La torta dolce, 28 Nëntor 2012

Postuar në 01 Dhjetor, 2012 03:54
Rea Nepravishta

Mbresëlënëse ishte pamja e një gruaje që me një dorë kish mbuluar fytyrën dhe me dorën tjetër mbushte gojën me tortë. Goja është organi nga ku trupi mbushet me ushqim, fytyra është pjesa e trupit që përfaqëson personalitetin dhe dinjitetin e njeriut:  në këtë 100 vjetor, një gojë e shqyer dhe një fytyrë e mbuluar nga turpi është imazhi më goditës i Shqipërisë.

La nave dolce, 8 Gusht 1991

Para disa ditësh u shfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Tiranës filmi “La nave dolce” i Daniele Vicari-t dhe Ilir Butkës. Në të tregohej eksodi i 20,000 shqiptarëve drejt brigjeve të Barit me anijen Vlora, e cila transportonte sheqer. Pamjet e asaj anije, shprehjet e njerëzve në fytyrë dhe në sjellje tregojnë vërtet Shqipërinë e atij momenti historik në rrugëtimin e saj: shpresë e pastër, naivitet, dëshirë për liri, kokëkrisje, padije, kuriozitet, uri për të renë, dhe sigurisht uri për bukë.

Kur kamera xhironte turmën e uritur, askush nuk fshihte fytyrën, të gjithë e manifestonin hapur urinë për bukë dhe gjendjen e varfër, në të cilën ndodheshin. Varfëri, por dinjitoze. Kjo ishte “La nave dolce” e 1991-it.

28 Nentor 2012

‘La nave dolce’ kësaj radhe është ‘La torta dolce’. Mendoj se as skenaristi më gjenial nuk do kishte pasur aq fantazi sa pati fati me ironinë e tij.

Anija dolce ishte mjeti me të cilin shqiptarët po largoheshin nga diktatura e po dergjeshin drejt lirisë,  drejt një bote më të mirë, drejt mirëqënies. Torta dolce është - ajo vetë – mirëqenia, jo më jashtë, po brenda territorit tonë, mu në mes të sheshit qëndror, që manifestohet e madhërishme përpara syve tanë. Aq e madhërishme, sa duket jashtë orbite për një Shqipëri me njerëz të pamësuar me mirëqenien. Dhe ja çfarë ndodhi, në fakt! Molla e ndaluar u bë e aksesueshme nga të gjithë për një moment - shprehja më e lartë e arrogancës ndaj atyre që mezi arrijnë të mbijetojnë çdo ditë të vitit, e që për festën e pavarësisë aq u bën.

Do kishte qënë më e sinqertë dhe e pastër nga ana e politikanëve që të bënin një tortë të vogël e ta ndanin simbolikisht midis tyre, ashtu siҫ po ndodh realisht me pasuritë e Shqipërisë të përqëndruara në pak duar. Përveçse do kishte qënë më e ndershme, do kishte kursyer edhe poshtërimin e popullit shqiptar përpara gjithë botës. Është e vërtetë që kjo pjesë nuk përfaqëson gjithë popullin shqiptar, po shkoni e tregojuani këtë botës anembanë që pa videot që përfunduan deri në BBC. Se imazhit që ka krijuar Shqiperia këto vite lart e poshtë, i mungonte vetëm kjo qershia mbi tortë (torta me shegë domethënë).

E hëngrëm turpin me bukë

Gjesti i fshehjes së fytyrës gjatë ngrënies së tortës, shpreh një pjesë të rrugëtimit të Shqipërisë në këto vite. Ky gjest nuk është i rastësishëm, është produkt pothuajse matematikor i asaj që kemi ndërtuar në këto vite (e që u prezantua simbolikisht ditën e 28-ës).

E filloj me pompozitetin e këtyre festimeve: u ҫanë e u ndanë duke mbuluar me shirita e ҫarҫafë kuq e zi ҫdo cep të Shqipërisë, e kthyen vendin në një karnavale, a thua se patriotizmi shprehet kështu. U fut aq në të pandërgjegjshme kjo lidhja e kuq e ziut sa dhe grave në dollapin e rrobave u shkonte dora padashje vetëm te e kuqja dhe e zeza (perfshirë dhe veten).  Marketingu “patriotik” e bëri punen e tij. Si përfundim, mesazhi pamor i këtyre ditëve anonte më shumë nga agresivja se sa nga paqësorja e festivja.

