Kur do të bëhet Gjermania shtet normal?

Postuar në 20 Janar, 2012 03:27
Helmut Schmidt

Këtë material ma ka dërguar Enver Robelli. Është fjalimi i ish-kancelarit gjerman Helmut Schmidt në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, mbajtur në fillim të dhjetorit. Robelli ka bërë dhe këtë sintezë për hyrje: “Në një kohë të parashikueshme Gjermania nuk do të jetë vend “normal”. Kundër kësaj flet barra jonë e jashtëzakonshme dhe e papërsëritshme historike. Dhe, përveç kësaj, edhe pozita jonë qendrore dhe me shumë peshë si në aspektin demografik, ashtu dhe atë ekonomik m’u në mes të kontinentit tonë shumë të vogël, por shumëllojshmërisht të strukturuar në shtete kombëtare.” Ja fjala e Schmidt-it:

Helmut Schmidt

Miq të dashur, zonja dhe zotërinj!

Më lejoni të filloj me një notë personale. Kur Sigmar Gabrieli (kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë – SPD, v.j.), Frank-Walter Steinmeieri (shef i Grupit Parlamentar të SPD-së në Bundestag, v.j.) dhe partia ime më lutën për një referat, me gëzim m’u kujtua se si unë sot para 65 vitesh, me Lokin (bashkëshortja e ndjerë, v.j.), me gjunjë në dysheme ngjyrosja afishe për SPD-në në Hamburg-Neugraben. Por më duhet ta pranoj menjëherë: sa i përket politikës partiake unë, për shkak të moshës, kam arritur atje diku përtej të mirës dhe të keqes. Ngaherë për mua në radhë të parë dhe të dytë janë qenësore detyrat dhe roli i kombit tonë në kornizën e pashmangshme të përbashkësisë evropiane.

Njëkohësisht më vjen mirë që mund ta ndaj këtë foltore me fqinjin tonë norvegjez Jens Stoltenberg, i cili mu në mes të një fatkeqësie të madhe të kombit të tij neve dhe të gjithë evropianëve na ka dhënë një shembull udhërrëfyes të udhëheqjes liberale, demokratike dhe të bazuar në sundimin e ligjit.

Si burrë në moshë shumë të shtyrë unë, natyrisht, mendoj në horizonte të gjata kohore – si duke shikuar prapa në histori dhe, gjithashtu, duke shikuar përpara në ardhmërinë e shpresuar dhe të synuar. Megjithatë, para pak ditësh nuk munda të jap përgjigje në një pyetje shumë të thjeshtë. Wolfgang Thierse (politikan i SPD-së, ish-kryetar i Bundestagut, v.j.) më pyeti: “Kur Gjermania, më në fund, do të bëhet shtet normal?” Dhe unë u përgjigja: në një kohë të parashikueshme Gjermania nuk do të jetë vend “normal”. Kundër kësaj flet barra jonë e jashtëzakonshme dhe e papërsëritshme historike. Dhe, përveç kësaj, edhe pozita jonë qendrore dhe me shumë peshë si në aspektin demografik, ashtu dhe atë ekonomik mu në mes të kontinentit tonë shumë të vogël, por shumëllojshmërisht të strukturuar në shtete kombëtare.

Me këtë unë tani kam arritur m’u në mes të temës komplekse të referatit tim: Gjermania dhe me dhe për Evropën.

Motivet dhe zanafillat e integrimit evropian

Ndonëse në një pakicë vendesh të 40 shteteve kombëtare të Evropës vetëdija e sotme nacionale është zhvilluar tek së voni – ta zëmë në Itali, Greqi dhe në Gjermani – prapëseprapë gjithkund dhe vazhdimisht ka pasur luftëra të përgjakshme. Historia evropiane – e shikuar nga Evropa e Mesme - mund të kuptohet edhe si rrjedhojë e luftimeve pothuaj të pafundme mes periferisë dhe qendrës dhe, anasjelltas, mes qendrës dhe periferisë. Me atë rast qendra prapë e prapë ka qenë fushëbetejë vendimtare.

Kur sundimtarët, shtetet apo popujt në qendër të Evropës ishin të dobët, atëherë fqinjët e tyre depërtonin nga periferia në qendër. Shkatërrimi më i madh dhe humbjet relativisht më të mëdha të jetëve të njerëzve ndodhën gjatë luftës së parë 30-vjeçare prej 1618 deri më 1648, e cila u zhvillua kryesisht në truallin gjerman. Atëbotë Gjermania ishte vetëm një nocion gjeografik, i definuar mjegullt dhe vetëm përmes hapësirës gjuhësore gjermane. Më vonë erdhën francezët nën Luigjin e XIV dhe përsëri Napoleoni. Suedezët nuk erdhën për herë të dytë; por disa herë erdhën anglezët dhe rusët, herën e fundit nën Stalinin.

Kur dinastitë apo shtetet në qendër të Evropës ishin të fuqishme – ose kur ndiheshin të fuqishme! – atëherë ato, anasjelltas, depërtonin në periferi. Kjo vlente qysh për kryqëzatat, të cilat, njëkohësisht, ishin fushata pushtimi, jo vetëm në drejtim të Azisë së Vogël dhe Jerusalemit, por, po ashtu, edhe drejt Prusisë Lindore dhe drejt të tri shteteve të sotme baltike. Në epokën e re kjo vlente për luftën kundër Napoleonit – dhe vlenë për tri luftërat e Bismarckut – 1864, 1866, 1870/71.

E njëjta vlen para së gjithash për luftën e dytë tridhjetëvjeçare prej vitit 1914 deri më 1945. Kjo vlen sidomos për depërtimet e Hitlerit deri te Kepi Verior, deri në Kaukaz, deri në Kretën greke, deri në Francën jugore dhe madje deri në Tobruk afër kufirit libiano-egjiptian. Katastrofa e Evropës, e provokuar nga Gjermania, përfshinte katastrofën e hebrenjve evropianë dhe katastrofën e shtetit kombëtar gjerman.

