Marrja e rolit të xhelatit

Postuar në 11 Korrik, 2013 16:39
Albin Kurti

Para një viti lajmet dominoheshin nga premtimi qeveritar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Më 10 shtator 2012 trumbetohej se si Kosova tash e ka pavarësinë e plotë dhe se u hoq mbikëqyrja ndërkombëtare. Sot, jo vetëm që nuk kemi pavarësi të plotë, por u vërtetua plotësisht ajo që thoshim ne të VETËVENDOSJE!-s: së pari, mbikëqyrja po hiqet për të filluar dialogu politik për veriun, me ç’rast Pieter Feith do të duhet të shkonte në dialog nëse nuk shkon nga Kosova, sepse ai ishte kreu i vërtetë i shtetit dhe i qeverisë e jo Jahjaga apo Thaçi; dhe, së dyti, tash e tutje mbikëqyrja joformale do të jetë edhe më e rëndë sesa ajo zyrtare. Ndikimet ndërkombëtare për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë dhe për projektligjin për amnisti janë edhe më të rënda sesa para 10 shtatorit të vitit 2012. Ashtu qysh zgjedhjet për këtë Kuvend nuk ishin të lira, edhe zgjedhjet në këtë Kuvend nuk janë të lira.
Në memorandumin shpjegues të këtij Projektligji thuhet që amnistia bëhet duke pasur parasysh rrezikshmërinë e ulët të personave që amnistohen. Mirëpo, këtu kemi një kundërthënie logjike: rreziku ka të bëjë me qëllimin e synimin e kriminelëve, ndërkaq këtu kriminelët amnistohen për nga pasoja , pra, nëse kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore ose vrasje. Nëse dikush ka shkaktuar lëndime të lehta trupore ose dëme të mëdha materiale sikurse ato nga zjarrvëniet, kjo nuk do të thotë që ai është i parrezikshëm, por që nuk ka qenë i suksesshëm në atë moment, për fatin e mirë të atyre që u sulmuan.
Ky Projektligj shpreh kufizim vetëm te rastet që kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore ose vrasje. Ata që janë sulmuar për t’u vrarë, por kanë pësuar lëndime trupore që nuk cilësohen të rënda, do të amnistohen. Pra, marrëdhënia e këtillë e shtetit të Kosovës me kriminelët, jo vetëm në veri, është e organizuar rreth efikasitetit të kriminelëve e jo vlerave të republikës e normave të drejtësisë.
Janë bërë edhe kërkesa që ky Projektligj duhet të kufizohet vetëm në ato tri komuna e gjysmë në veri. Mirëpo, porsa ta lexoni marrëveshjen 15 pikëshe Thaçi- Daçiq e kuptoni që kjo nuk është e mundur: asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm i komunave në veri të Ibrit, por gjithandej nëpër Kosovë; dhe, strukturat kriminale e armiqësore të Serbisë ka anekënd Kosovës e jo vetëm në veri. Prandaj, ky Projektligj nuk është i kufizuar në territorin e komunave në veri. E, natyrisht që këtu po i kontrabandojnë edhe krimet e Xhabirave për t’i amnistuar. Kjo Qeveri është Qeveri e kontrabandës. Ajo kontrabandon mallra në treg e njerëz në politikë, ligje në Kuvend e marrëveshje me Serbinë në shtet.
Pardje, pra të martën, pas takimit me Baroneshën Ashton në Beograd, kryetari i Serbisë, Nikoliq, pati një konferencë të përbashkët me të e ku ishte edhe kryeministri i Serbisë, Daçiq. Aty Nikoliq deklaroi që për të kërkuar diçka nga Serbia duhet t’i jipet njëherë diçka asaj. Dhe, vetëm dy minuta më herët gjatë fjalës të tij, ai kishte thënë që bashkësia serbe do ta ketë policinë e vet, komandantin e vet rajonal i cili do të jetë nën jurisdiksionin e Prishtinës, aq sa është edhe komandanti i Rashkës nën jurisdiksionin e Prishtinës! Pra, brenda të njëjtës fjalë të tij pesë minutëshe ai thotë dy gjëra interesante: në njërën anë thotë që komandanti rajonal për veriun do të jetë nën jurisdiksionin e Prishtinës, aq sa është komandanti i Rashkës, dhe në anën tjetër ai thotë se nuk mund t’i kërkosh diçka Serbisë pa i dhënë njëherë. Afër tij ishte edhe kryeministri Daçiq e këtyre të dyve po i beson kryeministri Thaçi, i cili po merret vesh me ta. Amnistia e strukturave të Serbisë në veri po ndodh pa u bërë çarmatosja e demilitarizimi në veri të Kosovës. Mos harroni që në veri të Kosovës ka më shumë armatim sesa në të gjithë Kosovën. Duke amnistuar krimet e Serbisë, më parë sesa integrim të veriut në Kosovë do të kemi integrim të Kosovës në veri.
