjtë i duhanpirjes në Shqipëri, por niveli i zhdoganimit të cigareve kishte pësuar një rrritje prej 22.5% në krahasim me 6-mujorin e parë të 2007-ës, gjë që e ulte humbjen e buxhetit nga kontrabanda në nivelin 35 milionë dollarë në vit.

Por ç'do të ndodhte në qoftë se akciza dhe dogana e cigareve do të vilej e gjitha? Sipas studimeve të sipërcituara, rreth 115 vdekje të parakohshme në vit do të evitoheshin nga ngritja e çmimit të paketave që do kalonin filtrin fiskal - kur rritet çmimi, ulet konsumi i cigareve, e për rrjedhojë, edhe numri i vdekjeve të parakohshme.

Si mund të kursehen ndryshe jetët e njerëzve? Rreth 130 vdekje të parakohshme në vit mund të evitohen nëpërmjet zbatimit të ligjit anti-duhan në mënyrë strikte - sidomos komponentët e moslejimit të pirjes së duhanit në vendet publike dhe ndalimit të plotë të tregëtimit të cigareve nëpër rrugë.

Dhe si shpjegohet ky impakt? Për çdo 6 cigare që pihen në një tavolinë kafeneje, restoranti apo zyre, personit që s'e pi duhanin i shkaktohet një efekt negativ i barabartë me atë të pirjes së një cigareje prej tij vetë. Gjithashtu, si rezultat i efektit dekurajues të ligjit antiduhan, pakësohet numri i cigareve që pinë në ditë duhanxhinjtë. Ndërkohë, ata që përpiqen ta lënë duhanin, ose që nuk duan ta fillojnë, e kanë më të lehtë ta bëjnë këtë gjë kur nuk ngacmohen nga cigaret që shiten rrugëve dhe kur njerëzit përreth tyre nëpër kafenera, restorante e zyra nuk tymosin. Pra, pakësohet kështu edhe numri i atyre që pinë duhan.

Dhe paratë që do të shkonin për blerjen e cigareve mund të shkojnë për të blerë produkte më me vlerë për shëndetin...

Comments

Submitted by i (not verified) on

sh flm ! une qe jam nje duhan pires, mbasi lexova artikullin tuaj, kuptova qe duhani te ben dem dhe mund edhe te me vdes. pastaj mendova te lej dhe alkool pervec duhanit.

ne fakt tani qe po mendohem, e dija sh mir qe duhani me ben keq , dhe besoj se nuk ka njeri ne kete bote qe pi duhan mos ta dije nje gje te till. dhe e bukura eshte qe as me shkon ndermendje ta lej, si shume e shume te tjereve

ciao dhe pershendetje

Submitted by Anonim (not verified) on

Tashi krahasoni sa vdesin nga drogerat e ndryshme me numrin e vdekjeve te duhanit, alkoolit.

Dilni ne konkluzionin çfare eshte me e demshme dhe pse jane te (pa)ligjshme

Submitted by Altin Goxhaj (not verified) on

Zaloshnja ka te drejte. Nese do te logarisnim konvertimin e kostos personale per duhan ne nje kosto per konsum te nevojave reale jeta do te permiresohej shue ne Shqiperi. Une kam propozuar aksiza shtese dhe te menjehershme prej 3 USD per pakete si nje detyrim ritje te paperballueshme kostosh per ta lene duhanin si pasoje e mosperballimit dhe kjo do te silte nje drejtesi hyjnore mbi demtimin e shendetit vetem per te pasurit;-) (kjo e drejtesise ishte nje shaka marksiste;-p

Nese ka ndonje gje qe duhet te behet aktualisht eshte permiresimi i ligjit duke shtuar edhe gjoben per konsumatorin se nuk ka pse ti lehet gjithe barra ne kurriz administratoreve te lokaleve

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.