Lojë në Mbrojtje

Postuar në 29 Tetor, 2012 02:22
Alqi Koçiko

“Nuk paskan pasur të sosur xhephanetë e Enverit”, thonë komentuesit anonimë nëpër blogje, “diktatori e bëri Shqipërinë depo armatimesh duke mjelur popullin, ndërsa qeveritarët e sotëm majmen duke mjelur Enverin”

 

Që kur këtu e një vit më parë, u lajmërua nxjerrja për shitje e shumë aseteve të ushtrisë shqiptare, në rreshtin e parë të të cilave spikasin trojet dhe pasuritë e patundshme, automatikisht u nuhat në ajër aromë aferash. E para, sepse kjo lidhje është e pashmangshme kur është fjala për realitetin shqiptar; e dyta, sepse nga ministria e Mbrojtjes kanë dalë rregullisht ndër vite habere e hynere të kësaj natyre, nën çdo qeveri; dhe e treta, sepse nëse ndalesh pak tek emrat e përveçëm të vendndodhjes gjeografike të një pjese të mirë prej këtyre objekteve, është e pamundur të mos tundohesh nga dyshimet. Kështu, kur njeriu i zakonshëm dëgjon për sipërfaqe të konsiderueshme në pika si Porto-Palermo, Palasë, Karaburun, Bisht Pallë, Rana e Hedhun apo dhe në Shkollën e Bashkuar e atë të Aviacionit etj, afërmendsh që thotë me vete: Ustallarët i ‘krefën’ edhe këto prona. 
Tashmë që kjo çështje është riaktivizuar nga eksponentë të opozitës, të cilët denoncojnë rast pas rasti shitje e tjetërsime sipas tyre të errëta e abuzime me asete të çmuara, janë aktivizuar edhe qëndrimet militante nga të dyja palët, tipike në periudha të ngarkuara elektorale si kjo ku po hyjmë. Por le të shohim cilat janë argumentet. Nga njëra anë, është normale që një pjesë e mirë e trojeve e ndërtesave pronë e ushtrisë së madhe popullore të diktaturës, të dalin (siç kanë dalë prej vitesh) jo vetëm jashtë funksionit, por edhe të humbasin rëndësinë strategjike të epokës kur ne prisnim të na suleshin armiq nga të gjitha anët. Ato asete do të shiten tek privatët, e kësisoj fuqizohet jo vetëm arka e shtetit, por edhe ekonomia përmes shtimit të vlerës së tregut të të patundshmeve; padyshim, përfiton edhe privati që do ta shfrytëzojë atë pronë. 
Por nga ana tjetër, dhe këtu ngulin këmbë kritikët e qeverisë, në këtë valë të madhe shitjesh (e cila në prag zgjedhjesh, rëndom tek ne merr përkufizimin e bërjes së një dore të mirë fitimesh se nuk i dihet kush fiton nesër) mungon transparenca. Opozita insiston se blerësit janë klientë të qeverisë e vetë familjarë qeveritarësh, të kamufluar sigurisht, e jo vetëm kaq: Asetet synohet të shiten me çmime qesharake. Pikërisht informacioni mbi këto procese duhej të ishte rutinë për një “vend anëtar të NATO-s e kandidat për anëtar të BE-së”. Normalisht, qeverisë thjesht i mjaftonte një njoftim për shtyp (të paktën për asetet më të rëndësishme), si ato që dërgojnë me tonelata dikasteret e saj për takime e inaugurime, ku të informohet se kush është përfituesi i privatizimit të iks objekti, dhe me çfarë çmimi. Mediat pastaj mund të vendosin vetë nëse ja vlen të publikohet a ndiqet ky lajm ose jo. Fakti që këto të dhëna mungojnë, nuk do mend se hedh hije dyshimi për procesin. Por nuk duhet harruar se edhe opozita, synim kryesor ka luftën politike, ndaj saktësia e informacioneve e denoncimeve të saj nuk duhet pranuar symbullur. Fjala vjen, nëse deputeti Balla denoncoi shitjen e plazhit tek Rana e Hedhun në Shëngjin, ndërsa ministri Imami e përgënjeshtroi duke thënë se është fjala vetëm për një godinë gërmadhë në atë vend, dhe jo për plazhin, nga pala tjetër mungoi sqarimi i mëtejshëm. Atëherë ka qenë akuzë e pabazuar? Nuk do ishte ndonjë çudi. 
Megjithatë, nëse kanë të drejtë për diçka kritikët e ministrit që dikur si aktor mbronte nëndetëset tona nga sovjetikët dhe sot fati e solli t’i privatizojë ato, ajo është jo vetëm përfitimi maksimal që shteti duhet të nxjerrë nga këto shitje, apo transparenca e procesit, por sidomos mungesa e një sfondi social për përdorimin e këtyre parave. Qoftë ky sfond në trajtë përfitimesh për ish ushtarakët, për ish të përndjekurit (që rëndom janë përdorur si krahë pune dikur) apo shtresa të tjera. Nëse tenderat me blerës misteriozë të mbi një milion metrave katrorë të territorit të vendit, siç janë ish bazat ushtarake e prona të tjera, premtohet se do të anulohen nga opozita kur të marrë pushtetin, kjo e fundit duhet njëherësh të thotë se çfarë projekti ka ndërmend të zbatojë lidhur me këto asete. Përndryshe, skeptikët fare mirë mund të aludojnë për një ndërrim të thjeshtë klientësh po kaq misteriozë. 
“Nuk paskan pasur të sosur xhephanetë e Enverit”, thonë komentuesit anonimë nëpër blogje, “diktatori e bëri Shqipërinë depo armatimesh duke mjelur popullin, ndërsa qeveritarët e sotëm majmen duke mjelur Enverin”. Vërtet, nën çdo qeveri të këtyre 22 viteve, nuk kanë rreshtur lajmet mbi shitjen e aseteve tona ushtarake. Në fillim ishin armatimet e municionet; nuk kanë munguar teoritë e konspiracionit për tunele të fshehta që sot po mbushen me materiale toksike në këmbim të parave; pastaj ndodhi Gërdeci, ndërsa tani mësojmë se ndërrimi i paketimit dhe shitja e fishekëve të vjetër me ambalazh të ri, vazhdoka sot e gjithë ditën në Poliçan, me izmën e qeverisë. Dhe interesante është se politikanë kundërshtarë të qeverisë, që e njohin mirë këtë sektor, si ish ministrat Majko apo Oketa, nuk para flasin megjithë zhurmën që është ngritur. 
Atëherë, çfarë po luhet me mbrojtjen? Mjaft fakti që transparenca mungon, për të ngjallur dyshime të arsyeshme. Ama, jo për lojë fjalësh, por dyshoj se këto dyshime do mbeten vetëm dyshime. Loja e mbrojtjes është ende shumë e madhe, për të mos joshur edhe cilindo pushtet të nesërm që ta vazhdojë atë, duke harruar çfarë ka thënë sot. 

