Integrimi në BE – hendeku gjigand mes perceptimit dhe realitetit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6178_1_206.png?itok=3B_eEcpU)
Plot 47% e banorëve të Shqipërisë besojnë se vendi ynë e ka fituar tashmë statusin e vendit kadidat për antarësim në Bashkimin Evropian (BE), ndërsa 10% të tjerë shkojnë edhe më larg – besojnë se Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e BE-së! Këto janë rezultate të publikuara nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, që kreu vjet një vrojtim statistikor të popullsisë banuese në Shqipëri. Sipas vrojtimit, vetëm 40% e shqiptarëve kishin njohuri të sakta rreth statusit aktual të Shqipërisë në rrugëtimin e mundimshëm drejt BE-së, ndërsa 3-përqindëshi tjetër futej në kategorinë “ku di gjë unë”. Dhe dëshpëruese është se përbërja demografike e pakicës së shqiptarëve që e kishin të saktë perceptimin për statusin aktual të Shqipërisë në raport me BE-në na tregon se vetëm 1 ndër 10 prej tyre i përkisnin grupmoshës 18-24 vjeç…
Pavarësisht magnitudës së gabimit statistikor të vrojtimit të sipërcituar, mund të thuhet pa mëdyshje se ekziston një hendek gjigand mes perceptimit rreth procesit të integrimit evropian dhe realitetit të tij. Dhe kjo ndodh kur mosdhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë ka qenë një ndër kryetemat e debateve politike shqiptare në dy vjetët e fundit.
Po pse ky hendek? Nga përgjigjet që janë dhënë rreth liberalizimit të vizave në vrojtimin e sipërcituar, kuptohet tërthorazi se liberalizimi ngatërrohet nga shumkush me dhënien e statusit të vendit kandidat në BE. Dhe kjo përbën një dëshmi tronditëse të mosfunksionimit të sistemit qeverisës të demokracisë përfaqsuese në Shqipëri.
Në sistemin qeverisës të demokracisë përfaqsuese (me zanafillë në Senatin e Romës së Lashtë), sovrani popull zgjedh periodikisht përfaqësuesit e vet për të bërë ligje dhe për të qeverisur. Në rastin kur përfaqësuesit nuk realizojnë dëshirat që ka sovrani, ata zëvendësohen me të tjerë. Por që zgjedhja të jetë sa më e mirë, sovrani duhet të jetë i mirëinformuar rreth performancës së përfaqsuesve të vet gjatë periudhës mes dy zgjedhjeve.
E përkthyer në realitetin shqiptar të ditëve të sotme, kjo narrativë e demokracisë përfasuese do të na çonte në përfundimin se shqiptarët duhet të zgjedhin ata përfaqësues që mund ta përshpejtojnë integrimin evropian të Shqipërisë, përderisa shumica dërrmuese e popullsisë e aprovon integrimin (rreth 81% tregonte studimi i sipërcituar). Po si shqiptarët do të mund të zgjedhin përfaqsues më të aftë e të përkushtuar për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, kur vetëm 40% e tyre e dinë se ende nuk e kemi marrë këtë status?!
Në fakt, hendeku mes perceptimit të publikut rreth performancës së përfaqsuesve të zgjedhur dhe performancës faktike të tyre nuk është një problem vetëm shqiptar – ai është problem i brendshëm sistemik i demokracisë përfaqsuese. Në demokracinë e drejtpërdrjetë, të zbatuar për herë të parë në Athihnën e Lashtë, ndërveprimi i vazhdueshëm mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve në mbledhjet e zhvilluara në sheshin qendror të qytetit (në agorën e famshme athinase) bënte që këta të fundit të ishin relativisht të mirëinformuar për performancën e të zgjedhurve. Dhe kjo lloj demokracie nuk ishte fort vështirë të realizohej, sepse brenda kufijve të qytetit-shtet të Athinës numroheshin jo më shumë se 20 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kështuqë, kur duhej të merreshin vendime të ndryshme rreth jetës publike athinase, këshilli administrativ i qytetit thërriste një mbledhje të përgjithshme, ku diskutohej gjerë e gjatë dhe qytetarët kishin të drejtën të hidhnin nga një gur zalli të bardhë apo të zi në qypat që përfaqësonin propozimet e këshillit.
Në kohët e sotme, kur nuk ka më qytete-shtete të vogla si në Greqinë e Lashtë, zbatimi i demokracisë së drejtpërdrejtë për çdo vendimmarrje është praktikisht i pamundur – ajo mund të zbatohet vetëm për vendime shumë të rëndësishme, nëpërmjet referendumeve. Sot të zgjedhurit marrin shumë vendime gjatë periudhës mes dy zgjedhjeve, pa patur një ndërveprim të drejtëpërdrejtë me njerzit që përfaqësojnë. Ndërveprimi me ta realizohet kryesisht nëpërmjet mediave dhe sondazheve mujore të opinionit publik – mediat shërbejnë si kanale të fuqishëm për t’i dhënë inrformacion zgjedhësve dhe sondazhet për të marrë informacion prej tyre. Jo më kot mediave u është vënë epiteti pushteti i katërt, dhe unë do të shtoja se sondazhet e opinionit publik po bëhen pushteti i pestë.
