A do të bëhet Shqipëria?

Postuar në 02 Gusht, 2011 05:03
Alfred Kola

Gjithmonë i kam urryer komentet fataliste për Shqipërine dhe njerëzit që i bënin ato. Nuk mund të duroja dot kur thonin se “Shqipëria nuk bëhet”, “ky vend është i mallkuar”, “ky popull është i dënuar të vuajë”, madje as kur i referoheshin thënies së të madhit Faik Konica “Shqipëri të kam dhj…”.  Kisha një optimizëm të palëkundur se kishte ardhur koha që ne shqiptaret, të zinim vendin që na takonte përkrahë popujve të tjerë, se thirrja apostolike “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” do të ishte slogan udhëheqës në sfidat që na prisnin për të realizuar këtë detyrë të veshtirë. Megjithatë si shumica e shqiptarëve, edhe unë e ndieja që në fillim se gjërat nuk po bëheshin ashtu si duhet, se njerëz pa arsimin më minimal dhe të mirënjohur në botën e krimit po bëheshin shefa komisariatesh, po zinin poste drejtuese në administratë, në diplomaci, në dogana e tatime, madje edhe në drejtësi e arsim, dhe më pas, brenda muajsh u pajisën me një sërë diplomash e masterash. Furtuna e ngritjes së injorancës në pozita sunduese dhe pasojat që e shoqëruan atë, sigurisht që më revoltonin pa masë, por thoja se konkurenca do t’i eliminonte dhe koha do t’i flakte tutje si mbeturina të një tranzicioni të çrregullt; kjo e nxitur edhe nga fati që pata që ndesha një makinë të nje misioni humanitar,  mbushur me botime universitare, dhuratë e universiteteve amerikane dhe që shoferi, pasi kishte shkuar shkollë më shkollë e asnjë nuk ia kishte pranuar , kishte vendosur t’i shkarkonte në plehra. I llahtarisur nga kjo, e binda shoferin të ma jepte mua ngarkesën, dhe pasi zgjodha një gamë të gjerë botimesh për biblotekën time personale, ua shpërndava librat (që të jem i sinqertë, ishin shumë) nxënësve dhe studentëve që ndeshja në rrugë apo që i njihja. Ishte me të vërtetë e dhimbshme tek shikoja disa ditë më pas që me faqet e librit “The American Government – Freedom and Power”, botimi më i plotë për qeverinë amerikane nga autorët Lowi & Ginsberg, mblidheshin farat e lulediellit në buzë të trotuarit apo byrekët që shiteshin në kioskat e qytetit dhe rrethinave. Si njohës i mirë i gjuhës angleze fillova të studioja me ëndje librat e ekonomisë dhe të politikës për të kuptuar më tej atë që prisja të ndodhte në Shqipëri ku, sigurisht, eleminimi i të paaftëve do të ishte një proces i pashmangshëm .

Dhe pastaj vijoi “marrëzia kombëtare”e firmave piramidale, ku shqiptarët ishin aq të etur për të falur para, sa paguanin njerëz me shuma të majme për të qëndruar në radhë për ta. Pamja e atyre njerëzve në radhë të gjata, madje nga padurimi edhe duke u kacafytur, për të flakur tej kursimet e tyre nga puna e rëndë në emigracion apo nga shitja e shtëpisë dhe të ardhmes së fëmijëve, më ndjek nga pas si një vegim i shëmtuar i një marrëzie të paprecedent në historinë botërore dhe një turpi kombëtar të pashembullt. Duke qënë se në atë kohë isha shumë i apasionuar pas CNN-it, ku analizohej se ç’po ndodhte në Shqipëri me këtë fenomen dhe pasojat që do të rridhnin prej tij, u përpoqa me gjithë shpirt të bind sa më shumë njerëz për rrezikun që iu kanosej, por pa dobi. Thirrjeve të mia të tipit të Gjon Pagëzorit në shkretëtirë, drejtuar të njohurve të mi që t’i thërrisnin arsyes, ata i përgjigjeshin me tallje e shprehje fyese se unë nuk merrja vesh nga këto punë dhe se këto fondacione ishin për të ndihmuar shqiptarët të pasuroheshin shpejt. O Zot, ç’trashësi legjendare!