revistaklan.com

Comments

Submitted by f.d. (not verified) on

<p>Ekonomia jone me shume eshte mbeshtetur ne konsumizem , te ardhurat nga refugjatet dhe shitja e aseteve te &#39;asaj&#39; kohe...Rritje ekonomike e bollshme per &#39;zili&#39; ,pasurimi i disave qe rriten si morra ne leshin e sqetulles se qeverise, varferimi i te varferve te pervuajtur e te perndjekur qe nuk jua ndjejne &#39;hundet&#39; eren e korrupsionit dhe &#39;Shqiperia po ndryshon&#39; tek qendrat e zhvilluara &#39;prane bllokut prane bollekut&#39; dhe &#39;Shqiperia po ndryshon&#39; tek &#39;zonat e lira&#39; qe jane bere si zona te nxirra nga fukarralleku dhe apoteoza e misrit te Migjenit...Gjelat kendojne ne maje te antenave dhe pulat rremojne ne gjolin e mizerjes. Megjithate mesatarja aritmetikore na nxjerr...ne ball te Europes...edhe pse kuakim si bretkosat nga...fundi i gropes. Pasqyrat&nbsp; pasqyrojne ate qe reflekton andej nga e drejton...Dhe pasqyrat e perditshme reflektojne imazhet e &#39;transparences&#39; qeveritare, ku ish pronaret behen fukarenj e fukarenjte pronare te rinj me nje &#39;te rene te lapsit&#39;...mbi hartat e pasurive kombetare...Pushteti i sotem te fale &#39;vaska floriri&#39; , madje t&#39;i mbush dhe me qumesht te paskremuar per te bere banjo si zonja Sihanuk dikur...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.