Lernani të qajmë!

Rona Nishliu ka prodhuar këto ditë lajme të mira për shqiptarët e për Kosovën pothuaj sa krejt Kosova bashkë në këto tash trembëdhjetë vjet të pasluftës, duke i bërë të ndjehen krenarë, bashkë me të gjithë shqiptarët, edhe tërë bashkëvendësit e saj, tashmë gati të mësuar se lajme të mira as që mund të dëgjojnë në këtë vend.
Paraqitja e saj e suksesshme në Eurosong, na bëri të ndjehemi si rrallëherë se edhe ne jemi, apo së paku se mund të jemi, pjesë normale e botës, e jo një vrimë e zezë e saj.
Nga nami i Ronës tash përpiqen, për aq sa të jetë e mundur, të përfitojnë edhe politikanët tanë, pa u mërzitur fare për tingëllimin cinik të urimeve të tyre, për ritualet false të pritjeve e përcjelljeve, për shkak se në famën e saj nuk e kanë as hisenë më të vogël. Përkundrazi, suksesi i Ronës, në të vërtetë, është rezultat i një hapësirë alternative, të përshkuar me zemërgjerësi, profesionalizëm, transparencë e fisnikëri, të panjohur për klasën politike zemërngushtë kosovare.
Pas talentit dhe pasionit të saj për këngën, kompozitorit e të gjithë bashkëpunëtorëve të saj, për suksesin e saj, Rona duhet t’u falënderohet gjithë atyre burrave e grave të shout të mrekullueshëm televiziv të para disa vitesh, “Ethet e së premtes mbrëma”, pa forcën shtytëse të të cilëve ajo zor se do të mundë të bënte fluturimin e pulës nën gravitetin rrënues të shtetit partiak të Kosovës, nepotizmit, mediokritetit.
Imagjinojini sitat dhe shoshat në të cilat do të vihej ajo, sikur përzgjedhja e saj të vendosej në Kosovë: prej nga është, e kujt është, a janë “tanët”, e të mos flasim për gjëra edhe më të shëmtuara të materializimit të gjithçkaje, madje edhe të çmimeve në festivale të fëmijëve, të cilat ndahen në mënyra aq të tejdukshme korruptuese, sa prindërit ndjehen të pafuqishëm që edhe para dhjetëvjeçarëve t’i fshehin sadopak marifetet e organizatorëve e të jurive, për të mos ua prishur që në atë moshë iluzionin se megjithatë kjo shoqëri nuk është e prishur që nga rrënjët.
Shikojeni, pastaj, se në çfarë drite po na paraqitet këto ditë Universiteti i Prishtinës, dhe çfarë çorbe kanë krijuar prej tij me ndikimet e tyre partitë politike dhe profesorët e tij partiakë, dhe se sa larg është ky institucion nga pavarësia akademike.
Është e frikshme të imagjinosh të ardhmen e këtij vendi që do ta krijojnë nesër studentët e të sotmes, të ndarë në poltronë të pushtetit, apo të rebeluar kundër tij, ndërsa në të vërtetë të gjithë bashkë, studentë e profesorë, realitetin e sotëm do të duhej ta vështronin nga distanca e duhur dhe me sy mjaft kritikë.
“Lernani të qajmë”, do të mund të këndonte Rona, sikur në vend të një situate intime të saj, të kishte vendosur të këndonte (vajtonte) për fatin tonë kolektiv.
Zëri
Comments
shkrim i mire

shkrim i mire

shkrimi eshte i mire, po pse

shkrimi eshte i mire, po pse mor burr me 'vaje' dhe titullin? qenkemi popull komplet i traumatizum...

Te qajme kokat tona me keta

Te qajme kokat tona me keta palaco politikane qe kemi mbi krye.

Dush te lumte! Si gjithmone

Dush te lumte! Si gjithmone me shkrime brilante!

Po kujt ti qahemi,sdo tja

Po kujt ti qahemi,sdo tja dije kush e mori vesh tere bota se qau rona dhe per ne,po nuk zgjidh gje.Problemi eshte i brendshem ,cdo gje ka tek ne vetem mirekuptim jo.Qaj po deshe plas por larg nga kryeministria .

Kjo Rona te kall krupen,

Kjo Rona te kall krupen, duket si vampire.

Add new comment