Kush i fitoi betejat politike në kremtimin e festave të nëntorit? Një parti e madhe e dy të vogla

Përtej vellos së kremtimit të festave të nëntorit, ishte e lehtë të dallohej beteja politike mes PS-së dhe PD-së; velloja ishte pothuaj e tejdukshme. Beteja politike në distancë mes këtyre dy partive lidhej me trashëgiminë e lënë nga Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha. I pari i festonte jubiletë e Pavarsisë së Shqipërisë me madhështi në Tiranë dhe i dyti, si kundërvënie ndaj të parit, i festonte, po me madhështi, në Vlorë. Dhe PD-ja, megjithëse ishte e pranishme në pjesën protokollare të kremtimeve në Vlorës, i dha shumë më tepër rëndësi atyre në Tiranë. Ndërsa PS-ja, megjithëse ishte e pranishme në pjesën protokollare të kremtimeve në Tiranë, i dha shumë më tepër rëndësi atyre në Vlorë.
Parë nga një këndvështrim ngushtësisht politik, të dyja palët duhet të kenë fituar pikë të brabarta në elektoratet përkatëse me këtë xhonglim të shpërndarjes së kohës mes Vlorës dhe Tiranës. Por nga mënyra sesi u organizuan gjërat në këto dy kryeqytete, të dikurshmin dhe aktualin, duket se PD-ja doli e humbur – skifoja e tmerrshme e “tortës më të madhe në botë” (citimi është marrë nga goja e Berishës) duhet ta ketë ulur efektin e mësipërm (torta e Vlorës ishte shumë më e vogël për të patur incidente të mëdha). Pra, parë nga këndvështrimi ngushtësisht politik, mund të thuhet se PD-ja shënoi një autogol prej rrëmujës që organizoi në portën e vet.
Nga ana tjetër, dy parti të vogla, Aleanca Kuqezi dhe LSI-ja, dhanë goditje të drejtpërdrejta politike gjatë festave, pa u merakosur për mbulimin e tyre me ndonjë vello kremtuese. Aleanca Kuqezi, në doganën e Morinës, bëri një “bashkim simbolik” të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë (“Shqipëria e Veriut” dhe “Shqipëria e Jugut” i quajti Kreshnik Spahiu i AK-së). Gjithashtu aty filloi edhe nënshkrimi i një peticioni për referendumin mbi bashkimin e “dy Shqipërive” dhe u akuzua “filogreku” Nano i PS-së, për takimin me Millosheviçin, dhe “filoserbi” Berisha i PD-së, për afera me “Fazlliçët”.
Duke gjykuar nga eksperienca e AK-së me peticionin për Censusin 2011, ky peticion i ri i saj mund të konsiderohet si një mjet efektiv për të shtuar rradhët e anëtarëve dhe përkrahësve të partisë (firmëtarët japin numrat e telefonit, adresat etj). Në mënyrë të veçantë, një lëvizje e tillë politike bëhet kërcënuese për Berishën për dy arësye.
Së pari, Berisha është munduar t’i krijojë përshtypjen elektoratit të tij se është ai dhe vetëm ai “baca” nacionalist që do të realizojë eventualisht bashkimin kombëtar (Dhe sot AK-ja e sfidoi Berishën duke i dërguar formularin e peticionit për firmosje “bazuar në nenin 150, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku populli nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote ka të drejtën t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.”)
Së dyti, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se më mirë pranon që vendi të shkojë në përsëritje të zgjedhjeve se sa t’i japë vota Berishës për të krijuar qeverinë e ardhshme. Pra, ka dhënë garanci publike se votat që do të marrë partia e tij do të jenë vetëm në funksion të rotacionit politik në vitin 2013.
LSI-ja, nga ana e saj, e dha goditjen e vet politike dje, me rastin e festës së 29 nëntorit. Ilir Meta, i rrethuar nga veteranë të Luftë së Dytë Botërore, deklaroi dje në varrezat e dëshmorëve se, përveç rivlerësimit të figurës së Ahmet Zogut, duhet bërë edhe rivlerësimi i Enver Hoxhës për rolin udhëheqës në luftë. Dhe kjo lëvizje politike e Metës ishte me efekt të dyfishtë.
Së pari, ai bëri një diversion në territorin elektoral të PS-së, e cila është e kompleksuar në lidhje me përmendjen e figurës së Enver Hoxhës. Së dyti, duke kundërvënë Enver Hoxhën me Ahmet Zogun në të njëjtën fjali, Meta i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë kërcënimi partnerit të madh në koalicionin qeverisës, i cili ka disa javë që ngre në qiell figurën e të dytit dhe ka 22 vjet që baltos figurën e të parit.
Nëse kjo ishte një lëvizje taktike e Metës për të forcuar pozitat në koalicionin aktual para zgjedhjeve, apo një bombardim strategjik për të përgatitur daljen më vete në zgjedhje, mbetet të shihet. Siç kam theksuar në një shkrim të mëparshëm (http://www.respublica.al/opinion/2012/11/12/bast-apo-blof-i-ilir-metes ), është shumë e vështirë të parashikosh se ç’do të bëjë “pokeristi” Meta…
Comments
Rreth LSI dhe Metes jam
<p>Rreth LSI dhe Metes jam dakort me Zaloshnjen, eshte veshtire te thuash c'do te behet. Por jo persa i perket pikeve elektorale qe fituan partite ne Tirane dhe Vlore. PD-ja nuk shenoi aspak autogol te rasti i tortes, ata organizuan nje gje te bukur dhe simbolike, por nuk eshte faji i PD-se per njerezit injorante dhe te babezitur. Persa i perket Spahiut, levizja e tij e sotme eshte nje idiotesi politike shtyre frika per humbje votash e deklaratave "nacionaliste" te Berishes qe ne fakt nuk ishin te tilla. Berisha nuk permendi asnjehere bashkim te Shqiperise me Kosoven ne nje shtet te vetem, por bashkim ne BE.</p>
Booobo sa shpejt filluan
<p>Booobo sa shpejt filluan zgjedhjet ne Shqiperi !...Hajde e duro bir njeriu dambe-dambe!...</p>
....Jam dakort me te gjithe
....Jam dakort me te gjithe analizen. Poooor fillimi eshte pak i gabuar. Zaloshnja (si i perndjekur) vazhdon ta konsideroje PS si pasardhese te PPSH..... Jo Zaloshnja!!! PS as kreun as bazen nuk e ka komuniste apo puniste.... Nano e Rama vetem te majte nuk jane. E aq me pak komuniste. KURSE elektorati i PS NUK jane komuniste..... Ka 22vjet qe pensionistet 65-75vjecar po VDESIN fizikisht dhe rradhet e socialisteve po mbushen me antiSalista........ Kurse elektorati 40-50vjecar (te persekutuar e antikomuniste, te frustruar qe ju ka ngelur ora) PDist do vazhdoje te votoje Birishen edhe nja 10-15 vjet te tjera PD apriori....
Add new comment