Mafia dhe bandat: Një histori bashkëjetese me Institucionet e Zbatimit të Ligjit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6572_policia-fier.jpg?itok=TWWEewio)
Kur media e Tiranës dha lajmin se ishte arrestuar një i dyshuar si vrasës me pagesë, nje dritë e vogël shprese u ndez në fund të tunelit. Sepse janë me qindra e qindra vrasjet gjatë këtyre 23 viteve të cilat nuk janë zbardhur, vrasje tipike mafioze: që nga atentatet blic, tek vrasjet me tritol në ashensor, makina dhe shtëpi, pa harruar edhe vrasjet e tipit masakrues që përçojnë në opinionin publik mesazhe të qarta frike dhe terrori. Në të vërtetë krimi i vrasjes me karakter mafioz në Shqipëri nuk mund të vlerësohet si një fenomen i ri për shoqërinë tonë, pasi ai ka egzistuar edhe para viteve 1990, por pothuaj në të gjitha rastet ky lloj krimi është menaxhuar nga strukturat e ngritura nga Sigurimi i Shtetit. Vetëm krimet me karakter aksidental, vrasjet për motive të dobëta, vrasjet për arsye morali ose siç quhen ndryshe krimet e nderit nuk janë administruar ose thënë ndryshe nuk janë menaxhuar nga shteti shqiptar. Në këtë përfundim mund të arrihet duke patur parasysh me mijëra të zhdukurit, vrasjet dhe pushkatimet pa gjyq, njerëz që kanë me 30, 40, 50 vite që akoma nuk janë gjetur ku janë; nuk kanë një varr, ata thjeshtë janë zhdukur sikur nuk kanë egzistuar kurrë. Duke mos patur si qëllim që ky shkrim të merret me një hapësirë kaq të madhe kohore, është e udhës të cilësohet se realisht vrasjet në diktaturën komuniste ashtu siç kanë karakter politik, kanë edhe karakter të thjeshtë mafioz, që të ndërthurura me politikën, i kanë shërbyer pikërisht kësaj të fundit, për të mbajtur nën kontroll element të caktuar të shoqërisë, me mjete dhe metoda thjesht mafioze. Lista është shumë e gjatë, por mjaftojnë vetëm pak shembuj për të vertetuar krimet e pashembullta të Sigurimit të Shtetit:
”Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja”, Kastriot Dervishi, Shtëpia Botuese 55, Tiranë
Rrëfimi i Themi Bares: Si i fshihte Sigurimi i shtetit të vrarët pa gjyq që mbeteshin pa varr, Panorama, 12 Tetor 2012
Suksesi i shtetit shqiptar me krimin klasik (vrasjet për motive të dobëta, krimet e pasionit, të nderit, hakmarrja dhe gjakmarrja) është thjesht një arritje që rëndom është karakteristikë e të gjitha diktaturave, aq më shumë e diktaturës komuniste shqiptare, që shquhet për egersinë e saj. Ajo kontrollonte gjithçka, nga jugu në veri, në qytete dhe në fshatra, në institucione, shkolla, ushtri, ndërmarrje ekonomike: shkurt çdo qelizë të shoqërisë tonë.
Rrjedhimisht, duke patur këtë tablo të kontrollit të gjithçkaje, zhdukjet pa nam dhe nishan e shumë personave gjatë 50 viteve, vdekjet e dyshimta dhe aksidentale, vrasjet e emigrantëve politikë shqiptarë në perëndim, mund të arrihet në përfundimin se këto krime janë kryer nën kujdesin dhe menaxhimin e plotë të Sigurmit të Shtetit. Egzistenca e një strukture vrasësish të mirë organizuar, të trajnuar dhe me liçensën e shtetit për të vrarë, megjithëse asnjëherë nuk është pranuar zyrtarisht (nuk është pranuar akoma nga asnjë qeveri shqiptare e viteve te demokracisë) është vertetuar nga Agim Hamiti, me librin ”Odiseja e një dedektivi”.
