Gjëra që nuk thuhen ndër programe

Tashmë, programi i qeverisë së re e kaloi provën e Parlamentit, madje Kryeministri Rama e lexoi atë edhe në Bruksel. U bë ç’u bë tashmë të gjithë, kundërshtarë apo entuziastë të qeverisë, asnjanës janë tërë sy e gjithë veshë se çfarë të rejash do të sjellë zbatimi i këtij programi për vendin, për familjet, për individët. Për një çast të vetëm u duk sikur tashmë problemet tona kishin nisur të shuheshin, mjafton që të kishim besim te qeveria dhe asgjë më tepër. Ka ndodhur kështu kaherë. Sa herë që janë ndërruar qeveritë – me të drejtë – ato kanë shpalosur premtimet e tyre sipas të cilave vendi shkon drejt zhvillimit, progresit, forcimit të demokracisë e drejtësisë. Shumë herë, kjo ka rezultuar e vërtetë, herë të tjera jo. Gjithsesi, duke u nisur nga interesi që marrin zakonisht ditët e para të çdo qeverie, krijohet përshtypja se populli ka dy grupime të mëdha: njëra palë që duhet të besojë te programi, ose në rastin më të mirë, të mos e kundërshtojë atë, të cilin mund ta emërtojmë populli i thjeshtë dhe një grup tjetër që është i përbërë nga njerëzit që do të zbatojnë programin në sytë e të parëve, që shohin me ankth se si këta po bëjnë detyrat e shtëpisë, njësoj si në një play game.
Në fakt, nëse nuk kalon kjo fazë euforie dhe ekzibicionizmi, do të na duhet të ruhemi nga një kurth i madh. Është një nga ato kurthe që nuk thuhet ndër programe partish dhe nuk u tha edhe këtë radhë. Ky kurth na bën të besojmë se partitë dhe qeveritë përkatëse janë ato që zbatojnë programet. Në fakt, është vetë njerëzia që zbaton programet, e shprehura nga ligjet, nënligje, sythe, vendime, rregullore, që vijnë nga ata që hartojnë programet. Pra puna e gjithsecilit prej nesh do të jetë zbatuesja e vërtetë e programit për të cilin u debatua me rreptësi në Parlament vetëm pak ditë më parë.
Asnjë program nuk e thotë dhe s’ka se si ta thotë, se që të jemi një vend a një popull i vërtetë europian duhet të ndryshojmë në radhë të parë veten akoma më parë se partitë. Madje duhet të ndryshojmë thellësisht në thelbin e cilësive tona etnopsikologjike. Një kolegu ynë shumë i njohur tha një herë me humor në një shou televiziv para zgjedhjeve: Mos vallë është më mirë të ndryshojmë popullin se partitë? Donte të thoshte pikërisht nevojën tonë urgjente për ndryshim të brendshëm.
Që të shkojmë paralel me programin për të cilin votoi shumica e shqiptarëve, duhet të ndërtojmë ne vetë në radhë të parë një sistem të ri vlerash. Duhet t’i ikë njëherë e mirë koha militantizmit. Pyetja: Ua, po si kështu, po unë kam votuar për partinë tuaj?! Si mos të më fusni në ndonjë zyrë me rëndësi, duhet që në një të ardhme të afërt të tingëllojë si një budallallëk me brirë, si një ofendim për logjikën elementare njerëzore.
Që ta meritojmë edhe më emërtimin europian duhet që dallkaukllëkun, servilizmin, emërtimet me djem hallash a tezesh, me kushërinj të largët nga fshati, apo me sisteme të ngatërruara tribale, që nisin nga fshati i origjinës dhe më pas transferohen në qytet, t’i fshijmë njëherë e mirë nga faqja e dheut. Këtë nuk ka se si të na e mësojë asnjë qeveri. Ajo vetëm mund të na ndihmojë që të shohim brenda dhe rreth e rrotull nesh.
Që të jemi më europianë do të na duhet të heqim dorë nga kulti i të fortëve, i kallashit, i krenarive idiote që shpesh kanë përfundime tragjike. Ka ardhur koha që t’u ngremë një monument mendjeve të mençura dhe punës vënçe teksa këngët me heronj dhe me legjenda njerëzish të pavdekshëm t’ua lëmë vetëm teksteve të historisë. Edhe këtë asnjë program nuk mund ta thotë. Mund të shkruhet shumë shumë se do të forcohet lufta kundër krimit, por asgjë më tepër. Mirëpo, lufta kundër krimit, sado i ashpër që të jetë ligji, nuk luftohet kur ende në shumë raste vrasësi lavdërohet:-Të lumtë pushka!,- në vend që të përbëjë delen e zezë të katundit.
Mund të tingëllojë si jashtë kohe për ndokënd, por që të jemi më europianë se tani do të na duhet të mësojmë të… ecim. Po, po të ecim. Në këmbë, me makinë, me biçikletë, kudo që jeta na përball me të tjerët. Shihni pak se sa respektohen vijat e bardha në rrugë në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe pastaj nxirrni konkluzionin se sa europianë jemi. Madje, jo vetëm do të na duhet të mësojmë të ecim, por edhe gjëra të tilla elementare sikurse janë të rrimë në radhë, t’u lirojmë vendin në autobus më të moshuarve e kështu me radhë. Përballë reformave të mëdha, me të cilat përballen programet e qeveritë këto mund të duken vogëlsira pa kuptim, porse ja që jeta është thjesht kështu, e përbërë nga gjërat e vogla.
Programet, sidomos në rastin e përballimit të tyre me miratimin, janë shpesh ekzibicionistë, entuziastë, romantikë, shpresëdhënës. Ata kurrë nuk e thonë dhe nuk kanë se si ta thonë, që brenda tyre fshihen ëndrra të mëdha. Plane njerëzish, brezash, shpresa të thyera dikur dhe pastaj të rigjetura, ylbere plot yje në qiej të nxirosur. Asnjë komb nuk mund të ecë përpara pa ëndërruar. Gjatë historisë sonë të gjatë, në shumicën e rasteve këtë të drejtë ua kemi lënë sundimtarëve, madje edhe me shumë dëshirë. Njësoj si një popull që e lodh ëndërrimi. Tani, më në fund, na ka ardhur radha të ëndërrojmë. Vetëm se nuk duhet të harrojmë që ëndrrat bëhen realitet vetëm falë sakrificave të mëdha. Europa që ëndërrojmë nuk është gjë tjetër veçse një mal i rëndë, i ngritur mbi mundin dhe sakrificat më të pamendueshme njerëzore. Dhe këtë, sigurisht, që nuk duhet ta presim të na e thotë ndonjë program qeveritar.
gazeta Shqip
Comments
Po ky popull e ka marre
<p>Po ky popull e ka marre revanshin tani ,do ti shkele vijat e bardha dhe te kaloje semaforin me te kuq,i forti ,se ashtu eshte mesuar,por eshte ligji qe duhet te filloje te zbatohet njesoj per te gjithe,dhe ketu preken interesat e te mirit ,te pafajshmit qe u demtua per 8 vjet,dhe duke pritur radhen qumeshti mbaroi.Ai prape do mbaje radhen por kete radhe per femijet e tij.Te shpresojme per te ardhmen.</p>
Add new comment