Pas takimit me Baroneshën Ashton, Thaçi tha se kjo amnisti i afron e i pajton njerëzit! Kjo ka kuptim vetëm nëse konsiderohet që kriminelët serbë paskan pasur të drejtë të jenë të hidhëruar, dhe tash pasi që i falin, ata do të pranojnë të pajtohen me shqiptarët! Me këtë qasje, kryeministri Thaçi po e kriminalizon rezistencën ndaj Serbisë dhe luftën tonë çlirimtare. Thaçi po synon pajtim. Mirëpo, historia na e dëshmon që kërkesa për pajtim është kërkesë e xhelatit dhe jo e viktimës. Në asnjë situatë, në asnjë kohë, nuk është viktima ajo që kërkon të pajtohet me xhelatin, por është xhelati ai i cili kërkon të pajtohet me viktimën. Thaçi po e merr rolin e xhelatit kur kërkon pajtim dhe këtë po e bën në emër të gjithë Kosovës.
Ky kryeministër ka qejf të na e përkujtojë vazhdimisht qysh NATO-ja na e paska shpëtuar Kosovën. Le ta marrim për të mirëqenë këtë përshtypje, pa rezervë. Mirëpo, sot NATO-ja nuk mund ta shpëtojë Kosovën. I vetmi njeri që mund ta shpëtojë Kosovën është kryeministri Thaçi. Vetëm kryeministri Thaçi mund të na e shpëtojë Kosovën. Vetëm ai mund të bëjë diçka që nuk e bën dot as NATO-ja, as BE-ja e as SHBA-ja. Mirëpo, për këtë qëllim madhor kryeministri Thaçi duhet ta bëjë një akt madhor - të shkoj në burg. Përderisa ai është në lirë Kosova vetëm sa do të fundoset. Kryeministri në burg, shpëton Kosova. Kryeministri në liri e në pushtet, fundoset Kosova. Prandaj, unë i bëj thirrje kryeministrit Thaçi të shkojë e të dorëzohet te EULEX-i, të cilin vetë e ka ftuar, ose, edhe më mirë, le të shkojë te prokuroria e Kosovës dhe të rrëfehet aty gjerë e gjatë për të gjitha krimet e gjithë korrupsionin që e ka bërë. Sulmet mbi Kosovën do të ndalen, nuk do të jetë aspak e domosdoshme të bëjmë dialog me Serbinë pa kushte për Serbinë e për çështje e të brendshme të Kosovës . Ky kryeministër i korruptuar e i shantazhuar është edhe mundësia edhe kushti i këtij dialogu makabër me Serbinë, që po na e bosnjëzon Kosovën.
Dëshmorët e patën sakrifikuar veten për Kosovën, ndërkaq Thaçi po e sakrifikon Kosovën për veten e tij. Pra, Thaçi është anti-dëshmor. Të këqijat kryesore në Kosovë ndodhin vetëm që Thaçi të mos shkojë në burg. Edhe privatizimet e egra, ku shiten ndërmarrjet më lirë se falas, edhe koncesionet e panumërta ndaj Serbisë, të gjitha këto bëhen vetëm dhe vetëm që Thaçi të mos shkojë në burg. Edhe gjahu e persekutimi ndaj ish- pjesëtarëve të UÇK-së ndodh pikërisht pse ky kryeministër nuk merr përgjegjësi. Nuk ka burg në Kosovë që nuk ka pjesëtarë të UÇK-së. Në burgun e Hagës nganjëherë kishte më shumë shqiptarë sesa serbë. Gjithnjë për shkak se ky kryeministër do pushtet lartë pa përgjegjësi poshtë.
Në një intervistë me gazetaren Jeta Xharra para disa viteve, kur ajo iu drejtua kryeministrit me nofkën “komandant gjarpri”, ky tha: jo, s’kam qenë komandant, jam marrë me politikë si drejtor i drejtorisë politike. Qerthulli vicioz në Kosovë është ai i kryeministrit mizor ndaj qytetarëve dhe servil ndaj ndërkombëtarëve, i cili anash e ekspozon UÇK-në ndaj EULEX-it. Kjo është ajo që po e tjetërson edhe të kaluarën e Kosovës se lërë më që po e errëson të ardhmen.
Qëndrimi që duhet të votohet ky Projektligj për amnisti për shkak se kjo parashihet në planin e zbatimit nuk është i qëndrueshëm. Plani i zbatimit nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Plani i zbatimit është miratuar vetëm në Qeveri në e Kosovës. Prandaj, ka kuptim kur vetëm ndonjë qeveritar thotë miratojeni Projektligjin për amnisti për shkak se e kemi kaluar në Qeveri. Mirëpo, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe aq më pak deputetët opozitarë nuk do të duhej kurrsesi të thonë që ne po e miratojmë këtë Projektligj, për shkak se është në planin e zbatimit. Plani i zbatimit është plani i zbatimit të Thaçit jo i yni.
Sot në këtë Kuvend nuk ka demokraci. Fakti, që kemi ardhur në situatë ku duhet të votojmë PËR ose KUNDËR këtij Projektligji kriminal tregon se sa poshtë ka rënë Kosova dhe dëshmon që këtu nuk ka demokraci. Prandaj, sot asnjëri deputet nuk i përfaqëson as qytetarët dhe as votuesit. Asnjëri prej jush nuk ka folur në fushatë e nuk e ka në program një këso projektligji. Prandaj, këtu sot kemi dy lloj deputetësh,varësisht sesi do të votojnë: deputetët e krimit dhe deputetët kundër krimit!

