Mediat Online, transformimi vetëm sa ka filluar

Postuar në 16 Nëntor, 2012 06:27
Blendi Salaj

Nga e kaluara drejt së ardhmes – Zgjedhjet e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një gazetar i mirë mund t’i ndiqte intensivisht në dy mënyra. Mënyra e parë për gazetarin ishte që të binte dakord me shefat, të mësohej kalendari i eventeve politike, të nxirrej viza, pritej bileta, prenotohej hoteli, merrej avioni, të mbërrihej atje në kohë… Gazetari do duhej të zgjohej shumë herët dhe flinte shumë vonë, do t’i duhej të ngiste me mijëra kilometra të panjohur… e ndoshta do t’i duhej të përballonte edhe një stuhi epike si Uragani Sandy.Mënyra tjetër për t’i ndjekur nga pranë zgjedhjet amerikane është Online. Duhet vetëm një kompjuter i thjeshtë dhe një lidhje e mirë me internetin, dhe para teje zbulohen qindra mijëra artikuj, analiza, kronika, debate, video, intervista dhe reportazhe nga fushata presidenciale amerikane. Mjafton të mësosh të kërkosh dhe interneti kthehet në një minierë të paimagjinueshme informacioni, që të paraqet në çast këndvështrime të ndryshme mbi kandidatët që u përballën në atë betejë të egër, por brilante. I lidhur me internetin ti mund ta përjetosh fushatën amerikane në mënyrën më të thellë të mundshme, sepse je në çdo moment në kontroll të një sasie të patregueshme informacioni.Nëse vendos t’i ndjekësh zgjedhjet online, në çdo kohë mundesh të lexosh opnionet nga The New York Times, të shikosh videot më të fundit nga CNN. Të ndjekësh LIVE debatet presidencialë, apo biseda të thelluara radiofonike në NPR ku analizat e ekspertëve më të mirë qartësojnë gjithçka që luhet në atë skenë të madhe të politikës amerikane. Mund të lexosh mbi marrëdhëniet e Amerikës me botën e jashtme, dhe të mësosh sesi po ndiqen zgjedhjet amerikane nga njerëzit në Pakistan, Kinë apo Brazil.Sigurisht, një gazetar i prerjes së vjetër do të zgjidhte të shkonte atje, në terren dhe t’i prekte zgjedhjet amerikane me duart e veta – por në pamundësi për ta bërë këtë, opsioni i dytë është gjithsesi, i shkëlqyer. Mirësevini në të ardhmen, kur çdo informacion gjendet lehtësisht me disa përplasje të mollëzave të gishtave në tastierën e kërkimit online. Mirësevini në epokën e komunikimit pa kufij.  Interneti është platforma që mund të mbajë lehtësisht brenda vetes çdo gazetë, revistë, televizion apo radiostacion – dhe më shumë se kaq – interneti ka vend për çdo libër, film apo program të prodhuar në historinë e njerëzimit, dhe po u mundëson miliarda njerëzve të bëhen vetë pjesë e këtij shkëmbimi fantastik të dhënash, që disa dekada më parë ishte vështirë qoftë edhe të imagjinohej.Tranzicioni ka nisur qysh rreth dhjetë vjet më parë, kur gazetat e para shqiptare kishin vetëm dy apo tre vjet që kishin hapur faqet e tyre në internet, por sa më shumë kohë kalon aq më i vrullshëm bëhet ky transformim mediatik që po ndodh para syve tanë. Të harruara janë kohët kur redaksitë e gazetave kishin telefonin fiks si mjetin më të avancuar teknologjik, sot çdo njëra prej tyre duhet domosdoshmërisht të jetë e armatosur deri në dhëmbë me kompjutera, lap top, akses në agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, të cilat i furnizojnë gazetarët me të dhëna, imazhe dhe foto nga ngjarjet që ndodhin në mbarë globin.  