Dhe rrjedhojë e kësaj marrëzie ishte tragjedia e ’97-s. Ajo thjesht u emërtua “trazirat e ’97-s”, por nga numri i viktimave dhe pasojat afatgjata në vend meriton me plot gojën të quhet luftë civile. Por, në vend të pakësohej, optimizmi im njohu nivele të reja edhe më të larta. Ishte një përmbysje madhështore, që u tregoi të gjithëve se shqiptarët nuk do ta pranonin më tiraninë dhe çorbën e hidhur që iu ofrohej si liri e democraci. Tani do të kishim një lider të ri që të na udhëhiqte drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në familjen evropiane. Por vitet u rrokullisën si rrota e fatit, e shigjeta nuk ndaloi kurrë në zonën Progres. Zënka e grindje politike për sfera influence, korrupsioni galopant, varfërim të popullsisë dhe papunësi, shitje të dyshimta të pasurive kombëtare, infrastrukturë e rrënuar dhe drejtësi e masakruar. Këto ishin ato që udhëheqësi ynë i ri na garantoi pa më të voglin dyshim, për gjakun që u derdh për ta liruar nga burgu dhe për ta ngjitur direkt në fronin e shefit të vendit. Shpejt u provua se njeriu tek i cili ne kishim varur shpresat për të ardhmen tonë, ishte nje playboy i vonuar dhe i dehur në miniaturë, që përpiqej të kapte kohën e humbur të kënaqësive të pa provuara, që e bënin qesharak dhe të pështirë. Këtu, për herë të parë, optimizmi im, ashtu si i miliona shqiptarëve, u lëkund fort, por nuk u shua, sepse, ndonëse e humba besimin tek qeveritë dhe politika, prapë kisha besimin të pakufijshëm tek populli im, tek ata njerëz të mirë, trima e punëtorë. Kisha besim, se ne vetë, do ta sillnim ndryshimin. Vite të tëra beteje për demokraci dhe prosperitet, do t’i kishin bërë këta njerëz të ndërgjegjshem se ishin ata që kishin fatet e politikanëve në dorë dhe jo e kundërta; kisha besim se ndjenja e përkatësisë në një komunitet, i kishte sjellë këta njerëz më afër me njeri-tjetrin; se ndjenja qytetare dhe aspirata e Shqipërisë evropiane është më e fortë se tundimi me një post apo vend pune, si një lemoshë që gjahtari ia jep zagarit të tij. Por koha dhe vitet që rrodhën,të pistë si uji i lumenjve tanë të përdhunuar, provoi që isha plotësisht i gabuar. Vitet e rënda të tranzicionit, mentaliteti oriental dominues dhe shthurja e çdo morali shoqëror e kishte nënshtruar këtë popull. Pritshmëria ime e hershme, se injoranca në poste drejtuese, do të eliminohej nga konkurenca nuk u realizua kurrë. Përkundrazi, ky kontigjent tashmë zotëronte çdo qelizë të shoqërisë dhe ishtë rritur në masë e përmbajtje, madje kishte hapur edhe universitete për të përgatitur breza të rinj si soji i tyre.

Armiqtë e dikurshem ishin bërë miq dhe kishin bashkuar forcat vetëm kundër një individi. Ata bënin pazare për shkrirjen në një, dhe të përjetesonin kështu sundimin e tyre. Madje kukullat ish-ministra e kryeministra, predikonin paqe dhe alternim pushtetesh vetëm me zgjedhje. E respektoj plotësisht këtë, por sa herë dëgjoj nga ata këto predikime, me lind vetvetiu pyetja “A do të kishte lirim nga burgu nëse nuk do te ishte ’97-a; a do te ishin bërë ministra dhe kryeministra këta pastorët e tanishëm të paqes dhe bashkëjetesës? Vështirë të besohet kjo! Dhe kaq shumë është qelbur koka e ka zënë erë sa edhe kur derdh gjakun për tu falur liri e poste ata prapë tallen me ty.

Askush në atë vit të lavdishëm 1990 nuk do ta besonte se Shqiperia do të ndodhej ku është sot në 2011. Por, ja tek jemi, 21 vjet më vonë, më shumë se kurrë larg ëndrrës sonë për nje Shqipëri si Evropa, ekstremisht të varfër dhe fare të pashpresë. Duket sikur kemi bërë një levizje orbitale 20-vjeçare, për t’u kthyer atje ku e nisëm. Po si ndodhi kështu? A jemi me të vërtetë të mallkuar në tokën tonë?

