Mbi vlerat e vërteta të drejtuesve

Në votimet e para pas komuniste, por edhe në ato të mëpasshmet, në biografitë që jepeshin për kandidatët për deputetë thuhej pak a shumë se filanfisteku dinte kaq e aq gjuhë të huaja (më injoranti, dinte të paktën dy), se kishte ndjekur këtë apo atë universitet të famshëm (nganjëherë edhe dy njëherësh), se kishte mbaruar shkëlqyeshëm, se kishte bërë kaq apo aq tema shkencore, se kishte botuar artikuj shkencorë në revista të vendit dhe të huaja, se kishte shkruar kaq e aq libra, se kishte marrë këta apo ata tituj shkencorë e medalje të ndryshme e të tjera si këto. Edhe sot, pas më se 20 vjetësh, jo vetëm për kandidatët për deputetë, por edhe për ministra, madje edhe për Presidentin e vendit, thuhen të njëjtat gjëra. Për anë të tjera: për anë të mendimeve e të mendësisë, për anë të parimeve, për anë të karakterit, për anë të moralit, për anë të qytetarisë, asnjë fjalë. Jo, këto gjëra nuk thuheshin atëherë, por nuk thuhen edhe sot dhe më e keqja është se këto gjëra nuk i kërkon njeri, nuk i kërkon populli.
Më 13 shtator, në gazetën “Panorama”, u dhanë jetëshkrimet e ministrave të rinj të kryeministrit Edi Rama, natyrisht, të përgatitura nga PS-ja. Në to jepeshin kryesisht emrat e ministrave, datëlindjet, bashkëshortet apo bashkëshortët që kanë, numri i fëmijëve që kanë lindur dhe emrat e tyre, shkollat që kanë kryer dhe diplomat e medaljet që kanë marrë, punët që kanë kryer deri sot. Jetëshkrimet mbyllen me gjuhët e huaj që zotërojnë. Të them të drejtën, ato jetëshkrime, që unë besoj se duhet të kenë për qëllim që populli të njohë ministrat e tij, drejtuesit e tij, në atë formë skematike që jepeshin, m’u dukën thjesht si për t’u larë me një detyrë burokratike. Ato që jepeshin nuk të jepnin asnjë ide mbi vlerat e vërteta të drejtuesve të rinj.
Nuk di për të tjerët, por mua, si shtetas i këtij vendi që do të ketë për ministra këta persona, nuk më intereson fare të di se kë ka për grua ky apo ai ministër e se sa fëmijë ka, sepse këto s’kanë asnjë rëndësi për punën që do të kryejë ministri. Nuk mund të themi, për shembull, se Spartak Ngjela nuk bën për ministër, sepse nuk ka as grua e as fëmijë, ai mund të mos bëjë për arsye të tjera, por jo se është i pamartuar. Po, më intereson të di emrat e fëmijëve, sepse me to kuptoj se sa të lidhur janë ata me vendin dhe traditat e vendit. Kur shoh që ministrat u kanë vënë fëmijëve të tyre emra si Greg, Stiv, Johan, Erik, Megi, Livia, Kejsi, Betina, Franko, Sara, Tom, Deborah, Klajd, Bjorn, Telma, kuptoj se ata ose nuk janë të lidhur me vendin dhe popullin e tyre, ose kanë tendenca të forta snobizmi. Dhe kur lexoj, siç lexova, nga një intervistë e gjatë që gazeta “Shqiptare” kryen me Seifi Protopapën, pra me Sali Porotopapën, me personazhin ballist aq të denigruar në filmin “I teti në bronz” nga shkrimtarët dhe artistët e realizmit socialist, që megjithëse i larguar nga Shqipëri për afro 70 vjet, i martuar me një estoneze, ia vë emrin vajzës së tij Drita, një emër aq shqiptar dhe aq kuptimplotë, kuptoj se ai ka një përmasë shqiptare shumë më të fortë se ajo që kanë ata që e denigruan, apo se ministrat e sotëm.