Më parë fatin fatal të gjermanëve e kishin ndarë polakët, kombet baltike, çekët, sllovakët, austriakët, hungarezët, sllovenët dhe kroatët, për aq sa të gjithë ata prej shekujsh kishin vuajtur nën pozitën e tyre qendrore gjeopolitike në këtë kontinent të vogël evropian. Ose thënë ndryshe: shumë herë ne gjermanët u kemi shkaktuar vuajtje të tjerëve nën pozitën tonë qendrore dhe të fuqishme.

Në ditët e sotme pretendimet konfliktuoze territoriale, konfliktet gjuhësore dhe kufitare, të cilat në gjysmën e parë të shekullit XX kanë luajtur një rol shumë të madh në vetëdijen e kombeve, de fakto në pjesën më të madhe janë bërë të parëndësishme, gjithsesi për ne gjermanët.

Derisa në vetëdijen e mendimit publik dhe të atij të publikuar të kombeve të Evropës dija dhe kujtesa për luftërat e Mesjetës është dobësuar gati krejtësisht, kujtesa për dy luftërat botërore të shekullit XX dhe për pushtimin gjerman ende luan një rol latent mbizotërues.

Më duket se për ne gjermanët është vendimtare që gati të gjithë fqinjët e Gjermanisë – dhe, krahas tyre, pothuaj të gjithë hebrenjtë në mbarë botën – të kujtojnë Holokaustin dhe mizoritë, të cilat u kryen në kohën e pushtimit gjerman në vendet e periferisë. Ne gjermanët nuk e kemi sa duhet të qartë se te gati të gjithë fqinjët tanë me gjasë edhe për shumë gjenerata do të ekzistojë një mosbesim latent kundër gjermanëve.

Edhe gjeneratat e ardhshme të gjermanëve duhet të jetojnë me këtë barrë historike. Ndërsa gjeneratat e sotme nuk guxojnë të harrojnë: ishte mosbesimi ndaj zhvillimit të ardhshëm të Gjermanisë, që më 1950 vuri themelet e fillimit të integrimit evropian.

Më 1946 Churchilli (kryeministri britanik, v.j.) kishte dy motive, kur në fjalimin e tij të rëndësishëm në Zürich u bëri thirrje francezëve të shkojnë mirë me gjermanët dhe bashkë me ta të themelojnë Shtetet e Bashkuara të Evropës: motivi i parë ishte rezistenca e përbashkët kundër Bashkimit Sovjetik, që dukej si kërcënim – dhe, i dyti, kyçja e Gjermanisë në një union më të madh perëndimor. Churchilli, si largpamës që ishte, shihte riforcimin e Gjermanisë.

Kur më 1950, katër vite pas fjalimit të Churchillit, Robert Schumani dhe Jean Monneti u paraqitën me Planin Schuman për bashkimin e industrisë së rëndë evropiano-perëndimore, kjo ndodhi nga motivi i njëjtë, nga motivi i lidhjes së Gjermanisë. Charles de Gaullei, i cili dhjetë vjet më vonë ia dha dorën e pajtimit Konrad Adenauerit, veproi nga motivi i njëjtë.

E gjithë kjo ndodhi nga shikimi realist në zhvillimin e ardhshëm të fuqisë gjermane, që dukej e mundshme dhe njëkohësisht frikësuese. Jo idealizimi i Victor Hugos, i cili më 1849 kishte bërë thirrje për bashkimin e Evropës, as ndonjë idealizëm tjetër nuk ishin më 1950/52 në zanafillë të integrimit evropian, që atëbotë ishte i kufizuar në Evropën Perëndimore. Burrështetasit e atëhershëm udhëheqës në Evropë dhe Amerikë (po i përmendi George Marshallin, Eisenhoverin, edhe Kennedyin, por, para të gjithëve, Churchillin, Jean Monnetin, Adenauerin dhe de Gaullein ose edhe de Gasperin dhe Henri Spaakun) assesi nuk vepruan nga idealizmi për Evropën, por nga njohuria e historisë së deriatëhershme evropiane. Ata vepruan nga shikimi realist në domosdoshmërinë e evitimit të vazhdimit të luftës mes periferisë dhe qendrës gjermane. Kush nuk e ka kuptuar këtë motiv zanafillor të integrimit evropian, që ende është element bartës, atij i mungon parakushti i domosdoshëm për zgjidhjen e krizës aktualisht tejet të acaruar të Evropës.

Sa më shumë që në rrjedhën e viteve 1960, ’70 dhe ’80 rritej pesha ekonomike, ushtarake dhe politike e Republikës së atëhershme Federale të Gjermanisë, në sytë e burrështetasve evropiano-perëndimor integrimi evropian bëhej aq më shumë një lloj sigurimi kundër joshjeve sërish të mundshme aventuriere të gjermanëve drejt një politike të forcës. Kundërshtimi fillestar për shembull i Margret Thatcherit apo Miterrandit apo Andreottit më 1989/90 kundër bashkimit të dy shteteve gjermane të pasluftës ishte qartë i bazuar në shqetësimin për një Gjermani të fuqishme në qendër të këtij kontinenti të vogël evropian.

Më lejoni këtu një digresion të shkurtër personal. E kam dëgjuar Jean Monnetin, kur merrja pjesë në komitetin e Monnetit “Pour les États-Unis d’Europe” (“Për Shtetet e Bashkuara të Evropës”, v.j.). Kjo ka qenë në vitin 1955. Për mua Jean Monneti ka mbetur njëri prej francezëve më largpamës, të cilët i kam njohur unë – sa i përket integrimit, por edhe për shkak të konceptit të tij të qasjes hap pas hapi në integrimin e Evropës.

