Krim i pasofistikuar përballë një policie të pasofistikuar

Postuar në 05 Prill, 2012 03:25
Mustafa Nano

Pas ngjarjes së fundit te Xhamlliku, ne gazetarët u fokusuam më së shumti e jo pa të drejtë te Viktor Gushi, e te bëmat e tij, mirëpo në gjithë këtë histori ish dhe diçka tjetër që të tërhiqte vëmendjen. Ish ai dhjetëminutësh i hetimit paraprak (në fakt, i hetimit në të nxehtë; shumë në të nxehtë), që nga policia përfundoi fillimisht në duart e gazetarëve të televizionit “ABC News”, e më pas në duart e gazetarëve të të gjithë televizioneve. Ish një ngjarje më vete ajo procedurë hetimi, përballë së cilës do ishin skandalizuar të gjithë në një vend normal e të normalizuar dhe është për të ardhur keq që këtu nuk mori as minimumin e vëmendjes. U bënë katër-pesë ditë që gazetat e televizionet zhbirilojnë plot pasion në jetën private të këtij delinkuenti me pamjen e një të trallisuri dhe nuk kanë gjetur kohë e nge të merren pak me atë që s’do ish e tepërt të quhet një devijim skandaloz prej praktikave të sistemit “rule of law”.

Po mbetem te reagimi i policisë përballë kësaj ngjarjeje dhe po i marr me radhë gjërat. Me t’u arrestuar Viktor Gushi, me një fizionomi prej qyqari e me një jetë prej përbindëshi, doli kryeministri ynë dhe i vari një dekoratë në qafë policisë për punën e shkëlqyer që bëri. E shkëlqyer për çfarë? E shkëlqyer që e gjeti atë që kish vrarë në mes të ditës, në mes të qytetit, në prani të dhjetëra dëshmitarëve dhe i filmuar prej kamerave. Pas tij doli ministri që tha me këtë rast se “krimi po bëhet i sofistikuar dhe ne po e luftojmë në mënyrë të sofistikuar”. Krimi i kryer prej Gushit është i sofistikuar? Kështu e ka parë ministri me syzet e veta, por në të vërtetë si zor të gjendet në këtë botë një krim më i vrazhdë, më brutal, e më i pasofistikuar, se sa ky i Gushit. Madje, ky krim është edhe më i pasofistikuar se sa vetë ministri.

Deri këtu jemi në planin e gjepurave të natyrës politike të thëna për të promovuar “punën e mirë të policisë”. Pas ministrit ishte radha e një prej drejtorëve të Policisë së Tiranës, me emrin Bernard Çaushaj, që e fut diskutimin në një plan medemek teknik e profesional. “Vrasësi është Viktor Gushi; madje, ky ka bërë dhe dhjetëra krime të tjera; e pohoi vetë që i ka bërë këto krime”, tha në thelb Çaushaj. Me këtë logjikë i bie që, nëse unë shkoj nesër në polici, kërkoj takim me Bernardin, dhe i them i shtyrë nga ndonjë damar qyfyrexhiu apo paranojaku që mund të më kapë, se jam autori i ca krimeve që s’janë zbuluar ende, Bernardi nuk bën gjë tjetër veçse del me vrap në konferencë për shtypin dhe jep lajmin: “Kemi gjetur autorin e krimeve x, y, z etj., dhe ky e ka emrin Mustafa Nano”. Sa të sofistikuar që janë këta policët tanë!

Por kulmi i sofistikimit është hetimi dhjetëminutësh, që iu bë Viktor Gushit nga ana e policisë. Po them ‘nga ana e policisë’, por nuk duhet vënë dora në zjarr që kanë qenë policë dhe ky dyshim të lind me të parë pamjet e filmit që iu dërguan televizioneve si provë e zotësisë dhe e zhdërvjelltësisë profesionale të policisë. Skenat që u zbuluan nga ajo video janë një gjë që komprometon çdo pretendim për shtet ligjor në Shqipëri. Janë skena që e turpërojnë policinë shqiptare në “këtë vit të madh jubilar, kur po festojnë me pompë të madhe 100- vjetorin e shtetit shqiptar”.

Gjithçka zhvillohej në një lokal me sipërfaqe të vogël, me mure të zhveshura, me një krevat me dyshek të përmbysur e jorgan të hedhur dosido mbi dyshek, e me një perde që të çonte në një si aneks. Folësit e televizioneve thanë se kjo është shtëpia e Viktor Gushit, i cili, i vënë me shpinë për muri, shfaqet fillimisht me një çorape që ia kishin rrasur në kokë. Dikush ndërhyn, dhe thotë t’ia heqin atë çorape, dhe këtu zë fill intervista, apo hetimi, në shtëpinë e tij!!!