Mund ta themi me plot gojën, se mediat shqiptare kanë kuptuar plotësisht (më në fund!) rëndësinë e padiskutueshme të prezencës së tyre online, dhe jo vetëm kaq, këto organizata e kanë pranuar tanimë se e ardhmja e gjithsecilit nga ne që jeton me këtë zanat, është online.Por teknologjia ka ndikuar në mënyrë shumë komplekse mbi gazetarinë tradicionale. Nga njëra anë e ka ndihmuar pa masë, por nga ana tjetër ka shkatërruar atë model biznesi që e mbante gazetarinë në këmbë. Dikur ishte e pamundur të hapje një gazetë nëse nuk kishe kapitale të mëdha. Duheshin punësuar gazetarët dhe stafi ndihmës, duhej gjetur godina, pajtuar shtypshkronja, blerë letra, boja, furgonët shpërndarës… Praktikisht ishte e pamundur të çaje në një treg ku gazetat dominuese ishin themeluar mbi 100 vjet më parë. Por sot loja ka ndryshuar. Një gazetar, opinionist apo një qytetar i thjeshtë mund të hapë një blog dhe që aty të raportojë mbi lajmet, të japë opinionet e tij, apo thjeshtë të nisë një bisedë me lexuesit e vet. Blogu nuk kushton pothuajse asgjë, nuk ka nevojë për asistencë teknike, nuk duhen marrë zyra me qira, as printera, as bojë as letër.Blogu nuk ka nevojë për shpërndarje pasi është automatikisht aty ku ndodhet lexuesi, qindra apo mijëra kilometra larg. Por blogu nuk ka pse të jetë një eksperiencë vetmitare. Përvoja na ka treguar se blogjet kolektive mund të funksionojnë shumë mirë. Peshkupaujë është një shembull i zakonshëm që jepet në këto raste, për shkak edhe pse ishte i pari që funksionoi dhe tërhoqi lexues, por ka sot edhe shumë blogje të tjerë shumë të mirë, siPeizazhe të fjalës, apo Respublica e Mustafa Nanos dhe bashkëpunëtorëve të tij në këtë ndërmarrje.Blogu e lejon qytetarin e angazhuar të mos mbesë vetëm duke u ankuar në lidhje me ato që pasqyrohen në media por të marrë edhe një hap proaktiv, të bëhet vetë media. Njëri nga sloganet e parë që ne përdorëm tek Peshkupaujë thoshte pikërisht këtë, “Urren median? Bëhu media?”. Në realitet njerëzit që merren me blogje dhe prodhojnë gazetari online nuk e urrejnë median, përkundrazi, ata kanë një standard të lartë për median dhe hidhnohen me të drejtë kur shohin sesi media ka humbur rrugën e saj, dhe misionin – e është kthyer në vegël të njërit apo tjetrit grup interesi.Problemet që media shqiptare përjeton janë ato që u japin mediave online arsyen për të ekzistuar. Sot jemi dëshmitarë të mënyrës sesi televizione apo gazeta të caktuara deformojnë të vërtetën në bazë të linjës redaksionale që mban pronari i medias apo pronari i pronarit të medias. Ky mjedis, ku më shumë se aftësia për të gjetur lajmin shpërblehet talenti për ta tjetërsuar dhe shtrembëruar atë, bën që shumë gazetarë ta shohin me interes potencialin e hapjes së një blogu, ku nuk ka shefa, linja të përcaktuara redaksionale e të tjera shantazhe që nuk e lejojnë gazetarin të jetë gazetar. Blogu është një proces çlirimi për gazetarin që vendos ta hapë një të tillë. E lejon atë të shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështjet e ndryshme.  