Kufijtë e vjetër të horizonteve të reja
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5293_1_2492.jpg?itok=rCpM3ODz)
''E çka doni në Kosovë, a s'ju del Shqipnia? Po doni me marr naj plum qorr'', mërmëriste me ton tallës kosovari i varfër në Morinë në kohën kur milicia e Thaçit e vënë nën urdhërat e Eulex-it dhe një komandanti turk ushtroi dhunë të drejtëpërdrejtë fizike dhe morale kundrejt aktivistëve në ndihmë të Vetëvendosjes. Po a mund të konsiderohet kufi Morina? S’ma do mendja. Kufiri i vërtetë në atë mesele ishte kosovari i varfër dhe mendësia e tij vetëskllavëruese, individ, i cili refuzon sistematikisht ndryshimin dhe kërruset vetëdijshëm karshi skamjes masive në Kosovën e Hashimit a Qënie e cila nuk futet as në marrëdhënie me veten e me botën, por vetëm sillet në atë mjedisin e tij të tymtë ashtu i trullosur,me një mori instiktesh të kufizuara në Mbijetesën e mëditshme. Po Kosova çka është? Si shkelës fillestar në atë tokë nuk shihje asnjë shenjë shteti me buxhet 1 miliard eurosh, se më shumë dukej si një katund i madh a feud, ku milicët e feudalit e konsiderojnë atë truall dhe ata të mjerë si taksa, me koncept mendimi edhe më absurd se ''Kështjella'' e Franc Kafkës. Ky është kufiri embrional, i cili duhet të shembet, kufi i vijëzuar në horizonte të ngushta njerëzore. Kufiri tjetër është dhe më i neveritshëm; është një kufi i brumosur me mendësinë e Sovranitetit Absolut të morisë së ndërkombëtarëve, të cilët mendojnë se kanë të drejtën të vendosin mbi fatet e të tjerëve në varësi të orekseve politike, t’i nënshtrojnë ata e t’i shohin si module ku mund të strukturohen karrierizma në emër të Lirisjellësve. E këta Lirisjellës kanë kushte e vënë kushtëzime duke e mjeruar lirinë vetëm në liri konsumi ose siç thotë Feraj në 'E Pafilozofuara': Të tresësh lirinë në aparatin tretës; Se liria vendimarrëse nuk ka më asnjë shenjë vullneti individual dhe liria fizike e shtetasit të Kosovës kufizohet deri në Durrës në korrik a Has në Janar. Po ashtu kosovari nuk mundet të ketë lirinë fizike në zemër të territorit të tij, nuk mund të shkojë në Veri, nuk mund të ketë të mira kushtetuese sa serbi zjarrvënës i Mitrovicës, nuk mund të konsumojë mallin e Kosovës, nuk mund të ndalë marrëveshjet e bëra mbi kurrizin e tij e së fundi nuk mund të ndalë vdekjen dalëngadaltë ekonomike. Ky është kufizimi i kushtëzuar i ndërkombëtarëve kundrejt kosovarit të varfër, kufi i cili duhet të shembet dhunshëm siç u shemb dhe ai i Millosheviçit në '99. Kufiri i tretë është Thaçi & Co. Hashim Thaçi është për t’u admiruar, seriozisht! E keni vënë re atë kufirin e vënë prej tij rreth vetes; atë kultin e pandëshkueshmërisë të formëzuar me makinacione diktatoriale dhe kontribute ambasadorësh. Ky është kufiri individual i Hashimit, kufi i instaluar në PDK dhe në Vlada Koçobo në një kohë kur ministra të tij dhe zyrtarë të alternativës u mohohet liria dhe vihen nën arrest. Kufinjtë e Thaçit kanë milicinë me vete, xhandarët e Eulex-it, ushtarakët e KFOR-it dhe hafijet e ICO-s. Por më e tmerrshmja është se mbi këta milicë kryeson një i marrë: Bajram Rexhepi, i cili dhunimin e 146 aktivistëve e etiketon sukses, madje dëshmohet dhe më dictator me arsyetimin se policia e Kosovës dhunoi minimalisht. Por kufijtë e Thaçit nuk sistemohen vetëm me dhunë fizike; makinacionet e tij kanë dhunën mendore, atë dhunën e lavazhit mendor, ndërthurësit e një tjetër kufiri edhe më kloroform, ku individi tëhuajësohet mendërisht në një ambient makabër. Pra askush nuk mund ta nënshtrojë Thaçin, as kushtetuta, as Ligji dhe as kolonizatorët e Kosovës, madje kundrejt tij tashmë nuk lejohen as kritikat, as demostratat dhe as demokracia. Ndaj them se Thaçi është i zoti, sepse ka krijuar një kufi edhe më diktatorial se Ahmadinejadi. Dhe së fundmi Merdare dhe Dheu i Bardhë janë kufijtë e vjetër të horizonteve të reja; Kufij ku kontrabandohet kanceri me maune, vdes Kosova si shtet sovran, nis kolonizimi ekonomik, delegalizohet Legjislativi ose Parlamentarizmi, bie demokracia neoliberale, dhunohet kushtetuta dhe kriminalizohet me tej Veriu kriminal; Ndërkohë Horizontet janë të kundërtat e Kufijve : mbrohet kushtetuta dhe sovraniteti shtetëror e territorial, ushtrohet demokracia e drejtëpërdrejtë, formëzohet vendimarrja e sovranit, ndëshkohen aktet kriminale e tiranike të Thaçit & Co në mënyrat më demokratike të mundshme dhe Serbia e kolonizimit ekonomik nuk kalon. Ja pse Vetëvendosja është Horizont ku mund të shihet e ardhmja e formëzuar me demokraci dhe vetëvendosje.
Comments
E lexova dhe me pelqeu
<p>E lexova dhe me pelqeu</p>
Bravo Klod....
<p>Bravo Klod....</p>
Add new comment