Le të shohim mesazhet verbale që u lëshuan në këtë 100 vjetor. Përsëri, ato karakterizohen nga një regjistër ashpërsie, i mbushur me lavde, hymne e piedestale, komplet boshe e patetike deri sa njerëzit u lodhën e u ngatërruan më keq mbi ëfarë përfaqëson konkretisht për secilin nga ne të qenit atdhetar (po nuk po i futem ketij diskutimi se është një tjetër temë e gjatë).

Sigurisht, në këtë atmosferë ceremoniale, pompoze, krenare, e të lavdishme, të jesh i varfër është turp, është shenjë dobësie. Të jesh i pangrënë është turp. Natyrisht, që fytyrën do ta fshehësh para kamerave sikur po bën ndonjë krim. Pra, përpara tundimit të tortës, jam gati të mbuloj dhe fytyrën. E kuptoni se ku kemi arritur? E kuptoni ҫ’do të thotë mos kesh më fytyrë, por vetëm një gojë që ha?

Ndjej shumë trishtim ndërsa shkruaj këto fjalë.

E pra Shqipëria nuk ka fluturuar si Feniks mbi mjerimin, ajo është e zhytur në mjerim. Po cili është ndryshimi i mjerimit të 1991 dhe mjerimit të sotëm? Atëherë njerëzit nuk e fshihnin fytyrën kur kishin uri sepse arroganca e politikanëve dhe e të pasuruarve shpejt akoma nuk i derdhej në fytyrë me anë të pompozitetit e lavdisë boshe. Në 1991-shin, shqiptarët sapo e kishin rrëzuar pikërisht atë falsitet të regjimit në pushtet dhe i dolën botës hapur - të zhveshur, të varfër e të uritur ashtu siҫ ishin në të vërtetë.

Shqiptari i sotëm nuk mund ta shprehi varfërinë e vet pa e mbuluar fytyrën  – të jesh i varfër është turp dyfish.

Panem et circenses

Politikanët e dinë shumë mirë si mbahet i mikluar një popull: bukë e cirk, si në kohët e antikitetit në fund të fundit, si në vende të tjera perëndimore e të botës, gjithashtu. Cirkun e krijuan në mënyrë të përsosur. S’kam ë’të them. Edhe panem u përpoqën si mundën ta krijonin në mënyrë të përsosur, 1000 qingja të therrur e torta gjigande 5,5 tonëshe. Perfekte edhe kjo, përveҫ një detaji: babëzia e të varfërve u doli jashtë kontrolli. Si duket, panem duhet dhënë në mënyrë më konstante që ato barqet e thara të ngopen avash avash e mos të degjenerojnë  në skena me legena, shqyerje, përlyerje, qese e dërrasa që bënë xhiron e botës.

Ah mor mjerim, edhe tallja të mungonte!

Cirku i madh e tradhëtoi veten, sepse polli një cirk të vogël që ia nxorri bojën.

Comments

Submitted by artur (not verified) on

shtet o shtet brekerene

ta shkelen torten me kembe

Submitted by Anonim (not verified) on

Rea, hera e pare qe te lexoj...urime. Shume e sakte dhe shume e mprehte.

Submitted by Anonim (not verified) on

Ndarja e tortes eshte poshterimi i radhes qe Saliu po i ben prej 20 vitesh popullit shqiptar.....

Submitted by Dritan (not verified) on

Ngazellohem kur lexoj artikuj te tille qe sulmojne pikerisht anet negative te shoqerise dhe te kesaj qeveria te paskrupullt.

Te pershendes perzemersisht me te tille artikuj qe na ngrohe zemrat.

Submitted by Sofia (not verified) on

Shume i sakte shkrimi. Nuk do i hiqja as edhe nje presje. Rrofsh!!

Submitted by RP (not verified) on

Afer asaj gruas ishte nje djale i vogel qe po hante me pirun dhe po fshihte fytyren.Ajo pamje mu dhimbs shume po aq sa skica e Migjenit per Lulin e vocerr.

Submitted by f d (not verified) on

Papergjegjshmeria e 'kaposhave' te pushtetit eshte dhe papergjegjshmeria e jone qe na bene anonim 'me fytyre te fshehur', qe na tremb te ulerasim nga 'kercitja e zorreve', qe e mbysim ofshamen brenda kraharorit te thate, dhe me pastaj i ngrejme syte lart e i lutemi Zotit.

Dhe Zoti merzitet nga te luturat e shumta...e ta thote troc ' tundu dhe vete (!)'...

Fukaralleku nuk eshte turp per fukarane; fukaralleku i fukarait eshte turpi i shoqerise.

Submitted by gerta (not verified) on

Bravo Rea,

E zeza nuk behet dot e bardhe..

Te pershendes dhe urime

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.