Nuk gjej asnjë arsye të besoj në një mallkim të ardhur nga historia. As në legjendën për dënimin e përjetshëm të këtij populli për të patur gjithmonë në krye një qeveri që e shtyp. Por jam plotësisht i prirur të besoj tek INDIFERENTIZMI dhe PAPERGJEGJSHMERIA e shqiptarëve, tipare, që edhe pse nuk duam t’i pranojmë, qëndrojnë në themel të karakterit tonë kombëtar. Indiferentizmi ndaj rëndësisë që ka një votë si formë pjesëmarrjeje në përcaktimin e fateve kombëtare dhe përgjegjësia qytetare për ta respektuar atë si vullnet individual çojnë në manipulime zgjedhjesh, shitje e blerje votash dhe pazare të ndyra politike me ndikim të madh në jetën e të gjithë vendit. Pasoja fatale e kësaj është ngjitja dhe qëndrimi në pushtet i individëvë bajraktarë të çfarëdo krahu politik, që luajnë me kombin dhe jetën e njerëzve si me çiflikun e tyre, pikërisht për shkak të indiferentizmit të shqiptarëve ndaj ndjenjës kombëtare dhe papërgjegjshmëria për fatet e vendit dhe të ardhmes së brezave që vijnë. Është kombinimi i këtyre dy tipareve, për mendimin tim, që ka bërë që në një shekull histori, shteti modern shqiptar të dominohet nga vetëm katër njerëz që kanë vepruar me vendin si të ishtë pronë e tyre private duke e zhytur popullin në varfëri e mjerim. Është papërgjegjshmeria e gjykatësit, mjekut, mësuesit, policit, kryetarit të bashkisë, ministrit, prodhuesit, biznesmenit dhe vetë popullit që Shqipëria ndodhet në këtë situatë kaotike pa respekt dhe frikë ndaj ligjit, dhe sigurisht, pa më të voglën etikë dhe moral minimal. Dhe sa për largimin e kastës së vjetër politike vetëm me votë, kjo është vetëm një gënjeshtër e përmasave historike. Nëse një qeveri, qoftë e zgjedhur edhe me votë, bëhet tiranike, shtyp popullin dhe vepron kundër interesave të kombit, largohet me forcë nga vetë populli sovran pa pritur ditën e votimit, dhe pjestarët e saj vihen para ligjit i cili parashikon ndëshkime të rrepta.. Kjo është e sanksionuar në çdo kushtetutë të botës nën shembullin e asaj amerikane.

“Po a do të bëhet Shqipëria?” – një pyetje që për shekuj me radhe shqiptarët ia kanë bërë vetvetes, sikur të prisnin që dikush të vinte dhe t’ua gatiste sipas shijeve të tyre. Për turpin tonë, kjo pyetje është në rend të ditës edhe sot, në epokën e dominimit të idealeve të lirisë, barazisë dhe prosperitetit ekonomik për të gjithë. Perspektiva është e zymtë dhe vetëm një mrekulli e ardhur nga ndërgjegjësimi i vetë shqiptarëve për të ardhmen e atdheut të tyre, do ta ndriçonte këtë perspektivë. Unë vetë nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetje, duke i ftuar të gjithë të shprehin mendimin e tyre. Tek e fundit çdo gjë varet nga ne, apo jo?

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Shqiperia do te behet vetem kur shqiptaret ta kuptojne se duhet ta bejne vete

Submitted by Paul Tedeschini... (not verified) on

A do të bëhet Shqipëria antare e plote e Konferences se Vendeve Islamike?
Pyetni Sali Berishen !

Submitted by Anonim (not verified) on

pse edhe ne konferencen islamike nuk jemi me antaresim te plote?

Submitted by Paul Tedeschini... (not verified) on

Per kete po punon Sali Berisha. Saber deri sa te dalim ne selamet.

Submitted by Edrin Gaxhenji (not verified) on

Problemi eshte se ne shqipetareve nuk na e kane fajin vetem politikanet. Fajet i ka dhe injoranca e tepert dhe interesi i perditshem qe na kane lene ne te njejtin nivel, si ate te 20 vjeteve me pare. Ne mendojme te hame nje veze sot dhe jo nje pule neser. Ne na behet me shume qefi kur dikush na dhuron nje peshk sesa kur dikush na meson te peshkojme. Mendimi im personal eshte qe asgje nuk eshte e pamundur dhe se nje grup shume i vogel njerzish sado vullnet te kene nuk mund te ndryshojne dot boten nqs bota nuk ka deshire te ndryshoje.

Submitted by Anonim (not verified) on

Ke shume te drejte! Thjesht shqiptaret e kane fajin per gjendjen e tyre. Po si do t'ia bejme?