Mua, si shtetas i këtij vendi, që do të ketë për ministra këta persona, gati nuk më interesojnë fare shkollat që kanë kryer, diplomat e medaljet që kanë marrë ata. Janë me mijëra e mijëra shqiptarë që diplomohen çdo vit nga universitetet tona dhe nga universitete të huaja, por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata janë të aftë për ministra. Presidenti amerikan Harry Truman nuk kishte diplomë universitare, megjithatë mbahet si një nga presidentët më të mirë amerikanë. Nuk them se shkolla është e panevojshme, por them se shkolla nuk është përcaktuese për një drejtues të mirë dhe, për më tepër, me shkollat e kryera dhe me kualifikimet e marra abuzohet shumë. Nuk mund të themi, për shembull, se as Zogu, as Enveri dhe as Sabri Godoja nuk bënin për drejtues, sepse nuk kishin diploma universitare, pa le më diploma masteri a medalje të arta. Ata mund të ishin politikanë a shtetarë të këqij për arsye të tjera, por jo për mos pasjen e një diplome universitare. A nuk ishte tejet i kulturuar Fan Noli dhe, megjithatë, u tregua fare i pazoti në politikë. A nuk kishte diplomë universitare dhe kualifikime të shumta Sali Berisha? Por, ç’pamë prej tij? Ato që nuk do të shihnim as nga më xhahili. Po të lexosh pak nga biografia e Jozefina Topallit në Wikipedia, mëson se ajo ka mbaruar për matematikë e për juridik nga Universiteti Luigj Gurakuqi i Shkodrës, se ka mësuar për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Padovas në Itali, se ka marrë shkallën master për administrim publik nga Universiteti i Tiranës dhe më pas ka marrë edhe shkallën PhD nga po ai universitet. Thuhet në biografi se njeh mirë gjuhët angleze, italiane, ruse dhe franceze. A ka ç’të arrijë më shumë në kulturë një njeri? Po, përse e shfrytëzoi Josefina atë “kulturë”? Vetëm për t’u bërë subjekt i emisioneve humoristike.
Mua më duket se cilësi të tjera u duhen vënë në dukje drejtuesve, atyre që do të kenë në dorë fatet e vendit dhe të popullit e midis tyre edhe ministrave. Mua si popull, që do të drejtohem prej tyre, më interesojnë disa karakteristika të qytetarisë së tyre, të karakterit të tyre, të moralit të tyre, të parimeve të tyre, të mendimeve të tyre për probleme të caktuara, apo për probleme që përfshihen në sektorët që do të drejtojnë.
Vendi ka shumë probleme të cilat kërkojnë zgjidhje. Çdo fushë e veprimtarisë njerëzore në Shqipëri kërkon ndryshime. Problemet e korrupsionit, të drejtësisë, të shëndetësisë, të gjakmarrjes, të papunësisë, të pronave, të ish-të persekutuarve të komunizmit, të kriminalitetit, të arsimit, të Akademisë së Shkencave, të largimit nga komunizmi, sidomos, në mentalitet e në praktikë, të gjitha kërkojnë qasje të reja, të ndryshme e të kundërta nga ato të derisotmet. A dihet ndonjë mendim i mëparshëm personal i ministrave i ndryshëm apo plotësues i mendimit të shefit të tij për këto probleme?
Unë për veten time nuk di ndonjë nga ministrat që të ketë pasur dhe të ketë shprehur ndonjë mendim origjinal, përveçse mbështetjes pa kushte të mendimeve të shefit. A ka shprehur ndonjë ministër ndonjë ide personale për të luftuar korrupsionin? Sabri Godoja, pavarësisht se ç’fuqi kishte dhe se sa i sinqertë ishte, të paktën e dha një herë e një kohë një mendim, për mendimin tim, efikas për të luftuar korrupsionin. Ai tha pak a shumë: secili nëpunës i shtetit që kapet duke kryer një veprim korruptiv, nuk duhet të ketë më kurrë vend në punët shtetërore, përveç dëmshpërblimit që duhet të kryejë kundrejt shtetit apo të dëmtuarit privat.
