Kali ngordhalaq i negociatave

Postuar në 25 Qershor, 2013 12:48
Arbër Zaimi

 

Zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Serbi, Lulzim Peci, s’pati mundësi të familjarizohet me punën e tij të re pasi jo më shumë se tre ditë pas mbërritjes së tij në Beograd - u shty të japë dorëheqje të parevokueshme. "Arsye e dorëheqjes time është mospajtimi dhe kritika që më është bërë nga z. Hashim Thaçi... në lidhje me deklaratën time në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njohë pavarësinë e vendit tonë", shkruan Peci në letrën e tij të dorëheqjes.

Me sa duket Peci, ish-ambasador i Kosovës në Stokholm, kur e ka pranuar emërimin në Zyrën e Ndërlidhjes – një institucion sui generis që rrjedh prej negociatave Thaçi-Daçiç – ka besuar se këto negociata si qëllim përfundimtar kanë bash njohjen e Kosovës nga Serbia, siç pretendon dhe propaganda zyrtare, mirëpo për t’ia hequr këtë iluzion ka menduar vetë “primadona” e negociatave, Hashim Thaçi. Duke gjykuar nga teksti lakonik i letrës së dorëheqjes, Peci duket i indinjuar, më shumë për arsye parimore se sa personale. Kjo nuk e përjashton mundësinë e ndonjë ofendimi personal që mund t’ia ketë bërë Thaçi në ndonjë telefonatë të ngjashme me ato të “pronto-aferës” (skandalit të përgjimeve telefonike të publikuara para disa muajsh, ku dëgjohej Thaçi e disa ministra të tij tek shanin mbarë e prapë thuajse këdo për të cilin flisnin). Por le të themi që ofendimi personal e brutaliteti verbal përnjëmend që janë kërcënimi më i vogël që vjen prej qeverisjes thuajse-gangstere të Kosovës. Rreziku më i madh qëndron te efektet politike e institucionale të veprimeve të tyre – marrëveshjes së Brukselit, privatizimeve të korruptuara e të shfrenuara, kapjes së institucioneve – veprime të cilat do të lënë një gjurmë të kushtueshme në procesin e ndërtimit të shtetit, ekonomisë e demokracisë në Kosovë.

Ende pa “rënë në tokë” deklarata e dorëheqjes, organi i pavarur pro-qeveritar Gazeta Express publikoi lajmin se sipas një zyrtari të lartë të qeverisë (që mbetej anonim): “Ambasadori Peci është kritikuar rreptë dhe është qortuar me masa paralajmëruese për shkarkim që pritej të ndodhte shpejt, për shkak të ‘takimeve të tij sekrete’ me pjesëtarët e shërbimit të inteligjencës së Serbisë...”. Nëse thaçistët kanë trashëguar diçka prej rrënjëve të tyre enveriste, ajo është pikërisht barazimi i kundërshtarit në politikën e brendshme, me armikun e jashtëm. Pra edhe Lulzim Peci u shpall poliagjent përmes dacibaos – nga një zyrtar i lartë anonim, në një gazetë të pavarur, në një vend thuajse-demokratik.

Por qeveritarët i kanë marrë masat me ngut që dorëheqja e Pecit të mos i pengojë negociatat e pandërprera në Bruksel. Ndërkohë që Thaçi po fluturon drejt kryeqendrës evropiane, pa një pa dy po i prezantohen presidentes Jahjaga kredencialet e Valdet Sadikut, gjer më tash ambasador në Zagreb, e tash e tutje zyrtar ndërlidhës në Beograd (për z.Sadiku qarkullojnë zëra se është edhe i afërm i familjes së Thaçit – gjë që natyrisht vetëm sa ia rrit “kredencialet” karshi misionit që po i japin). Siç duket vonesat nuk i justifikon as përmbajtja me të vërtetë e rëndë e letrës së dorëheqjes – që aludon në mënyrë implicite se vetë Thaçi ka qëndrim të kundërt me konstatimin se “normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njohë pavarësinë e vendit tonë”. Një letër e tillë prej një zyrtari të lartë të shërbimit diplomatik do të përbënte jo vetëm skandal mediatik, por edhe objekt hetimesh ligjore e parlamentare në cilindo vend të botës, pasi prej një konstatimi të tillë dalin dy rrjedhoja të rëndësishme logjike.

Rrjedhoja e parë është se kryeministri po gënjen kur pohon se negociatat synojnë si përfundim njohjen. E vetmja përgjigje e mundshme është se këto negociata na u zhvillokan vetëm për interesin e ngushtë, pushtetin e z. Thaçi dhe të klikës thaçiste.

Rrjedhoja e dytë, edhe më e rëndë, e cila për fat të keq konfirmohet prej analizës së impaktit të disa prej veprimeve të fundit të Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, është pandehma për interesa kundër fuqizimit të shtetit të Kosovës, kundër sovranitetit të popullit të saj. Kur një kryeministër punon kundër fuqizimit të shtetit të vet e kundër popullit të tij, atëherë në vende ku funksionojnë drejtësia e institucionet menjëherë do të kishin nisur hetimet nga legjislativi e nga gjyqësori për atë që gjetiu mbahet si krimi më i lartë për të cilin mund të jetë përgjegjës një individ. Por diskutimi publik është luks që nuk mund t’ia lejojë vetes një klasë politike e marrë peng, e vendosur prej ndërkombëtarëve nën presionin e dosjeve, si ajo që qeveris sot Kosovën. E vetmja mundësi për ta është që t’ia zgjasin dhe pak jetën vetes, duke e pezulluar demokracinë e duke e shitur gjithë mbretërinë për një kalë – kalin ngordhalaq të negociatave.

 

Revista Klan

Comments

Submitted by Daku (not verified) on

<p>Cfare ti besh Arber, e kemi ne gjak negociimin per plackat e trupit. Verlaci, Zogu, Berisha-Meta, Rugova dhe Thaci nga ana tjeter.</p><p>Kujt tia shpjegosh! Edhe delet kane me shume intuite.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.