Comments

Submitted by anticensurë (not verified) on

për të gjitha ato që thua ke të drejtë!e vetmia që e ke gabim është "Baroneshën Ashton"!

në asnjë agjensi europiane ajo nuk quhet "Baronesha Ashton",ajo është Z.Ashton!!baroneshllëkun e ka në shtëpi të vet ose në pritjet mondane jashtë spektrit të punës së saj!!

përdorimi i këtij titulli që ska të bëjë me veprimtarinë e saj,nuk është gjë tjetër vetëm një shprehje e inferioritetit tënd!!!këtë e kaë shumë analistë dhe politikanë shqiptarë!!

jepini njeriut atë emër sipas vëndit ku zhvillon veprimtarinë e tij dhe as mos e ngrini e as mos e ulni!!

Submitted by Daku (not verified) on

Baronesha Ashton e therrasin ne Kosove. Po ti "anticensura" nga gjithe artikulli, vetem titullin e znj. Ashton filtrove? E lexove artikullin? Se nuk e po e marrim vesh kush eshte inferior, Kurti apo ata qe amnistuan Serbine?

Submitted by anticensurë (not verified) on

"për të gjitha ato që thua ke të drejtë!e vetmia që e ke gabim është "Baroneshën Ashton"!"kështu fillon shkrimi tim!

unë e kam lexuar or dak,prandaj e filloj me :"për të gjitha ato që thua ke të drejtë!"!

tashti tëbëj pyetjen ty: a e ke lexuar çfarë kam shkruar unë?????

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.