Për një drejtues, karakteri është vërtet i rëndësishëm. Një udhëheqës mund të ketë shumë mangësi e megjithatë të drejtojë, por kur atij i mungon karakteri, ai nuk vlen. Pegi Nunan (Peggy Noonan), një nga ndihmëset kryesore të Presidentit Amerikan Regan, shkruante kështu për vlerën e karakterit dhe moralit që duhet të ketë drejtuesi, presidenti: “Te një president karakteri është gjithçka. Presidenti nuk ka nevojë të jetë i shquar. Ai nuk ka nevojë të jetë shumë i zgjuar, ai mund të punësojë të zgjuar… ai mund të punësojë apo të blejë njerëz pragmatikë dhe politikanë të zotë. Por ai nuk mund të blejë kurrë kurajën dhe fisnikërinë, ai nuk mund të marrë me qira një ndjenjë të fortë morali. Udhëheqësi (Presidenti) duhet t’i sjellë këto me vete.”
Për asnjë ministër nuk përmendet ndonjë akt që të vejë në dukje kurajën morale të tij, ndonëse morali është elementi kryesor që duhet të ketë çdo njeri dhe sidomos udhëheqësi.
Udhëheqësi duhet të jetë shembull moral që të mund të frymëzojë e të drejtojë të tjerët. Në atë rast ai mund të ketë autoritetin e nevojshëm për t’u kërkuar të tjerëve ta ndjekin. Udhëheqësi duhet t’u kërkojë të tjerëve vetëm ato që ai i kryen vetë më parë. Një udhëheqës që vjedh, nuk mund t’u kërkojë të tjerëve të mos vjedhin; një udhëheqës që gënjen, nuk mund t’u kërkojë të tjerëve të mos gënjejnë; një udhëheqës që vret, nuk mund t’u kërkojë të tjerëve të mos vrasin, një udhëheqës i korruptuar, nuk mund të luftojë korrupsionin, por një udhëheqës që bën vetë më të vështirën dhe më të moralshmen, ka të drejtë t’u kërkojë të tjerëve të njëjtën gjë.
Udhëheqësi duhet të dallohet nga qytetaria. A dihen qëndrimet që kanë mbajtur ministrat ndaj ligjeve të shoqërisë apo ndaj shtresave më në nevojë: ndaj të sëmurëve dhe të gjymtuarve, ndaj jetimëve, ndaj të moshuarve, ndaj të pastrehëve etj., apo qëndrimet që kanë mbajtur ndaj atyre që kanë thyer ligjet e vendit, ndaj grabitësve të pronave, ndaj të korruptuarve, ndaj kriminelëve?
Shikoni Sali Berishën. Përveç parimit, karakterit, moralit dhe qytetarisë që nuk i kishte, kishte të gjitha të tjerat që mund t’i duhen një udhëheqësi. Por pikërisht mungesat e para e bënë atë të bëhej udhëheqësi më i keq në 100 vitet e shtetit shqiptar. Populli nuk duhej të gabohej e të pranonte si udhëheqës Sali Berishën që në ditët e para të ndërrimit të sistemeve, jo sepse ai kishte qenë komunist, por sepse ai kishte qenë komunist i një lloji të veçantë, ai kishte qenë një komunist servil që të bënte gjëmën kur e dinte se ajo iu pëlqente shefave të tij më të mëdhenj.
Hannah Arendt, në librin e saj “Mbi dhunën,” thotë: “Instinkti i nënshtrimit, pranimi për t’u bindur dhe për t’u komanduar, sidomos politikisht nga një më i fuqishëm, vihet re aq qartë në psikologjinë e njeriut, sa dhe vullneti për fuqi dhe se tek njerëzit me prirje për t’u bindur, vihet re edhe prirja për të bindur dhe nënshtruar të tjerët, për t’u bërë diktatorë. Përkundrazi, njerëzit që nuk binden lehtë, ata që mund të quhen rebelë, nuk kanë dëshirë dhe prirje për të bindur apo nënshtruar të tjerë, nuk kanë prirje diktatoriale. Ai që do lirinë e tij, do edhe lirinë e tjetrit”.
