Meqë ra fjala te Teatri

Postuar në 18 Dhjetor, 2013 07:51
Stefan Çapaliku

Pas rrotull tetë vjetësh në qeverinë shqiptare ra edhe një herë fjala te Teatri. Po bukur fort!
Duhet thënë që në krye se fjala për Teatrin në qeveritë tona bie sa herë që kujtohen për drejtorin e Teatrit Kombëtar. Kështu që njëfarësoj, edhe kësaj here, fjala për Teatrin u lidh me emrin e drejtorit të TK, për të cilin tashmë është shpallur edhe një konkurs publik. Drejtori i vjetër, apo ai në detyrë, i emëruar nga një dashamirës i Teatrit, solitar, por edhe stoik, nuk e njeh institucionin e dorëheqjes. Bukur! Puna e tij!
Po meqë ra fjala për Teatrin, si punëtor i tij, e ndiej për detyrë të shpall e të rikonfirmoj disa mendime që ndoshta kanë me iu dashtë atyre që u kujtuan.
Sigurisht që ndërrimi i drejtorëve mbështillet dhe paketohet me një letër që ka për etiketë fjalën “reformë”, fjalë e cila ka pësuar një deformacion të madh kuptimor përgjatë tranzicionit. Në opinionin tonë publik, fjala “reformë” në vend që të përcjellë kuptimin e përmirësimit apo ndryshimit të asaj që është e gabuar, e korruptuar, e padobishme, është marrë gjithmonë si sinonim i shkurtimeve, uljes së buxhetit, pakësimit të aseteve etj.
Në të vërtetë, që të reformohet Teatri Ynë, ai ka nevojë për mbështetje, vëmendje, për para, të holla e të shkoqura, dhe sigurisht, për sendërtimin e një sistemi ligjor që i jep dinjitet dhe pavarësi. Nëse reforma do të konsistonte vetëm në heqjen nga puna të një grushti aktorësh dhe krijimin e një sistemi kontraktual, atëherë lind pyetja: Pse kjo gjë duhet të ndodhë vetëm me aktorët? Pse ky sistem të mos shtrihet për shembull edhe te punonjësit e administratës, te punonjësit e Ministrisë së Kulturës, bie fjala? Edhe ata mund të merren me kontratë. Një kontratë dyjavore p.sh., sa për të shkruar nja dhjetë shkresa e pastaj të kthehen në shtëpi për të pritur radhën e shkresave të tjera…
Mirëpo kur bie fjala për Teatrin, kjo është një çështje tjetër. Një popull mund të jetojë edhe pa Ministri Kulture, siç jeton populli amerikan, apo siç jeton populli austriak pa Ministri Marine, por jo pa Teatër.
Opinioni im i palëkundur është se sistemi teatror shqiptar është një sistem i qelbur komunist, monopolist dhe i ndyrë që s’ka asnjë lidhje me lirinë dhe tregun liberal të ideve dhe vlerave. Ai është një strukturë e mykur dhe kamikaze. Asnjë licencë për nxitjen e tregut të ri teatror nuk ekziston në Shqipëri. Asnjë teatër dhe kompani private, asnjë strukturë teatrore e financuar nga fondet publike nuk ekziston. Asnjë projekt i edukimit teatror ndër shkolla.
Shikoni se mos gjeni kund në botë një qytet njëmilionësh me një teatër. Jemi ekzemplarë në mjerimin tonë kulturor.
E meqë ra fjala për Teatrin, duhet sërish të rikujtoj se sistemi teatror shqiptar i përbërë prej 8 kompanive shtetërore-publike, prej rreth 12 sallave profesionale dhe rreth 200 profesionistëve, në pikëpamje të menaxhimit, produktit dhe aksesit në jetën publike të vendit, është nxitës i një kulture ripërtypëse. Repertori vdiq. Rroftë Repertori!
Atyre që u kujtuan më duhet t’u rikujtoj se ne jemi një popull që për rrethana historike e kemi nisur shumë vonë aktivitetin teatror dhe ende nuk ia kemi dalë që ta bëjmë këtë art një medium të dashur për njerëzit. Për herë të fundit teatri në Shqipëri lindi në vitin 1880, si koncept i importuar nga jashtë. Ai lindi si lëvizje amatore, kryesisht brenda shkollave dhe përgjatë gjysmës së parë të shekullit të njëzetë edhe brenda komunitetit të zejtarëve dhe intelektualëve të pavarur. Themi për herë të fundit sepse shenjat e amfiteatrove antike në territorin tonë dëshmojnë se njëherë e një kohë edhe këtu ka lulëzuar teatri.