Në rastin e perceptimit të gabuar rreth statusit aktual të Shqipërisë në raport me BE-në, kemi një dështim spektakolar të atyre politikanëve që janë realisht pro integrimit evropian të vendit, për të transmetuar tek publiku faktin e thjeshtë se ne jemi shumë prapa në këtë proces. Dhe ndërkohë, kemi edhe një dështim spektakolar të atyre mediave që janë realisht të interesuara në lidhje më të.
Për shembull, shumë pak është përmendur nga politikanët tanë, apo është analizuar nga mediat, fakti që marrja e statusit të vendit kandidat për në BE do të sillte, përveç të tjerave, edhe një përfitim të ndjeshëm financiar për Shqipërinë – marrja e këtij statusi do të na kualifikonte edhe për tre komponentë të tjerë të Instrumentit të Ndihmës së Para-Antarësimit. Akaktualisht përfitojmë vetëm nga dy komponentë, të cilët kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve administrative dhe teknike. Ndërsa tre të tjerët (që shtohen me marrjen e statusit të vendit kandidat) mbulojnë zhvillimin rajonal, zhvillimin bujqësor dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Pra, këto të fundit do të jenë fonde që shkojnë drejtpërdrejt tek qytetarët shqiptarë, dhe jo tek specialistët evropianë që vijnë për konsulencë me fondet e dy komponentëve të parë. (Fqinji ynë Maqedonia merr rreth 100 milion dollarë ndihmë në vit nga tri fondet e zhvillimit dhe mund të marrë deri në 300 milionë në vit, meqë e ka marrë statusin e vendit kandidat për BE.)
Ndër ata që, në anketimin e cituar në fillim të këtij shkrimi, janë përgjigjur se vendi ynë e ka fituar tashmë statusin e vendit kadidat për antarësim në BE, patjetër duhet të ketë patur edhe bujq. Dhe jam i bindur se ata nuk do të ishin përgjigjur ashtu, në qoftë se politikanët dhe mediat do t’ua kishin bërë e ribërë të qartë se sa financim do të merrte secili prej tyre nga ndihma e BE-së për zhvillimin e bujqësisë. Në të njëjtën mënyrë, të rinjtë 18-24 vjeç do ta dinin që nuk e kemi marrë ende statusin e vendit kandidat, në qoftë se do t’u ishte bërë e ribërë e qartë se sa financim do të merrte secili prej tyre nga ndihma e BE-së për zhvillimin e burimeve njerzore. E kështu me rradhë.
Po sondazhet e opinionit si do të mund të ndikonin në perceptimin e shqiptarëve rreth statusit aktual të Shqipërisë në raport me BE-në? Në mënyrë të tërthortë, por efikase. Në qoftë se sondazhet mujore do të tregonin se vetëm 40% e shqiptarëve e dinë që Shqipëria ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat, politikanët realisht pro integrimit evropian të vendit do t’i rrisnin përpjekjet për t’ua ngulitur në mendje zgjedhësve këtë fakt dhe do të mundoheshin t’ua bënin sa më të qartë atyre se kush e pengon realisht integrimin.
Po pse nuk bëhen sondazhe mujorë të opinionit në Shqipëri, si kudo në botën demokratike? Kjo është një pyetje që e kam për zemër dhe që, ndoshta për këtë arsye, do të mundohem t’i përgjigjem pak më gjatë.
Në një intervistë rreth sondazheve politike, një gazetar i Vizion Plus-it më bëri pikërisht pyetjen e mësipërme dhe, në mënyrë sugjestionuese, shtoi: “Mos ka të bëjë kjo me mungesën e sinqeritetit të të anketuarve shqiptarë?” Këtë opinion e kam hasur shpesh në biseda me të njohur e të panjohur në Shqipëri. Pak a shumë, thelbi i diskutimeve të tyre mund të përmblidhet kështu: “Në një vend si yni, me mungesë tradite në fushën e sondazheve politike, nuk mund të pretendohen parametra të ngjashëm me ato të vendeve me demokraci të konsoliduar, për shkak se nevojitet një kohë e caktuar që opinioni publik të mësohet me sondazhe dhe institucionet që ofrojnë shërbime të tilla të perfeksionohen në metodologjinë e punës kërkimore”.
Por e kundërta, në fakt, është e vërtetë. Sondazhet e opinionit janë përdorur me sukses qysh nga mesi i viteve ‘40 në vendet e pazhvilluara (Shënim: lexoni revistën “International Social Science Journal” të vitit 1963, ku përmblidhen disa studime rreth suksesit të sondazheve në vitet e hershme të kryerjes së tyre në vendet e pazhvilluara; http://unesdoc.unesco.org/images/0001/000168/016824eo.pdf). Ndërsa në ditët e sotme, pothuaj nuk ka vend ku nuk kryhen sondazhe opinioni, përfshirë dhe vendet rreth nesh.
