Dora e mbrapshtë dhe dora publike
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/3115_1_2654.jpg?itok=7SeKhCCr)
Në qoftë se e kini vënë re, shumica e argumentimeve që përdoret te ne kur është fjala për të bërë një ndryshim në shoqëri a shtet, ose për ta kundërshtuar këtë ndryshim, në emër të një reforme ose të një kundërreforme, fillon me „bota“ ose „bota e qytetëruar“ ose edhe më e zgjeruar „bota e qytetëruar ku duam të hyjmë“ dhe pastaj tregohet se si vepron kjo botë, me të cilën zakonisht nënkuptohet Europa Perëndimore apo ShBA. Argumentuesi në këtë rast e përfytyron veten si përfaqësues të këtij qytetërimi, ende larg pjesës dërrmuese të shoqërisë shqiptare, kurse palën që po e mëson, të prapambetur, të paqytetëruar, jashtë asaj bote ideale.
Pikërisht kështu fillon edhe një intervistë e ditëve të fundit në Gazetën Shqiptare e drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, z. Apollon Baçe. Intervista shtron dhe mbron idenë që është përsëri, me ç’duket, si shumë herë të tjera, projekt i mbrapshtë i lindur në mendjen e kryeministrit të tij dhe një grushti njerëzish, që monumentet kulturore të Shqipërisë të privatizohen, t’i jepen për përdorim privatit me afate shumëvjeçare, që shkojnë deri 89 vjet. „Në të gjitha vendet e botës – thotë z. Baçe - nuk është shteti ai që bën investimet më të mëdha sepse këto bëhen me donacione e investime nga privatët. Ne nuk mund t’i përballojme nevojat që kanë monumentet tona“ etj. Ja, kështu e nis argumentimin e tij njeriu të cilit shoqëria dhe shteti ynë i ka besuar një detyrë sa të vështirë aq edhe fisnike: të mbrojë fytyrën dhe shëndetin e asaj pak gjëje që na ka mbetur për t’u krenuar: trashëgimisë sonë kulturore. Mirëpo pikërisht ky njeri e fillon me një gënjeshtër, me një silogjizëm e një mashtrim, që ai e shpërndan në eter me bindjen se opinioni do ta marrë për të vërtetë, meqë në këtë rast „botën“ po e citon dhe merr si argument një funksionar i lartë me tituj si dr. prof. etj. Silogjizmi qëndron në faktin që investime të mëdha në një monument kulture vërtet që shpesh mund të bëhen me fonde private ose pjesërisht private, por kjo s’ka të thotë gjë për pronësinë e këtyre monumenteve, e cila mbetet shtetërore ose më saktë publike. Dhe këtu është thelbi i mashtrimit: përmes kësaj interviste z. Baçe përpiqet të na bindë përse shteti ynë duhet të heqë dorë nga administrimi i monumenteve të kulturës dhe t’i nxjerrë ato në ankand (si do të zgjidhen privatët? pyet gazetarja – Do të ketë një ankand për këtë punë, përgjigjet z. Baçe, që pak më lart na ka njoftuar se „kemi bërë një listë munumentesh (kush janë „kemi“, ai dhe z. Ceka? apo ai dhe z. Ceka dhe z.Berisha?), të cilën do ta diskutojmë me ministrin Bumçi“). E njohim aq botën, edhe pse mund të ngjajmë ende vend i humbur në skaj të perandorisë krra-krra, sa ta dimë që, bie fjala në Gjermani a Austri, mbrojtës i çdo monumenti, në fshatin më të vogël a në qytetin më të madh është dora publike. Die oeffentliche Hand, z. Baçe, meqë e mbani veten edhe me kulturë gjermanike, duhet ta njihni këtë togfjalësh. Kjo dorë publike vërtet e lejon një kafene a një restorant të vogël anë një kështjelle, sepse fundja njerëzit që janë lodhur derisa janë ngjitur gjer atje, një kafe e meritojnë; kjo dorë publike e lejon vërtet edhe një dyqanxhi në hyrje (apo dalje) të monumentit që të shesë aty suvenire nga monumenti, por pronësinë nuk ia kalon as kafexhiut as dyqanxhiut. Sepse monumenti është padiskutuarshëm administrim i