Kauza e romëve, kauza e shumicës

ENDRIN KAKULI
Ekzistojnë Romët?! Çfarë janë këta mor v’lla! Aha… gabel’t, arixhinjtë, jevgjit, ciganët (ky i fundit është përcaktimi më romantik ndaj romëve).
Ndërkohë që të rinj romë dhe egjiptianë bëjnë thirrje për t’u solidarizuar me familjet e pastreha rome, duke reaguar ndaj makinerisë së pushtetit, i duhet të përballen me një lumë paragjykimesh nga më të ndryshmet. Një cinizëm dekurajues që do të frikësonte këdo, megjithëse për habi të të gjithëve ata nuk duket se po tërhiqen në qoftë se i referohemi thirrjes së fundit për të dalë sërish në protestë. Sapo këta njerëz të padukshëm guxuan të pohonin ekzistencën e tyre në këto javët e fundit, në çdo hapësirë ku mund të pasqyrohej opinioni i mazhorancës në mënyrë anonime ose jo, në vend të shprehjes së solidaritetit apo minimalisht tolerancës, e kundërta ndodhi. Vërshoi nga të gjitha anët një mllef i pashoq ndaj një minoriteti që shumë pak, për të mos thënë aspak, e njohin. Gjithsesi, ky tregues reflekton vetëm shtresën e parë dhe më pak të rëndësishme në mendimin tim, të atyre fenomeneve negative që bëhen penguese në integrimin e romëve, pasi është forma më eksplicite, më e papërpunuar dhe e pafiltruar e gjykimit, që kuptohet qartë se buron nga padija apo një njohje sipërfaqësore, e këtij komuniteti. Akoma më çnjerëzore dhe natyrisht e dëmshme, është heshtja e qindra njerëzve që jetojnë apo janë pasuruar duke “mbrojtur” romët dhe ky grup përbën shtresën e dytë të problemit. Nga ky grup rrjedhin edhe disa individë, ata më të “shkathëtit”, me intuitën më të zhvilluar, por edhe më të guximshmit, që nxitojnë të jenë aktivë, sepse i kanë shqisat më të skalitura në përvojë, apo kanë mundësi më shumë se të tjerët që ta nuhasin nga shumë larg prenë e tyre, këta qëndrojnë në shkallën sipërore të problemit, janë pikërisht ata që nuk ngurrojnë të përfitojnë edhe kur dikush gjendet buzë greminës, ata veç të tjerash, zakonisht nuk kanë kombësi!
Fatkeqësisht, kjo është tabloja që unë arrij të shoh, pa dashur të jem nihilist dhe të mohoj gjithashtu praninë e një pjese të popullatës që di të mos jetë përjashtuese, e një pjese tjetër (fatkeqësisht të vogël në numër) të atij grupi individësh që punon me këtë komunitet dhe është mjaftueshëm empatik, sa të dijë të tejkalojë përshkrimin burokratik të punës apo përfitimin abuziv.
Megjithatë, duke reflektuar mbi këtë realitet, në qoftë se miqtë e mi shqiptarë romë do të më dëgjonin, do t’u sugjeroja që të ruheshin më së shumti nga dy grupet e fundit, se ai i pari me gjithë dhimbjen që ju shkakton, se ju e konsideroni një zë përfaqësues të popullatës në përgjithësi, kam përshtypjen se di të jetë aq i ndjeshëm saqë sapo t’ju njohë më mirë se kush jeni, do të ndryshojë mendim, megjithëse kjo kërkon kohë. Ndërsa të tjerët jo, se atyre nuk u mungon informacioni për ju, madje pretendojnë se ju njohin aq mirë saqë ju trajnojnë që ju të bëheni më të ditur, duke hedhur euro pa fund për t’ju mësuar për shembull se si të përdorni kontraceptivët (megjithëse këta të fundit rrezikojnë të bëhen të papërdorshëm për shkak të lagështirës në çadra apo baraka), shumë e shumë euro se si të jeni politikisht aktivë, por pa ju lejuar kurrë që të jeni vërtet aktiv. Ata vijnë kërcejnë me ju, dalin me ju të qeshur para kamerave dhe në fund të ditës shkojnë të darkojnë në një restorant me pesë yje për të planifikuar spektaklin e radhës, ndërsa ju ktheheni në barakat e mjerimit të pasigurt për të nesërmen.