Sipas ligjeve të shtetit shqiptar, një i arrestuar që akuzohet për një vepër penale, merret në pyetje nga një oficer i policisë gjyqësore. Tok me të, duhet të jetë dhe avokati i të pandehurit. Bën vaki që ky i fundit nuk njeh asnjë avokat, e nuk ka fuqi financiare të paguajë një avokat, por kjo merret vesh vetëm pasi ai njihet me të drejtën e tij për të pasur një avokat. Në rrethanat në fjalë, i caktohet një avokat nga ata që janë pranë policisë a prokurorisë, e që quhen “avokatë kryesisht”. Në atë shtëpi nuk u pa asnjë avokat (nuk kish se si e se pse të shkonte avokati të asistonte këtë hetim shtëpiak; as në Shqipërinë surreale pa avokatë të Enver Hoxhës nuk janë bërë hetime në shtëpinë e të pandehurit) e nuk u pa asnjë oficer i policisë gjyqësore. Në ndonjë televizion u tha se Gushi u mor në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, por kjo është e pamundur të ketë ndodhur. Atje kish një duzinë me policë, me uniformë e pa uniformë, që flisnin si t’u tekej e kur t’u tekej. Ishin krejt të shkujdesur, ndërprisnin njëri-tjetrin, flisnin me një gjuhë rrugësh e mejhanesh, ndërprisnin autorin e krimeve, për të cilin dukej që kishin merak ta sajdisnin ca si shumë, gjë që nuk është në praktikën e policisë sonë as në rrethanat e krimeve banale (fjala vjen, viheshin në garë kush e kush t’i jepte cigare), etj. Asnjë oficer i policisë gjyqësore nuk pranon të hetojë në rrethana të tilla.

Pikërisht këto skena të filmuara i dërguan turravrapthi nëpër studio televizive (pse vallë? Pse këtë herë iu desh të kuturisnin në mënyrë televizive, dhe herë të tjera jo?), e ndoshta mbi bazën e këtyre pamjeve gjykata ka vendosur mbajtjen në burg pa afat të të akuzuarit. Ka shumë gjasa që Viktor Gushi të jetë autor i krimeve, të cilat ai po i rrëfen, por lidhur me krimin e fundit të tij (atë të kryer tek Xhamlliku, ku gjeti vdekjen arkëtarja dhe u plagos roja i sigurisë), një pyetje mund të bëhet: Ka ndonjë gjyqtar që mund të thotë se ajo video dhe ai hetim, kanë një vlerë procedurale e ligjore? Mund të mbahet njeri në burg mbi bazën e atyre pamjeve, që më shumë të jepnin idenë e pazarit të Roskovecit (Gushi e di se ç’është pazari i Roskovecit, se e ka afër Patosit), se sa të një hetimi? Duhet të jetë hall i madh të kesh të bësh me policë të tillë. Duhet të jetë më i madh se sa halli që të çon tek ata.

Comments

Submitted by Ed Martini (not verified) on

Pershendetje Z. Nano,

Qe policia jone eshte e pasofistiuar, kjo kuptohet lehte. Qe kjo polici nuk eshte profesionale ne shumicen e rasteve, qe policet jane fodull ne pergjithsi, arrogant ne vecanti, te korruptuar ne nje mase te madhe, edhe kjo nuk do shume mund per tu kuptuar. Por qe ka edhe polic te lidhur me krimin, qe shpesh here jane korrier te tij dhe informator te krimit, edhe kjo dihet. Qe te emerohesh ne nje post ne polici ka pasur dhe ka raste qe duhet paguar diku shuma te konsiderueshme. Shembuj ka plot, shume prej nesh e kuptojme mire se cilat jane keto raste, por ne pergjithesi kemi zgjedhur heshtjen. Nuk me shqeteson aspak menyra se si e kane pyetur Gushon ata policet ne shtepine e tij. Fundja ai e ka pranuar se eshte ai krimineli dhe me siguri qe vertet eshte ai. Pastaj ka edhe nje arsye tjeter qe do ta them ne fund te ketij shkrimi pse nuk eshte fort keq qe policet e kane pyetur ne ate menyre Gushon.

Shqetesimi im eshte diku tjeter, qe ju Z. Nano nuk e keni analizuar.