Që nga atëherë unë, duke pasur parasysh interesin strategjik të kombit gjerman, jo nga idealizmi, jam bërë dhe kam mbetur përkrahës i integrimit evropian, përkrahës i kyçjes së Gjermanisë. (Kjo atëherë mua më çoi drejt një kontroverse me Kurt Schumacherin, të cilin si kryetar partie e çmoja shumë. Për të ballafaqimi ynë ishte krejt i parëndësishëm, për mua, ndërkaq, atëherë 30-vjeçar dhe i sapo kthyer nga lufta, ishte shumë serioz). Në vitet ’50 unë përqafova planet e ministrit të atëhershëm të jashtëm të Polonisë, Rapacki, Pastaj, në fillim të viteve ’60, unë shkrova një libër kundër strategjisë zyrtare perëndimore të hakmarrjes nukleare-strategjike, me të cilën atëherë NATO-ja kërcënonte Bashkimin e fuqishëm Sovjetik – në këtë sistem ne kemi qenë të kyçur atëherë dhe jemi edhe sot.

 

Bashkimi Evropian është i domosdoshëm

 

De Gaulle dhe Pompidou vazhduan integrimin evropian në vitet ’60 dhe në vitet e hershme ’70 me qëllim të integrimit të Gjermanisë – por ata jo me çdo kusht dëshironin të integronin vendin e tyre. Pastaj mirëkuptimi mes GIscard d’Estaingut dhe meje çoi në një periudhë të bashkëpunimit francezo-gjerman dhe vazhdimit të integrimit evropian, një periudhë e cila pas pranverës së vitit 1990 u vazhdua me sukses mes Miterrandit dhe Kohlit. Njëkohësisht nga vitet 1950/52 bashkësia evropiane deri në vitin 1991 hap pas hapi është zgjeruar prej gjashtë në dymbëdhjetë shtete anëtare.

Falë punës përgatitore të kryer kryesisht nga Jacques Delors (atëherë president i Komisionit Evropian) MItterrandi dhe Kohli më 1991 në Maastricht themeluan valutën e përbashkët evropiane, euron, e cila në vitin 2001, dhjetë vjet më vonë u fut në përdorim. Edhe kësaj here bazë e këtij vendimi ishte shqetësimi francez para një Gjermanie tepër të fuqishme – thënë më saktë: para një marke gjermane (“dojçmarkë”) tepër të fuqishme.

Ndërkohë euro është bërë valuta e dytë për nga rëndësia e ekonomisë botërore. Kjo valutë evropiane në brendi, por edhe në raport me jashtë është më e qëndrueshme se dollari amerikan – dhe më e qëndrueshme se marka gjermane në dhjetë vitet e fundit të saj. Të gjitha llafet dhe shkrimet mbi kinse “krizën e euros” janë dokrra mendjelehta të medieve, gazetarëve dhe politikanëve.

Që nga Maastrichti 1991/92 bota ka ndryshuar jashtëzakonisht. Kemi përjetuar çlirimin e popujve në Lindje të Evropës dhe shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik. Ne po përjetojmë një zhvillim fenomenal të Kinës, Indisë, Brazilit dhe vendeve të tjera në zhvillim, të cilat dikur pa dallim quheshin “bota e tretë”. Njëkohësisht ekonomitë reale botërore të pjesëve më të mëdha të botës janë “globalizuar” ose thënë qartë: gati të gjitha shtetet e botës janë të varura prej njëri-tjetrit. Para së gjithash akterët në tregjet globale financiare ndërkohë kanë përvetësuar një pushtet gati të pakontrollueshëm.

Por njëkohësisht – dhe gati pahetueshëm – njerëzimi është shumëzuar në mënyrë eksplozive dhe ka arritur në 7 miliardë njerëz. Kur jam lindur unë ishin tek 2 miliardë. Të gjitha këto zhvillime të jashtëzakonshme kanë ndikime tepër të mëdha te popujt e Evropës, te shtetet e tyre dhe në mirëqenien e tyre!

Nga ana tjetër të gjitha kombet evropiane po mplaken – dhe çdo kund po rrudhen shifrat e qytetarëve të tyre. Nga mesi i shekullit 21 me gjasë në planet do të jetojnë 9 miliardë njerëz njëkohësisht, derisa atëherë kombet evropiane së bashku do të përbëjnë vetëm 7 për qind të popullsisë botërore. 7 për qind prej 9 miliardë! Deri në vitin 1950 evropianët gjatë dy shekujve ishin mbi 20 për qind e popullsisë botërore. Por qe 50 vjet ne evropianët po pakësohemi – jo vetëm në shifra absolute, por para së gjithash në relacion me Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine. Po ashtu po bie pjesëmarrja e evropianëve në Bruto Produktin Vendor (BPV), domethënë në krijimin e vlerave të shtuara të të gjithë njerëzimit. Deri në vitin 2050 pjesëmarrja në BPV do të bie në rreth 10 për qind; më 1950 gjendej te 30 përqindëshi.

Secili komb evropian në vitin 2050 do të përbëjë vetëm një copëz prej 1 për qind të popullsisë botërore. Kjo domethënë: nëse duam të kemi shpresë se ne evropianët do të kemi ndonjë rëndësi për botën, atëherë ne këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku. Si shtete individuale – qoftë kjo Franca, Italia, Gjermania apo Polonia, Holanda ose Danimarka apo Greqia – neve në fund nuk mund të na masin me shifra përqindjeje, por vetëm në shifra promili.

Nga kjo rezulton interesi strategjik i shteteve kombëtare evropiane në bashkimin e tyre integrues. Ky interes strategjik në integrimin evropian do të bëhet gjithnjë e më shumë i rëndësishëm. Deri më tani kombet në pjesën më të madhe nuk e kanë të qartë këtë. Atyre kjo nuk po u bëhet e qartë as nga qeveritë e tyre.

Por nëse Bashkimi Evropian në rrjedhën e decenieve të ardhshme nuk arrin të krijojë një aftësi të përbashkët veprimi, qoftë kjo edhe e kufizuar, atëherë nuk mund të përjashtohet një margjinalizim me fajin tonë i shteteve të veçanta evropiane dhe i civilizimit evropian. Po aq pak mund të përjashtohet në rast të tillë ringjallja e ballafaqimeve konkurruese dhe për prestigj mes shteteve të Evropës. Në raste të tilla integrimi i Gjermanisë zor se do të funksiononte. Loja e vjetër mes qendrës dhe periferisë do të mund të bëhej sërish realitet.

