Komisioni Anti-Patriotik i Qeverisë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4608_1_2542.jpg?itok=ktkDtISv)
Qeveria, tashmë, duke krijuar një dozë të mirë “ekspertize” nga komisioni i “famshëm” qeveritar kundër anëtarëve të opozitës dhe medias për “hetimin” e ngjarjeve te 21 Janarit, si dhe e frymëzuar nga “rezultatet” spektakolare të këtij komisioni qeveritar, në fillim të vitit 2012 nisi inkuizicionin e radhës kundër Z. Kreshnik Spahiu, inkuizicion i cili, paradoksalisht, në thelb dhe përmbajtje, natyrisht me forma të tjera, nuk është se dallon shumë nga ato që njerëzimi ka parë rreth një mijë vjet të shkuara.
T’i bie shkurt dhe drejt – nisur nga prezumimi llogjik qe Presidenti Topi nuk do mund t’i propozojë në mënyrë anti-ligjore anëtarëve të KLD-së shkarkimin e Z. Spahiu, që ky komision qeveritar i cili vjen nga asgjëja dhe pashmangshmërisht shkon drejt asgjësë, është i destinuar të dështojë po aq keq sa dhe ai një viti më parë, është një konkluzion i para-ditur si nga qeveria po ashtu edhe nga juristët e këtij vendi. Atëhere natyrshëm lind pyetja – përse qeveria ndërmerr nje nismë të tillë e cila, në funksion të përmbushjes së objektit te saj (shkarkimin e z. Spahiu në cilësinë e nën-kryetarit të KLD-së) është e destinuar të dështojë? Meqënëse hipotezat subjektive të kësaj “përse-je” janë sa të pa-kuantifikueshme po aq edhe të pa-provueshme (dikush mund të mendonte që kjo është ‘shashka’ e radhës për të shmangur vëmendjen e opinionit nga presioni në rritje i ndërkombëtareve në lidhje me hetimin e ngjarjeve brutale të 21 Janarit, dikush tjetër mund të mendonte se kjo është një nismë për të ‘asgjësuar’ një kundërshtar të pritshëm politik që në gjenezë, e dikush mund të mendonte shumëçka tjetër), atëhëre mendoj se do t’ia vlente një analizë e pasojave të këtij inkuiziconi, jashtë objektit të tij dështak të paradestinuar.
Në parantezë më duhet të them pa ekuivok se, për mendimin tim, ndërsa qënia e Z. Spahiu në krye të një lëvizje patriotike, nuk ështe një zgjidhje e cila nga pikëpamja etike korrespondon përputhshmerisht me pozicionin e tij aktual si nën-kryetar i KLD-së, nga pikëpamja ligjore, dihet që përfshirja e Z. Spahiu në një lëvizje të tillë nuk përbën ndonjë shkelje.
Për mendimin tim, pasojat e këtij inkuizicioni do të provojnë edhe një herë se një qeveri e “djathtë”, e cila si precedent famëqek të saj ka dhurimin (unë në fakt jam dakord me ata që përdorin termin “shitje”, por përsa kohë ajo që u mor si kundërshpërblim nuk është ende fakt i provuar, për të qenë i saktë preferoj të përdor termin “dhurim”) e territoreve ujore shqiptare, jo vetëm që nuk ka në axhendë të saj të paktën disa prej pikave nga programi thellësisht patriotik i Aleancës “Kuq e Zi” (duke përjashtuar ndonjë element nacionalist nga programi i kësaj aleance) por më paradoksalisht akoma, në fakt sulmon në mënyrë të paprinciptë dhe krejtësisht të pajusifikuar Aleancën “Kuq e Zi”, nuk është dhe nuk mund të jetë qeveri e djathtë. Shoqëria shqiptare si një shoqëri që natyrshëm aspiron të integrohet në familjen europiane, motoja e së cilës është – “të bashkuar në diversitet”, sot më shumë se kurrë ka nevojë për diversitet mendimi dhe veprimi dhe lëvizja e drejtuar nga Z. Spahiu nuk mund të jetë përveçse një pjesë e çmuar e diversitetit shoqëror dhe politik shqiptar me pozitivet dhe negativet e saj. Në këtë kontekst, ‘shërbimi’ që qeveria do t’i bëjë Z. Spahiu dhe lëvizjes që ai drejton, me anë të këtij inkuizicioni është, se ajo vetë do të provojë që hapësirat e mëdha të politikë-bërjes në lëmin patriotik jo vetëm që nuk janë eskploruar nga kjo qeveri e “djathtë”, por më keq akoma ato me akte janë përdhosur.
Comments
e sulmojne pasi ak-ja do te
<p>e sulmojne pasi ak-ja do te jete opozita mbes zgjedhjeve te 13-es .zgjedhjet do ti fitoje koalicioni ps-pd-lsi</p>
Add new comment