Më së fundi, kujtohet Rama…

Postuar në 30 Tetor, 2013 01:20
Eduard Zaloshnja

Një lajm i publikuar të djelën tek TemA Online, kishte një titull me një ironi të dukshme ndaj Kryeministrit Rama: “Më së fundi kujtohet Rama, cakton Taulant Ballën për emërimet e drejtorëve të rinj nga PS-ja” Në fakt, TemA Online, përveç titullit, riprodhonte pothuaj fjalë për fjalë gazetën Panorama, e cila njoftonte se deputeti Balla është tani personi me të cilin kontaktojnë deputetët e të gjitha qarqeve për të bërë emërimet në drejtoritë kryesore – ai, pasi merr propozimet me emrat e kandidatëve për drejtorë, kontakton me Kryeministrin Rama, i cili jep dhe miratimin përfundimtar për emërimin e drejtorit.

Kjo vonesë e Ramës për të caktuar një kordinator, që do të mbikqyrë zëvëndësimin e drejtuesve që mbajnë poste politike në administratë, më kujton nxitimin që pati Presidenti Bush për të caktuar një kordinator të tillë – Dik Çenin – fill pasi Gjykata e Lartë i njohu fitoren në garën elektorale të  vitit 2000. Meqë beteja gjyqësore rreth rezultatit të ngushtë të asaj gare zgjati shumë, Bushi pati vetëm 45 ditë kohë deri në futjen në Shtëpinë e Bardhë, për të përgatitur ekipin e drejtuesve politikë që do të drejtonin administratën civile federale nën udhëheqjen e tij (bëhet fjalë për rreth 6 mijë poste politike në një administratë civile me rreth 2.8 milion punonjës).

Për rastësi, zyrat ku u vendos Dik Çeni dhe ekipi që e ndihmoi për seleksionimin e kandidaturave për postet politike në administratën civile të SHBA-së, qëlluan të ishin pranë lagjes ku banoja në atë kohë. Dhe sa herë kaloja pranë atyre zyrave, shihja dhjetra automjete të parkuara atje, si dhe të gjitha dritat e zyrave të ndezura deri natën vonë. Si rezultat, kur Bushi u fut zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë, rreth gjysma e drejtuesve politikë të administratës, ata më kryesorët, ishin përzgjedhur nga Dik Çeni dhe ekipi i tij, ndërkohë që u desh edhe një muaj që të përzgjidheshin kandidatët e tjerë më pak të rëndësishëm.

Për krahasim, Kryeministrit tonë iu deshën pothuaj 3 muaj kohë nga dita e zgjedhjeve deri në ditën që u fut zyrtarisht në Kryeministri dhe 40 ditë pas futjes në të, që të caktonte një kordinator për seleksionimin e kandidaturave për postet politike në administratën civile të Shqipërisë. Deri më sot, procesi i përzgjedhjes, duke filluar nga ministrat e poshtë, ka qenë spontan, sporadik dhe pa një proces institucional konsultimi. Shpesh, politikanë të rëndësishëm të PS-së janë befasuar nga emrat që kanë dëgjuar në media për poste të rëndësishme drejtuese.  Madje, ndonjëherë edhe vetë kandidatët për këto poste janë befasuar (domethënës është rasti i zv.Kryeminstrit, i cili, sipas një interviste në Gazetën Shqiptare, e mori vesh që po konsiderohej për këtë post vetëm 24 orë para se të shpallej ekipi qeverisës). Sidoqoftë, deri më sot, vetëm deputeti socialist Braçe ka shprehur publikisht ndonjë pakënaqësi lidhur me emërimet e Ramës (rasti i fundit ishte kur ai shkruajti hapur në FaceBook se nuk është dakord me emërimin e Gjetë Ndoit në krye të Arkivit të Shtetit).

Si rezultat i avashllëkut dhe spontaneitetit në procesin e emërimit të drejtuesve të rinj në administratën civile, kjo e fundit është në një gjëndje gjysëm-paralize nga qendra deri në bazë. Punonjësit e saj janë në pritje të drejtuesve të rinj (ndërkohë që të vjetrit thjesht paraqiten në punë), dhe pritja u shton ankthin në lidhje me të ardhmen e vendit të punës. Kjo, sepse Kryeministri Rama ka deklaruar se do të ketë një shkurtim 30% të punonjsve të administratës civile në të gjitha nivelet e saj.

Me pak fjalë, sot kemi një trupë punonjësish të administratës civile që, 4 muaj pas përcaktimit të fituesit të zgjedhjeve të 23 qershorit, ose 45 ditë pas fillimit të punës së qeverisë së re, vrasin më tepër mendjen për të gjetur ndonjë mik që mund t’i mbajë në punë se sa për të vënë në jetë politikat e reja të mazhorancës.

Kjo nuk i falet Edi Ramës!

Comments

Submitted by Elvis Cali (not verified) on

<p>Balla eshte shndrruar ne nje mysfti te PS-se. Ai mirpritet nga ekstremi i majte i PS, forcon rradhat e tyre, por i sjell dem vendit per shkak te ngjyresave te forta politike qe afishon ne veprimet e veta.&nbsp;</p>

Submitted by Astrit (not verified) on

<p>Permbajtja e artikulli bie ndesh me ate qe duket se ka qene ideja fillestare e tij. Nese Z. Rama ka pak ngjashmeri me stilin e Presidentit Bush Jr, atehere administrata e tij ka shpresa per te qene e sukseseshme.</p><p>Personalisht do te isha alarmuar shume sikur kryeministri i vendit nga vij te adaptonte stilin e punes se Presidentit Bush.</p>

Submitted by respublica (not verified) on

<p>le te ndjeke shembullin e obames, i cili ne 80 ditet para se te shkonte ne shtepine e bardhe perzgjodhi mijra drejtues per administraten e tij....&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.