Procesi i iluminizmit mbarëbotëror, i zgjerimit të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të tij, i kornizës së shtetit juridik dhe i demokratizimit nuk do të merrte më impulse efektive nga Evropa. Përballë këtyre aspekteve bashkësia evropiane bëhet domosdoshmëri ekzistenciale për shtetet kombëtare të kontinentit tonë të vjetër. Kjo domosdoshmëri shkon përtej motiveve të Churchillit dhe de Gaulleit. Ajo kalon edhe përtej motiveve të Monnetit dhe përtej motiveve të Adenauerit. Ajo sot mbulon edhe motivet e Ernst Reutersit, Fritz Erlersit, Ëilly Brandtit dhe, gjithashtu, të Helmut Kohlit.

Po shtoj: sigurisht me këtë rast përherë do të luajë rol edhe puna e integrimit të Gjermanisë. Për këtë arsye ne gjermanët duhet ta kemi të qartë se cila është detyra jonë, roli ynë në kuadër të integrimit evropian.

 

Gjermanisë i duhet konsistenca dhe korrektësia

 

Kur ne në fund të vitit 2011 e shikojmë Gjermaninë nga jashtë me sytë e fqinjëve tanë të afërt dhe të përafërt, atëherë Gjermania që prej një decenie ngjall siklet – së fundi edhe shqetësim politik. Viteve të fundit janë shfaqur dyshime të dukshme në konsistencën e politikës gjermane. Besimi në korrektësinë e politikës gjermane është dëmtuar.

Këto dyshime dhe shqetësime bazohen në gabime në politikën e jashtme të politikanëve tanë gjermanë dhe të qeverive. Ato bazohen, në pjesën tjetër, në fuqinë ekonomike të Gjermanisë së bashkuar, një fuqi që befasoi botën. Ekonomia jonë popullore duke filluar nga vitet ’70, atëbotë ende e ndarë, u zhvillua e u bë më e madhja në Evropë. Në kuptimin teknologjik, fiskal-politik dhe social-politik ajo sot është ndër ekonomitë nacionale më të fuqishme të botës. Fuqia jonë ekonomike dhe paqja jonë relativisht shumë stabile prej deceniesh kanë ngjallur edhe xhelozi – aq më tepër që norma e papunësisë dhe niveli i borxheve gjithsesi gjendet në sferën e normalitetit ndërkombëtar.

Por ne nuk e kemi sa duhet të qartë se ekonomia jonë në masë të madhe është e integruar në tregun e përbashkët evropian dhe, njëkohësisht, në masë të madhe është e globalizuar dhe, kështu, edhe e varur nga koniunktura botërore e biznesit. Në vitin 2012 ne, prandaj, do të shohim se eksportet gjermane nuk do të rriten aq.

Ndërkohë ka rezultuar një zhvillim i gabueshëm dhe tejet i rëndë, pra suficitet e vazhdueshme enorme të bilanceve tona tregtare dhe bilancit tonë të shërbimeve. Suficitet qysh prej vitesh përbëjnë rreth 5 për qind të produktit tonë social. Ato janë ngjashëm të larta sa suficitet e Kinës. Për këtë nuk jemi të vetëdijshëm, pasi që kjo nuk rezulton me tepricë në markë gjermane, por në euro. Është e domosdoshme për politikanët tanë që të jenë të vetëdijshëm për këtë rrethanë.

Sepse të gjitha suficitet janë, në realitet, deficite të të tjerëve. Kërkesat që kemi ndaj të tjerëve, janë borxhet e tyre. Bëhet fjalë për një shkelje hidhëruese e “bilancit të jashtëm ekonomik”, që dikur prej nesh ishte ngritur në ideal ligjor. Kjo shkelje duhet t’i shqetësojë partnerët tanë. Nëse së fundi ka zëra të huaj, kryesisht amerikanë – ndërkohë këta zëra vijnë nga shumë anë – të cilët kërkojnë nga Gjermania një rol udhëheqës evropian, atëherë e gjithë kjo te fqinjët tanë ngjall edhe më shumë mosbesim. Dhe ngjall kujtime të hidhura.

Ky zhvillim ekonomik dhe, njëkohësisht, kriza e aftësisë për të vepruar e organeve të Bashkimit Evropian e kanë shtyrë Gjermaninë në një rol qendror. Bashkë me presidentin francez kancelaria e ka pranuar me vullnet këtë rol. Por në shumë kryeqytete dhe po ashtu në media të disa vendeve fqinje sërish ekziston një shqetësim në rritje nga dominimi gjerman. Kësaj here nuk bëhet fjalë për një pushtet qendror tepër të fuqishëm ushtarak dhe politik, por mbase për një qendër ekonomikisht tepër të fuqishme!

Këtu është e domosdoshme një vërejtje serioze, kujdesshëm e peshuar ndaj politikanëve gjermanë, medieve dhe mendimit tonë publik.

Nëse ne gjermanët do të josheshim, bazuar në fuqinë tonë ekonomike, të pretendojmë një rol udhëheqës politik në Evropë apo së paku të luajmë Primus inter pares, atëherë një shumicë në rritje e fqinjëve tanë do të kundërshtonin këtë efektivisht. Shqetësimi i periferisë para një qendre të Evropës tepër të fuqishme do të kthehej shpejt. Konsekuencat e mundshme të një zhvillimi të tillë për BE-në do të ishin dëmtuese. Madje Gjermania do të rrëshqiste në izolim.

