E kuqe pa turp

Postuar në 01 Dhjetor, 2012 04:17
Klodi Leka

 

Një shekull pushtet pa shtet!
Një klasë politike e paaftë për të qenë e fisshme natyrisht është e paaftë për të bërë dallimin nëpër konferenca shkencore ndërmjet Shpalljes së Pavarësisë dhe Shpalljes së një shteti të pavarur. Shto këtu dhe deficitin territorial të aktit historik të shqiptarëve, që për një arsye apo për një tjetër, dogmatika folklorike nuk mund ta përligjë dhe as nuk mund ta zhvillojë politikisht sepse nënkupton rrezik për një tufë aparatçkësh dhe ndarjen fisnore të pushtetit shtetëror. Ndryshe nuk ka kuptim rezultati i një shekulli proces shtetndërtimi: ushtarë [si të luftës a si në luftë ndaj një sistemi që ra vetëm si frymë, e jo si strukturë] të cilët orvatjen kolektive për liri dhe zhvillim e kuptojnë si të drejtë të tyre për të zëvendësuar pushtuesin në ikje! Ndaj ndryshimi ndërmjet Shpalljes së Pavarësisë dhe Shpalljes së një shteti të pavarur është kaq thelbësore në vetvete, sepse të shpallesh i pavarur do të thotë të bësh shtet për ta ushqyer këtë koncept kaq abstrakt-fillikat, dhe së dyti nuk mund të sublimosh shpalljen shtet nëse nuk realizon pavarësinë, si në marrëdhëniet e jashtme, ashtu dhe ato të brendshme ekonomiko-politike. Atëherë? Historikisht nuk kemi pasur shtet sepse kemi pasur vetëm pushtet. Pushtet partiak që dublon institucione, parti-shtet, të vetëshpallur shtet, mungesë shteti e totalitet pushteti , e gjer tek të pasurit tri shtete brenda shtetit,  tri shtete shqiptare brenda Ballkanit, e së fundmi historia përsëritet, por me një çarje të rëndësishme: kemi tre ‘shtete’ të vetëshpallura, një i delegjetimuar në Tiranë, një fejsbuks në Vlorë, dhe një donkishot që kërkon Shtet, por pa ide për Shtetin në Morinë. . , dhe Ismail Qemali ka vdekur!

Brigitte Bardot na shpëtoftë!
Pas njëmijë e një hamendësimeve për të gjetur qoftë dhe një arsye të thjeshtë se kryeministri nuk mund të tregohet kaq idiot, mesa duket qenka më tepër se një i tillë me shpirt të theksuar anadollaku. Idiot, sipas një shoku psikolog që ende beson se Ay më tepër bën se është i tillë, do të thotë njeri që priret drejt dëshirave. . , dhe realizimit të tyre. Them se nuk mund të tregohet i tillë,  sepse si një idiot që dhunohet sistematikisht prej ëndrrave karakteristike me qengja, statusi i këtyre të fundit vihet në dyshim prej pacaktueshmërisë së kushteve të të qenit i tillë. Pra, qytetarët mund të keqkuptohen. Po ata qytetarë që heshtin përballë deklaratave se për Qindvjetor dhe në nder të shqiptarëve Qeveria ka për të therur një mijë qengja, pakës për të ushqyer të varfrit, e pakës për të dëshmuar ngadhënjimin e një Republike të fuqishme, që nga ana e saj nuk mundëson tjetër pos një manifestimi tepër qesharak për të qenë ushtarak. Ndaj, Brigitte Bardot na shpëtoftë! Na shpëtoftë prej qasjes shqiptare të të therurit, e cila nënkupton dhe themelimin e diçkaje, në rastin konkret dihet: ëndrrën e përbashkët të kryeministrit me atë të princeshës polake që lahej në gjak duke besuar se mund të rifitonte vajzërinë e humbur. E tillë mund të shndërrohet dhe Tirana drekën e 28 nëntorit, teatro e përgjaktë ku zhgërryhen të rimishëruar xhuxhë të tejngopur duke nxituar të gjejnë shkurre për diarrenë e pambajtshme tyren, Zonja Makbeth, Princesha polake. . , e pakës më larg, kundërshtari i tyre, i cili çuditërisht më ngjan me çupëlinën e së kuqes së Mira Meksit, tek ikën gjithmonë pas përballjes me të keqen në kërkim të ndonjë qoshke të sigurt.  Ndaj Brigitte Bardot na shpëtoftë nga demonstrimi i shpirtit tonë të përftuar këta njëqind vjetët e fundit, shpirtin e sakrificës pa shëlbim, por thjesht të nepsit për gjakderdhje.

E kuqe pa turp.
Ndërkohë,  rregullimi i hapësirave publike si estetikisht, ashtu dhe kulturalisht nga pushteti/Bashkia e Tiranës nuk kanë kurrfarë kuptimi pos pamundësisë për të ëndërruar përtej një të kuqeje pa turp, pa atdhedashuri e pa mundësinë minimale për perceptim epshor të dogmës. Them dogmë sepse e ka humbur rëndësinë e saj tragjike duke e bërë edhe më të rëndë situatën, komike. Kryesisht kur Ismail Qemali është pjesëmarrës në një gojore publike [Zonë e Lirë] apo rrahës i përbashkët i shtëpiakeve të dëshpëruara [. . , pas gjashtë Tirana kuqalashe]. Gjithashtu dhe ekspozita klasike tek çelen nga kryeministri i dyqind truprojave, shtatëdhjetë civilëve e gjashtë qenve të antiterrorit. Qytetarë që shqyhen skontove a njëmend rrihen në radhën e pafundme për të parë librin e Buzukut dhe armaturën e Kastriotit. Apo prodhimi marroq i një aparati të tërë publicistik në orvatje për të historizuar pushtetin aktual. Ndaj është shpërfytyruar e kuqja në një të kuqe pa turp, sepse askush nuk denjoi ta kuptonte të thjeshtën si të përsosur, kryesisht për faj të një pushteti të izoluar totalisht prej reales, dhe së dyti ndoshta në mungesë të qytetarëve të bukur. Qytetarë që Mesharin e kanë udhërrëfyes kolektiv dhe shpatën ndëshkim të pakthyeshëm për shqiptarshtypësit e kohës.
Megjithatë ka shpresë sepse ka dhe të kuqe ndryshe: te kuqe revolucionare, të një vullneti të mirë apo të kuqe që përshtat vlerat më të vyera tradicionale, mbrojtja e të cilave është emancipuese. Shpresa gjendet tek e kuqja e shqiptarëve të thjeshtë, e gjimnazistëve të Prishtinës apo tek vogëlushi qe u dhunua nga policia se vodhi një të kuqe kineze, fondi i së cilës, natyrisht, është vjedhur! Sepse shpresa është e të pashpresëve, e cila shndërrohet në pashpresë për pushtetin kur të pafuqishmit të kuptojnë thelbin e tyre: fuqinë. Fuqinë për shtet të shqiptarëve të lirë e të barabartë mes veti!

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.