Jo vetem premtime elektorale

Postuar në 22 Shtator, 2012 08:16
Edvin Kukunja

Një model ekonomik, ose më mirë një strategji zhvillimore e mirëfilltë, ndërsektoriale dhe bazuar në karakteristikat dhe veçanëritë e situatës ekonomike të rënduar që po kalon vendi është argument i diskutimit të këtyre ditëve të fundit. Kur flet me miq dhe të njohur të cilët ushtrojnë një aktivitet ekonomik të vogël ose mesatar, ata nuk ngurrojnë të të rrëfejnë që të ardhurat e tyre po firojnë gjithnjë e më shumë. Nuk ka liquiditet, marrëdhëniet po shndërrohen dita ditës në një do-ut-des në natyrë apo dhe thjesht me premtimin që një ditë ato lekë do të të paguhen.

Pra skenari që na shpaloset përpara është një skenar tragjik në çdo aspekt të jetës ekonomike, shoqërore dhe istitucionale të vendit. Nuk ka nevojë të jesh një ekspert me grada e tituj shkencorë për të kuptuar që kjo e jona është një shtëpi me ekonomi të shkrehur, si ajo shtëpia të cilës i janë tronditur shtyllat mbajtëse dhe shqyer dyer e dritare.

Për më tepër, në një realitet si ky i yni, njeriu shqiptar nuk gjen dot shpëtim në asnjë nga hapësirat ku ai jeton dhe punon, nëse është me fat dhe e ka një të tillë. Çdo raport është i infektuar, këtu më shumë e aty më pak, sepse ngushtë është lidhur ai me nevojën në mos për të mbijetuar,  aty ku ka pak mundësi për të realizuar ndonjë ëndërr apo ambicje personale, i duhet të përlyhet ose siç do të thosh Profesor Feraj, të përshtatet.

Njeriu shqiptar, në këtë prag njëqind vjetori të formimit të shtetit të tij , nuk është një njeri i lirë sepse e pamundur është për të zgjedhja për të qenë, për të bërë apo të thënë atë që mendon. Liria që fituam me rënien e diktaturës është thjesht një artific, një kopje shtatanike e asaj që ëndërruam. Shteti e ka braktisur njeriun në duart e një pushteti të korruptuar, shteti po i heq duke e shkatërruar, duke e tjetërsuar për dy pare dhe atë hapësirë të mundshme, e cila aq shumë i nevojitet një individi në embrion dhe një shoqërie me shumë nevoja jetike të papërmbushura.

Bëhet fjalë për hapësirën publike, e thënë ndryshe ose siç edhe thuhet, flasim për publiken, raportin e saj me kategorinë e të mirave të përbashkëta (commons) dhe me privaten. Është e pakundërshtueshme që për një shoqëri me të vërtetë demokratike kjo kategori, kategoria e të mirave të përbashkëta, përfshin një pafundësi elementësh: burimet natyrore, demokracia, puna, ADN-në njerëzore, arsimi, drejtësia, etj etj.

2.

Duhet të kemi parasysh që ajo çka ka ndodhur tashmë në Shqipëri është aplikimi i një modeli ekonomik neo-liberal. Një model që si produkt nuk mund të mos kish këtë situatë socio-ekonomik të sojit tallava dhe ku sundon ligji i të fortit, i atij të forti i cili ka mbledhur tashmë një pasuri që i garanton gjithshka. I mundësohet atij të blejë pushtetin, drejtësinë dhe njeriun nëse vërtetë e dëshiron një gjë tillë.

Pra Berisha i ka mbajtur të gjitha premtimet  e tij të bëra gjatë fushatës elektorale të 2005. Ai premtoi që do të vinte në pushtet për të sjellë mbi kalë më të fortët dhe e mbajti këtë premtim. Ky është kuptimi i vërtetë i gjithë këtij proçesi privatizimesh të egra.

Ajo çka kjo qeverisje ka aktualizuar dhe po vazhdon të aktualizojë me publiken dhe të mirën e përbashkët nuk është thjesht dhe qartë privatizimi në kuptimin juridik të admnistrimit të tyre. Ajo çka ka mundësuar kjo qeverisje është dhe më tragjike. Kjo qeverisje ka mundësuar vënien e publikes dhe të së mirës të përbashkët në shërbim dhe funksion të një pushtetit totalitar, personal dhe abuzues. Një pushtet i cili nëpërmjet asgjesimit të publikes dhe privatizimit të saj ka vënë nën thundrrën e pushtetit ekonomik të gjitha istitucionet dhe ka tashmë nën kontroll sistemin e drejtësisë.