Mafia dhe krimi pas vitit 1990
Kurba e zhvillimit të krimit në Shqipëri në fillim të viteve 1990 merr një zhvillim të jashtëzakonshëm. Për vet rrethanat shoqërore dhe politike që kalonte vendi, rënia e shtetit dhe e ligjeve të diktaturës, papunësia dhe skamja sollën një shpërthim të paparë të krimit të të gjitha llojeve. Grabitjet, dhuna, vrasjet për arsye nga më banalet deri tek ato me karakter hakmarrjeje dhe gjakmarrje u bënë të zakonshme në përditshmërinë tonë. Megjithë disa dënime të forta (dënimi dhe egzekutimi me vdekje në litar i dy vëllëzërve nga Fieri pasi kishin shuar një familje të tërë gjatë një grabitje) nuk mundën të frenojnë krimin e vrasjes. Por përmasat e llahtarshme të krimit do të vinin pas vitit 1997, kur mijëra armë dhe municione u grabitën nga depot e ushtrisë. Pas këtij viti lind edhe krijimi dhe konsolidimi i grupeve kriminale famëkeqe si Grupi i Zani Caushit në Vlorë, i Gaxhait dhe i Kakamit, i Altin Dardhës dhe Ilir Pajës në Berat, i Aldo Bares në Lushnje, i Lulëzim Berishës dhe Indrit Dokles në Durrës dhe Tiranë, i Denis Ginës në Tiranë, i familjes Haklaj në Tropojë, grupi i Nehat Kullës në Tiranë, banda e ”Mandelës” dhe banda e Kateshit në Elbasan, grupi Hakmarrja për Drejtësi (një grup ky i strukturuar si një organizatë terroriste politike) etj etj. Lista është shumë e gjatë, por ky shkrim nuk ka si qëllim evidentimin e këtyre grupeve kriminale, por vetëm studimin e fenomenit të krimit mafioz dhe politik në Shqipëri.
Për të kuptuar terrenin dhe mjedisin ku lindi dhe u rrit ky lloj krimi, është e nevojshme të shikohet panorama e situatës politike dhe ekonomike. Tirana si qytet metropol u bë qendra dhe graviteti ekonomik i krejt Shqipërisë, më mijra e mijra të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit. Pa plane zhvillimi, të papërgatitur për një fluks migrator brenda vendit me të tilla përmasa, pa strukturat e nevojshme të luftës kundër krimit, kryeqyteti shqiptar do të bëhej edhe kryeqyteti i krimit në Shqipëri. Po ashtu edhe aksi Tiranë- Durrës- Vlorë, përgjatë gjithë vijës bregdetare në jug, Shkodra, Kukësi dhe Tropoja në veri, do të ishin vatrat më të nxehta të krimit dhe aktivitetit të këtyre grupeve të mirëfillta mafioze. Veriu i Shqipërisë, gjatë konfliktit në ish Jugosllavi, lufta në Bosnje dhe Kosovë, pastaj në Maqedoni, ishte një katalizator i mirë për trafiqe të të gjitha llojeve. Gjithçka që siguronte shumë para, droga, armët, prostitucioni, grabitjet, gjobat dhe zhvatja janë punët më të zakonshme të krimit në Shqipëri. Vrasjet tashmë janë bërë përditshmëri e rëndomtë, me të gjitha mënyrat, me të gjitha mjetet, me të gjitha format. Pikërisht në vitet 1997-1998-1999-2000, bëmat e këtyre bandave dhe kriminelëve marrin përmasa të frikëshme
Viktima të krimit janë pothuaj të gjitha shtresat e popullsisë, duke filluar që nga femijët e mitur, gratë dhe vajzat dhe të gjithë ata që kundërshtonin sadopak dhunën ose bëheshin pengesë për kriminelët. Janë me mijëra vajza dhe gra të trafikuara me dhunë për qëllime prostitucioni, janë me qindra fëmijë të trafikuar për qëllime prostitucioni dhe lypjeje, janë me mijëra biznese të grabitura me dhunë, të zhvatura me shantazhe, grabitje personi dhe mbajtje peng me qëllim dhënie pasurie, vënie gjobash, vjedhje dhe grabitje. Trafiku i drogave, me origjinë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë ka qënë dhe mbetet aktiviteti kryesor i mafias shqiptare. Në këtë mjedis të dominuar totalisht nga mafia dhe krimi i organizuar, reagimi i shtetit është pothuaj jo egzistent.
Shteti dhe njerëzit e ligjit, drejtësia dhe politika
Në gjithë këtë tablo të gjendjes së krimit në Shqipëri, gjatë 23 viteve të demokracisë shqiptare, shteti, ligji dhe politika jo vetëm që nuk e kanë luftuar atë, por kanë qenë dhe janë bashkëpuntorë dhe përfitues të shërbimeve të tyre. Për ta vertetuar këtë nuk është aspak e vështirë. Janë me qindra raste të përdorjes së kriminelëve dhe grupeve kriminale në shërbime politike të caktuara, kryesisht në fushata zgjedhore, duke i përdorur për dhunë verbale dhe fizike ndaj kundërsharëve politikë, duke frikësuar votuesit, duke i përdorur për grabitje të pastra vote. Këto kanë ndodhur rëndom nga të dyja forcat kryesore politike, madje edhe në zgjedhjet e fundit. Akuzat e ndërsjellta të dy partive kryesore për përdorjen e botës së krimit në shërbim të vjedhjes dhe deformimit të rezultatit zgjedhor janë të pafundme. Megjithatë, në asnjë rast të vetëm nuk është hetuar ose akuzuar ndonjë politikan që ka përdorur këta kriminel për të fituar zgjedhjet poltike ose lokale. Thua se mafia dhe grupet mafioze këto shërbime ia kanë ofruar falas klasës politike, thjesht sepse kriminelet kanë bindje të thekura politike të majta ose të djatha!