Sidoqoftë, probabiliteti që sondazhet të gabojnë në vende me demokraci të pakonsoliduar është më i madh se në vende me demokraci të zhvilluar. Kjo mund të ndodhë, sepse: 1) Sondazhisti mund të mos dijë t’i përdorë mirë instrumentët statistikorë në kontekstin social-kulturor të vendit konkret; 2) Sondazhisti mund të blihet nga njëra apo tjetra palë në garë, për të ndikuar kështu në humorin politik të zgjedhësve para ditës së votimit. Në të dyja rastet, projektimi i votës bazuar në sondazh do të ishte pa dyshim larg realitetit.
Në Shqipëri kemi dy raste dështimi spektakolar të sondazheve të opinionit. Në zgjedhjet e 2009-ës, “Zogby International” parashikoi për llogari të “Top Channel” një avantazh gjigand për koalicionin e udhëhequr nga Berisha, ndërkohë që diferenca mes dy koalicioneve kryesore në rang vendi ishte vetëm 1.5 pikë përqindje. Për shembull, Zogbi parashikoi në qarkun e Tiranës një avantazh prej 14% për koalicionin Berisha, ndërkohë që avantazhi ishte vetëm 1%. Në të njëjtën kohë, “Gani Bobi” parashikoi për llogari të “TV Klan” një avantazh të ngjashëm me të Zogbit.
Përveç këtyre dy rasteve të dështimit spektakolar, kemi patur edhe ndonjë rast suksesi. Kështu, në vitin 2009 “IPR Marketing” parashikoi për llogari të “Ora News” se koalicioni Berisha do të fitonte 47% të votave në rang vendi, nga 46.9% që shpalli KQZ-ja. Jo më kot përdora frazën “që shpalli KQZ-ja”, sepse, siç dihet, opozita e quajti të manipuluar rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të 2009-ës. Dhe në qoftë se rreth gjysma e publikut e quan të manipuluar rezultatin zyrtar të zgjedhjeve, cila mund të jetë pika e pakundërshtueshme e referimit për saktësinë e një sondazhi?
Unë e kam provuar vetë në kurrizin tim problemin e mungesës së pikës së pakundërshtueshme të referimit për sondazhet. Para zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës në 2011-ën, zhvillova një sondazh, në bazë të të cilit parashikova publikisht një fitore të Edi Ramës në kuotën 52.6%. Dhe pas zgjedhjeve, m'u bënë komente kundërthënës nga njerëz të ndryshëm: Ata që ishin pro Bashës më thoshin se sondazhi më kishte dështuar, ndërsa ata që ishin pro Ramës më thoshin se sondazhi kishte qenë i saktë, por votimi dhe numërimi ishte manipuluar (veçoj këtu batutën e dikujt që më tha se sondazhin e kisha bërë me banorët e Tiranës, e jo me ata të Farkës, që votuan edhe andej edhe këtej!).
Historia e sondazheve politikë ka filluar me një sukses të Dr. Xhorxh Gallup, i cili parashikoi në vitin 1936 fitoren në garën presidenciale të SHBA-së, nëpërmjet një sondazhi me kampion të vogël statistikor. Dhe suksesi i tij bazohej në faktin se rezultati zyrtar i zgjedhjeve nuk u kontestua nga pala humbëse. Me fjalë të tjera, u quajt mëse i mirëqenë fakti që sondazhi mund të shërbejë si një barometër relativisht i saktë për të matur kuotat e palëve në garat politike. Qysh atëherë, kompania e themeluar prej Dr. Gallup ka kryer sondazhe periodikë mujorë rreth humorit politik të amerikanëve, si dhe ka kryer sondazhe politikë në shumë vende të botës (të zhvilluar e të pazhvilluar). Dhe shembullin e saj e kanë ndjekur me qindra kompani të tjera në të katër anët e globit.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, rezultatet e parashikuara prej sondazheve janë vertetuar nga rezultatet faktike të zgjedhjeve. Por ka pasur edhe raste kur sondazhet kanë dështuar në mënyrë spektakolare. Për shembull, në vitin 1948, të gjithë sondazhet e financuara nga mediat amerikane parashikuan fitoren e kandidatit presidencial Thomas E. Dewey, ndërkohë që rezultati përfundimtar tregoi një avantazh prej 4.4% të presidentit Truman. (New York Times shkoi deri atje sa, duke i besuar sondazheve, doli me titullin kryesor “Dewey fiton ndaj Truman”...).
Pavarësisht nga ndonjë dështim sporadik, sondazhet periodikë politikë, falë suksesit të tyre kudo në botë, janë kthyer në një mjet të fuqishëm trysnie të publikut ndaj politikanëve. Po në Shqipëri kur do të vijë një ditë e tillë? Vetëm pasi të bëhen zgjedhje plotësisht të lira e të ndershme, të pakontestuara nga ndonjë aktor i rëndësishëm politik. Dhe pasi kjo ditë të vijë, do të gjenden kompani të afta për të deshifruar humorin politik të shqiptarëve, brenda një marzhi të arsyeshëm të gabimit statistikor. Kjo ka ndodhur e ndodh edhe në vende më të pazhvilluara se Shqipëria – s’ka përse të mos ndodhë një ditë edhe tek ne…
(Botuar fillimisht në faqen e internetit të Institutit Shqiptar të Medias http://europaesse.wordpress.com/category/debati-per-integrimin/ )
Comments
Autori perdore shume fjale te