Republikës Federale shumë të madhe dhe shumë të fuqishme të Gjermanisë i duhet – edhe për t’u mbrojtur nga vetja! – shtrirja në integrimin evropian. Për këtë arsye që nga kohërat e Helmut Kohlit, që nga viti 1992 neni 23 i Kushtetutës na obligon për bashkëveprim “...në zhvillimin e Bashkimit Evropian”. Neni 23 na obligon për bashkëveprim edhe për “parimin e subvencionimit...”. Kriza aktuale e aftësisë për veprim e organeve të BE-së nuk dallon asgjë në këto parime.

Pozita jonë qendrore gjeopolitike, krahas kësaj roli ynë fatkeq në rrjedhën e historisë evropiane deri nga mesi i shekullit XX, duke shtuar edhe aftësinë tonë të sotme prodhuese – të gjitha këto së bashku nga secila qeveri gjermane kërkojnë një senzibilitet sa i përket interesave të partnerëve tanë në BE. Dhe gatishmëria jonë për ndihmë është e domosdoshme.

As ne gjermanët nuk e kemi dhënë vetë dhe me forcat tona kontributin tonë të madh për rindërtim në gjashtë deceniet e fundit. Ky kontribut nuk do të ishte i mundshëm pa ndihmën e fuqive fitimtare perëndimore, pa integrimin tonë në bashkësinë evropiane dhe në aleancën atlantike, jo pa ndihmat e fqinjëve tanë, jo pa ndryshimet politike në Lindje të Evropës së Mesme dhe jo pa fundin e diktaturës komuniste. Ne gjermanët kemi arsye të jemi mirënjohës. Njëkohësisht ne kemi obligim që t’i përgjigjemi dinjitetshëm solidaritetit që kemi përjetuar përmes solidaritetit tonë ndaj fqinjëve tanë!

Të vend të kësaj synimi për një rol të veçantë në politikën botërore dhe synimi për prestigj politik botëror do të ishin mjaft të padobishme, ndoshta edhe të dëmshme. Sidoqoftë, bashkëpunimi i ngushtë me Francën dhe me Poloninë mbesin të domosdoshme, po ashtu me të gjithë fqinjët tanë dhe partnerët në Evropë.

Sipas bindjes sime është interes kardinal, afatgjatë dhe strategjik i Gjermanisë që të mos izolohet dhe të mos lejojë të izolohet. Një izolim brenda Perëndimit do të ishte i rrezikshëm. Një izolim brenda Bashkimit Evropian dhe eurozonës do të ishte tepër i rrezikshëm. Për mua ky interes i Gjermanisë është qartazi më i lartë se çdolloj interesi taktik i të gjitha partive politike.

Politikanët gjermanë dhe mediet gjermane e kanë për obligim dhe borxh që këtë bindje ta përfaqësojnë vazhdimisht në mendimin publik.

Por kur dikush lë për të kuptuar se sot dhe në të ardhmen në Evropë do të flitet gjermanisht; kur një ministër i jashtëm gjerman mendon se paraqitjet e përshtatshme televizive në Tripolis, në Kajro apo në Kabul na qenkëshin më të rëndësishme se kontaktet politike me Lisbonën, me Madridin, me Varshavën apo Pragën, me Dublinin, Hagën, Kopenhagën apo Helsinkin; kur një tjetër mendon se duhet dhënë fund “transfer-unionit” evropian – atëherë kjo është vetëm një tregim i muskujve që shkakton dëm.

Është fakt se Gjermania me decenie ka qenë shtet që ka paguar për të tjerët (pagues neto, v.j.)! Kemi mundur ta bëjmë këtë dhe e kemi bërë që nga kohërat e Adenauerit. Dhe natyrisht Greqia, Portugalia apo Irlanda kanë qenë marrës të kontributeve neto.

Për këtë solidaritet klasa politike gjermane sot nuk është sa duhet e vetëdijshme. Por deri më tani ky solidaritet vetëkuptohej. Po ashtu vetëkuptohet – dhe nga (samiti) i Lisbonës parashihet edhe me Traktat – parimi i subvencionimit: atë që një shtet nuk mund ta menaxhojë vetë apo ta përballojë, duhet ta marrë mbi vete Bashkimi Evropian.

Që nga Plani i Schumanit kancelari Kondrad Adenauer nga instinkti i drejtë politik dhe kundër rezistencës së Kurt Schumacherit dhe më vonë kundër rezistencës së Ludëig Erhardit pranoi ofertat franceze. Adenauer e ka vlerësuar drejt interesin afatgjatë strategjik gjerman – përkundër ndarjes së vazhdueshme të Gjermanisë! Të gjithë pasardhësit e tij – Brandti, Schmidti, Kohli dhe Schröderi – e kanë vazhduar politikën integruese të Adenauerit.

Krejt taktikat e politikës ditore, politikës së brendshme, politikës së jashtme nuk e kanë vënë në pyetje interesin afatgjatë strategjik të gjermanëve. Prandaj të gjithë fqinjët tanë dhe partnerët me dekada kanë mundur të llogarisin në konsistencën e politikës evropiane gjermane – pa marrë parasysh ndërrimet e qeverive. Ky kontinuitet kërkohet edhe në të ardhmen.

 

Gjendja e tanishme në BE kërkon energji vepruese

 

Kontributet konceptuale gjermane kanë qenë përherë të vetëkuptueshme. Kështu duhet të jetë edhe në të ardhmen. Por ne nuk duhet të anticipojmë ardhmërinë e largët. Ndryshimet e Traktatit (të BE-së, v.j.) edhe ashtu mund t’i korrigjojnë vetëm pjesërisht faktet e krijuara, harresat dhe gabimet e bëra para 20 vitesh në Maastricht. Propozimet e tanishme për ndryshimin e Traktatit ekzistuese të Lisbonës për të ardhmen e afërt mua më duken pak të dobishme, nëse kujtojmë vështirësitë e deritanishme sa i përket ratifikimit të gjithanshëm nacional – ose referendumet me epilog negativ.

