Migjeni i ditëve tona
"Mos i hidh margaritarët para derrave, sepse derrat i marrin për guralecë dhe më pas i shkelin." Sa herë që zhgënjehem, më kujtohen këto fjalë të thëna para dy mijë vjetësh dhe habitem, si përkundër zhvillimit dhe shumëçka tjetër, sa pak ka ndryshuar natyra njerëzore. Sado që kemi dëshirë të shtiremi dhe të mburremi me arritjet tona, në thelb, jemi të njëjtë me paraardhësit tanë. Vazhdojmë të jemi të dhënë pas formës, të dehur pas shkëlqimit të çastit, të frustruar me gjithçka që nuk mund ta kuptojmë, të armiqësuar me gjithsecilin që na e thotë të vërtetën në sy.
Nuk ia vlen ta bëj pyetjen: Pse? Nuk është interesant të bëhet një pyetje, përgjigjen e të cilës e dinë të gjithë. Aq më shumë kur të gjithë shtiren se nuk e dinë përgjigjen ose që nuk po e dëgjojnë pyetjen.
Me shumë dhembje e lexoj Migjenin, pasi që e ndiej se thelbi i fabulave të tij vazhdon të jetë po i njëjti. Luli i vocërr dhe shumë personazhe të tjerë, vazhdojnë të jetojnë në mesin tonë. Vetëm se janë bërë aq shumë, saqë kjo më nuk na bën më përshtypje. Jemi bërë imun ndaj të keqes dhe ndaj dhembjes që na rrethon kudo.
Dua të citoj fjalët e një të urti të panjohur: "Kurrë nuk ka pasur kaq shumë shkolla, por as kaq shumë njerëz të paditur." Mos t'i bie se jam kundër numrit të madh të universiteteve, qofshin ato private apo publike, në fund të fundit kështu është në të gjithë botën, por nuk mund të pajtohem me logjikën se universitetet të degradohen në kategorinë e ndërmarrjeve shërbyese. D.m.th një vend ku mund të paraqitesh, nëse të duhet një diplomë apo një mekanizëm për të prodhuar kuantitet kuadrosh, për t'i profilizuar më vonë si mercenarë në radhët e militantëve partiakë.
"Kurrë nuk ka pasur kaq shumë ushqim të bollshëm, por as kaq shumë njerëz të uritur."
Përsëri po e citoj të urtin e panjohur, sepse e mbaj mend një kohë kur tërë ditën e kemi kaluar me bukë, çaj dhe djathë, por asnjëherë nuk ndiheshim të uritur. Llupësia ishte një veti ndaj të cilës ndienim shumë përçmim. Mos t'i bie se jam kundër atyre që janë të pasur, në fund të fundit, në botë gjithnjë do të ketë të pasur dhe të varfër, por nuk mund të pajtohem me logjikën e atyre që mendojnë se me para mund të blejnë gjithçka. Nuk mund të pajtohem me logjikën e atyre që mendojnë se pasuria e tyre duhet të jetë e pakufishme dhe se kjo u jep të drejtë të gëlltisin çdo gjë që u del përpara.
Zotërinjtë e epokës së Migjenit, ata që janë të dashuruar dhe të dhënë vetëm pas vetes së tyre, vazhdojnë të na rrinë mbi kokë. Mendojnë se leku mjafton për gjithçka. Janë të bindur se kjo u jep të drejtë edhe të na udhëheqin dhe të kenë imunitet ndaj çdo gjëje.
"Kurrë kaq shumë nuk është përmendur drejtësia, por as nuk ka pasur kaq shumë padrejtësi."
Një njeri i zakonshëm, që mezi e lidh fillimin dhe fundin e muajit, kur të konkurrojë për punë duhet të sjellë dëshminë se nuk është nën hetime, ndërsa disa të tjerë e kanë privilegjin të vazhdojnë të miratojnë ligje, edhe nëse janë të akuzuarse kanë shkelur ligjet që i kanë miratuar vetë.
"Kurrë nuk ka pasur kaq shumë libra, por as kaq pak njerëz që lexojnë."
Dikur kishte kuptim të thurej një këngë e rinisë dhe të besohej se mund të përmblidhej grushti i rinisë. Kishte kuptim, sepse, përkundër vështirësive të jetës, njerëzit besonin se një e ardhme më e mirë ishte e mundur. Besonin se diku në fund të horizontit një ditë do të shfaqej një rreze e shpresës. Kam frikë se sot as Migjeni nuk do të gjente frymëzim ta shkruante një varg të vetëm. Motivi për të ndryshuar dhe për t'u ngritur kundër të keqes lind vetëm atëherë kur njerëzit besojnë në vlerën brenda vetes. Dhe të tillë, të pajisur me këtë besim, ka shumë pak.
Personazhet negative të Migjenit, po të njëjtit që i mbijetuan të gjitha regjimeve dhe pushteteve, do të vazhdojnë të na shikojnë me përçmim, të na vizatojnë kornizat kah duhet të sillemi në rreth dhe shumëçka tjetër. Po të njëjtit, do të vazhdojnë të ndihen të vetëmjaftueshëm dhe të gjithëdijshëm. Kam frikë se kështu do të jetë edhe për një kohë, sepse me heshtjen tonë, që është e vetmja klithje e një shpirti të lodhur, e vulosim bindjen e tyre se ne jemi vetëm numra.
P.S
I urti i panjohur gjendet në mesin tonë. Janë këto dromcate humorit tonë të zi që nuk dimë nëse duhet të na bëjë të qeshim apo të qajmë.
Express
Comments
nuk ka nevoje per koment.....
<p>nuk ka nevoje per koment.....</p>
Add new comment