Autori perdore shume fjale te hueja pa pase nevoje. Kjo gja ia ule vleren shkrimit dhe njikohesisht len te mendoje se autori deri diku asht i shkeputun nga amabjenti dhe problemet reale shqiptare ne Shqipni.

Autori kerkon te zbatoje koncepte te shoqnive/popujve te pjekun me demokraci ne nji shoqni/popullsi qe deri ne vitin 1908 nuk kishte as alfabet dhe qe asht shkepute per pese shekuj nga qytetnimi europian dhe i brumosun me orjentin fanatik/injorant.

Ne kete shkrim flitet shume per "statusin e vendit kadidat për antarësim në Bashkimin Evropian (BE)" vetem ne kutimin e marrjes se miljonave nga BE-ja, por nuk shtrohet aspak problemi i madh dhe kryesor qe shqiptart se pari duhet te vehen ne rrugen europiane te te menduemit dhe te vepruemit. Kjo asht kryesorja. Te tjerat vijne vete si rrjedhim.

Hapi i pare asht dalja e Shqipnise nga Konferenca e Vendeve Islamike afro-aziatike prej kryeministrit Sali Berisha qe e futi Shqipnine me krye te vet ne kete konference. As opozita, ishpozita, dhe as populli nuk e kerkon nji gja te tille dhe as proteston, qe nuk u perfill ne kete vendim te Berishes.

E ku asht ky popull i pjekun per ne BE ?!?

Si mundë të ëndërojë ky

Si mundë të ëndërojë ky popull se neve na takon të jemi në BE kur ne nuk zbatojmë regullat më elementare të bejmë zgjedhe demokratike pastaj të bëjmë efiçente ekonominë dhe buqësinë atëhere duhet të kërkojmë të futemi në BE në qoftëse duam të kemi dinjitet sa për gafën që bëri ky pyka jonë që e futi vendin në organizata islamike qeveria e ardhshëme me një herë gjënë e parë që duhet të bëjë është të na nxjerë nga kjo organizatë

Add new comment