Të komunikojë në kohë reale me lexuesit e tij, në një bisedë pa fillim e pa fund që ndodh çdo ditë, e çdo orë, online.Në një këndvështrim personal – Personalisht preferoj që në blog të shkruaj mbi ato gjëra që më bezdisin apo më gëzojnë, për ato ngjarje që më provokojnë mendim apo ato që më provokojnë të vjella. Preferoj të shkruaj ashtu sikur flas, në të nxehtë dhe pa shumë zbukurime. Disa minuta pasi e kam shprehur mendimin tim, një lexues do të lërë një koment ku mund të më mbështesë apo kundërshtojë. Komenti i lexuesit mund të më shtyjë të korrigjohem, të ndryshoj mendim apo ta shoh ngjarjen nga një tjetër këndvështrim. Në këtë mënyrë, duke bloguar edhe unë vetë jam duke ndryshuar opinionin tim, ndërkohë që jam duke ndikuar edhe opinionet e shumë të tjerëve që na lexojnë.Ajo që vë re me keqardhje është se në rrethet e gazetarëve dhe studiot televizive debati mbi blogjet mbetet në nivele shumë të ulëta. Sa herë që kjo temë hapet, shumë kolegë të nderuar nxitojnë të thonë se komentuesit online janë anonimë të paskrupuj që i shajnë dhe tallin në mënyrë mizore – por ndërsa kjo është deri diku e vërtetë, kjo as fillon të përshkruajë se çfarë është një blog dhe një media online.  Përkundrazi, e redukton këtë fenomen që po ndryshon përgjithmonë gazetarinë në një grumbull njerëzish të paedukatë që shkruajnë komente fyes. E duke u munduar të shpjegojmë që gjuha e ashpër e përdorur online është vetëm një pjesëz fare e vogël e së tërës, nuk na jepet mundësia të tregojmë që ne që blogojmë jemi duke hapur dritaret tona mbi botën. Ne nuk pretendojmë të kemi gjithmonë të drejtë, dhe as të jemi busulla morale e kësaj bote.Njëra nga vlerat më të mira të një blogu ndodh të shihet vetëm atëherë kur blogu rresht së qeni një media dhe kthehet në një komunitet. E tillë ishte nata e 21 Janarit 2011, kur mijëra dhe mijëra komentues u mblodhën online për të kërkuar mbështetje tek njëri tjetri në ato çaste kritike. Mbaj mend sa gjatë dhe sa shumë komunikuam në blog atë natë duke u përpjekur të absorbonim shokun e atyre ngjarjeve të paimagjinuara, e duke u përpjekur t’i jepnim kuptim së bashku situatës. Roli i medias vizive atë natë nuk ka nevojë të vihet në dukje pasi është evident. Edhe një herë teknologjia moderne na tregoi me imazhe se çfarë kishte ndodhur vërtetë përpara se versioni i trilluar të bëhej zyrtar.Ne jemi njerëz të interesuar për çështjet, që duam të ndihemi pjesëmarrës në ngjarjet që shënojnë jetët tona, dhe ndërsa komunikojmë intensivisht online, kthehemi në filtra të njëpasnjëshëm që e bëjnë të pamundur për njërin grup apo një tjetër të kontrollojë për cilat çështjesh njerëzit flasin dhe ç’thonë ata mbi këto çështje. Sot, një “opinionist” i kategorisë së mercenarëve e ka të pamundur të mashtrojë ndokënd, pasi çdo orvatje për ta deformuar optikën mbi një çështje do të përballet me mospranimin e publikut aktiv, dhe kundërshtimet e merituara. Shpesh druaj se është pikërisht kjo humbje e mundësisë për të kontrolluar informacionin dhe propaganduar pa pasoja, ajo që i bën shumë nga gazetarët tradicionalë ta ndjejnë median online si një armik kërcënues. Në këtë pikë kanë të drejtë. Kohët kur këta gazetarë (të pandershëm) bënin qejf, po mbaron.Modeli i ri – Modeli i vjetër i gazetarisë përmbante reporterin vetmitar i cili del çdo ditë me një