Ata të parët janë “popull”, por me një metër gjykimi vleror të çoroditur, sepse në botën e spektaklit, forma e manipulon lehtësisht vetëdijen. Të tjerët janë të ndërgjegjshëm, të veshur me imunitetin e politikanit, burokratit apo aktivistit të shoqërisë civile, shumica prej tyre bashkohen në paktin e heshtur në mbrojtjen e species së “homo corruptus”, megjithëse nuk është ndonjë specie që rrezikon të zhduket, përkundrazi. Neni i parë i këtij pakti makiavelist nga dhe derivojnë të tjerët, është i qartë për të gjithë: Unë jam një qenie racionale = qenie plotësisht pragmatiste/materialiste = qëllimi justifikon mjetet. Në kontekstin në të cilin po flasim, neni përkthehet shumë thjeshtë, në tavolina “pune” ku duhet me qenë politikisht korrekt (ky është një justifikim çnjerëzor) romët janë romë, ndërsa pas kuintave janë thjesht gabelë, arixhinj, apo jevgj që duhet të presin kur t’u vijë koha që të zhvillohen, pra të bëhen romë siç edhe vetë identifikohen.
Të paaftë apo në pamundësi për të vetëvendosur identitetin e tyre, ai determinohet lehtësisht nga jashtë! Në qoftë se të parët paragjykojnë apo në disa raste edhe diskriminojnë nga padija, të tjerët ju diskriminojnë në mënyrë të vetëdijshme, duke ju përdorur si mjet, pra duke e instrumentalizuar kauzën tuaj.
Të paktën kjo duhej të vazhdonte të ishte gjendja, një statusquo në të cilën rehatohet shumica syresh, por në fakt dhe fatmirësisht realiteti ynë aq sa njëdimensional, është edhe plural, megjithëse fatkeqësisht ky aspekt shfaqet më rrallë, në mënyrë kaotike dhe jo të qëndrueshme.
Qetësia u prish pikërisht nga protesta e romëve – “çudi e madhe gabelët dhe jevgjit që protestojnë”, e organizuar nga disa të rinj romë dhe egjiptianë për romët, pa logo shoqatash, pa praninë e ndërkombëtarëve, e painskenuar nga asnjë forcë politike, (pavarësisht aludimeve të qëllimshme nga burime të ndryshme) duke sfiduar në fakt rehatinë e të gjithë atyre që i paragjykojnë, gaxhej dhe jo gaxhej, një leksion i hapur për të gjithë. Veç kësaj, nuk e di se sa është konsideruar një akt tjetër, më pak i dukshëm, por mjaft i guximshëm, ku disa të rinj romë dhe egjiptianë, me pankarta në duar, hynë të paftuar në sallën ku zhvillohej mbledhja e radhës së aktorëve lokalë dhe ndërkombëtarë, (përfaqësues institucionesh të rëndësishme) që “punojnë” për romët, duke sfiduar ligjëratën e tyre të qetë, të shtruar, diplomatike, që vazhdimisht artikulohet si “daleni, problemet tuaja zgjidhen ligjërisht, institucionalisht, brenda këtij mijëvjeçari”. Protesta e tyre është e sinqertë (nga ato të rrallat që janë zhvilluar në Shqipëri këto vite) sepse edhe halli i tyre është i madh. Por reagimi pa dashje e tejkalon vetveten, pasi përfton trajtat e një proteste ndaj çdo lloj pushteti abuziv politik dhe financiar, atij që është sot dhe atij që do të vijë nesër, ndaj me sa kuptoj, edhe thirrja e tyre për të reaguar sërish u drejtohet të gjithëve.
Sepse kjo nuk është vetëm drama e tyre, por e qenies njerëzore, sidomos atij që jeton në kapitalizmin e egër të vendeve në zhvillim. Kjo është dialektika e dominuesit me të nënshtruarin, e të fortit me të dobëtin! Situata ekstremisht e rëndë që është krijuar me 37 familjet rome të pastreha dhe e shumë të tjerave përafërsisht në të njëjtën gjendje me të tyren, e mishëron më së miri këtë raport, pasi janë vendosur përballë shtresa më vulnerabël e shoqërisë, e varfër në ekstrem, e pastrehë, shpresëhumbur ndaj aktorëve lokalë dhe atyre ndërkombëtarë (pavarësisht spektaklit mediatik të këtyre aktorëve) kundrejt pushtetit të shumëllojshëm dhe shumëngjyrshëm abuziv. Ata kërkojnë një vend ku të fusin kokën, se rrethi vicioz i varfërisë nuk i lejon që të kenë një të tillë! Ndaj kushdo që solidarizohet me hallin e tyre, kushdo që e ndjen veten të dobët, kushdo që ushtron si zanat intelektin dhe është kritik ndaj makinerisë së pushtetit abuziv, kushdo që punon me ta dhe të paktën e ka kuptuar më së fundi që romët duhen marrë seriozisht, duhet t’i bashkohet medoemos kësaj thirrjeje!
Marrë nga gazeta SHQIP
Add new comment