Kush i ka borxh kujt?

Postuar në 15 Korrik, 2012 02:24
Zef Zhupa

Në shtypin italian, por jo vetëm, ka ditë që shkruhet per gjendjen financiare të Spanjës dhe Europës në përgjithësi. Argumentet e prekura janë nga më të ndryshmit, por një është i vecantë: ai që ka të bejë me futbollin spanjoll, dhe nëpërmjet tij, atij europian e më gjerë.

Jo pa ironi, thuhet se Ronaldo, Mesi, Murinjo e të tjerë, kanë marrë frymë të lehtësuar kur dëgjuan se pagat e tyre milionere nuk do të preken. Ata do paguhen deri në qindarkën e fundit, por këtë radhë paratë do shkojnë në llogaritë e tyre drejt e nga xhepat e taksapaguesve europianë.

Duke “shpëtuar” sistemin financiar spanjoll, Europa shpëton automatikisht edhe sistemin pervers e të sëmurë të futbollit. Klube që financohen në bazë të parave që nuk ekzistojnë, që marrin kredi më se të favorshme, që kanë borxhe ndaj tatimeve dhe sigurimeve të vendeve të tyre, që u skadencohet detyrimi me vite të tëra, që favorizohen nga politikanë e financierë në dëm të sistemeve kombëtare të financave, shpenzojnë miliona të marra borxh, të cilat në fund të fundit dikur do të shlyhen, duke gërryer jo pak xhepat e taksapaguesve të thjeshtë.

Shembulli spanjoll është mjaft domethënës: plot 5 miliardë euro është mungesa e parave në “La Lega”. “Real Madrid” merr një maksikredi nga “Bankia” për të paguar Kristiano Ronaldon e co. ”Bankia” shkon në prag të falimentimit. Spanja e ndihmon duke e shtetëzuar, por rrezikon të rrëzohet e tëra. BE-ja nxiton ta ndihmojë (ende nuk rrezikon për vete). Përfundimi: Ndihma e BE-së? Për Kristiano Ronaldon. Ja si duket çështja nga këndvështrimi i një italiani: “Nga pikëpamja e tifozit të Milanit, lajmi i mirë është që, ndoshta, Barcelona nuk do të ketë para për të blerë Thiago Silva-n”.

Në mes të majit, katër ditë pas shtetëzimit të “Bankia-s” dhe në  zbulimin e nje vrime të re në buxhet, Barça trokiti në derën e bankave huadhënëse në kërkim të parave të fushatës për blerje në epokën pas Guardiola-s. Ka dhjetë institucione në radhë, nga më të mëdhenjtë dhe solidët si “Santander” dhe “BBVA”, te më të dobëtit e “Caja Madrid” dhe “Cam”. Por kërkesa e presidentit për të rritur kufirin e kreditit milioner të ekipit, mori nga të gjithë  përgjigjen "JO". Një lloj shfryrjeje dinjiteti në dukje, në kohën e nje perspektive të zymtë, në kohën kur ka lindur nevoja  për të kërkuar  nga Europa 100 miliardë ndihma për të mbështetur sistemin financiar spanjoll. Lajm i keq (për Eurozonën italiane, spanjolle dhe të gjithë tatimpaguesit e tjerë te saj) është se 10.500.000 euro rroga për Messi " pleshtin “, 13 milion për yllin e Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, dhe 14.8 milion për trainerin e tij gjaknxehtë Mourinho dhe paga të tjera të  “La Lega-s” do të vijnë nga xhepat e taksapaguesve europianë, përmes pakos së “ndihmës” që do t'i japë Europa.

Borxhi i futbollit spanjoll, liga e parë dhe e dytë, sillet te rreth 5 miliardë euro, gjysmë pikë e deficitit kombëtar. Në se do të ishte një familje (ose thjesht një kompani çfarëdo) do të kishte dorëzuar tashmë bilancet në gjykatë dhe do priste pasojat e falimentit, duke parë që të ardhurat vjetore janë në rendin e 1.8 miliardë, por shpenzimet e vazhdueshme janë 300 milionë Euro më të larta. Për të kaluar në rentabilitet (pa filluar ende për të shlyer borxhet) duhet të dëbohen lojtarët  e një të tretës së La Lega-s ose të Realit të Madridit, të përgjysmojë pagat e Ronaldos, Kakasë  e të tjerëve të sërës së tyre.