Dhe është pikërisht kjo që e ka trandur shtëpinë tonë deri në atë pikë sa ajo tashmë është e shkrehur nga themelet e saj. Për këtë arsye kultura e pandëshkueshmërisë lulëzon në çdo aspekt të jetës istitucionale të vendit; për këtë arsye bizneset shqiptare janë drejt falimentimit; për këtë arsye arsimi shqiptar është katandisur në pikë të hallit; për këtë arsye shqiptari ka pak për të festuar në këtë prag të njëqind vjetorit të formimit të shtetit të tij të parë.

           

3.

Është e parësore të kuptojmë rëndësinë e raportit që egziston midis të mirave të përbashkëta nga njëra anë dhe privates apo publikes në anën tjetër. Shoqëritë që arrijnë të ndërtojnë raporte të ekuilibruara mes tyre janë ato shoqëri të cilat mundësojnë një ambjent të shëndetshëm për zhvillimin e njeriut si qytetar dhe si individ.

Është ky mjedisi prej nga marrin jetë transformimet politiko-shoqërore dhe është pikërisht kjo hapësira ku duhet të zhvillohet një debat i mirëfilltë politik. Ndaj dhe në këtë prospektivë duket interesante që dhe Lideri i  PS-së dhe disa prej eksponentëve më në zë të saj po e fokusojnë debatin pikërisht në këtë pikë: modeli ekonomik dhe publikja përballë privatizimeve të egra.

Z. Rama flet për nevojën e një modeli ekonomik ndryshe i cili është edhe thelbi i projektit të së majtës shqiptare, programit të saj politik. Z. Majko, në përgjigjien e tij ndaj tezës “Veliaj”,  e vë theksin tek privatizimi si një proçes që ka përçuar në humbjen e çfarëdolloj kontrolli publik mbi ekonominë. Pra, siç shihet për këtë forcë politike debati duhet të përqëndrohet mbi këto tema.             

Për të shkuar përtej premtimeve elektorale, një model ekonomik i mirëfilltë do të duhej të mbartë në thelbin e tij një model shoqëror që ne do të donim të promovonim për të ardhmen e shoqërisë tonë. Një model shoqëror bazuar mbi një raport të ekuilibruar midis publikes, privates dhe  marrëdhënies së tyre me të mirat e përbashkëta. Një forcë politike e cila kërkon votën sot për të qeverisur të nesërmen nuk duhet të druhet aspak të promovojë, të diskutojë mbi një model shoqëror dhe ekonomik që ajo ka vënë në thelb të programit të saj politik.

Në këtë pikëpamje asnjë kompleks nga e kaluara nuk duhet vuajtur. Nuk na nevojitet shenjtërimi i publikes por mbrojtja dhe administrimi i vëmendshëm i të mirave të përbashkëta. Ajo që nevojitet domosdoshmërisht për demokracinë tonë të brishtë është hedhja e disa hapave drejt konstituimit solid të së ardhmes së saj.

Hartimi dhe promovimi i një projekti social dhe ekonomik ndryshe, i cili duhet ta vërë ekonominë në shërbim të përmbushjes të nevojave jetike të individit, pra në shërbim të shoqërisë me një funksion thellësisht social. Ky projekt dhe realizimi i tij, është diçka më shumë se “just economy”. Ky është një projekt transformimesh rrënjësore të shoqërisë shqiptare dhe të çlirimit të njeriut shqiptar nga ajo gjëndje kontigjence historike në të cilën dergjet prej kohësh tashmë.

Një gjë është e sigurt! Duhet kurajo për të kundërshtuar dhe rishikuar privatizimin e atyre aseteve kombëtare që janë privatizuar tashmë. Duhet kurajo për të fituar mbi epërsinë e kotë dhe të dështuar që “e imja”, pra privatja ka marrë kundrejt publikes. Duhet kurajo për të marrë në dorë të nesërmen dhe për ta bërë atë të mundur dhe sadopak të qetë.

          

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.