komunës, bashkisë, qytetit, shtetit. S’ka analfabet e s’ka fëmijë në këtë botë (në atë dhe në këtë tonën) që të mos e njohë sentencën e përhershme, por dhe të përjetshme të njerëzimit: „Monument kulture, mbrohet nga shteti“. Sado i varfër, sado ngordhalaq një shtet, sikurse yni, ky kumtim është gati-gati i shenjtë, ai bën që një x-monument kulture të ruhet vetiu nga njerëzit edhe kur aty nuk ka as dhe një rojtar. Sa herë na ka ndodhur të çuditemi se si ngrihen thuajse pa zot mure mijëravjeçare në Shqipëri, pa u dëmtuar nga askush. Sepse çdo njeri ka vetiu respekt për kujtesën e tij kolektive, siç ka dhe frikë (gjermanët e kanë në një fjalë të vetme frikë-respekt: Ehrfurcht) ndaj shtetit të tij.
Në vazhdim të argumentimit të tij demagogjik, z. Baçe sjell shembullin e Pompeit: „nuk është një gjë që e shpikëm ne pasi po të shkosh në Pompei gjen edhe nje bar-kafe“. Isha vjet në verë në Pompei dhe krahas mrekullive të mirëmbajtura, nuk mund mos të të kapte trishtimi kur shihje skela të ngritura prej vitesh, në punime restauruese që nuk merrnin fund, ose afreske të zbuluara, që mund të prekeshin me dorë (disa madje ishin dhe zhgarravitur, si te ne në Voskopojë). UNESCO prej vitesh është mjaft e shqetësuar për administrimin e Pompeit; siç e shpjegon bindshëm z. Artan Shkreli në një shkrim të këtyre ditëve, në kundërshtim të gja-argumentave Baçe: „pas dhjetë vjetëve eksperimentim, qeveria italiane u kthye përsëri mbrapsht me dekretin Rutelli të vitit 2007-ës”, dmth. praktikisht prapë te shtetëzimi i administrimit.
Të ngatërrosh nevojën për një kafe bashkëngjitur monumentit me mirëmbajtjen e monumentit, që duhet të jetë medoemos detyrë publike, do të thotë të dorëzosh edhe kështjellën e fundit të vetëdijes tënde si shtet. Dhe kjo ndodh mu në 100-vjetorin e pavarësisë, sikur kërkon të nënshkruajë mospavarësinë reale të ndonjë shteti në këto anë.
Përfytyroni sikur të realizohet vërtet vizioni Berisha-Baçe-Ceka: kështjellat e Ali pashës, si ajo bie fjala në Porto Palermo, merren në menaxhim nga kompani celulare. Në hyrje të tyre vajza me minifund që të lënë në dorë prospekte për tarifat e fundit të një bote „plot kështjella“; kati përdhes është kthyer në qilar-tavernë, dhomat e katit të sipërm janë dhoma fjetjeje VIP ose një suitë e vetme, atje ku dikur ngrihej flamuri i gjysmëhënës ose ai shqiptar, sot një antenë simbolike telefonie tregon zotin e vërtetë të objektit.
Kam parë me sytë e mi ç’ndodh me monumentet e natyrës në Shqipëri, kam filmuar, kam fotografuar se si shpërthen një shtet i obsesionuar pas ndërtimit të rrugëve, në emër të Rrugës së Arbrit, faqet e kanionit te shkalla e Tujanit dhe lë të rrokullisen pa asnjë të keq mollokët e shkëmbenjve brenda në lumë; kam parë se si çel gurore në pikat më të bukura (ku lind dielli, te Qafa e Priskës? aty po e hapim një gurore), kam parë si lejon restorant anë Syrit të Kaltër për të lundruar brenda ujërave të kthjellta bidona e kanaçe sa të duash, por që të zbathet deri në këtë pikë sa të nxjerrë në ankand edhe Rozafën, Apolloninë, Butrintin, kjo të shkakton një ah nga fundi i shpirtit dhe ndonjë britëm të llojit: „si mund ta quanim ne tradhtar mbretin Zog që u fali jugosllavëve Shën Naumin? Po ai e paska shpëtuar atë manastir me nam, a thua se parashikoi ç’takëm drejtuesish do merrnin në dorë fatet e kujtesës kolektive shqiptare!“
Kam frikë se po shkojmë drejt një 100-vjetori përherë e më të zymtë, përherë e më mosbesues ndaj një pavarësie që në të vërtetë s’është.
Comments
Z Klosi ! Te shkuara ! Ne se