Prandaj, pajtohem me presidentin italian, Napolitano, kur ai në tetor në një fjalim mbresëlënës kërkoi që ne sot të përqendrohemi në atë që sot është e domosdoshme të bëhet. Dhe për këtë të shterim mundësitë që na i ofron Traktati në fuqi e BE-së – sidomos sa i përket fuqizimit të rregullave buxhetore dhe politikës ekonomike në eurozonë.

Kriza aktuale e aftësisë për të vepruar e organeve të Bashkimit Evropian të krijuara në Lisbonë nuk guxon të zgjasë me vite! Me përjashtim të Bankës Qendrore Evropiane organet tjera – Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian, Komisioni i Brukselit dhe Këshillat Ministrore – që prej tejkalimit të krizës akute bankare më 2008 dhe sidomos që nga kriza pasuese e borxheve shtetërore kanë krijuar pak instrumente efektive ndihmëse.

Për tejkalimin e krizës së tanishme të udhëheqjes së BE-së nuk ekziston një recetë e patentuar. Kërkohet të ndërmerren disa hapa, pjesërisht njëkohësisht, pjesërisht njëri pas tjetrit. Nuk do të kërkohet vetëm aftësi gjykimi dhe energji, por edhe durim! Me këtë rast kontributet konceptuale gjermane nuk duhet të kufizohen në slogane. Ato nuk duhet të prezantohen në pazarin e televizioneve, por në konfidencë dhe në kuadër të organeve të BE-së. Me atë rast ne gjermanët nuk guxojmë që rendin tonë ekonomik dhe social, por as sistemin tonë federal apo legjislacionin tonë buxhetor dhe financiar t’ua prezantojmë partnerëve tanë evropianë si model apo si shkallë matëse, por vetëm si shembuj mes disa mundësive të ndryshme.

Për atë çfarë sot bën Gjermania apo nuk bën ne të gjithë bartim përgjegjësi për ndikimet e ardhshme në Evropë. Për këtë na duhet racionaliteti evropian. Por neve nuk na duhet vetëm racionaliteti, por po ashtu edhe një zemër që bashkëndjen për fqinjët dhe partnerët tanë.

Në një pikë të rëndësishme unë pajtohem me Jürgen Habermasin, i cili së fundi foli për atë se “...ne me të vërtetë tani për herë të parë në historinë e BE-së po përjetojmë një kufizim të demokracisë!”. Në fakt jo vetëm Këshilli Evropian përfshirë presidentin e tij, po ashtu edhe Komisioni Evropian përfshirë presidentin e tij, pastaj këshillat e ndryshme ministrore dhe gjithë burokracia e Brukselit së bashku e kanë hedhur anash parimin demokratik! Kur aplikuam zgjedhjen e drejtpërdrejtë të anëtarëve të Parlamentit Evropian unë rashë pre e gabimit se kështu Parlamenti do t’i krijonte vetit peshë. Në të vërtetë ai deri më tani nuk ka ushtruar ndonjë ndikim të dukshëm në ballafaqim me krizën, sepse këshillimet dhe vendimet e tij deri më tani nuk kanë pasur efekt publik.

Prandaj dua t’i bëjë thirrje Martin Schulzit (udhëheqës i fraksionit socialdemokrat në Parlamentin Evropian, v.j.): është koha e fundit që ju dhe kolegët tuaj demokristianë, socialistë, liberalë dhe të gjelbër, që së bashku, por në mënyrë drastike të dëgjoheni në publik. Ndoshta si fushë e përshtatshme për një kryengritje të Parlamentit Evropian sërish ofrohet mbikëqyrja e bankave, bursave dhe instrumenteve të tyre financiare, pasi që kjo mbikëqyrje mbeti e pamjaftueshme që nga samiti i G20 në vitin 2008.

Në fakt disa dhjetëra-mijëra akterë financash në SHBA dhe Evropë, krahas tyre disa Agjenci Rangimi, i kanë marrë peng qeveritë politikisht përgjegjëse të Evropës. Nuk mund të pritet që Barack Obama do të mund të bëjë shumë kundër tyre. E njëjta vlen për qeverinë britanike. Vërtet qeveritë e gjithë botës në vitet 2008/09 me garanci dhe me para të tatimpaguesve i kanë shpëtuar bankat. Por që nga viti 2010 kjo kope e menaxherëve tepër inteligjentë dhe, njëkohësisht, të ndjeshëm ndaj psikozave po luajnë lojën e vjetër për profite dhe bonuse. Një lojë hazarderësh në dëm të atyre që nuk luajnë, e të cilën Marion Dönhoff (editore e ndjerë e gazetës “Die Zeit”, v.j.), dhe unë qysh në vitet ’90 e kemi kritikuar si të rrezikshme për jetë.

Nëse nuk dëshiron askush të veprojë, atëherë duhet të veprojnë pjesëmarrësit e valutës euro. Si rrugë për këtë mund të shfrytëzohet neni 20 i Traktatit aktual të BE-së nga Lisbona. Aty shprehimisht parashihet që një apo disa shtete anëtare të BE-së “mes vete të krijojnë një bashkëpunim më të fuqishëm”. Sidoqoftë shtetet që marrin pjesë në valutën e përbashkët evropiane euro do të duhej që së bashku të rregullojnë tregjet e përbashkëta financiare. Prej ndarjes mes bankave te zakonshme dhe, në anën tjetër, bankave investuese dhe në hije deri te ndalimi i shitjeve fantazmë të aksioneve, deri te ndalimi i tregtisë me letra me vlerë (derivativa) derisa ato nuk janë të lejuara nga mbikëqyrja zyrtare e bursave – dhe deri te kufizimi efektiv i bizneseve të Agjencive të Rangimit deri më tani të pambikëqyrura, biznese këto që prekin eurozonën. Zonja e zotërinj, nuk dua t’ju ngarkoj më shumë me hollësi të tjera.