Edi Rama duhej të kishte vënë në poste ministrash jo vetëm ata që e kishin përkrahur në çdo mendim, por edhe ata që kishin dhënë mendime të ndryshme prej të tijat për probleme të veçanta, e që më pas kishin rezultuan si të drejta, jo vetëm për mprehtësi dhe largpamësi politike e profesionale të tyre, por, sidomos, për kurajën morale që patën për të shprehur mendimet e tyre jokonformiste, madje, mund të kishte lënë në rolin e ministrit edhe ndonjë nga ministrat më të mirë të Sali Berishës, ashtu siç bëri Presidenti Obama me ministrin e mbrojtjes të kohës së Xhorxh Bushit, me Robert Geitin (Gate), të cilin e la po në postin e Ministrit të Mbrojtjes, apo siç kishte bërë para tij presidenti Abraham Linkoln.
Kur shpalli kabinetin ministror, Linkolni vuri Sekretar të Mbrojtjes Edwin Stanton, një person që kishte bërë fushatë të fuqishme kundër tij gjatë zgjedhjeve. Atyre që e kundërshtuan për atë zgjedhje dhe i përmendën veprimet e Stantonit, Presidenti u tha: “Unë i di të gjitha këto, kam lexuar për to, e kam dëgjuar vetë, por, pasi kërkova kudo në vendin tonë, kuptova se ai ishte personi më i përshtatshëm për atë punë”. Dhe me të ai fitoi luftën me Jugun dhe pas saj, ai tha se Amerika duhej të ndiqte rindërtimin e saj “Pa të keq kundër askujt, me mirëdashje ndaj gjithkujt”.
Kur të ndodhnin këto, kur të tregonim pa ndrojtje idetë, karakterin, qytetarinë dhe moralin e ministrave, kur Edi Rama të tregonte cilësitë më të mira të një udhëheqësi të fuqishëm e të urtë, udhëheqës që është gjithnjë edhe tolerant, kur të largohej sa më shumë nga modeli drejtues i Sali Berishës, nga modeli i urrejtjes primitive dhe luftës asgjësuese ndaj kundërshtarit, apo atij që e konsideron kundërshtar, do të kishim më shumë të drejtë të flitnim për një rilindje të vërtetë.
Comments
Ilir !Kjo qe thua ti se
<p> Ilir !Kjo qe thua ti se Sabri Godo e kerkonte si ndeshkim per te korruptuarit eshte ne Kodin Penal dhe ishte qysh ne 1995 ne Ligjin per sherbimin Civil dhe ne vendimet e tij per Disiplinen. Pergjithesisht nuk u zbatuan pastaj pas 1999 kur ndrushuan Ligjin u zhduk kjo mas disiplinore.</p>
Mire eshte shtruar problemi
<p>Mire eshte shtruar problemi ne pergjithesi, edhe referencat apo shembujt ndihmojne argumentin....por, por , ne fund te fundit, me gjithe kete argumentimin edhe autori jo se arrin ne nje te vertete perfundimtare ... Pra edhe autori nuk pohon dot, se u be gabim kjo apo ajo zgjedhje , apo eshte e gabuar strategjia e perzgjedhjes. Me nje fjale gjithe aresyetimi ndertohet duke e pare problemin me syze te erreta.... semundje nga e cila vuajne shumica e analisteve te sotem...Ne njerezit e thjeshte e ndjejme dhe shohim qe gjendja eshte e veshtire ....por me e pakta qe duhet te degjiojme nga analistet , eshte nje fare optimizmi, te pakten ne tri kater muajt e pare te qeverisjes.</p>
Add new comment