Vetëm në vitin e vonë 1945 krijohet e para trupë profesioniste e pagëzuar me emrin e Teatrit Popullor, e që strehohet në një godinë pupuliti të ndërtuar ngutazi prej ushtarëve italianë si Dopolavoro në vitin 1939. Që prej asaj dite e deri më sot që po flasim, kjo kompani shtetërore që duhet të përbëjë krenarinë artistike të kombit shqiptar, vazhdon ta ushtrojë varfërisht veprimtarinë e vet në këtë karakatinë. Sigurisht që ka njerëz që ende kjo godinë i duket dinjitoze dhe prestigjioze, thjesht sepse për një arsye a një tjetër nuk dinë apo nuk kanë vënë re godinat simotra të Teatrit nëpër vende të ndryshme ku mund t’i ketë shkelur këmba. Por sigurisht që duhet të ketë njerëz, të cilët kur kanë qenë jashtë Shqipërie, në vend që të blejnë një këmishë, kanë blerë një biletë teatri dhe kanë pasur kësisoj rastin të hyjnë në një teatër prej vërteti. Dhe janë këta shqiptarë të pakët që kanë ndier një kompleks të tmerrshëm inferioriteti që në çastin kur i janë qasur godinës nga jashtë, e le pastaj kur kanë hyrë brenda. (Më duhet gjithashtu të dëshmoj se jo më larg se një natë më përpara, në skenën e Teatrit tonë Kombëtar, përgjatë shfaqjes “Edipi mbret” hyri një mace në skenë, që pafajësisht e shndërroi tragjedinë në komedi. Të paktën këtë të mos e lejonte Drejtoria.)
Në të gjithë botën e qytetëruar teatrot kombëtarë apo ata bashkiakë përbëjnë krenarinë estetike dhe arkitektonike të qendrave urbane dhe janë ndoshta guri më i çmuar në gjerdanin e qafës së qytetit.
Po ku gjendet Teatri ynë? I fshehur pas godinave ministrore, me një suva që bie prej lagështirës, një hauz i akullt në dimër dhe një furrë e nxehtë në verë, me një teknologji superprimitive dhe me një infrastrukturë ndihmëse që nuk mund ta gjesh kund as si ekzemplar, një sallë e denjë për një kinema porno të një lagje periferike të ndonjë metropoli si Kajro apo Nju Delhi.
Ndërkohë, hiç më larg se ndër vendet që na rrethojnë, me të cilat edhe mund të na ketë hije të bëjmë ndonjë lloj krahasimi, këto institucione janë jo vetëm pjesë e krenarisë kulturore dhe qytetëruese, por edhe në qendër të vëmendjes publike dhe politike. Por le të bëjmë një ekskursion të shkurtër për gjithë ata që mund të kenë dyshime… Kështu p.sh., Teatri Kombëtar i Athinës është themeluar në vitin 1880 prej një granti të dhënë nga mbreti Gjorgj I dhe kompanisë së hekurudhave. Teatri është vepër e arkitektit të famshëm gjerman Ernst Ziller. Teatri Kombëtar i Bukureshtit është themeluar në vitin 1852 dhe iu dha statusi kombëtar në vitin 1864 nga Kryeministri Mihail Kogãlniceanu. Teatri Kombëtar në Beograd u themelua nga princi Mihal në vitin 1869. Projektin arkitektonik e realizoi Aleksandar Bugarski, që aso kohe ishte arkitekti më i famshëm dhe më produktiv i Serbisë. Teatri Kombëtar kroat u themelua në vitin 1836. Ndërtesa u projektua prej arkitektëve të famshëm austriakë Ferdinand Fellner dhe Her-man Helmer. Teatri Kombëtar ”Ivan Vazov” në Sofje është themeluar në vitin 1904 prej kompanisë së famshme “Salza i Smyah”. Teatri Kombëtar slloven është themeluar më 1867-n. Ndërtesa është dizenjuar mbi parimet estetike të Art Nouveau.
Siç mund të shihet, pra, nga ky parakalim i përciptë, Teatri ynë i varfër bëhet edhe më shumë i mjerë kur kujton se buxheti i tij është qesharak dhe më së paku dhjetë herë më i vogël se ai i sivëllezërve të vet. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se në të gjitha këto vende të sipërpërmendura ka më shumë se një Teatër Kombëtar (Kroacia 4, Serbia 3, Sllovenia 2, Greqia 2).
E për t’i dhënë fund këtij refleksioni të shkurtër, mendoj se është koha për përcaktimin e sheshit të ndërtimit dhe shpalljen një konkursi ndërkombëtar arkitektonik për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, i cili kishte për të krijuar edhe kushtet e një estetike dhe menaxhimi bashkëkohor.