Autori i 16 krimeve te renda dhe shume te renda ka jetuar mes nesh prej 3-4 vitesh, jemi shkembyer me te ne rruge, kemi pire kafe ne te njejtin ambient, dhe gjate gjithe kesaj kohe, per asnje moment ai nuk ka qene i dyshuar, kjo jo per aftesi te rralla te ketij vrasesi, por per pa aftesine tronditese te policise tone. Seria e krimeve te grabitjeve te Gushos eshte aq e gjate, sa edhe nje qytetar i zakonshem me intelekt normal, po te merrej me hetimin e ketyre grabitjeve duhet te kishte arritur ne gjurmet e ketij krimineli. Por jo, ai bredh i lire, vezhgon per nje kohe te gjate viktimen e rradhes, grabit diten per diell, madje dy here ne te njejtin vend, vret pa ju dridhur dora, pastaj largohet nga vendngjarja pa i hyre gjemb ne kembe! Megjithate edhe ky rast eshte unik ne llojin e tij, dmth Gusho eshte rast i vecante i llojit te kriminelit, me nje personalitet dhe profil qe duhet analizuar nga specialist te fushes.

Ajo qe e ben situaten tronditese per jeten e shumices se shtetasve shqiptar eshte gjendja aktuale, qe tani ka marre statusin e te zakonshmes. Zakonisht ne Shqiperi (ka shume vite qe kjo ndodh perdite) kemi minimumi nje te vrare ne dite, nje vdekje nga aksidentet ne rruge, dhe nje vetvrasje ose tentative per te vrare veten. Kjo e fundit eshte pak me e rralle, eshte fjala per vetvrasjen. Shumica e ketyre krimeve zbardhet, nje pjese e tyre eshte shume e lehte per tu zgjidhur pasi dihet lehtesia me te cilen shkrepet cakmaku shqiptar. Aksidentet po ashtu jane te qarta. Mbeten krimet e tjera, ato me karakter mafioz, vrasjet e paguara, miti i kriminelve me emer te veshur me rroba biznesi dhe politike, te shtrira keto ne te gjithe jeten ekonomike dhe sociale te shoqerise tone, ne te dy planet, horizontale dhe vertikale. Madje ky lloj krimi, ka kapur edhe median, e shkruar dhe vizive. Kjo eshte shume e rende, pasi ne thelb gjendje te tilla e paralizojne nje shoqeri, i fusin tmerrin, njerzit e mire dhe te zakonshem terhiqen ne jeten e tyre pa guxuar te thone nje fjale, te tjere qe jane te angazhuar ne media thone vetem fjale te pergjithshme pa e vene ndonjehere gishtin ne plage, ndersa vrasjet e kobshme mafioze vazhdojne me ritmin e tyre te perditshem, bien dhe ngrihen mafioz te rinje me nje kurajo sfiduese, trafiqet vazhdojne, po keshtu grabitjet e pronave, e puneve publike, vazhdojne pazaret me lirine ne gjykatat shqiptare, madje ka edhe cmim per 1 vit burg, cmim ky qe ndahet mes avokatit, prokurorit dhe gjyqtarit! Lista me te korruptuarit ne administraten shqiptare nuk le jasht asnje lloj nenpunesi, te asnje kategorie! Rralle mund te kete ndonje individ qe akoma e merr rrogen ne shtetin shqiptar dhe qe nuk eshte korruptuar! Zakonisht keta jane ne vende pune periferike dhe te parendesishme.

Kjo eshte ceshtja Z. Nano. Kjo gjendje eshte nje tmerr. Per keto qe shkrova me siper nuk eshte e veshtire hic te gjesh fakte. Keto fakti i di edhe ti, edhe une, i dime te gjithe... por heshtim. Aaa, mos ndosha duhen te permenden emra dhe mbiemra? A ia vlen te biem "deshmore" ne emer te gjerave qe thuhen troc? Une kam femije dhe jam i fshehur mire diku, te pakten per momentin.  Tung!

Submitted by sociologu (not verified) on

I nderuar Z.Nano !

Ceshtja eshte se sa Viktor Gusho te paidentifikuar ka ?!Ne kushtet e nje shoqerie si ne ,eshte e natyrshme qe krimi do te mare permasa monstruoze ,papunesi ,analfabetizem,mjerim,poshterim ,te gjitha keto perkufizojne nje shtet si i yni  qe eshte ne prag te festimeve te 100 vjetorit te themelimit te tij ...

Me jepni nje arsye se pse ne duhet te quhemi shtet ? vetem nje arsye ...

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.