Vetëm borxhi ndaj  tatimeve dhe kontributeve sociale në futboll, i kushton Mbretërisë së Spanjës rreth një miliard euro. Ministri i Arsimit dhe Sporteve, José Ignacio Ëert, ka nënshkruar me La Lega-n e futbollit profesionist një marrëveshje, sipas të cilës, prej sezonit të ardhshëm, 35% e të drejtave TV do të shkojnë për të garantuar shumat e papaguara. Për të shlyer detyrimet, Real, Barça dhe të tjerët kanë kohë vetëm… deri në vitin 2020. Tetë vite të gjata. Duke filluar të paguajnë që nga  sezoni 2014-2015. Ministri është detyruar të pranojë se futbolli ka marrë trajtim të favorshëm. Pjesa e mbetur prej 4 miliardë e borxhit është një tjetër "favor" që bankat spanjolle u kanë dhënë ekipeve të atij vendi. Të dhëna të ndryshme që vinë nga qeveritë rajonale tregojnë se dhënia e kredive për klubet e futbollit, është bërë me mbështetjen e miqve të politikës nën arsyetimin se u shërbente klimës elektorale para zgjedhjeve, pavarësisht nga qëndrueshmëria e projekteve. Futbolli hynte në prioritetet politike. Çështje spanjolle? Nuk duket kështu. Puna është, se të gjithë europianët, për të mbuluar paaftësinë paguese të bankave të eurozonës që kanë financuar “La Lega-n”,  duhet të nxjerrin diçka nga xhepi i tyre. Brukseli ende duhet të vendosë se si, por ka shumë pak alternativa. “Real Madrid” dhe “Barcelona” janë kompanitë me më shumë borxhe, njëra 660 milion, 548 e dyta, por paradoksalisht janë më të manaxhueshme për shkak të rritjes së shitjeve dhe të të ardhurave. E treta, ndryshe nga dy të parat, ka një borxh prej 380 milion Euro, por të ardhura për vetëm 120 milionë. Bëhet fjalë për “Valencian”, por dhe kjo, si rastësisht, ashtu si dhe Reali, është kliente e “Bankia”, instituti që ka hapur kutinë e Pandorës. Florentino Peres, pronar i Blancos (“Realit”), mori 76.5 milionë dollarë nga “Caja Madrid” për të blerë Kristiano Ronaldon dhe Kaka (per 90 dhe 67 milionë dollarë) në vitin 2009. Shkalla e  interesit: 1.5% + Euribor. Në verën e të njëjtit vit, “Valencia” i shmanget  falimentimit në sajë të akordimit të një kredie  të madhe nga “Bancaja”. Të dy bankat janë bashkuar më vonë në “Bankia” për të shpëtuar ato vetë nga shpërthimi i flluskës së imobiliareve. Atëhere ishte qeveria spanjolle që vuri 4 miliardët e nevojshme për të shmangur falimentimin, por me që topi është i rrumbullakët, dhe mbi të gjitha, meqë paratë kanë mbaruar, tani pritet nga evropianët për të vënë miliardat e tjera. Nga BE-ja, në mënyrë të përsëritur, është kërkuar prishja e trekëndëshit “La Lega” – Politika - Financa. “Bayern” i  Mynihut, një finalist i Ligës së Kampionëve, si një gjerman i mirë, me llogaritë në rregull, ka ngulur këmbë në zhdukjen e konkurencës së pandershme dhe vendosjen e një “Fair Play” financiar. Ai është një ekip që ka edhe arbitrin në anën e tij: Angela Merkel!

Shënim: Sa më lart është një përshtatje në shqip e një artikulli të Andrea Nicastro-s, botuar nga “Corriere della sera.it”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.