Një Teatër Kombëtar që ka ngujuar vetveten në një oborr të mbyllur, që nuk qarkullon asnjë produkt të vetin në territorin e Republikës së Shqipërisë; që u paguan shuma të majme për pjesëmarrje në projekte aktorëve që në të njëjtën kohë marrin edhe rrogë; që nuk mund të konkurrojë askund më larg Kosovës; që i ka të mbyllura dyert për brezin e ri; që nuk arrin të mbajë një repertor dhe që për pasojë nuk arrin dot të ketë një audiencë më të madhe se 20 mijë vetash në vit, apo 2-2.5% të popullsisë së kryeqytetit, e thërret me të madhe pyetjen: Pse jam?
Përpjekjet për ta reformuar sistemin janë të arkivuara vetëm në Fletoret Zyrtare të vitit 2000 dhe 2006, kur dhe u ndërmorën dy iniciativa ligjvënëse dhe u formuluan e miratuan dy ligje për Teatrin, respektivisht në shkurt të vitit 2000 dhe në tetor të vitit 2006. Ligji i parë i bërë nga specialistë vizionarë dhe egzigjentë, nën kujdesin e një ekspertize profesionale të KE-së, nuk u implementua as edhe një ditë. Në këto kushte ai u abrogua dhe u ndërmor një nismë tjetër ligjvënëse, larg shumë profesionalizmit të të parit, por që gjithsesi kishte trashëguar nga i pari disa parime të shëndosha. Por fatkeqësisht edhe ky ligj i dytë mbeti pa u implementuar.
Është e rëndësishme të kujtohet se të dyja ligjet kanë të përbashkët krijimin e Qendrës Kombëtare të Artit Skenik, e cila për momentin do të ishte e vetmja zgjidhje për krijimin e një tregu të hapur, të lirë dhe me rregulla loje të parashkruara.
Nga ana tjetër, koncepti i krijimit të qendrave kombëtare të arteve të veçanta (sipas modelit të nisur e të lënë përgjysmë që në vitin 1996 me krijimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë), do ta çlironte Ministrinë nga funksionet e një fondacioni, do ta demokratizonte vendimmarrjen në shpërndarjen e fondeve publike dhe do ta liberalizonte pjesëmarrjen në projekte kulturore. (Shikoni modelin bullgar, grek, francez etj.). Të gjitha këto qendra duhet të kenë zë më vete në buxhetin e shtetit, të paracaktuar sipas politikave kulturore të Ministrisë. Në këtë mënyrë, Ministria do ruante rolin e vet monitorues dhe hartues të politikave, duke i lënë vetes vetëm ekskluzivitetet e projekteve të mëdha operacionale në fushë të kulturës, varësisht prej konteksteve të reja. Përfituesit prej një decentralizimi të tillë të kompetencave do mund të shumëfishohen me shpejtësi të madhe, dhe kjo do përbënte një nxitje shumë të madhe në lindjen e iniciativave private në fushë të kulturës, do rriste numrin e të punësuarve, e veçanërisht do të hapej tregu i punës për të rinjtë.
Në fjalimin që mban “i fundmi estet” Hans George Gadamer me rastin e 175-vjetorit të themelimit të Teatrit të Manheimit dhe në të cilin promovoi idenë e tij mbi “festivitetin e teatrit”, thotë ndër të tjera se: “Shoqëria moderne është demokraci e trafikut. Nëse dikur ekzistonin shoqëri aktorësh që quheshin ‘endacake’ për faktin se lëviznin nëpër qendrat e palëvizshme të kulturave të oborreve apo të kulturave borgjeze, tashmë jemi bërë të gjithë, edhe ne, spektatorë dhe miq të teatrit, endacakë që mblidhen nën çatinë e palëvizshme dhe festive të teatrit. Si do të ishe e mundur që në këto kushte teatri të mbetej i njëjti dhe të ndihej i sigurt për të ardhmen e vet, pa asnjë hije dyshimi?”.
Dhe në fund të këtij shkrimi dëshiroj sërish t’u bëj me dije atyre që fjala i ra kah Teatri, se ne nuk kemi nevojë të shpikim modele. Mjaft më me modelet tona. Ato ngjajnë me teknologjinë e klonimit të së shkuarës sipas modelit in vitro të Deles Dolli (e cila fatkeqësisht vdiq shpejt dhe u varros pa asnjë homazh).
Dhe zonjës ministre, që nuk dyshoj se është vullnetmirë e me dije të plota në punë të kulturës, do t’i bëja dy rekomandime:
1. Sipas ligjit për artin dhe kulturën, të shpallë urgjentisht si Teatro Metropolitan (rajonal) Teatrin e Shkodrës dhe të Korçës, e parë edhe si shenjë e rilindjes së këtyre dy vatrave të teatrit shqiptar.
2. Në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar të ketë parasysh një kriter të vetëm, unus unicum: Kandidati le të jetë i lexuar (kënduar, lëçitur).