bllok në xhep dhe futet ngado e bën lloj lloj pyetjesh. Reporteri tradicional gërmon e zhbiron, telefonon, ndjek më këmbë apo me makinë, e mbush bllokun plot me të dhëna dhe pastaj kthehet në redaksi me një histori për të treguar. Ky model ende ekziston, por sa vjen e gjendet më rrallë. Mënyra e re e të bërit gazetari duket krejt e ndryshme. Qindra apo mijëra njerëz të zakonshëm mblidhen online dhe tregojnë çfarë kanë parë, çfarë kanë vëzhguar apo si i gjykojnë ngjarjet. Secili sjell një pjesëz të vogël të një mozaiku që kur formohet na jep një panoramë të qartë të lajmit.  Kjo mënyrë e re quhet “Crowdsourcing”, që do të thotë se burimi i informacionit janë masat e mëdha të njerëzve të cilët janë kush më pak e kush më shumë, pjesë e ngjarjeve. Ne jemi dëshmitarë sesi një foto e shkrepur me celular nga një njeri i thjeshtë që u gjend aty, është printuar në faqet e para të gazetave më prestigjoze të kohës sonë. Ne jemi te gjithë dëshmitarë të ngjarjeve të Pranverës Arabe, ku mediat online u bënë mjetet që ndihmuan organizimin e njerëzve për të përmbysur regjime despotike. Dua të përmend edhe sesi media të mëdha si BBC apo CNN përdornin blogerët e fshehtë të Teheranit për të mbledhur informacion mbi protestat të cilat regjimi nuk i pasqyronte dhe as lejonte qe gazetarët e huaj t’i pasqyronin. Lexuesi i nderuar i këtyre rreshtave duhet ta ketë parë videon e dhimbshme të xhiruar me telefon celular në qershor të vitit 2009, në të cilën pamë sesi një vajzë e bukur iraniane, studentja protestuese Neda Aga Sultan vdiq në një trotuar e qëlluar nga forcat e sigurisë. Ajo video u pa nga dhjetëra miliona njerëz në mbarë botën dhe fitoi çmimin “George Polk” në videografi atë vit. Ishte një video e xhiruar nga një protestues i pranishëm, që nuk kishte praktikuar kurrë profesionin e gazetarit.Natyrisht, nuk mund të ketë gazetari pa gazetarë, ndaj dhe “Crowdsourcing” nuk duhet parë si një zëvendësim për gazetarinë e mirëfilltë. Në fund të ditës do të na duhen gjithmonë ata gazetarët heronj, që përballen me sfida dhe rreziqe të shumta për të na sjellë lajmin, por falë teknologjisë këta gazetarë sot mund të kenë në krahë edhe mijëra qytetarë të interesuar për të ndihmuar median e brishtë shqiptare të realizojë misionin e saj.Në fund duhet ta përmbledhim duke thënë se mediat online dhe zhvillimet teknologjike jo vetëm që po ndryshojnë median por po ndryshojnë edhe mënyrën sesi ne i mendojmë mediat. Në të shkuarën mediat ishin institucionet e pushtetshme elitare që ishin të vetmet të cilat kishin në dorë të ndërtonin dhe kontrollonin opinionin publik, apo të vendosnin se cili informacion është lajm, e cili jo. Sot janë njerëzit e zakonshëm ata të cilët mund të mbledhin informacion, ta shpërndajnë dhe komentojnë. Në këtë mënyrë publiku mund të ndikojë median, duke i treguar ai asaj se çfarë është lajm. Dhe ky është vetëm fillimi, të ardhmen, realisht, modestisht, as nuk e imagjinojmë dot.Marrë nga peshkupauje.com

Comments

Submitted by Ani (not verified) on

<p>Nje shkrim vertet shume i mire ne lidhje me mediat online dhe blogjet. E rekomandoj sepse jo vetem qe eshte interesant dhe rrjedh ne lexim.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.