Submitted by indrit (not verified) on

Lajm i sotem: "Hosni Mubarak gjykohet ne barrele i mbyllur ne kafaz per Vrasje dhe Korrupsion.Bashke me te gjykohen edhe djemte e tij"
Mund te themi se ne Egjipt po ndizet nje drite shprese. Edhe Mubaraku, me mbeshtetjen edhe te perendimoreve, sundoi mbi ate vend shume me te madh se "Vendi i Shiponjave" per 30 a 40 vite. Nuk ma merr mendja qe ai ta kete shkatarrruar Egjiptin deri ne ate fare feje si eshte shkatarruar "Vendi i Shqiponjave, ku s'ka me as sorra". Ndoshta se ka zhvilluar, por qe ta kete shkatarruar keshtu si ndodh tek ne "gjoja zhvillim" s'ma do mendja. Por edhe n.q.s nga ana urbanistike ta kete shkatarruar bash po si ketu te ne, te pakten institucionet bashke me gjykatat si paska shkatarruar fare, gjerisa po e gjykojne ne kete fare feje, i moshuar, ne barrele, dhe ne kafaz. Por edhe sikur ky ti kishte shkatarruar te gjithe keto istitucione, me gjykates e sorrollop, dhe sikur ky gjyq te ishte veç farse tanime qe gjithçka ka mbaruar, prape se prape, nje gje i kishte mbetur:- S'kishte shkatarruar dot shpirtin e Lirise, shpirtin e protestes, shpirtin e vete kombit, i cili per shume me pak zullume se i yni ia tregoi vendin.
Ky i zgerdhiri i trishtuar i yni, e ka bere edhe kete.Gjate sundimit te tij perveçse jane shkatarruar me male, pyje, lumenje, ara, vreshta, kullota, det e gjithçfare, jane shkatarruar rishtazi qellimshem te gjitha istitucionet e ketij vendi (ato istitucione qe duhet te ruanin ato pyje,male, kullota). Dhe si te mos mjaftoje gjithe ky rrenim material, ky njeri e ka rrenuar kete poppull edhe shpirterisht dhe moralisht. Te tere njerezit me te cilet dialogon per keto gjera, tge thone po lere ça ngatarrohesh me keto pune, se ky vend keshtu e ka, se te tere njesoj jane, se ndoshta keta jane ngopur dhe tani do fillojne te bejne ndonje gje edhe per ne, se po erdhen keta te tjeret duhen ngopur nga e para. Nje perulje e padegjuar e shoqerise ndaj se keqes, ndaj imorales, ndaj se felliqures, nje perulje drejt servilizmit. Dhe kjo eshte fitorja me e madhe qe ai njeri duhet ti njohe vetes.
KUR DO TE BEHET SHQIPERIA?
Kur lajmi i dites te jete: "Sali Berisha po gjykohet i mbyllur ne kafaz per Vrasje, Korrupsion e Shume Zullume. Bashke me te po gjykohen edhe djali dhe vajza e tij".
Kur lajmi i dites te jete ky, athere ndoshta do te kete lindur nje dite e re per "Bijte e Shipes". Do e kuptojne te gjithe deri tek ai tatimori qe te drejtohet ne menyre arrogante "10 mije per Lalen apo 100 mije per Salen", se ky vend paska ligj qe denoka jo vetem ate, por edhe vete te pa-denushmin Sali.
Shpresojme vetem qe lajmi mos te kete edhe fjalen "ne barrele", sepse do te thonte se do kishin kaluar me te vertete edhe nja 20-30 vjet te tjera, bash ashtu sikurse i madherishmi Sali pat parashikuar ne vitin e larget 2010.

Submitted by TheOne (not verified) on

Amen! Fjala jote ne vesh te Zotit, se te ne bie ne vesh te shurdher.

Submitted by l.llemi (not verified) on

Shqiperia do te behet kur te mare fund babëzia e duke ditur qe kjo nuk fundoset kollaj fati i ketij vendi mbetet i shkruar....
...edhe nje gjë, mos ja vini shume fajin horrit Sali, ai "gjen shesh e ben pershesh" e per kete "bravo i qofte", por shikoni opoziten, alias PS-ne, sa e dobet eshte, sa e perçare, sa e pa afte per tu bashkuar, sa teper e pa afte eshte per te mbrojtur voten qe populli ja ka dhene ne çdo votim, sa e babezitur dhe e paduruar eshte edhe ajo per pushtet saqe ben gabimin fatal e futet ne beteje e vetme me bindjen e patundur ne fitore...??!!! Por fitorja duhet nbrojtur dhe besimi i tepruar plus nenvleresimin e kundershtarit hajdut eshte disfate e sigurte...
... e derisa te mare fund babezia qe te behet Shqiperia, "rrofte" makutëria... tung

Submitted by Anonim (not verified) on

Ketu jane te gjithe te perzjere, prandaj duket çdo gje pa shprese. Se si do i veje puna?!!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.