Krimi mafioz dhe politik në Shqipëri ka dal hapur që në fillimet e tranzicionit demokratik. Rastet më flagrante janë këto:
1. Abaz Ulliri, biznesmen i prodhimit të mobiljeve, vritet në maj 1995.
2. Remzi Hoxha, rrëmbehet dhe vritet nga disa inspektorë të shërbimit sekret (Shik) në tetor 1995.
3. 26 shkurt 1996, bomba në supermarketin Vefa. Një makinë me eksploziv shpërthen duke vrarë këta persona: Vera Dume, Muharrem Koromani, Hasim Koromani, Vaid Osmani. Numri i të plagosurve arriti në 27 persona.
4. Bujar Kaloshi, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve vritet me 26 korrik 1996
5. Koço Dado, biznesmen i produkteve ushqimore, rrëmbehet në qershor 1998 nga persona që nuk janë identifikuar asnjëherë. Pasi i marrin familjes 1 milion dollarë, dërgojnë disa kaseta filmike ku tregohej tortura dhe dhuna shtazarake e rrëmbyesve. Trupi i tij nuk është gjetur kurrë.
6. Azem Hajdari, deputet dhe eksponent i lartë i Partisë Demokratike, vritet me 12 shtator 1998 në Tiranë.
7. Kleanthi Koçi, avokat i pasurive të paluajtëshme, plagoset më 21 shkurt 1999 në Tiranë. Vdes pas disa ditësh gjatë udhëtimit me avion për kurim në Itali. Akoma asnjë gjurmë për autorët.
8. Sali Tivari, Sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Musliman vritet në zyrën e tij, më 13 janar 2003.
9. Florian Vila, biznesmen hekuri (import hekuri dhe nënprodukteve), vritet para shtëpisë së tij me 9 prill 2003.
10. Emin Spahia, misionari i pajtimit të gjaqeve, vritet në dhjetor 2004.
11. Vaidin Lame, biznesmen dhe bashkëpronar i Top Albania Radio, vritet me eksploziv në ashensorin e pallatit të shtëpisë së tij, së bashku me mikun e tij Artan Arsi.
12. Aleks Keka, Kryetar i Partisë Demokristiane për Malësinë e Madhe, më 18 qershor 2009, vritet në makinën e tij me eksploziv.
13. Fatmir Xhindi, deputet i Partisë Socialiste në rrethin e Fierit vritet më 2 maj 2009 para shtëpisë së tij.
14. Vrasja e katër personave në protestën e 21 janarit 2011 para Kryeministrisë.
15. Skerdilajd Konomi, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit vlorë, vrarë me eksploziv në makinën e tij, më 9 shtator 2011.
Më lart janë cituar vetëm ato vrasje që kanë patur impakt të madh shoqëror, nisur nga cilësitë e viktimave, mënyra e egzekutimit dhe lidhjet e dukshme politike dhe ekonomike. Por kjo listë është shumë më e gjatë, disa qindra herë më e madhe, vrasje të cilat nuk janë zbardhur, nuk ka dhe nuk do të ketë një vullnet për t’u hetuar dhe zbardhur ndonjëherë.
Përfundime
Për t’u rikthyer në krye të këtij shkrimi në lidhje me të ashtuquajturën “Banda e Tritolit” është e nevojshme të bëhet një analizë e thjesht e “provave të publikuara” nga shtypi.
Sipas asaj çfarë është publikuar në të gjitha mediat, banda është vetzbuluar nga një antar i saj, i kërcënuar nga killeri Julian Sinanaj. Rrjedhja e informacionit të hetimit në media është tronditës, duke dhënë iniciale të emrave të të dyshuarve, thua se ata (të dyshuarit) nuk do ta kuptonin që bëhet fjalë për gërmat e emrave të tyre! Pa përmendur këtu mosmarrjen e dëshmisë të të penduarit për një javë, ecejaket e tij nga Prefekti i Fierit, Drejtoria e Policisë se Durrësit, Gazeta Shqiptare! Pas kësaj kemi dy tre arrestime, të vrasësit kryesor Julian Sinanaj, të njërit prej ndërmjetësve, të një porositësi, dhe në fund të një të dyshuari tjetër si ndërmjetës (të mos harrojmë se të gjithë këta persona janë thjesht “të dyshuar”, sa kohë që nuk ka një vendim të formës së prerë që janë fajtorë për krimet që akuzohen). Me këtë sikur mbyllet qarku, dmth gjithçka është e qartë. Por jo, nuk është kaq e thjeshtë!