Natyrisht lobi i globalizuar i bankave sërish do të vinte në lëvizje të gjitha levat kundër kësaj. Ai deri më tani ka penguar të gjitha rregullimet thelbësore. Për vete ata e kanë bërë të mundshme që kopeja e tregtarëve t’i sjellë qeveritë evropiane në një situatë të detyrueshme për të shpikur “ombrella shpëtuese” – dhe t’i zgjerojë ato me “leva” (lloj borxhi, v.j.). Ka ardhur koha që kjo të kundërshtohet. Nëse evropianët demonstrojnë guxim dhe fuqi për rregullime thelbësore të tregut financiar, atëherë ne në aspektin afatmesëm mund të bëhemi zonë e stabilitetit. Nëse dështojmë këtu, atëherë pesha e Evropës do të dobësohet më tutje – dhe bota do të zhvillohet në drejtim të duumviratit mes Ëashingtonit dhe Pekinit.

Për të ardhmen e afërt të eurozonës mbesin të pashmangshëm të gjithë hapat deri më tani të paralajmëruar dhe të menduar. Këtu hyjnë fondet shpëtuese, limitet e hyrjes në borxhe dhe kontrolli i tyre, një politikë e përbashkët ekonomike dhe fiskale, pastaj një sërë reformash nacionale të politikave tatimore, shpenzuese, socialpolitike dhe të politikave të tregut të punësimit. Gjithsesi e pashmangshme do të jetë edhe një hyrje e përbashkët në borxhe. Ne gjermanët nuk guxojmë ta refuzojmë këtë të shtyrë nga egoizmi nacional.

Por ne po ashtu nuk guxojmë assesi të propagandojmë një politikë ekstreme deflacioni për mbarë Evropën. Jacques Delors ka të drejtë kur kërkon që me konsolidimin e buxheteve të nisin dhe financohen, njëkohësisht, edhe projekte që do të nxisin rritjen ekonomike. Pa rritje ekonomike, pa vende të reja pune asnjë shtet nuk mund të konsolidojë buxhetin. Kush beson se Evropa mund të shëndoshet përmes shkurtimeve buxhetore, ai më së miri le ta studiojë efektin fatal të politikës së deflacionit të Heinrich Brüningut në vitet 1930/32. Ajo shkaktoi depresion dhe një nivel të padurueshëm të papunësisë dhe, në këtë mënyrë, fundosjen e demokracisë së parë gjermane.

 

Miqve të mi

 

Për fund, miq të dashur! Në të vërtetë socialdemokratëve nuk duhet t’u predikohet aq shumë solidariteti ndërkombëtar. Sepse socialdemokracia gjermane qysh prej një shekulli e gjysmë është e orientuar ndërkombëtarisht – në masë më të madhe se gjeneratat e liberaleve, konservativëve apo kombëtaristëve gjermanë. Ne socialdemokratët njëkohësisht kemi ngulur këmbë në lirinë dhe dinjitetin e çdo njeriu. Ne po ashtu njëkohësisht kemi ngulur këmbë në demokracinë përfaqësuese, parlamentare. Këto vlera themelore na obligojnë neve sot për solidaritet evropian.

Sigurisht Evropa edhe në shekullin 21 do të përbëhet nga shtetet kombëtare, secili me gjuhën e vet dhe me historinë e vet. Për këtë arsye Evropa nuk do të bëhet shtet federal. Por Bashkimi Evropian nuk guxon të përfundojë vetëm si bashkësi shtetesh. Bashkimi Evropian duhet të mbetet një union dinamik në zhvillim. Në gjithë historinë e njerëzimit për këtë nuk ka shembull. Ne socialdemokratët duhet të kontribuojmë në zhvillimin hap pas hapi të këtij unioni.

Sa më i moshuar të bëhesh, aq më shumë mendon në horizonte të largëta kohore. Edhe si plak unë ende këmbënguli në tri vlera themelore të Programit të Godesbergut (emri i një lagjeje të Bonnit, ku më 1959 SPD miratoi programin që e shndërroi partinë prej në lëvizjeje socialiste të punëtorëve në parti popullore, v.j.): liri, drejtësi, solidaritet. Përndryshe me këtë rast unë sot kujtoj se drejtësi domethënë para së gjithash shanse të barabarta për fëmijët, nxënësit dhe për të rinjtë në përgjithësi.

Kur shikoj prapa në vitin 1945 ose kur mund të shikojë prapa në vitin 1933 – atëbotë unë sapo i kisha mbushur 14 vjet -, atëherë përparimi që kemi arritur deri më sot më duket pothuaj i pabesueshëm. Ky është përparimi, të cilin evropianët e kanë arritur që nga Plani Marshall më 1948, që nga Plani i Schumanit më 1959, falë Lech Ëalesas dhe lëvizjes Solidarnosz, falë Vaclav Havelit dhe Kartës 77, falë atyre gjermanëve në Leipzig dhe Berlinin lindor që nga kthesa e madhe më 1989/90.

Nëse sot pjesa më e madhe e Evropës i gëzohet të drejtave të njeriut dhe paqes, atëherë këtë ne nuk kemi mundur ta marrim me mend as më 1918, as më 1933, as më 1945. Të punojmë, pra, dhe të luftojmë për atë që Bashkimi Evropian, historikisht i papërsëritshëm, të largohet nga dobësia aktuale i qëndrueshëm dhe me vetëbesim!