“Teatri është i vetmi institucion njerëzor që ka mbetur, i fuqishëm dhe universalisht i vlefshëm, ende i aftë të lidhë harenë e festës, ëndjen për spektakël, ëndjen për të qeshur, ëndjen për të qenë i mallëngjyer, për të qenë i tërhequr, për të qenë i provokuar, për të qenë i shkundulluar nga koka te këmbët nga impulsi antik i festës, e që pikërisht prej antikes është gjini e përjetshme njerëzore”.
Hugo von Hofmannsthal

Panorama

Comments

Submitted by miriAnonim (not verified) on

Kush ma sqaron se pse teatri i Tiranes quhet Teatri Kombetar ose Teatri Popullor?

Submitted by anticensurë (not verified) on

shkrim i bukur,pak si rokoko, me dhe pa krye e këmbë!po ska rëndësi!e rëndësishme është ideja!!

mbështetja që duhet të japë shteti për artin!në këtë rast teatrin!

përveç njohurive historike për lindjen e teatrove europiane autori na përçon idenë(për mua është themelorja dhe ajo që duhet të fiksojmë në tru)se si jemi brujtur e si duhe të ndryshojmë:

"Opinioni im i palëkundur është se sistemi teatror shqiptar është një sistem i qelbur komunist, monopolist dhe i ndyrë që s’ka asnjë lidhje me lirinë dhe tregun liberal të ideve dhe vlerave."

pavarsisht mënyrës së ashpër deri në banale të analizës për kushtet se si ndodhet teatri,autori na jep idenë se si duhet të jetë ai!! nga asistenca sociale pushtetërore duhet të këthehet në prodhues të vlerave të pamvarura!!

si e kam thënë dhe në një komnet disa ditë më parë artistët,drematik,janë njerëz si të gjithë shqiptarët,ata duhet ti'u nënshtrohen rregullave të ekonomisë së tregut!!duhet të prodhojnë të mirat materiale me aftësitë e tyre!!thjeshtë të jenë të aftë që të grumbullojnë spektatorë!!spektatori grumbullohet për shkak të të cilësisë së pjesës që interpretohet dhe jo në bazë të subvencionit shtetëror!!

