Infarkti kulturor
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/9884_1_3474.jpg?itok=HUVQb_X5)
Po qe se njeriu e lexon titullin e kësaj trajtese, nuk ka si të mos i shkojë menjëherë mendja që fjala është për këtë infarktin tonë kulturor. Amullinë dhe vdekjen klinike në të cilën kultura shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Kosovës në veçanti jo vetëm kanë pësuar keq dhe nuk ka shans të reanimohet, por gjasat e shpresat që të ngjajë diçka që do të na jepte shpresën për ecje para janë të barabarta me zero. Janë bërë aq shumë gabime e lëshime sa thjesht është e palogjikshme dhe e pamundshme të pritet përmirësim në këtë “fushë” të jetës së shqiptarëve.
Prandaj, titulli i shënuar i këtij teksti është një huazim i një titulli të një libri i cili në Gjermani është botuar para ca javësh dhe ka të bëjë (sidomos) me një debat të gjerë i cili doli si rrjedhë e këtij botimi, debat ky i cili në ndërkohë ka kaluar edhe përmasat gjermanofolëse dhe ka kapur krejt Europën.
Për çfarë është fjala? Katër autorë gjermanë- Dieter Hasselbach, Arnim Klein, Pius Knüsel dhe Stephan Opitz, të gjithë këta ekspertë nga fusha e kulturës në kontekstin e saj filozofik, sociologjik, menaxherial dhe praktik, kanë shkruar një libër me titullin “Kulturkontakt” dhe në këtë tekst kanë hedhur teza të cilat jo vetëm kanë shokuar “komunitetet” kulturore gjermane, austriake e zvicerane, por në ndërkohë kanë prekur edhe vende të mëdha e të vogla të kontinentit europian.
Teza e tyre është e thjeshtë- dhe ndoshta për këtë edhe kaq joshëse për diskutim. Me pak fjalë, autorët e “Kulturinfarkt” thonë që nëse të bësh “kulturë” më parë dhe deri më tashti ishte një komponentë shoqërore a shtetërore, kolektive a intelektuale me të cilën ngjante dhe ngjan “edukimi estetik i qenies njerëzore” dhe me këtë edhe arritja e shprehja i një stadi të lartë për njerëzit e njerëzimin, në kohën e sotme, këtë modernen, e cila ndryshe po definohet edhe si “fshati global” dhe ekonomia e re e tregut, kultura jo vetëm që ka humbur efektin e vet por faktikisht ajo, si synim i këtij definimi të sipërpërmendur, ka arritur në kufijtë e së pamundshmes dhe është më tepër se naive të supozohet që arrin ta bëjë dikënd të “lumtur” e lëre më të jetë shenjë e arritjeve dhe prezantimeve të mëdha në kuadër të traditës së bazuar në sistemin e deritashëm- nga klasika, përmes së tashmes dhe drejt së ardhmes.
Me një fjalë, autorët e librit, duke i përshkruar kontradiktat e botës moderne në të cilën për shembull të kesh një PC apo lidhje interneti, të jesh pjesëtar i një rrjeti social apo forumi diskutimesh, nuk do të thotë që je i kulturuar e aq më pak i pasur e i lumtur! Arti dhe kultura e sotme nuk i përmbushin kriteret ta paqëtojnë e aq më pak lumturojnë dikënd- qoftë individualisht ashtu edhe kolektivisht.
Aq më pak arti e kultura sot mund të avisin e lëre më të sjellin tek mirëkuptime mes kombeve të armiqësuara apo grupeve etnike rivale. Aq më pak, arti e kultura po arrijnë që të ndihmojnë në zhvillimin e vetëdijes së një jete më të mirë, urbane a rurale, përfshirë këtu edhe format e ndryshme të kombinimeve “kulturore- ekonomike”- qofshin ato brenda shoqërive e shteteve ashtu edhe atyre globale.
Thënë shkurt e shqip- autorët kërkojnë, pse të mos themi edhe ngulmojnë që tezat e tyre janë të drejta sidomos kur në pyetje janë paratë, qinda e qindra milionat që jepen nga buxhete publike, fondacione të mëdha e të vogla kulturore, komisione e komunitete të cilat tashmë qe dekada e dekada të tëra si caqe i kanë vënë vetes që përmes “kulturës” të edukohen struktura e shtresa të ndryshme shoqërore, brendapërbrenda kombeve të Europës apo edhe atyre fqinjësore.
Natyrisht që tërë këto teza më se provokuese edhe do të merreshin si joserioze po qe se autorët nuk do të jepnin edhe tezat apo idetë e tyre si të dilet nga ky, sipas tyre, qorrsokak total në të cilin harxhohen, shkrihen miliona e miliona euro. Dhe, ideja e tyre qenësore është e thjeshtë: një lloj “amerikanizimi” edhe më i madh i makro dhe mikro menaxhimeve kulturore. Pra, që të ketë një ekonomizim, ose thënë edhe më shkurt, reduktim masiv të parave për subvencionime e menaxhime kulturore (në teatër, film, arkitekturë, letërsi etj.) në mënyrë që përmes këtij ngushtimi rripi- të bëhen përpjekje më të mëdha për fitimin e parasë edhe me kulturë...
Për debatin, ose reagimet e opionit, kritikës dhe njerëzve të kulturës në Gjermani e Europë duhet thënë që pjesërisht u është dhënë e drejtë. Por, gjithnjë me kujdesin që “radikalizmi” i këtyre tezave është i mveshur me rrezikun të cilin autorët propozojnë që hapat në fjalë të ndërmerren menjëherë dhe tash!
Në njëfarë mënyre pra, të krijohet një situatë të cilën pak a shumë vendet dhe kombet si ne edhe e kemi. Diçka interesante padyshim. Derisa kjo pjesë e botës tashmë ka filluar të mendojë sesi të shkëputet nga tradita e tashme e subvencionimit e menaxhimit... ne e duam pikërisht këtë praksë pune. Sërish po vonohemi? S’ka ndryshe, sepse edhe ashtu jemi në infarkt. Por, për dallim prej asaj pjese të botës- ne jemi në të mirëfilltin. Vërtetin.
Marrë nga Zëri
Add new comment