Pyetjet që mundojnë shumë njerëz sot janë këto:
1. Sa është përqindja e vrasjeve me karakter mafioz që janë zbuluar në Shqipëri?
2. Në sa raste vrasjesh viktimat kanë qenë përsona publike, të biznesit, të mediave ose politikës? Për çfarë karakteristikash këta persona (viktimat) janë bërë të njohur?
3. A janë hetuar lidhjet e viktimave me partitë politike shqiptare, me biznesin, median ose organizata të ndryshme qeveritare ose jo qeveritare (OJQ)?
4. Cila është tendeca e dënimeve të dhëna nga drejtësia shqiptare për krimin, sidomos në rastet kur ngjarja (vrasja) ka karakter të theksuar mafioz, politik dhe impakt të fortë në opinionin publik?
5. Parlamenti shqiptar dhe partitë politike, a kanë ndërmarrë ndonjë nismë konkrete për të hetuar ndonjë politikan të veçantë për lidhje të mundshme (të dyshuara) me krimin e organizuar dhe mafien, edhe kur ka patur akuza konkrete?
6. A janë hetuar ndonjëherë këto akuza nga Agjensitë e Zbatimit të Ligjit në Shqipëri për deputet ose ish deputet të caktuar të parlamentit shqiptar?
7. A janë hetuar ndonjëherë deputet dhe ish deputet, ministra dhe ish ministra per pasuritë e tyre, për bizneset dhe kompanitë që zotërojnë, për lidhjet e tyre me botën ekonomike dhe sipërmarrëse të vendit?
Ngjarjet e forta me ndikim dhe impakt të madh në opinionin dhe shoqërinë shqiptare si:
Vendosja e bombës në Super Marketin Vefa në vitin
Ngjarjet e vitit 1997,
Vrasja e deputetit Azem Hajdari dhe ngjarjet e 14 shtatorit 1998,
Vrasjet me karakter diversiv kundër interesave kombëtare të disa figurave të njohura të levizjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës,
Tragjedia e Gërdecit,
Ngjarjet dhe tragjedia e 21 Janarit 2011 etj,
perbëjnë disa pika kyçe në indiciet dhe inteligjencën e çdo shqiptari. Sa kohë që nuk hidhet dritë mbi këto vrima të zeza të jetës tonë në këto 23 vjet, sa kohë që tritoli dhe vrasjet me karakter të qartë mafioz dhe politik vazhdojnë në Shqipëri, sa kohë që akoma nuk ka asnjë të dyshuar politikan ose njeri publik me interesa të caktuara si porositës real i këtyre krimeve, atëherë dyshimi provohet; se kjo politikë, këta politikanë dhe njërëz të biznesit, ekonomisë dhe shtetit shqiptar janë pjesë thelbësore e vet materies kriminale që sot është prezente në Shqipëri.
Për të arritur në këtë konkluzion, nuk është nevoja për të cituar europianët, as Këshllin e Europës, as Komisionin Europian, as Departamentin e Shtetit, as organizatat ndërkombëtare si Amnesty International, Human Righ, etj etj, as diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë, pasi këto dihen, janë të qarta, kanë ndodhur, janë prova reale.
Banda e Tritolit nuk është vetëm Julian Sinanaj dhe tre katër të akuzuarit e tjerë. Ajo është shumë më e madhe, e shtrirë në kohë, me origjinë të vjetër që para viteve 90, e zhvilluar në vitët e tranzicionit të gjatë shqiptar, dhe e ngritur plotësisht në sistem në 15 vitet e fundit. Sa kohë që nuk është zbuluar vrasja e Vaidin Lames, Florian Vilës…, Skerdijard Konomi, etj etj, do të thotë se vrasësit e këtyre personave, ideuesit, urdhëruesit dhe zbatuesit e tyre janë të lirë, vazhdojnë jetën politike dhe biznesin të pa shqetësuar nga asgjë. Ata janë mbi ligjin, ata kontrollojnë atë (ligjin), sepse janë realisht hartuesit (ligjvënës politikan) dhe zbatuesit (pushtetarë shtetëror, ministra, drejtorë, policë dhe prokurorë, si dhe gjykatës).
Mediat heshtën. Media bën sikur… Po ashtu edhe Shoqëria Civile. Harton programe që nuk i zbaton asnjëherë dhe bën seminare me koktejle ne hollet e hoteleve te Tiranës. Kaq, dhe misioni i saj mbaron këtu. Media është palë në këtë maskaradë. Por për Median një herë tjetër.
Add new comment