vërtet që shqipëria ka nevojë,si pati për çdo fushë të jetës,për teatro e kinema të reja të përshtatura me kohën,por këto nuk mund të ndërtohen të gjitha nga shteti!!sidomos në këtë periudhë brashnjare,zvaranike,të shtetit tonë(20 e kusur vjeçare)!invesititorët shqiptarë kanë ndërtuar pallate pa masë,sepse ju janë shitur!kanë ndërtuar dyqane pa masë,sepse ju janë shitur!pika karburanti pa masë,sepse përdoren!

nuk kanë ndërtuar teatro,sepse nuk funksionojnë!sepse nuk ka artistë që të luajnë në to!nuk ka artistë që të mund të tërheqin spektatorë!!thjesht NUK KA FITIM!kapitalizmi ka parimin e fitimit dhe asgjë më tepër!!

nesër shteti,sot edi rama,nesër filan fisteku,mund të ndërtojnë 1,2,...20 teatro(kombëtare a fshatre,ska rëndësi),por po qe se këto teatro nuk do të sjellin fitim do të jenë si mauzoleume të shtrenjta në mes të qyteteve!!sot në shqipëri mungon dëshira e interpretimit,niveli i ulët i tij dhe dëshira për të fituar nga arti duke mos qënë aspak artist!duke pasur vetëm emrin të tillë!!

arti në amerikën pa ministri kulture është privat!!regjizori bind financuesin se mund ti sjellë fitim dhe merr financimin e tij!regjizori zgjedh artistët dhe i paguan në bazë të fitimit!nqs nuk ka fitim artisti mbetet pa rrogë,rregjizori po ashtu financieri investon në ndërtim a në ndonjë degë prodhimi ku i del fitimi!!

kjo mënyrë duhet të fiksohet në trurin e artistëve tanë!!e jo të përpiqen të bëjnë teatro abstrakte që ska "polic" që i kupton!në një shoqëri që po shkon drejt dekadencës dhe anafabetizmit dhe që me vështirësi të madhe siguron bukën e gojës,artistët tanë përpiqen të kopjojnë abstragizmat e elitave të shoqërive të përparuara perëndimore!!shifra prej 20 mijë spektatorësh në vit është shumë e madhe në krahasim me atë nivel që kanë shfaqet dhe interpretimi mediokër!!

po të marrim si shëmbull,ekonominë e tregut të lirë të muzikës!kemi një zhvillim shumë më të madh në muzikë,shitje më të mëdhaja dhe fitime shumë e shumë herë më të mëdhaja se teatri,dhe çdo degë tjetër e artit!iveli ëshë tmerrësisht i dobët,por kjo tregon vetëm nivelin e ulët të shoqërisë shqiptare!!

Submitted by Ndriçim Metaj (not verified) on

Më tepër se nje artikull të ravijëzuar bukur, do ta quaja një protestë artisti të Stefan Çapalikut. Dhe ka shumë të drejtë...

Teatri në Shqipëri edhe pse i çliruar tashmë nga politizimi dhe i larguar nga realizmi socialist, akoma nuk është futur në binarët e vërtetë të teatrit bashkëkohor. Mungesa e parasë është e gërshetuar edhe me mungesën e vizionit të regjisorëve e libretistëve, pa mohuar këtu edhe ndonjë shfaqje cilësore të këtyre viteve të fundit.

Unë nuk mund të jap mendim se si e qysh, por ka shumë rrugë që me pak lekë, të tërheqeëh në sallë spektatorë dhe të marrësh duartrokitjet e tyre.

Teatri amator është gjithashtu një alternativë për rizgjimin e teatrit dhe bashkë me të edhe të një pjese të shumë aktorëve amatorë që nuk u bie rradha ose nuk ua var njeri për t'i afruar e aktivizuar. Kjo pjesë "amatore", por ndonjëherë me vlera të mëdha, nuk do të kërkojë honorare "të majme", si kërkojnë rëndom shumë aktorë profesionistë, ose ata që presin rrogën e bashkisë së qytetit dhe vegjetojnë bashkë me të, pa patur ambicje dhe kërkesa për veten e tyre dhe për kërkesat e spektatorit.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.