Nga gjermanishtja:

Enver Robelli

Comments

Submitted by anonimi (not verified) on

<p>Eshte i vetmi kritik bindes ndaj finteve politike te A.Merkel.</p>

Submitted by Iluministi (not verified) on

<p>Ju lutem, postojani Saliut, që të shohë (jo që të kuptojë, pasi kjo do të ishte e tepërt për atë), se si realizohet meta-njohja në trurin e një udhëheqësit brilant të kombit, nëpërmjet integrimit të dijeve ekonomike, politike, juridike, sociologjike, historike. Sepse, ndoshta mund t&rsquo; vlejë si kriter për vetëvlerësim. Megjithëse për këtë ka pak gjasat. Pasi që po ta kishte këtë aftësi vete-reflektimi, nuk do të vijonte të broçkolliste pa u lodhur herë për frutorë e arrorë, herë për rrugë e tunele e herë për stilolapsa-pistoletë e grushte shteti. &nbsp;</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by DJ MUX (not verified) on

<p>Sa per dijeni, ky njeri eshte 93 vjec ne momentin qe flasim dhe fjalimin e ka mbajtur ne dhjetor. Krahasojeni nje cike me njerezit qe kane drejtuar Shqiperine...duke perfshire edhe Xhaxhi Enverin...dhe do kuptoni pse ata jane ashtu dhe neve keshtu.</p>

Submitted by adriatik (not verified) on

<p>Kur nje individ shpjegon ceshtje komplekse me nje terminologji te kuptueshme nga te gjithe nuk ka se si mos ta kesh zili.</p><p>Gjermanet, si gjithmone, No 1 !</p><p>P.S.</p><p>Pervec ne futboll ku Italia sistematikisht i prish festen :)</p>

Submitted by Anna (not verified) on

<p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p><p>Përgëzoj cilindo që bën përpjekje të jashtëzakonshme për të përkthyer në shqip fjalime të tilla me vlerë, me qëllim zgjerimin e horizontit ose përditësimin e njohurive të lexuesve si puna ime.&nbsp;&nbsp; Por, ky shkrim do të kishte qenë edhe më me vlerë, nëse do të ishin harxhuar edhe dhjetë minuta më tepër për redaktimin e tij.</p><p>Po detyrohem ta them diçka të tillë sepse, për fat të keq, dëshira e madhe për të lexuar këtë artikull, pak nga pak m&rsquo;u shndërrua në torturë.&nbsp; Kjo për faktin se si të thuash, herë-herë shqipja më dukej jo e rrjedhshme, fjalitë sikur nuk më tingëllonin natyrshëm, dhe teksti nuk &ldquo;lexohej me&nbsp; sy&rdquo;.&nbsp;</p><p>Si rrjedhim, nuk arrita të përqëndrohesha tek përmbajtja e këtij fjalimi.</p>

Submitted by Anna (not verified) on

<p>Përgëzoj cilindo që bën përpjekje të jashtëzakonshme për të përkthyer në shqip fjalime të tilla me vlerë, me qëllim zgjerimin e horizontit ose përditësimin e njohurive të lexuesve si puna ime.&nbsp;&nbsp; Por, ky shkrim do të kishte qenë edhe më me vlerë, nëse do të ishin harxhuar edhe dhjetë minuta më tepër për redaktimin e tij.</p><p>Po detyrohem ta them diçka të tillë sepse, për fat të keq, dëshira e madhe për të lexuar këtë artikull, pak nga pak m&rsquo;u shndërrua në torturë.&nbsp; Kjo për faktin se si të thuash, herë-herë shqipja më dukej jo e rrjedhshme, fjalitë sikur nuk më tingëllonin natyrshëm, dhe teksti nuk &ldquo;lexohej me&nbsp; sy&rdquo;.&nbsp;</p><p>Si rrjedhim, nuk arrita të përqëndrohesha tek përmbajtja e këtij fjalimi.</p>

Submitted by Liridoni (not verified) on

<p>Pajtohem Enver Robelli eshte perkthyes i mire, por si autor dhe gazetar shume mesatar. Do te duhej te bente me shume perkthime sepse keshtu e shfrytezon kohee&nbsp; tij me mire. Pergezime Enver perkthyesi.</p>

Submitted by Anti-indiferenti (not verified) on

<p>Bravo Muci qe e ke botuar kete raport brilant, te nje politikani te madh qe eshte ne moshen 94 vjecare eshte tmerresisht i kthjellet tu ndricoje rrugen e politikes te rinjve.</p><p>&nbsp;</p><p>Ky artikull dhe ai i per Wollfarth kopukun jane super-perla.</p><p>Kur do na e japesh mundesine te bejme donacione online per Respublica sic i bejme edhe tek gazeta TEMA ??</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by beni (not verified) on

<p>Pajtohem me komentin e Annes.Leximi i keti&nbsp;fjalimi mu be i merzitshem sa me beri te mendoj se ky Schmidt e paska tepruar me ket fjalim te stergjatur.Me gjithe respektin per shkrimet e mira te gazetarit Robelli,duke lexuar ket perkthim,fitova pershtypjen sikur lexova dicka te perkthyer pak sa mekanikisht,apo sikur &quot;Google Translate&quot;!</p>

Submitted by Gjergji (not verified) on

<p>Jeni ne vete? Kjo eshte nje fjale politike, shume e qarte per mendimin tim. Nuk eshte nje tragjedi e Eskilit qe kerkohet skrupolozitet gjuhesor. Lexova pa ndonje veshtiresi per tu ankuar. &nbsp;Paguan ndonjeri nga ju keso perkthimesh? Komplimenta perkthyesit qe na solli kete shkrim te shkelqyer!</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Ju &nbsp;falenderoj qe keni shpenzuar kohe per ta perkthyer ne menyre qe te na ndriconi me shume e te na sillni ca oksigjen, per te kuptuar &nbsp;rreth debatit te vertete mbi europen. Fjalime te tilla sigurisht qe kerkojne investimin e shteteve -kombe per te pasur ne krye te tille burra , por ne, ne periferine e periferise sone, na ndricon per te pare dhe kuptuar, se sa larg jemi rreth perpjekjeve serioze, per te qene nje shtet - komb dinjitoz dhe i vetedijshem.... &nbsp;te shurdhuar dhe te lodhur nga megafonet e media -politikes se fshatit, &nbsp;kisha humbur besimin se mund te vinte ndonje &nbsp;artikull rilindes si ky....kam pershtypjen se disa komentues te lodhur nga peisazhi qe permenda, s&#39;kane pasur durimin e duhur apo sic themi ne shqip &quot;nerva &quot; per ta cuar deri ne fund mendimin ... por sa per ate qe e ka perkthyer dhe na e ka sherbyer free permes internetit, do te doja ta falenderoja dhe nje here.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.