Kultura in medias res

Postuar në 24 Dhjetor, 2011 06:08
Blerina Rogova Gaxha

Nuk besoj të ketë qoftë edhe një gazetë të vetme, një televizion kombëtar ose lokal, apo një radio që të mos ketë redaksi dhe faqe ose emision të kulturës. Kështu është me pothuaj të gjitha gazetat e ditës, siç janë Koha, Zëri, Expres, Shqip...ose televizionet si RTK, Top Channel, Kohavision e të tjerë. Secila nga këto mediume i ka edhe redaksitë e kulturës, emisionet ose faqet e kulturës. Por, cila realisht është hapësira që e ka kultura sot në shtypin dhe në medien elektronike shqiptare.

Në një analizë të Institutit shqiptar të medies, të bërë kohë më parë, ku për analizë ishin marrë pesë gazeta shqiptare, rezultonte se hapësira mediale për kulturën po shënonte një rënie drastike. Analiza i referohej shtypit të Tiranës, por me gjasë një situatë e ngjashme, në mos edhe më e keq, është edhe në hapësirën mediale të Kosovës. Janë shumë të rralla rastet kur kryetitujt e gazetave ose të emisioneve informative vijnë nga sfera e kulturës. Madje, kjo nuk ndodh as kur në shtetet e vogla shqiptare mbahen ngjarje kulturore të karakterit ndërkombëtar.

Ndoshta pse jemi mësuar që gjithmonë të shohim pak kulturë në mediet tona, na është bërë e zakonshme që as të mos presim të shohim më shumë. Se cila është hapësirë mediale për kulturën që krijohet brenda hapësirës shqiptare, ose edhe vetëm brenda asaj kosovare, kuptohet lehtë vetëm nëse përcjellim disa prej mediumeve tona kryesore. Kur një ministër promovon një çfarëdo libri, ia mësyjnë të gjitha kamerat, por nëse dikush promovon një libër që mund të jetë i rëndësishëm për shkencën dhe letërsinë shqipe, ose për fushat tjera, pakkush ‘ia var’. I rëndësishëm mbetet emri që boton librin dhe jo vlera që mund të ketë ai.

Ka ndodhur shpesh që edhe kamera e RTK-së me gazetarin e mplakur të kulturës pas saj, të nuhasë dhe të shkojë vetëm aty ku ka emra “të mëdhenj” dhe të bëjë storje kulture që mund të jenë krejt bajate, ose edhe në raste të tjera, qesharake, siç ka ndodhur në panairin e librit në Tiranë, kur gazetari “i mplakur” e pyeste Helena Kadarenë, nëse burri i saj Ismaili, tani do ta botonte një vepër të ngjashme me të sajën, për t’iu hakmarrë asaj, dhe gruaja që kishte zgurdulluar sytë thoshte e habitur: “Unë pa aprovimin e tij, s’do ta kisha shkruar kurrë”. Ndonëse kësaj radhe gazetari kishte zgjedhur një vend të mirë për të bërë një storje kulture, prapë ia kishte huqur, me ose pa qëllim.

Një medium publik si RTK-ja do të duhej që kulturës, si një sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm, t’i jepte një hapësirë të një përmase tjetër. Më shumë sesa mediumi publik nuk japin as mediumet private, Klan Kosova që shkon e ndjek ngjarje në llojin e stilin e vet, shpesh amatoresk, pos promovimeve të emrave të mëdhenj gjen edhe ngjarje të tjera të kulturës, të cilat zakonisht i transmeton në mëngjes dhe i ritransmeton pasdite, ose anasjelltas.

Ndërsa Kohavision, që i kushton pak më shumë vëmendje kulturës, jo rrallë realizon storje të lezeçme, por gjithmonë ka një por... Sa janë boll disa kronika kulture ose aty-këtu edhe ndonjë emision, herë i rregullt e herë i rallë, për ta ndjerë praninë e kulturës nëpër medie, apo ndoshta këto janë të mjaftueshme për ta ndjerë më shumë mungesën e saj.

Nëse kultura është ajo që në termin e vet përfshin të gjitha artet, gjithë dashurinë dhe të menduarit e mënyrën e jetesës, duke u dhënë asaj lirinë dhe shpirtin, atëherë pse sot s’po na mundësojnë të jetojmë, kur kemi nevojë për më shumë, dhe që këtë hapësirë që e kemi më shumë e ndrydhim sesa që e plotësojmë.

Redaksitë e kulturës, posaçërisht ato të televizioneve, për pak ditë e fillojnë “gjymyshin” dhe i nxjerrin “dajrexhitë” për gëzimin e festave që fillojnë sot, e përfundojnë diku në janar. Dhe mundohen e harxhojnë shumë për gëzimin e popullit “dajrexhi” dhe flasin e gërgasin, për nivelin e lartë të kulturës në mediet elektronike. Të gjithë këto i bëjnë në kohën kur kultura për pjesën më të madhe të medies, është “rahmet pastë”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.