Z Klosi !

Te shkuara ! Ne se eshte keshtu si shkruante Gazeta Panorama ,sepse nepermjet saj mora vesh se kishit qene i semure dhe nga menyra se si Panorama interesohej per Ju me detyroi ti shkruaja nje koment te cilin ajo nuk e publikoi .

Sidoqofte me behet qejfi qe gezoni shendet te plote sepse duket ne doren qe ka shkruajtur artikullin.

Lidhur me artikullin Tuaj do te thosha se qendron plotesisht

Mendoj se keta njerez edhe Shqiperine duan ta bejne si nje prostitute te nxjerre ne semafor Dhe Tutori kryesor kuptohet del qeveria ndersa mbledhesat e lekeve jane disa sharlatane qe kerkojne te perfitojne si te babezitur duke na mbushur gjoja mendjen se e bejne per te miren e vendit kur ka plot opsione te tjera qe jo vetem e ruajne dinjitetin kombetar por edhe e zhvillojne ne menyre dinjitoze dhe me mjaft efektivitet çdo monument kulture apo trashegimeri te popullit shqiptar

Te gjitha rruget e

Te gjitha rruget e rrugicat te nxjerrin ne nje pike : Ne "sheshin" brigje-brigje SALI BERISHA.Jane aq shume problemet e trajtuara ketu,shqetesimet e ligjeshme te qytetareve,sa qe nuk mund te numerohen: Atdheu,mbrojtja,ekonomia,ligji,shteti,historia,gjuha,dinjiteti kombetar dhe imazhi yne ne bote, e sa e sa te tjera,dhe...qe te gjitha te nxjerin tek njeriu krejt i pa pershtatshem e i pa denje per te na qeverisur e perfaqsuar.Me largimin e tij nga pushtetet qe ka uzurpuar,ne mos te gjitha,por pjesa me e madhe e ketyre problemeve,do te hyje ne rrugen e zgjidhjes.Nuk mund te presim qyteterim nga nje njeri i pa qyteteruar.KETE DUHET TE KUPTOJME .

Ne perfundim te te gjitha

Ne perfundim te te gjitha gjerave - del ne konkluzionin qe ketu ne shqiperi nuk shtyhet dhe nuk jetohet - me rrugen e pare qe do me jepet - kam per t'ia mbath nga syte kembet - pavaresisht se une personalisht i kam gjerat ne vije - qofte me pune shume te mire, shtepi tashme te blere dhe ne pozicion te mire ; kur mendoj qe kushedi sa kohe do na rrine neper qeveri saliu me shoke, me liken e me gjithe te tjeret - thua qe as femijet tane nuk do shpetojne pa u traumatizuar - ne e hengrem (edhe pse jam rreth 30 vjec) ; Kot sa per kulture - votoni me poshte nese ia vlen te jetosh ketu apo jo ????

Z. Klosi shkrim shume i

Z. Klosi shkrim shume i arrire. Nuk e mendoj se si mund te jepen me koncesion monumentet e kultures????Dhe ne vendet me te humbura te botes nuk ndodhin keto gjera!! Pompei ka te ardhura vjetore rreth 8-10 milion€ dhe per shkak te KEQ administrimit investimet jane rreth 750.000€ max ne vit??????????? Dhe per kete shkak ne Pompei shohim shkaterrim , shembje etj... Monumentet tane jane qe tani gjysem te shkaterruar, por kta privatet do na i kthejne ne disko e qebabtore me duket!!!!!!!!!1

Duart larg nga monumentet

Duart larg nga monumentet tona Sali.

Zoti Klosi uroj te jeni

Zoti Klosi uroj te jeni sheruar dhe te jeni sa me mire !

Me pelqeu shkrimi i juaj por nuk kuptoj nje gje;Si ka guxim apo surrat Artan Shkreli,ai qe me doren e vet ka firmosur shkaterrimin e kalase se Lekursit ne Sarande,të na dalë tani si mbrojtsi i monumenteve aq sa na duket se do te na bie theror per to ?!...

Add new comment